Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LAKONIKÍSHT ndajf. Në mënyrë të ngjeshur, qartë e të prerë, shkurt, përmbledhtas. Përballë pyetjes së ndërlikuar ajo e shpjegoi lakonikisht situatën.
PARASHTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. zyrt. I paraqit dikujt shkurt e në tërësi një kërkesë a një çështje për ta shqyrtuar, për ta miratuar etj., i bëj dikujt një parashtresë. Parashtroi një kërkesë.
2. Kumtoj përpara të tjerëve përmbledhtas çështjet kryesore, mendimet e kërkesat për një temë a për një detyrë. Parashtroi mendimet (idetë, pikëpamjet). U parashtroi detyrat.
✱Sin.: shtroj, paraqit, hedh, ngre, nxjerr, drejtoj, shtjelloj, shpërfaq, shpalos, shfaq, zbuloj, shpreh, bëj, jap, sjell, kumtoj, shkoqis.
PRAPATHË́NI/E,~A f. Shkrim i shkurtër në fund të një vepre studimore, shkencore etj., ku jepet përmbledhtas vlerësimi për veprën, për idetë që e përshkojnë etj.; kund. parathënie. Vepra ka një Hyrje dhe një Prapathënie.
PËRMBLÉDHTAS ndajf. Në trajtë të shkurtuar, duke paraqitur me pak fjalë gjërat kryesore, në mënyrë të përmbledhur. Foli përmbledhtas. E shtroi çështjen përmbledhtas. Shkruan përmbledhtas për ngjarjet e ditës.
✱Sin.: shkurt, shkurtas, shkurtazi, shkurtimisht, përmbledhur, përmbledhtazi.
PËRMBLÉDHTAZI ndajf. Përmbledhtas.
PËRMBLÉDHUR ndajf. Përmbledhtas. Foli përmbledhur.
SHKURT ndajf. 1. Duke shkuar nëpër rrugën më të shkurtër për të arritur diku, nga është rruga me e shkurtër, andej nga del me afër (e shoqëruar ose jo me parafjalën «për»); kund. gjatë. I rashë (për) shkurt. Andej dalim shkurt. Këtej bie (pret) më shkurt. Nga shkohet më shkurt?
2. Në mënyrë të tillë që të mos mbulohet qafa, me gjatësi të vogël (për flokët). I pres flokët shkurt.
3. Me pak fjalë, pa hyrë në hollësira, pa e zgjatur; përmbledhtas; kund. gjatë; gjerë. Foli (u përgjigj, i ra) shkurt. Shkruaj shkurt. Që ta themi (që t'i biem) shkurt...
4. bised. Duke thënë fjalën e fundit (kur bëjnë pazar për diçka); duke e thënë një gjë copë dhe me pak fjalë. Sa e mban shkurt? Këpute shkurt! Do shkurt ti?
5. Që ta themi me pak fjalë, që të mos e zgjatim (përdoret në krye të një fjalie kur rimerret e përmblidhet me pak fjalë ajo që është thënë më parë). Shkurt, aty ka pasur një fry me të lartë luftarake. Shkurt, nuk kthehem dot para shtatorit.
✱Sin.: prerë, preras, prerazi, shkurtas, shkurtazi, shkurtimisht, përmbledhtas, përmbledhtazi, kërthazi, drejt, përfundimisht, shkurtimisht, copë, hapur, troç, pak.
♦ *I bie shkurt (dikush). 1. E përfundon shpejt një punë a një çështje, pa u thelluar dhe pa hyrë në hollësira. 2. Flet pak e prerazi, nuk e zgjat; e thotë copë ç’ka për të thënë; ia preu shkurt (dikujt); i pret drutë shkurt; kund. i bie gjatë. I pret drutë shkurt (dikush) nuk ia zgjat dikujt, merr vendim të shpejtë e të prerë lidhur me të; i jep dikujt përgjigjen e duhur, ia thotë drejtpërdrejt e pa e zgjatur ç’ka për t’i thënë a ndahet me të menjëherë; i pret drutë të shkurtra; i do drutë të shkurtra; s’i bën drutë të gjata; ia preu shkurt (dikujt); i bie shkurt; i ka fjalët të shkurtra; i tregon vendin (dikujt). Ia preu shkurt (dikujt) ia tha diçka në mënyrë të vendosur, pa mëdyshje dhe pa e zgjatur më tej; nuk e duroi shumë, s’ia zgjati; i ra shkurt (dikush); i pret drutë shkurt (dikush); i pret drutë të shkurtra (dikush); i do drutë të shkurtra (dikush); s’ia bëri të gjatë; i ka fjalët të shkurtra (dikush); s’ia bëri as një as dy. Shkurt *hesapi.
SHKÚRTAS ndajf. 1. Shkurt, me pak fjalë. E tregoi shkurtas.
2. Shtiem shkurtas: hedhim shkurtëzën.
✱Sin.: përmbledhur, përmbledhtas, përbledhtazi, shkurt, shkurtazi, shkurtimisht.
SHKÚRTAZI ndajf. Në mënyrë të përmbledhur, shkurtas. I ra bisedës shkurtazi.
✱Sin.: përmbledhur, përmbledhtas, përbledhtazi, shkurt, shkurtas, shkurtimisht.
SHKURTIMÍSHT ndajf., libr. Në mënyrët të shkurtuar, shkurtas. Foli shkurtimisht. E përmblodhi shkurtimisht.
✱Sin.: përmbledhur, përmbledhtas, përbledhtazi, shkurt, shkurtas, shkurtazi.
TELEGRAFÍSHT ndajf. 1. Në mënyrë telegrafike, me anë të telegrafit; me telegram; telegrafikisht. E dërgoi telegrafisht. Njoftoi (lajmëroi) telegrafisht.
2. Në mënyrë të ngjeshur, të përmbledhur; përmbledhtas. E përmblodhi telegrafisht. Përgjigjet telegrafisht. I shkroi telegrafisht.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë