Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PËRPÚSHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përpush ose kur përpushem. Përpushja e zjarrit.
2. kryes. sh. Lëvizje të shqetësuara që bën dikush nga dhembjet ose nga ndonjë ngacmim tjetër i fortë a i papritur; lëvizje a përpjekje të kota; përpëlitje.
✱Sin.: shpërpushje, shpupurishje, shpuzitje, prushitje, përshkënditje, shpupuritje, zhguritje përpëlitje, shprishje, trazim, hapje, shpurritje, shkërmoqje, gërryerje, përpjekje.
►PËRPËLÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Lëviz a përpiqem shumë sa andej e këtej, sillem vazhdimisht herë nga njëra anë, herë nga ana tjetër nga një dhembje, nga një shqetësim i fortë a nga diçka tjetër që më mundon shumë. Përpëlitej i sëmuri. Përpëlitet në shtrat nga dhembjet. Përpëlitej në grahmat e vdekjes. Përpëlitet si peshku në zall.
2. fig. Vuaj shumë. Përpëliten në kushtet e një varfërie skajore.
3. Bëj përpjekje të mëdha e në shumë drejtime për të shpëtuar nga një rrezik, për të dalë nga një gjendje e vështirë a për të gjetur një rrugëdalje. Përpëliteshin mes dallgëve të egra.
✱Sin.: përpiqem, plapuritem, përpushem, përdridhem, shpurdhem, shkëpurdhem, tartallis, mblidhem, rrotullohem, dridhem, sillem, rropatem, shpupurishem, shpupuritem, zhgërryhem, vuaj, mundohem.
♦ Më përpëlitet (më dridhet) *zemra (shpirti) (për dikë a për diçka).
►SHPUPURÍSH/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Më ngatërrohen flokët, më prishet krehja (për njerëzit); fryn puplat a pendët e zhgërryhet (për shpendët). Flokët i qenë shpupurishur. Po shpupurisheshin pulat. Përpushem. Ç'ka që po shpupurishet?
2. fig., vetv. Lëviz andej-këtej, tundem, përpiqem si e si ta bëj më mirë një punë; nuk rri rehat. U shpupurishën që t'i pritnin miqtë sa më mirë. Shpupurishej si zorra në prush.
3. pës. e SHPUPURÍSH.
►VËRTÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Sillem rreth vetes a rreth diçkaje, vij rrotull, rrotullohem. U vërtit një herë (dy herë...). Mezi vërtitet. Toka vërtitet rreth Diellit. Vërtitet rreth boshtit të vet.
2. vetv. Kthehem nga njëra anë në tjetrën (nga dhembjet, nga shqetësimi etj.), rrotullohem andej e këtej. Vërtitej në shtrat. Vërtitej sa në njërën anë në anën tjetër.
3. vetv. Endem andej e këtej, sillem poshtë e lart në një vend a në një hapësirë të kufizuar, vij rrotull. Vërtiteshin aeroplanët. Vërtitej nëpër dhomë. Vërtitej nëpër pazar. U vërtit nëpër pyll. Vërtitej poshtë e lart. U vërtit gjithë ditën. Vërtitej si kali në lëmë. Vërtitej si qen rrugësh.
4. vetv. I vij rrotull dikujt; i rri gati a pranë dikujt. Iu vërtit pa iu ndarë. I vërtitej asaj.
5. fig., vet. v. III Gjendet afërsisht tek e njëjta pikë, shkon a lëkundet midis dy caqeve të afërta. Temperatura vërtitej rreth zeros. Përqindja vërtitej nga dhjetë deri njëzet.
6. fig., vetv. Flas gjithnjë rreth një çështjeje, kthehem gjithnjë po aty. Biseda u vërtit rreth ndeshjes së djeshme. Vërtitej po aty.
7. fig., bised., vetv. Ndryshoj shpejt e me shkathtësi sjelljen a veprimet sipas rrethanave; i shmangem me dredhi përgjigjes së drejtë a diçkaje tjetër; veproj me dredhi. S'e lanë të vërtitej si t'i donte qejfi.
8. pës. e VËRTÍT.
✱Sin.: rrotullohem, përpiqem, kthehem, përkthehem, përpushem, dredhoj, bredh, sillem, sorollatem, endem, vërdallem, harakuqem.
♦ Më vërtitet *mendja.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë