Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FJÁL/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. gjuh. Njësia më e vogël e mëvetësishme e gjuhës, që ka kuptim dhe shprehet fonetikisht dhe grafikisht, e formësuar nga ana gramatikore, e cila shënon sende dhe dukuri konkrete (abstrakte) dhe përdoret e veçohet në rrjedhën ligjërimore. Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetruar). Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. Ndaj fjalën në rrokje.
2. Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra. Fjalë mashtruese (joshëse). Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Fjala është më e rëndë se plumbi (fj.u.). Zihej (grindej, hahej) me fjalë.
3. Këshillë a porosi që i jepet dikujt; udhëzim, urdhër, vendim. Fjala e tij ishte ligj. Ia dëgjoi (ktheu) fjalën. E çoi në vend fjalën e mësuesit.
4. Premtim a zotim për të bërë diçka; premtim a diçka e thënë. Fjala e dhënë. Fjala e nderit. Fjala dhe vepra. Ka dhënë fjalën. Fjala e burrit, pesha e gurit (fj. u.). Duhet punë e jo fjalë. Vetëm me fjalë s'bëhet gjë.
5. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose ndërmjet dy palëve; besë. Fjalë burrash. Lidhën fjalën. E lë me fjalë me dikë.
6. Bisedë që bëhet me një tjetër, diçka që thuhet a që tregohet; muhabet. Lërini fjalët! E la fjalën përgjysmë. Meqë ra (erdhi) fjala duke marrë shkas nga biseda, me këtë rast.
7. Diçka e thënë që s'duhet të bisedohet me të tjerë; diçka që thuhet vesh më vesh nga njëri te tjetri; thashetheme. U hap fjala. I nxorën fjalë. Dolën fjalë. Fjala ka këmbë (fj. u.). Doli fjala nga dhëmballa, mori njëzet e shtatë mëhallë (fj. u.).
8. Njoftim, lajm. Dërgoj (çoj) fjalë. Lë fjalë. Pruri fjalë. Erdhi fjala.
9. Fjalim a ligjëratë që mbahet para të tjerëve; pjesë nga ky fjalim; e drejta për të folur, për të shfaqur mendimet përpara të tjerëve. Fjala e hapjes (e mbylljes). Fjala e rastit. E drejta (liria) e fjalës. Mbaj fjalën. Kërkoj fjalën. Ia ndërpreu (ia preu) fjalën.
10. Aftësia për të shprehur diçka me gojë ose me shkrim; të folurit; gjuha, ligjërimi. Forca e fjalës. Mjeshtër i fjalës. Fjala artistike gjuha që përdoret nga një shkrimtar në një vepër letrare; mjeshtëria artistike e të folurit në skenë. Kultura e fjalës. Kujdesi për fjalën. Fjala shqipe tingëllon bukur. Arma e tij ishte fjala.
11. Teksti i një kënge ose i një pjese muzikore. Fjalët dhe muzika.
✱Sin.: llaf, thënie, pohim, bisedë, kuvend, muhabet, udhëzim, urdhër, vendim, premtim, zotim, marrëveshje, besë, thashetheme, njoftim, lajm, të folur, gjuhë, ligjërim, fjalim, porosi, mesele.
♦ Fjalë petake fjalë që zënë vend. Fjalë rrumbullake fjalë që nuk zënë vend. Fjalët i merr era (fj. u.) fjalët s’kanë vlerë po nuk u shoqëruan me vepra. I bën *dredhë fjalës (dikush). Nuk bën dy fjalë bashkë (dikush) është njeri i urtë dhe i dëgjuar, është i pafjalë, s’i ndihet zëri; kund. ka ngrënë plëndës pule (dikush) shak. Bëhet fjalë (për dikë a për diçka) flitet, thuhet diçka; shtjellohet diçka, trajtohet; përmendet dikush a diçka; zihet në gojë (dikush a diçka). Bëj fjalë (për dikë a për diçka). 1. Flas për dikë a për diçka, e përmend; them a trajtoj diçka; e zë në (me) gojë (dikë a diçka). 2. (me dikë). Grindem me fjalë; zihem me dikë për diçka që s’është si duhet; trazoj fjalët; i përpjek fjalët; bëri llafe. I bëj (i çoj) fjalë (dikujt) e njoftoj, i dërgoj një lajm, e lajmëroj për diçka; e thërres; i bëj zë. E bëri me fjalë (dikë) e përfoli dhe e turpëroi, i nxori thashetheme; bëri që të tjerët ta marrin nëpër gojë. E bëj me fjalë (me dikë) merrem vesh për diçka; e lë të bëjmë diçka bashkë; e lë me fjalë; i puq fjalët. S’bën fjalë (dikush) nuk ankohet e nuk kundërshton, pranon ç’t’i japësh etj.; është shumë i urtë. S’e bëj për fjalë (diçka) nuk ia tregoj askujt diçka që nuk duhet thënë, nuk flas me njeri për diçka që duhet mbajtur e fshehtë; s’e bëj për zë. Ta bën fjalën *bosh (dikush). Nuk ia bëj fjalën *dy (dysh) (dikujt). I bën fjalës *themel (dikush). Iu bë *lak (fjala) (dikujt). Nuk i bën *lak (fjalës) (dikush). Bie fjala. 1. (për dikë a për diçka). Flitet, vjen biseda. 2. Ta zëmë, për shembull (shkurt. b.f.); fjala vjen. Bie në një fjalë (me dikë) shih e gjej fjalën (me dikë). S’i bie fjala në *tokë (dikujt). Del nga fjala (del fjale) (dikush) nuk e mban premtimin a zotimin, s’i përmbahet fjalës, gënjen, e dredh; e dredh (e përdredh) fjalën; e ha fjalën; luan nga fjala (luan fjale); kund. e mban fjalën. I kanë dalë fjalë (dikujt) është përfolur, është marrë nëpër gojë, flitet keq për të. Di të gdhendë fjalë është i zoti të gjejë fjalët e bukura; di të parashtrojë fjalët e duhura. Nuk di fjalë (dikush) i bie shkurt e copë; vepron shpejt, nuk e zgjat; është praktik. E dredh (e përdredh) fjalën (dikush). 1. E kthen dhe e stërkthen fjalën, e zgjat shumë muhabetin rreth një gjëje, duke thënë edhe hollësira të panevojshme. 2. Nuk e mban fjalën a premtimin; e ndërron mendimin, flet ndryshe nga ajo që ka thënë më parë; e ha fjalën; del nga fjala (del fjale); kund. e mban fjalën. S’do fjalë pa dyshim, s’ka dyshim, doemos; natyrisht, s’ka pse të diskutohet më tej, mos e zgjat; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; është afër mendjes (mendsh). Me një fjalë shkurt; në mënyrë të përmbledhur; me fjalë të tjera; fundi i fjalës. Fjalë në erë (hava) fjalë të thëna pa u menduar, fjalë boshe; premtime të kota; gjepura. Fjalë ari (e artë) thënie e mençur, e vyer, që peshon. Fjalë burri fjalë me mend; premtim që mbahet; besë. Fjalë të ëmbla e punë të tharta shih fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fjalë për fjalë. 1. Pa ndryshuar asgjë nga ajo që është thënë a është shkruar, besnikërisht; plotësisht e me hollësi; duke përmendur a duke përkthyer çdo fjalë veças; një për (më) një. 2. Në kuptim të drejtpërdrejtë; ashtu si e ka thënë a e ka shkruar dikush, pa hequr asnjë fjalë, pikërisht ashtu. Fjalë fluturake thënie a shprehje, zakonisht e figurshme, që përmban një gjykim ose një mendim përgjithësues të spikatur dhe që njihet e përdoret gjerësisht. Fjala e fundit. 1. Arritja më e re dhe më e lartë në një fushë të shkencës, të teknikës ose të kulturës. 2. Mendimi përfundimtar që vendos për diçka; mendimi i fundit. Një fjalë goje... duket shumë e lehtë diçka, por në të vërtetë është e vështirë (për një punë etj.); një llaf goje... Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë) premtim a zotim për të bërë diçka, por që nuk shoqërohet me punë e me vepra ose që nuk zbatohet, mashtrim me fjalë të bukura për ta përcjellë dikë; fjalë të ëmbla e punë të tharta. Me fjalën e parë në çast, menjëherë, me të thënë; me bindje e pa e zgjatur. Me fjalë të tjera ndryshe; më shkurt e më qartë, domethënë; me një fjalë. Fjalë e urtë folk. proverb; shprehje e njohur me kuptim të njësishëm e zakonisht të figurshëm, që përgjithëson një vëzhgim a një vlerësim për dukuritë e ndryshme të jetës, por që, ndryshe nga proverbi, nuk është një fjali e plotë. Fjala vjen për shembull, ta zëmë se është kështu, zëre se..; bie fjala. *Fundi i fjalës. E gjej fjalën (me dikë) merrem vesh me dikë, gjej një gjuhë të përbashkët a pajtohem në mendim me të; kuptohemi; bie në ujdi; bie në va; i ndreq hesapet; i puq fjalët. Sa për t’u gjendur në fjalë sa për të thënë diçka duke folur për gjëra të parëndësishme ose që nuk kanë të bëjnë me çështjen, sa për të marrë pjesë në bisedë. Me një *gjysmë fjale. Gjuhemi me fjalë ngacmojmë (thumbojmë) njëri-tjetrin. E ha fjalën (dikush) e mohon atë që ka thënë, e dredh; nuk e mban premtimin, gënjen; nuk është i besës; ia kthen fjalën (dikujt); kund. e mban fjalën. E hodhi fjalën (për dikë a për diçka) e zuri në gojë dikë a diçka; dha të kuptohet në bisedë se e kishte për dikë a për diçka tjetër, e kishte për të, aludoi; ndërroi bisedë. E hedh fjalën në *pus (dikush). I humbi fjala (dikujt) u habit shumë, u hutua fare sa s’mund të fliste; iu pre goja; iu mpi gjuha. I hyj në fjalë (dikujt) e kuptoj ç’thotë, e rrok çfarë thotë; e marr vesh (dikë). Ç’është ajo fjalë! as mos e thuaj!, si mund të flasësh a të mendosh ashtu!, nuk është ashtu!, s’është e nevojshme ta thuash! (si përgjigje për një kundërshtim të dikujt ose kur ai shprehet se ndihet ngushtë etj.). I jap fjalën (dikujt). 1. E lejoj a e ftoj të flasë (në një mbledhje etj.). 2. I premtoj, e siguroj dikë për diçka. S’ka fjalë e kuvend (për diçka) është shumë e vërtetë, nuk mund të diskutohet për këtë gjë, është e sigurt a e vendosur. I ka fjalët *të prera (dikush). E ka fjalën *pushkë (dikush). I ka fjalët *të shkurtra (dikush). E kapërcen fjalën (dikush) lë me qëllim pa përmendur diçka, i shmanget bisedës; nuk i vjen mirë të flitet për atë gjë. Këmbej (shkëmbej) fjalë (me dikë) zihem me fjalë me dikë, grindem me të; më shan dhe e shaj. Kërkon fjalë dëshiron të grindet, kërkon sherr. Ia kthen fjalën (dikujt). 1. Nuk i bindet dikujt, e kundërshton, nuk bën si thotë ai; i përgjigjet ashpër. 2. shih e ha fjalën (dikush). S’ia kthen fjalën *mbrapsht (dikujt). S’e kthen fjalën *mbrapsht (dikush). E lë me fjalë (me dikë) merrem vesh me të për t’u takuar diku a për të bërë diçka; e vendos me dikë; e bëj me fjalë. Lidh fjalën (me dikë) merrem vesh përfundimisht me dikë për të bërë diçka së bashku; e vendos përfundimisht të bashkëpunoj me të; merrem vesh. Nuk lidh (dot) dy fjalë (bashkë) (dikush) nuk di të flasë rrjedhshëm, i shpreh mendimet me vështirësi; nuk është i zoti i gojës. *Lojë fjalësh. Luan me fjalë (dikush). 1. Flet me fjalë të tilla që fshehin qëllimin e vërtetë, dredhon duke thënë jo atë që duhet; nuk mban qëndrim serioz, nuk e merr me gjithë mend diçka, e quan si lojë. 2. Përdor fjalë të afërta nga tingëllimi e nga kuptimi për të bërë përshtypje tek të tjerët. Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga *goja (dikush). E mban fjalën (dikush) e plotëson premtimin, çfarë thotë e bën; është i besës; kund. e ha fjalën; e dredh fjalën; luan nga fjala (luan fjale). Mbeta pa fjalë u çudita shumë, u habita jashtë mase nga diçka e papritur a e pabesueshme; dola nga këmisha; dola nga rrobat e trupit; dola linjës. E mori ferra fjalën u përhap fjala kudo; e morën vesh të gjithë. E ndal diellin me fjalë (dikush) është llafazan i madh, të mbyt me llafe, s’i lë radhë askujt në bisedë; mburret shumë se mund të bëjë çdo gjë, e paraqit veten me fjalë si të plotfuqishëm; mbush pusin me pështymë. Që ta ngas fjalën (llafin)... meqë ra fjala; që të vijoj më tej bisedën aty ku e lamë; kam parasysh që... Më ngjit fjala (me dikë) më shkon muhabeti me dikë, pajtohem në muhabet me të; e dua si shok, është i ëmbël në muhabet dhe më pëlqen të flas me të. T’i përpin fjalët (dikush) të dëgjon me shumë vëmendje; s’i shpëton asgjë nga ato që i thua; është tërë sy e veshë (dikush); s’i shpëton qimja. I përpjek fjalët (me dikë) zihem keqas me fjalë me dikë, grindem e shahem me dikë, i them e më thotë fjalë të ashpra. Prenë fjalën etnogr. caktuan ditën kur do të bëhet martesa; bënë marrëveshje e vendosën afatin për diçka. I puq fjalët (me dikë) pajtohem në mendim, merrem vesh; i rregulloj punët me të; bie në një mendje; e gjej fjalën; e bëj me fjalë. E qep fjalën them fjalë me vend, që nuk m’i rrëzon dot kush. Ta rrëmben fjalën nga goja (dikush) të kupton a ta kap mendimin menjëherë; është shumë i zgjuar; të ndërpret në të folur, nuk të lë të flasësh më tej; ndërhyn në një bisedë dhe e vijon vetë më tej. I shkon (i ecën, i dëgjohet, i zë vend) fjala (dikujt) ia pranojnë mendimin, ia çojnë në vend porositë a ia plotësojnë kërkesat; ka ndikim tek të tjerët, i binden e bëjnë si thotë ai. I shkoi fjala *bosh (dikujt). I tërheq fjalët zvarrë. 1. Flet ngadalë si i vogël. Flet me përtesë. 2. Zgjat dhe zvarrit mbarimin e një pune. I trash fjalët (me dikë) filloj të zihem me fjalë të ashpra me dikë; acarohem edhe më shumë me fjalë, nis të përdor kundër tij fjalë të rënda; i thartoj fjalët. Trazoj fjalët (me dikë) zihem me dikë, prishem me të e grindem me fjalë të ashpra. I thartoj fjalët (me dikë) zihem e keqësohem me dikë, prishem edhe më shumë me fjalë të hidhura kundër tij; i trash (i ashpërsoj) fjalët. (Nuk tha) asnjë *gjysmë fjale (dikush). Ia ushqen fjalën (dikujt). 1. Ia miraton ato që thotë; e nxit të flasë. 2. E lëvdon e i bën qejfin, e përkëdhel më shumë se ç’duhet; e përkrah, pavarësisht e ka mirë a keq. I vë *qokë fjalës. Ia zuri fjalën në *gojë (dikujt).
KATIKÚL/E,~JA f. kryes. sh. ~E, ~ET bised. Fjalë a shprehje lavdëruese dhe përkëdhelëse. Lëri katikulet!
LAJKÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT Lajkëse, lajkatare. Lajkitësja foli pambarim.
✱Sin.: lajkatuese, lajkabërëse, lajkamadhe, lajkaxheshë, përkëdhelëse, servile, puthadore, lozonjare.
LÁJKËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET keq. Lajkatare. Lajkësja të bind edhe kur je i pabindshëm.
✱Sin.: lajkatare, lajkatuese, lajkitëse, përkëdhelëse, servile, puthadore.
PËRKËDHELTÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Përkëdhelëse.
PËRKËDHÉLËS,~E mb. 1. Që përkëdhel, që bën përkëdheljen, që ledhaton, ledhatues. Dora përkëdhelëse e nënës.
2. fig. Që shpreh dashuri a dashamirësi; që shpreh ëmbëlsi e butësi; i këndshëm, i pëlqyeshëm; ledhatues. Shikim (vështrim) përkëdhelës. Sy përkëdhelës. Fjalë të ngrohta e përkëdhelëse.
3. fig. Tepër i butë e zemërgjerë. Kritikë përkëdhelëse.
4. gjuh. Që ka një ngjyrim zbutës e mirëdashës; që me trajtën e vet shpreh përkëdhelje a zbunim. Me ngjyrim përkëdhelës e zvogëlues. Emër përkëdhelës. Fjalë përkëdhelëse. Prapashtesë përkëdhelëse.
✱Sin.: ledhatues, ledhatar, dhelatar, miklues, lajkatues, argëtues, dashamirës, i ëmbël, i butë, i këndshëm, i pëlqyeshëm, zbutës, i ngrohtë, zemërgjerë.
PËRTÓKAZI ndajf. Përtokas. Fatkeqësisht, por ecim përtokazi, me zvarritje, me përulje, me buzëqeshje të shtira, me rrahje supesh përkëdhelëse.
ZVOGËLÚES,~E mb. 1. gjuh. Që shërben për t'i dhënë kuptimit të fjalës një ngjyrim zvogëlimi. Emër zvogëlues. Kuptim zvogëlues. Prapashtesë zvogëluese. Nuanca zvogëluese e përkëdhelëse. Mënyrat e përdorimit të trajtave zvogëluese.
2. mat. Që vjen duke u zvogëluar vazhdimisht, që zvogëlohet. Vlerë zvogëluese. Përpjesëtim aritmetik zvogëlues. Shkallë (forcë) zvogëluese. Forma zvogëluese. Rend zvogëlues.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Prapashtesa shërben si zvogëlues i kësaj fjale. Zmadhuesit dhe zvogëluesit fotografikë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë