Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BAM onomat. 1. Përdoret për të dhënë krismën e një arme ose tingullin e fortë që del nga një goditje, nga një përplasje etj. Bëri pushka bam. Përplasi këmbën bam. Binte daullja bam e bum.
2. bised. Përdoret në fjali në vend të foljes për të shënuar një qitje me armë, një goditje a një përplasje me zhurmë të fortë e të menjëhershme. Topi bam e ti po tutje. (folk.). Pushka bam e ata në sulm. Unë bam këtej, ai bam andej. Ec me trimat krah për krah, ku bën bam top e dogra. (fj. u.).
3. bised. Përdoret në fjali në vend të foljes për të shënuar një veprim që kryhet menjëherë, shpejt dhe me forcë ose një veprim që përsëritet shpesh. Bam me pyetje. Bam në arë e bam në shtëpi. Gjithë jetën bam në kudhër, qesja si kokërr hudhër. (fj. u.).
♦ Bam e bum jap e marr nga të gjitha anët, bëj ç’është e mundur, përpiqem me të gjitha forcat; bam këtu e bam atje (bam këtej e bam andej). Bam këtu e bam atje (bam këtej e bam andej) duke u përpjekur në të gjitha anët; me shumë mundim; bam e bum. Ia bëri bam (dikush). 1. Qëlloi me armë, e shkrepi, pati guxim të luftojë. 2. Plasi nga marazi ose nga inati. 3. E mbaroi më në fund një punë; e vendosi përfundimisht për diçka; e shkrepi dyfekun. 4. E humbi durimin krejt, plasi nga inati. Pa *çak e pa bam (pa bërë as çak e as bam).
CA/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET 1. Vija që kufizon diçka, kufiri; buza në skajet e një sendi. Caqet e arës. Caqet e fshatit. Shënoj caqet.
2. Shkalla më e fundit ose më e lartë e diçkaje, kufiri deri ku arrin diçka ose dikush, skaji i fundit i diçkaje; kufi. Caku i lartësisë. Caku i jetës. Caku më i lartë kulmi.
3. fig. Kufiri që është caktuar ose pranuar për diçka; masa e lejueshme, norma. Caqe të ngushta. Caqet e parashikuara. Caqe kohore. Pa cak e pa anë. Brenda këtyre caqeve. I vë cak. I kapërcen caqet. E kalon cakun. Del jashtë caqeve. Nuk ka cak. Nuk di cak.
4. fig. Shkallë më e lartë që synojmë të arrijmë, pikësynim. Drejt caqeve të reja. Caku i fundit.
5. fig. Pika ose objekti ku përqendrohet vemendja. Familja rrethon gëzueshëm kumbarin, i cili bëhet cak nderimesh.
6. Vendi që zëmë për të ndenjur gjithnjë; vendi ku ngulemi për të jetuar ose për të punuar; bice. Njeri pa cak. Nga caku në cak. Pa plëng e pa cak. Zë (ngul) cakun. Kërkoj cak. Vë cak. Rri (qëndron) në cakun e vet. Dera e përtimit, caku i mjerimit. (fj. u.).
7. Gropëz ku vë thembrën lojtari në lojën e doçkës, bice. Zë cakun. Mbeti pa cak. Ndërroj cakun.
8. Shenjë që vihet si kufi në disa lojëra fëmijësh; një lojë, në të cilën fëmijët mund ta prekin lojtarin kundërshtar deri në një kufi të caktuar. Rri pranë cakut. Luaj cak.
9. sport. Arritje.
10. mat. Madhësi e pandryshueshme, së cilës mund t’i afrohet shumë një madhësi tjetër e ndryshueshme.
11. Afat kohe. I qëndroj cakut. E shkurtoj cakun.
12. bised. Kënd, skaj, qoshe, cep. Caku i shtëpisë. Caku i vatrës. Kur hyjnë në cak të dhëndrit, dalin t’i presin një mijë dasmorë.
✱Sin.: buzë, skaj, brinjë, kënd, cep, zgrip, pikë, prag, caktim, shkallë, masë, gradë, limit, normë, pikësynim, afat, datë, vendndejtje, qendër, qokë, qoshe, bice, arritje.
♦ Pa cak e pa anë pa fund, pa kufi; i pakufishëm, i pamatshëm; pa anë e pa fund. Cak më cak kudo, gjithandej, në të gjitha anët; në çdo kënd; kënd më kënd. Deri në cakun e fundit sa të kem fuqi a mundësi; pa lënë asgjë mangët, deri në fund. Nuk ka cak (dikush) s’e përmban veten, e tepron; nuk njeh (nuk ka) kufi. E kapërceu (e kaloi) cakun (dikush a diçka) e teproi, bëri më shumë nga sa lejohet a nga sa pranohet; e kapërceu (e kaloi) pragun; e kaloi (e kapërceu) kufirin. Ngul cakun (diku) vendosem përfundimisht diku për të jetuar a për të punuar. Pa *plëng e pa cak (pa shtëpi). I vë cak (dikujt) e ndal të mos veprojë a të mos përparojë më tutje, i caktoj një kufi; i vë kufi (sinor). E zuri në cak (dikë) keq. e zuri duke kryer një vepër të keqe; e zuri në gabim a në faj; e zuri me presh në duar.
DEFINITÍV,~E mb., libr. Përfundimtar; që bëhet përfundimisht. Zgjidhje definitive. Përgjigje definitive.
✱Sin.: përfundimtar, final, i fundit, i fundmë.
DEFINITIVÍSHT ndajf., libr. Përfundimisht. E përcaktoi definitivisht.
DÓR/Ë,~A f. sh. DÚAR, DÚART 1. Secila nga dy gjymtyrët e sipërme të njeriut, që nga supi e deri te gishtat; pjesa e fundit e këtyre gjymtyrëve që nga kyçi, e cila ka pëllëmbën e pesë gishtat dhe shërben për të prekur, për të kapur, për të marrë sendet, për të bërë punë e veprime të tjera. Dora e djathtë (e majtë). Me duar të mëdha (të vogla, të holla, të trasha, të gjata, të bardha). Me duar të forta (të shkathëta). Me duar të mbledhura grusht. Me duar të lidhura. Me dorë të lirë pa tendosur muskujt e dorës, lirshëm. Me duart plot. - Duart lart! urdhër për t'u dorëzuar. Dorë burri dorë e fuqishme. Gishtat e dorës. Pëllëmba (shuplaka) e dorës. Shpina e dorës. Kurrizi i dorës. Qafa e dorës. Kyçi i dorës. Kockat e dorës. Tund (ngre, ul, shtrin, hap, mbyll) dorën. Lau (fshiu, thau, ngrohu, fërkoi) duart. Përplas duart. Shtrin (kryqëzon) duart. Ngre (çon) duart lart. I shtrëngon dorën (dikujt) përshëndetem me dikë duke i kapur dorën. I puth dorën (duart). I përdredh dorën. I lidh (i zgjidh) duart. I dha (i zgjati) dorën dikujt. I kërkoi (i lypi) dorën (etnogr.) e kërkoi për grua. Ia ktheu dorën (etnogr.) nuk ia pranoi kërkesën për martesë (për vajzat); nuk e pranoi diçka që i dhanë. I shkau (i vajti) dora padashur. Prek (fërkon, kap, zë, merr, ngre) me dorë. Përshëndet me dorë. E kapi për dore. E shtrëngon (e tërheq) me një dorë. E shtyu me të dyja duart. Ia bën me dorë (dikujt) e përshëndet me dorë. Ia mori nga duart. I shkoi dorën përsipër. Kap (shtrëngon) kokën me duar. Merr (mban) fëmijën në duar. I shpëtoi (i shkau) pjata nga dora (nga duart). Hedh e pret ndër duar. E ka shkruar me dorën e vet. Ishin kapur (ishin zënë) dorë për dorë (dorë me dorë). Dy duar për një kokë (janë). (fj. u.). Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën (faqet). (fj. u.). Kur kam mashën, pse të djeg dorën? (fj. u.). Nuk mbahen dy kunguj (dy shalqinj) në një dorë (nën një sqetull). (fj. u.). S’bëhet dora topanxhë. (fj. u.).
2. Kjo gjymtyrë si përfaqësuese e njeriut që kryen një veprim, që është nxitës a shkaktar i diçkaje ose si treguese e mënyrës a e mjeshtërisë me të cilën është bërë diçka; përfundimi i punës a pasoja e veprimeve të njeriut, që ka gjurmët e vetive e të cilësive të tij. Dora gjakatare (tradhtare, mizore). Dora e artistit (e mjeshtrit) popullor. Këso dore në këtë mënyrë; i këtij lloji; i kësaj trajte. Është dora e tij. E njoh dorën e saj. Duket dora e gruas (e bujkut, e punëtorit). Ka dorë të mirë (mjeshtri). E kanë trazuar shumë duar. Janë futur (janë përzier) lloj-lloj duarsh. Njerëzit ziliqarë i kanë duart e gjata. (fj. u.).
3. Kjo gjymtyrë si përfaqësuese e njeriut që zotëron diçka, që ka fuqinë a pushtetin mbi dikë ose mbi diçka; njeriu vetë si zotërues a pronar ose e drejta e tij për të zotëruar, për të urdhëruar, për të vepruar etj. Dora e drejtësisë fuqia vepruese e ligjit dhe e organeve të drejtësisë. Dora e qeverisë (bised.) forca vepruese e pushtetit. E merr veten (situatën) në dorë. I bashkoi (i përqendroi) forcat në një dorë i përqendroi forcat te një njeri, në një vend. I ka dokumentet në dorë. I mbeti në dorë tërë pasuria. Kaloi nga dora në dorë (nga një dorë në një tjetër). Ka rënë në duar të mira (të këqija, të liga, të huaja). E mori punën në duart e veta filloi të merret vetë me një punë e të vendosë vetë për të. E mori pushtetin në duart e tij. Gjithçka është në dorën tonë gjithçka varet nga ne. E kemi vetë në dorë ta zgjidhim.
4. fig., bised. Forcë pune, njeri që është i aftë të punojë (në punët bujqësore, në punë me krah etj.), krah pune. Janë shumë duar në punë. Ka pesë duar që punojnë. Ushqeheshin (mbaheshin) me duart e tyre. Një dorë e vetme s’ka çfarë bën (fj.u.).
5. fig. Ndihmë a përkrahje që i jepet dikujt për të bërë diçka që ai nuk e përballon dot vetë; kujdes a mbrojtje për dikë që është më i vogël, më i dobët etj. Me dorë të huaj. E ndjeva dorën e shoqërisë (e prindërve). I dhanë një dorë dhe e nxorën nga balta. - T’i japim të gjithë nga një dorë! I ka hedhur dorën (dikujt) e ndihmon, kujdeset për dikë. E ka lënë dikë a diçka në dorë (në duar) të dikujt ia ka lënë a ia ka besuar për t’u kujdesur për të a për ta mbrojtur. E ka lënë në dorë të fatit (dikë a diçka) nuk kujdeset a s’pyet fare për të, e ka braktisur fare. Dora e djathtë s’mund të punojë pa të majtën (fj.u.). Dorën në qafë e gurin në trastë (fj.u.).
6. Punë që bën njeriu njëherësh për diçka; njëra nga radhët a ndarjet e një pune ose të një loje, që bëhet pjesë-pjesë. Dora e parë (e dytë, e tretë...). Punim në dorë të parë. I dha një dorë. I ka kaluar dy duar. Ka (ndan) dorën. Luajti në dorën e dytë (me letra). Bënë një dorë letra. Mbaruan tri duar domino. I humbi të gjitha në dorën e fundit. Dorë e parë-gjysma e punës. (fj. u.).
7. Tërësi sendesh, prodhimesh, të ardhurash etj. që merren njëherësh, që përdoren a që shfrytëzohen në të njëjtën kohë etj. Dorë e pasur. Dora e parë e të korrurave (e prodhimit, e grurit, e panxharit). Mbjell (vjel) në dy (tri) duar. Mori një dorë të mirë të hollash.
8. Sasi afërsisht sa nxë një grusht njeriu, dorëz, grusht; sasi sa mund të kapim a të marrim me të gjithë gishtat. Një dorë oriz (grurë). Një dorë kripë (sheqer). Nja dy duar lesh. Mbledh një dorë bar.
9. Doreza e një mjeti, e një vegle etj.; vegjë, vesh; vegël a pjesë vegle në trajtë të pëllëmbës ose të grushtit. Dorë e metaltë. Dora e shpatës. Dora e kazanit. Dora e havanit shtypësi.
10. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta, zakonisht në rasën rrjedhore pa parafjalë, që tregojnë diçka të bërë me dorë, një mjet a vegël që vihet në lëvizje me krah, që mbahet në dorë etj. Punë dore a) punë a sende që bëhen me dorë, jo në fabrikë (sidomos ato që bëjnë gratë me gjilpërë, me shtiza ë grep); b) lëndë mësimore në shkollë që u jep nxënësve njohuri për këto punë. Shkrim (shkronjë) dore. Bombë (granatë) dore. Llambë (thikë, pompë, karrocë, sharrë) dore. Frena (levë) dore. Shami (çantë, orë) dore. Penjë dore penjë për të qepur me gjilpërë e jo me makinë. Top dore. Lojërat me dorë (sport.) lojëra që luhen me top jo me këmbë (si p. sh. basketbolli, volejbolli, hendbolli etj.).
11. fig. Cilësia a vlera e diçkaje; shkalla që zë nga rëndësia, nga vetitë etj. diçka.
12. bised. Grup njerëzish me gjendje shoqërore të njëjtë; shkallë, sërë. Është i dorës sonë. Është nga dora jonë. Janë të një dore.
13. Pjesa e fundit (putra me gishta) në gjymtyrët e përparme të majmunëve. Dora e majmunit (e gorillës, e shimpanzesë).
14. bised. Dëftesë; shënim. Mori një dorë. I dha (i lëshoi) një dorë për të hyrë në klasë.
15. si përem. (me numërorin themelor një). Pak; shumë pak. Një dorë miell (kripë). Një dorë muhabet.
✱Sin.: doçkë, panxhë, krah, grusht, dorëz, shtresë, sërë, takëm, teste, dorezë, vërtetim, dëshmi, shënim, cilësi.
♦ Me *armë në dorë. S’më arrin dora (kaq më arrin dora) nuk kam fuqi a mundësi më shumë, kaq mund të bëj, deri kaq arrij; s’më arrin krahu (kaq më arrin krahu). (Me) sa më arrin dora sa të mundem; me sa fuqi kam; me të gjitha përpjekjet e mundshme; (me) sa më arrin krahu. U bë një dorë (sa një dorë) (dikush) u mblodh kruspull, u rrudh (nga hallet, nga frika, nga të ftohtët etj.); u dobësua shumë, u tret (nga sëmundjet); u bë (një) grusht; u bë lëmsh. S’bëhet dorë (dikush) hiqet sikur s’di gjë, bëhet si i paditur, nuk merr faj përsipër. S’më bën dora më dhimbset a më vjen keq ta bëj diçka, ta prek, ta marr etj.; nuk kam dëshirë ta bëj diçka, nuk më jepet, nuk më bëhet; s’më bën zemra. S’më bëjnë duart (për diçka) nuk kam fuqi të bëj një punë; jam si i mpirë. Ia bëj me dorë (dikujt a diçkaje) iron. e kam kapërcyer një hall a kam dalë i fituar dhe s’ia kam më nevojën dikujt a diçkaje, sikur i them “lamtumirë!”. E bëri dorën *grusht (dikush). E bëri gropën me dorën e vet (dikush) ia bëri të keqen vetes, e pësoi nga koka. U bë *këmbë e dorë (dikush). E bëj *këmbë e dorë (dikë). Të bësh *kryq me dorë të majtë (me të dyja duart)! I ra *ballit me dorë (dikush). Më ranë duart shih më ranë krahët. Më ra në dorë. 1. (diçka). Më erdhi rastësisht diçka, e gjeta rastësisht, më qëlloi ta kem a ta shoh. dikush). 2. E solli rasti që të kem mundësinë të bëj ç’të dua me dikë; m’u dorëzua, m’u dha. I bie në dorë (dikujt) shih i bie ndore (dikujt). Ka rënë në duar të liga (dikush) e kanë në dorë njerëz të këqij, që e mësojnë a e edukojnë shtrembër, varet nga dëshira dhe qëllimet e njerëzve të tjerë të ligj. I ka rënë *dyfeku nga dora (dikujt) përb. Çfarë nuk i bën dora! (dikujt) është shumë i zoti, i aftë e i shkathët, bën çdo gjë; është punëtor a mjeshtër për shumë punë; ç’i sheh syri ia bën dora. Më doli nga dora (dore, duarsh, nga duart). 1. (diçka). Nuk e kam më timen diçka, ma merr dikush tjetër. 2. (dikush). Më iku nga kontrolli dhe ka marrë rrugë të gabuar, s’kam më fuqi a ndikim mbi të, s’më dëgjon më e është bërë i keq; s’e kam në dorë (dikë); më iku (më shpëtoi) nga dora (nga duart). Iu dogjën *letrat (kartat) në dorë (dikujt). Ia djeg *letrat (kartat) në dorë (dikujt). Dora e djathtë (e dikujt) shih krahu i djathtë (i dikujt). Dorë më dorë duke kaluar nga njëri te tjetri, varg. Dorë pas dore herë pas here, dora-dorës. Dorë për dorëI bashkë; me dashuri e të pandarë; krah për krah. Dorë për dorëII përkohësisht, dora-dorës; hëpërhë; njëherë për njëherë; tani për tani. Me dorë të dridhur duke ngurruar, jo i vendosur; me keqardhje; duke qenë i lënduar, i prekur; jo i qetë; me gjysmë zemre. I dorës së dytë më i ulët nga vlera a nga rëndësia se më i miri, i një cilësie, i një interesimi etj. më të ulët se i pari. Dorë e fortë njeri i fuqishëm për të mbrojtur dikë a për të zgjidhur diçka, njeri i vendosur e i sigurt për t’ia arritur diçkaje. Në dorë të fundit gati në përfundim, edhe pak punë do (për një punë a për një punim). I dorës së fundit i një vlere, i një cilësie etj. shumë të ulët; fare i parëndësishëm e i pavlerë; kund. i dorës së parë. Dorë e hekurt libr. njeri shumë i fuqishëm a me pushtet, që vendos rregulla të rrepta e kërkon disiplinë të fortë, që nuk bën asnjë lëshim e të mban shtrënguar e të detyruar për diçka. Me dorë të hekurt me vendosmëri e me rreptësi, ashpër, egër, pa lëshime e pa mëshirë. Me duar e me këmbë me të gjitha fuqitë, me shumë forcë, me çdo lloj mënyre. Me dorën në kobure. 1. Gati të përdorë forcën e armëve, duke kërcënuar me armë. 2. Me zemërim, me inat e me kërcënim; me ashpërsi të madhe. Me dorë të lëshuar. 1. Duke harxhuar shumë e me tepri, duke qenë i papërmbajtur në shpenzime, duke prishur shumë; me dorë të lirë2; kund. me dorë të shtrënguar. 2. Duke qenë i lirë në kërkesa, duke mos qenë i shtrënguar; duke bërë lëshime; me dorë të lirë2. Me dorë të lirë. 1. Lirshëm, pa u tendosur; pa kërkesa të përcaktuara. 2. Duke mos kursyer, duke harxhuar shumë; bujarisht; me dorë të lëshuar1; kund. me dorë të shtrënguar. 3. Duke lëshuar, pa shtrëngime; butë, jo rreptë; me dorë të lëshuar2. Dorë me një krejt e sigurt, pikërisht ajo që duhet ose ashtu si duhet; me siguri, vlen për atë që e duam; (është) një me një; (është) ora me dorë (ora me një). I dorës së parë shumë i mirë, i cilësisë më të lartë; shumë i vlefshëm e i rëndësishëm; kund. i dorës së fundit. Me duar të pastra me ndershmëri për të zbuluar dhe për të dënuar vjedhjet e korrupsionin. Me duar plot me arritje të shumta, me suksese, duarplot; kund. me duar zbrazur (thatë, bosh). Me duar në presh shih me presh në dorë. Me dorë në qafë me shumë përzemërsi e shoqërisht, me dashuri e me përkëdhelje; i dashur e njerëzor. Me dorë të shtrënguar me kursim të madh, pa paguar shumë a pa dhënë lirisht diçka; me shumë ngurrim; kund. me dorë të lirë2; me dorë të lëshuar1. Në dorën tënde si të duash ti, si të mendosh a si të kesh ti dëshirë; nga ti varet fati i dikujt a zgjidhja e diçkaje. Me duar e me thonj me të gjitha mjetet e mundësitë, duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë e me shumë sakrifica; me duar e me këmbë; me thonj e me dhëmbë. Dora vetë (shkurt. d.v.). l. zyrt. Shënim që vihet në kopjet e një shkrese pranë emrit të titullarit, kur ky ka nënshkruar vetë origjinalin. 2. Autori i vërtetë i diçkaje; po ai njeri, po i njëjti, jo tjetërkush, ai vetë. 3. (për diçka). Shumë i zoti a i aftë për diçka, i vetmi për të bërë një gjë, s’i gjendet shoku. Me duar në xhepa. 1. Pa asgjë në duar, duarbosh. 2. Pa u përgatitur e pa u shqetësuar për një punë; pa punuar. Me duar zbrazur (thatë, bosh). 1. Pa gjë, duarzbrazur, duarthatë, duarbosh; me një grusht mizaII (pleshta); kund. me duar plot. 2. Pa marrë asgjë; pa trashëguar asgjë. 3. Pa ndihmë a pa plotësuar kërkesën, lutjen etj.; duarthatë, fare pa gjë. Me dorë në zemër. 1. Me drejtësi, pa anësi; me dëshirë të mirë. 2. Me dhembshuri; bujarisht; me ngrohtësi; me zemër në dorë. 3. Me sinqeritet, çiltërisht; haptas e pak me keqardhje; me zemër në dorë; me zemër të hapur; me zemër të çiltër. 4. Me frikë se mos ndodh a mos bëhet diçka, me ankth; me padurim. 5. Me përulje; me përgjërim; me zemër në dorë. Më dridhet dora ngurroj, s’jam i vendosur, tutem të bëj diçka; lëkundem, ngurroj, mezi e nxjerr a mezi e jap (kur paguaj ose kur fal diçka). Nuk i dridhet dora (dikujt) shih nuk i dridhet pushka (dikujt). (Duket) (si) në *pëllëmbë të dorës (diçka). Me të dyja duart shumë, pa kufi; me bujari, pa u kursyer, sa të mundet; me shumë dëshirë, pa asnjë ngurrim, me gjithë qejf; me gjithë zemër. Fërkon duart (dikush) keq. kënaqet, i bëhet qejfi kur sheh në gjendje të keqe një njeri që nuk e do, pret t’i shohë të keqen; fërkon mjekrën; fërkon barkun. Më fluturoi nga duart (diçka) nuk e kam më, më iku diçka që më duhej, më shpëtoi, s’e mbajta dot; më iku (më shpëtoi) nga dora (nga duart); e qava me lot. Fut duart (diku) keq. ndërhyn, merr pjesë në një punë, në një çështje etj. që s’i takon; fut hundët (hundën). I ha dora (dikujt). 1. Do që të qëllojë me pëllëmbë dikë; do që të rrihet me të. 2. Do që të vjedhë diçka, s’i rrihet pa e marrë diçka. Më hanë duart (për punë) dua të punoj, nuk më rrihet pa punë, jam mësuar me punë e kam dëshirë të punoj. Hedh dorë. 1. Vjedh; vë dorë3. 2. (mbi diçka). E pushtoj, e zaptoj. Hedh *gurin e fsheh dorën (dikush). Heq dorë (nga dikush a nga diçka). 1. Shkëput lidhjet me dikë a me diçka, s’pyes më për të, s’interesohem më, nuk merrem më me të; e braktis, e lë. 2. Jap dorëheqjen nga një punë a nga një detyrë. 3. Nuk mendoj më si më parë, tërhiqem, nuk i përmbahem më një mendimi, një ideje etj.; ndërroj mendje. E heq për dore (dikë) e mësoj për çdo gjë, i them ç’të bëjë e si të sillet; e kam nën kujdes, se nuk është i zoti të ecë vetë në jetë. S’e heq nga dora (diçka) shih s’e lëshoj (s’e lë) nga dora2 (diçka). I hyri dorë. 1. (diçkaje). Ia nisi një pune, iu fut me vrull, iu përvesh mirë. 2. (dikujt). Nisi dhe e rrahu dikë shumë. I iku nëpër duar (nga duart). 1. (dikush). I vdiq a i shkoi dikush pa e kuptuar, e humbi shpejt e papritur dikë. 2. (diçka). I iku diçka pa e kuptuar, s’e mbajti dot. Më iku (më shpëtoi) nga dora (nga duart) (dikush a diçka). 1. shih më fluturoi nga duart (diçka). 2. S’munda të përfitoja nga një rast i mirë, s’e shfrytëzova dot një mundësi që m’u dha etj. 3. Humba kontrollin mbi dikë a mbi diçka, nuk kam më fuqi mbi të; s’e kam në dorë (dikë a diçka); më doli nga dora (dore, duarsh); më shkau (më rrëshqiti) nga duart (nga dora); i lava (i fshiva) duart (nga dikush a nga diçka). I iku (i shpëtoi) *zogu nga dora (dikujt). Është në dorë (në duar) (të dikujt) varet krejtësisht prej dikujt, është nën urdhrat a nën pushtetin e tij, ka fuqi mbi të; e ka në dorë (dikush). Janë të një dore kanë të njëjtin formim, kanë të njëjtat vlera, cilësi, sjellje etj., janë të një brumi, janë njësoj; (janë) brumë i një mielli; (janë) buka e një mielli; (janë) një bathë e një kokërr. (Janë) sa *gishtat e dorës. (Jemi) si *gishtat e dorës. (Është) *ora me dorë (ora me një) (diçka). Ta jep amanetin në dorë (dikush) shih i ka sahanët pa kapak (dikush). Jap dorën pranoj a merrem vesh me dikë për diçka; zotohem të zbatoj ose të plotësoj një marrëveshje, një premtim etj.; jap fjalën e besës; zë dorë (me dikë). I jap dorën (një dorë) (dikujt) e ndihmoj të kapërcejë një pengesë a një vështirësi, të dalë nga një gjendje e rëndë etj.; e përkrah kur ka nevojë; i shtrij (i zgjat, i ndej) dorën; nuk e lë në baltë (dikë); i gjendem (i ndodhem) pranë; i bëhem (i dal) krah; i fut krahun. Të jep dorë (diçka) të lehtëson punën, të vjen në ndihmë; të leverdis, të intereson; të bën punë (të madhe); të jep bukë. I dha duart (dikujt) e dëboi, e përzuri, e ndoqi; e nxori jashtë; e lëshoi dore (dikë); i dha rrugët (udhët); ia dha këpucët (opingat) në dorë; i dha thonjtë; i dha munxët; i dha dushkun. Ia jap në dorë (dikujt) ia paraqit shumë qartë diçka, ia bëj shumë të kuptueshme e shumë të kapshme. E jep nën dorë keq. 1. (diçka). E jep fshehurazi; ia jep atij që do vetë; jep ryshfet fshehurazi. 2. Nuk është i çiltër, vepron fshehurazi, është fsheharak. I jap dorën e fundit (diçkaje) e kryej përfundimisht, e përfundoj, i bëj ripunimin a ndreqjet e fundit. Jep me dorën e majtë (dikush) është dorështrënguar, s’i del gjë nga dora; s’të jep gurin të çash kokën; s’të fal ethet e gushtit përb.; s’të jep as gjynahet. E jep me dorë dhe e merr me këmbë (diçka) e jep diçka me bujari dhe e merr me vështirësi të madhe (thuhet për dikë që s’është mirënjohës dhe s’ta kthen vetë huan a sendin që i ke dhënë). I jep dorën e të merr (të rrëmben) krahun (dikush) shih i jep gishtin e të merr (të rrëmben) dorën (dikush). Ia dha flokët (leshrat) në dorë (dikujt) ia shkuli flokët nga inati; e rrahu mirë, e nxori inatin mbi të duke i shkulur flokët. I jep *gishtin e të merr (të rrëmben) dorën (dikush). Ia dha këpucët (opingat) në dorë (dikujt) mospërf. e përzuri (zakonisht nga shtëpia); e dëboi (një njeri të padëshirueshëm); i dha duart; i tregoi rrugën (udhën). Ia dha leckat në dorë (dikujt) mospërf. e përzuri (zakonisht nga një vend); e shpërnguli diku me zor (një njeri të padëshirueshëm); ia ngriti (ia mblodhi) leckat. Ia dha mendtë në *dorë (dikujt). Të jep ujë me *shpinë të dorës (dikush). Ia dha veshët në dorë (në duar) (dikujt) e rrahu mirë; e dënoi rëndë, zakonisht duke i shkulur veshët; ia ndreqi qejfin. Me kalem (me *laps) në dorë. Ka *asin në dorë (dikush) libr. Ka dorë (dikush) keq. 1. E ka zakon të rrahë të tjerët, ka vesin të qëllojë me dorë, të godet; e ka dorën (krahun) të gjatë (i ka duart të gjata). 2. Vjedh; ka vesin të vjedhë e të rrëmbejë; e ka dorën (krahun) të gjatë (i ka duart të gjata); ka thonj të gjatë; është me thonj; e ka thuan të keq. 3. Ka bashkëpunuar a ka ndihmuar në një punë jo të pastër, ka marrë pjesë në krime a në diçka tjetër të keqe; ka gisht; e ka ngjyer gishtin; i ka lyer (i ka përlyer) duart; i ka lyer buzët. E ka në dorë. 1. (diçka). Varet krejtësisht prej tij për ta zgjidhur; është në dorë (në duar) (të dikujt). 2. (dikë a diçka). E ka të sigurt se mund ta bëjë të vetin kur të dojë, e quan të lehtë a të mbaruar; nuk e ka të zorshme të bëjë si të dojë me dikë, e ka dikë nën urdhrat e tij, varet krejtësisht prej tij (për shkak të një detyrimi, të një faji, një të fshehte etj.); e ka në pjatë; e ka në tavë bised.; i vjen në dorë (dikush); e ka në xhep; e ka në thes; e ka (e mban) në grusht (dikë); ia ka zënë kokën me derë (dikujt). 3. (diçka). E ka, e zotëron. E kam në dorë (në duar) (diçka) po e përgatit diçka, po e punoj, po merrem me të; nuk e kam përfunduar; e mbaj nëpër duar. Ka duar të arta (dikush) është i aftë e i përsosur në çdo punë, di dhe bën shumë mirë çdo punë; i ka duart të arta; i ka duart flori; ç’i sheh syri ia bën dora; i bëhet balta flori (dikujt); bën birë në tel të çiftelisë. I ka duart *të arta (dikush). E ka dorën *cung (dikush). I ka duart *flori (dikush). I ka duart *të florinjta (dikush). I ka (në dorë) gjithë *gurët (dikush). E ka (e mban) dorën *grusht (dikush). Ka (në dorë) edhe *gurin edhe arrën (dikush). E ka dorën *të gjatë (i ka duart të gjata) (dikush). I ka duart me *kallo (dikush). E ka dorën *të lehtë (dikush). I ka duart *të lidhura (dikush). Ka dorë të lirë (dikush) nuk e pengon asgjë dhe askush, është i lirë të veprojë sipas dëshirës së vet për të bërë diçka, mund të veprojë si të dojë. E ka dorën *të lirë (dikush). E ka dorën *të madhe (dikush). Ka dorë të mbarë (të bekuar) (dikush) i ecën puna mirë, ç’i zë dora i vete mbarë; sjell mbarësi; i zë (i kap) dora (çdo gjë) (dikujt). I ka dora *nur (dikujt). I ka duart *të prera (krahët të prerë) (dikush). E ka dorën *të rëndë (dikush). I ka duart *të shkurtra (dikush). E ka dorën *të shpuar (dikush). E ka dorën *të shtrënguar (dikush). I ka duart *të thara (dikush) përb. E ka dorën *të thatë (dikush). S’e ka në dorë veten (dikush) bën veprime të pandërgjegjshme pa e kuptuar se si; s’e zotëron dot veten, s’përmbahet; u ndodh (u zu) bosh; e rrëmben dredha (dikë). I ka duart *të zëna (dikush). S’ka gjë në dorë (dikush). 1. Nuk varet nga ai zgjidhja e diçkaje, s’ka as fuqi e as pushtet për të bërë diçka; nuk është në dorë (në duar) (të dikujt); nuk e ka në dorë; ka çelësat e kashtës iron., tall.; ka hapëset e kashtës iron., tall. 2. Nuk ka asnjë arritje, sukses a të mirë tjetër; s’ka gjë në torbë. S’ka *pilaf me dorë iron. Sa të kem *këmbë e dorë (e duar). E kam në *pëllëmbë të dorës (diçka). E ka *turrën në dorë (dikush). E ka *zogun në dorë (dikush). Ka kaluar në shumë duar. 1. (diçka). Është përdorur a është shfrytëzuar nga shumë vetë. 2. keq. Është e përdalë, ka bërë dashuri me shumë vetë (për femra). Me *kamxhik në dorë. (Sikur) ka kapur (ka zënë) *qiellin me dorë (dikush). Me *këllëç në dorë. Me *këmbë e me duar. Në *këmbë e në dorë (në duar). I kërkoj dorën (dikujt) etnogr. i propozoj për t’u martuar me mua (një vajze). E kërkoj me *fener në dorë (dikë a diçka). Kërkofsh *muret me dorë! mallk. Me *kobure në dorë. Me kordhë (me *shpatë, me këllëç) në dorë. Ia kthej dorën (dikujt). 1. etnogr. Nuk ia pranoj kërkesën për martesë (për vajza që i kërkojnë për martesë). 2. Nuk pranoj të marr diçka që më japin; kund. nuk kthen dorë2. Nuk kthej dorë. 1. Nuk i bie dikujt që më godet, nuk i përgjigjem me të goditur si ai. 2. Pranoj çdo gjë që më japin. I lava (i fshiva) duart. 1. (nga dikush a nga diçka). Nuk e kam më, mbeta pa të, e humba, s’kam më shpresë për të; më iku (më shpëtoi) nga dora (nga duart) (dikush a diçka); i fshiva buzët. 2. Përligjem dhe e shkarkoj veten nga përgjegjësia për një gabim a për një faj; shkëput lidhjet me dikë a me diçka, zakonisht të keqe, ose që nuk më duhet më, s’kam më punë me të, i jap fund. *Lakuriq me duar në xhepa shaka. Me *laps (me kalem) në dorë. Larg duart (nga dikush a nga diçka) libr. mos i bëni keq dikujt, nuk keni të drejtë që t’i bini më qafë; mos ndërhyni diku; mos guxoni ta prekni, t’i bëni keq, ta merrni a ta dëmtoni. Ia lehtësoi dorën (dikujt) bëri që të veprojë pa pasur shumë kufizime e vështirësi, bëri që të veprojë më lirisht. E lë në dorë (të dikujt) e lë dikë të veprojë si të dojë; e lë të vendosë ai për diçka, ia besoj atij; ia lë në dorë (dikujt). Ia lë në dorë (dikujt). 1. Ia besoj dikujt që të kujdeset për dikë, që ta mbrojë e ta ndihmojë ose e ngarkoj që të zgjidhë një çështje të vështirë; e lë në dorë (të dikujt); e lëshoj në dorë (të dikujt). 2. keq. Ia lë dikujt dikë si barrë; ia ngarkoj dikujt diçka të pakëndshme, ia hedh atij si barrë; ia lë në derë. E la pas dore (dikë a diçka) nuk kujdeset a nuk shqetësohet më për dikë a për diçka, nuk tregon vëmendje për të, e ka lënë në harresë; e la pas krahëve; e ka lënë në dorë të fatit; e la mënjanë; e rreh hekurin të ftohtë (dikush); i kalli bretkun (dikujt a diçkaje) bised. E ka lënë në dorë të fatit (dikë a diçka) nuk kujdeset e s’pyet fare për dikë a për diçka, e ka braktisur në fatin e vet; të bëhet ç’të bëhet (me dikë a me diçka); e la pas dore. Më la me duar në ijë (dikush) më bëri të gajasem së qeshuri, më këputi gazit; më këputi (më theu) brinjët1. E la me duar në gji (dikë) e la fill vetëm, pa njeri (për një grua që i vdes burri a djali ose kur ky largohet për një kohë të gjatë); e braktisi dhe e shkretoi, e la në mjerim e në varfëri. I lë dorë të lirë (dikujt) e lejoj të bëjë si të dojë, i jap liri veprimi, e lë të veprojë lirisht; i zgjidh duart. M’i la *këmbët e arushës në dorë (dikush). Më ka lënë *këmba e dora. Ia la *lëpendrat në dorë (dikujt) iron. Ia la *pendët në dorë (dikujt) iron. Ia la *puplat në dorë (dikujt) iron. Ta lë shpirtin në dorë (dikush). 1. Është shumë i dobët në trup e i pafuqishëm; ta zësh (ta kapësh) për hunde, i del shpirti (dikujt); është bërë kockë e lëkurë. 2. Mund të sakrifikojë çdo gjë për dikë, jep edhe jetën, flijohet për dikë; jep shpirtin (për dikë). Ia lë zemrën në dorë (dikujt) i jap besim të plotë, i besoj plotësisht për gjithçka. E lëshoj (e liroj) dorën. 1. Tregohem më dorëlëshuar a dorëlirë, nuk kursej; nis të prish me tepri; harxhoj më shumë sesa duhet; ia bëj fora; kund. e mbledh (e rrudh) dorën; e shtrëngoj dorën. 2. I ul kërkesat, tregohem dorëlëshuar në një vlerësim; nuk e bëj më diçka me aq kujdes si më parë. E lëshoi dore (dikë) e braktisi; e ndau, e largoi nga vetja; i dha duart (dikujt); ia hoqi fillin (dikujt). E lëshoi në dorë (të dikujt). 1. Bëri që ta kapë dikush, ia dorëzoi; e tradhtoi dikë. 2. Ia la dikujt një çështje, ia besoi atij; ia la në dorë (dikujt). S’e lëshoj (s’e lë) nga dora (diçka). 1. E ruaj me kujdes, zakonisht për të mos e humbur; e mbaj përgjithmonë diçka që kam arritur, që kam fituar etj. 2. E mbaj gjithmonë me vete diçka, e përdor vazhdimisht; merrem me të gjithmonë, nuk ndahem prej saj; s’e heq nga dora. Lidh (kryqëzon) duart (dikush) s’bën asnjë përpjekje për të ndihmuar dikë që ka nevojë, rri e pret, nuk vepron; rri duarkryq. I lidh duart (dikujt) nuk e lë të lirë të veprojë, i vë pengesë të pakapërcyeshme, e ndaloj të veprojë; i vë prangat; kund. i zgjidh duart. E lidhi *këmbë e duar (dikë). M’u lidhën duart mbeta pa punë pasi më pengon dikush a diçka; nuk mund të bëj dot gjë, nuk veproj dot lirisht. Luaj duart punoj më shpejt; nxitoj në një punë. I lutem me *kapuç në dorë (dikujt). I ka lyer (i ka përlyer) duart (dikush) ka marrë pjesë në një punë jo të pastër, është përzier dhe është njollosur keq; ka bërë vjedhje, vrasje, krime etj.; i ka lyer buzët; e ka ngjyer gishtin; ka gisht; ka dorë. Ia leu dorën (duart) (dikujt) keq. i dha diçka që të mos e pengonte në qëllimet e tij, të mos ia zbulonte të këqijat, t’i mbaronte një punë jashtë rregullave etj.; dha ryshfet; ia njomi (ia lagu) dorën; ia leu rrotën. I ka lyer duart me *gjak (dikush). Marr në dorë (diçka) i dal për zot një pune a një çështjeje dhe e ndjek seriozisht deri sa ta përfundoj a ta zgjidh. I marr dorën (dikujt). 1. E pyes dikë a i marr leje për diçka. 2. E përshëndes dikë me nderim e mirënjohje; e falënderoj e marr bekimin e dikujt duke i puthur dorën. Ia marr dorën. 1. (diçkaje). I fitoj njohuritë a shprehitë e nevojshme për të bërë diçka, bëhem i aftë për një punë pasi jam ushtruar për një farë kohe, e bëj më lehtë diçka, e kam mësuar ta bëjë si duhet; e thyej dorën (për diçka); më vjen dora (për diçka); ia marr zanatin; ia marr anën. 2. (dikujt). E njoh mirë dikë dhe e di si të sillem a si të veproj me të, jam mësuar me natyrën e tij; ia marr avullin. Ia mori (ia rrëmbeu, ia zhvati) nga *duart (dikë a diçka). përfitoi vetë duke ia rrëmbyer rastin një tjetri në çastin e fundit; ia rrëmbeu një tjetri dikë a diçka të mirë para syve. I marr dorë e këmbë (dikujt) i lutem shumë, i përulem; i puth dorën; i bie ndër këmbë; i bëhem qen e mace. Marr *frenat në dorë libr. Ia merr macja (pula) *bukën nga dora (dikujt) tall. E mori veten në dorë (dikush) nisi ta zotërojë veten e të përmbahet, u përmblodh dhe është më i sigurt në vetvete; e mblodhi veten; erdhi në vete; e përmbajti veten. Mbaj *barkun me dorëI. Mbaj *barkun me dorëII. Mbaj (zë) *brinjët me dorë. Mbaj dorën. 1. Nuk veproj më tutje, ndërpres diçka të nisur; përmbaj veten që të mos e rrah dikë a të mos bëj një veprim tjetër të gabuar. 2. E përdor diçka me kursim, nuk harxhoj shumë, kursej; e shtrëngoj dorën; e mbledh (e rrudh) dorën. Ia mbaj dorën (dikujt) kujdesem për dikë më shumë se për të tjerët, përkujdesem veçanërisht për të. Mbaj në dorë (diçka) zotëroj, kam; e administroj unë, është imi. E mbaj nëpër duar (diçka) e përpunoj gjatë, punoj mbi të deri sa të pësoset; e kam në dorë (në duar). Mbaj (zë) *brinjët me dorë. Mban *hurin në dorë (dikush). Mbaj *ijet me dorë. E mbaj në *pëllëmbë (në shuplakë) të dorës (dikë). Të mbetet (të ngelet) në dorë (ndër duar). 1. (dikush). Është shumë i dobët ose është aq i sëmurë, sa mezi mbahet dhe mund t’i bjerë të fikët a të vdesë (duke e operuar, duke e rrahur etj.); është i brishtë; të thyhet në dorë. 2. (diçka). Është i një cilësie aq të keqe a kaq e vjetruar, sa ke frikë ta përdorësh, mund të dëmtohet a të prishet menjëherë, është shumë e brishtë. 3. (diçka). I bie vlera e s’ke ku ta përdorësh, s’të hyn më në punë. Mbeta me duar në gji. 1. Mbeta pa njeri, fill i vetëm. 2. U shkretova, rashë në mjerim e në varfëri. Më mbeti *kërraba në dorë. E mbledh (e rrudh) dorën filloj të shpenzoj më pak a të mos i prish paratë kot, përmbahem në harxhe, bëhem më i kursyer; e shtrëngoj dorën; mbaj dorën; shtrëngoj rripin; kund. e lëshoj (e liroj) dorën. I ndal dorën (dikujt) e pengoj dikë me forcë të bëjë diçka, nuk e lejoj, e frenoj. Ndërroi dorë (diçka) u bë pronë e një tjetri; u tjetërsua, është e dikujt tjetër. Nuk e ndyj (nuk e fëlliq) dorën (me dikë) përçm. nuk e rrah dikë që është shumë më i dobët se unë ose që është për t’u përbuzur; nuk e ul veten të merrem më të. Ngre (çon) dorë (dorën) (kundër dikujt a kundër diçkaje). 1. E godet dikë, e qëllon, e rreh; e sulmon a e dhunon. 2. Nis luftën kundër dikujt. Ngre (çon) duart lart (përpjetë) (dikush). 1. Dorëzohet para dikujt, i nënshtrohet më të fortit, fitimtarit a kundërshtarit. 2. Thyhet e tërhiqet para një vështirësie, përkulet; pushon së luftuari a heq dorë nga përpjekjet për të kapërcyer vështirësitë, tërhiqet. I ngjit (i trazon) dora (dikujt) përb. është hajdut a zhvatës i madh; ka thonj të gjatë; ka dorë. Numërohen me *gisht (me gishtat e dorës). Nxjerr nga dora (nga duart) (diçka) prodhoj a krijoj diçka me dorën time; e përfundoj. S’e nxjerr nga dora (diçka) nuk e lë të më ikë a të më shpëtojë diçka e mirë ose që dua ta kem vetë, s’e jap, s’e lëshoj. I nxjerr *gështenjat nga zjarri me duart e botës (dikush). Me njërën dorë në *revani e tjetrën në bakllava. Ia njomi (ia lagu) dorën (dikujt). 1. I dha një ryshfet të vogël a një bakshish për t’i mbaruar punë; ia leu dorën (duart). 2. I dha ca lëmoshë. I plasi *bomba në duar (në dorë) (dikujt). I plasi në duar (në dorë) (diçka) i dështoi një plan kur s’e priste, nuk arriti ta vërë në jetë; iu zbuluan papritur qëllimet e synimet. Më preu duart (dikush a diçka) shih më preu krahët (dikush a diçka). M’u prenë duart shih m’u prenë krahët. Me *presh në dorë. E ka prishur dorën (dikush) nuk punon më me atë mjështëri që punonte më parë, nuk bën më punë me cilësi aq të mirë si më përpara. Sa të më punojë (të më luajë) *këmba e dora. I puth dorën (dikujt) keq. i përulet shumë dikujt, i shkon pas qejfit a pas avazit, i nënshtrohet e i bën lajka; i lutet shumë; i puth pëqirin; i bie në gjunjë. Të puth dorën! është mirë me shëndet, të nderon e të bën të fala (kur dikush pyet dikë për një tjetër). Na puthi dorën (dikush) mospërf. vdiq; na la shëndenë; shkoi me të shumtët. I puth *këmbë e dorë (dikujt) keq. I qan *puna në dorë (dikujt). E rëndoi dorën (mbi dikë) e rrahu rëndë (zakonisht pa të drejtë e pa qenë nevoja). Rri me duar në ijë (në mes, në brez, në gji, në xhepa) (dikush) rri kot, shikon të tjerët që punojnë, nuk bën asgjë vetë; rri me duar kryq; nuk zë gjë me dorë; bën (mban) sehir. Rri me duar kryq (dikush) rri pa punë, nuk bën asgjë, rri duarkryq, rri duarlidhur; rri me duar lidhur; rri (është) me duar të lidhura; rri me duar në ijë (në mes, në brez, në gji, në xhepa); nuk zë gjë me dorë; bën (mban) sehir. Rri me duar lidhur (dikush) rri pa bërë asgjë, nuk punon; nuk vepron, nuk ndërhyn kur duhet etj.; rri duarlidhur, rri duarkryq; rri (është) me duar të lidhura; rri me duar kryq. Rri (është) me duar të lidhura (dikush) s’ka mundësi a fuqi të bëjë asgjë, të ndihmojë a të ndërhyjë për diçka; nuk bën asgjë, nuk vepron, nuk ndërhyn kur duhet etj.; rri duarlidhur, rri duarkryq; rri me duar lidhur; rri me duar kryq. S’i rrinë duart (rehat) (dikujt). 1. S’mund të rrijë pa bërë diçka, pa u marrë me një punë; s’i rrihet kot. 2. Trazon shumë, ngacmon, është trazovaç; s’lë dy gurë bashkë (dikush). Rri me dorë në xhep harxhoj shumë, paguaj orë e çast. I rri me dorë në zemër (dikujt) përkujdesem shumë për dikë; i plotësoj çdo dëshirë a kërkesë pa asnjë kundërshtim; i shërbej mirë; kam kujdes që të mos i prishet qejfi; i bëj temena bised. I rri me *hanxhar në dorë (dikujt). *Syri plot e dora thatë. *Sytë nga qielli e duart nga mielli. Më shkau (më rrëshqiti) nga duart (nga dora) (dikush a diçka) më iku, më shpëtoi, më humbi; humba kontrollin mbi të, s’e zotëroj dot më, s’është më imi; s’e kam në dorë (dikë a diçka); më iku (më shpëtoi) nga dora (nga duart). Shkund me duar e shtyp me këmbë (dikush) bën diçka të dobishme, por po vetë e prish menjëherë; e mbush kusinë dhe e derdh. Ia shkurtoj dorën (duart) (dikujt) nuk e lë të veprojë (një vjedhës, një keqbërës etj.); e pengoj a e ndaloj menjëherë të bëjë diçka të keqe. Ç’i sheh *syri ia bën dora (dikujt). Me *shpatë (me kordhë, me këllëç) në dorë. I shpërtheu (i plasi) *mina në duar (dikujt). E shtiu (e vuri) në dorë. 1. (diçka). U bë pronar i diçkaje, u bë zot i saj, është përfundimisht e tij; e mori, e përvetësoi; e pushtoi. 2. (dikë). E bëri dikë për vete plotësisht, duke ia hedhur; e mashtroi dhe e nënshtroi me marifete a me kërcënime; e bëri dikë t’i shërbejë, e zotëroi më në fund; bëri që një femër t’i jepet; e futi në torbë; e shtiu në grackë; e bëri të tijën; e ka në xhep. E shtrëngoj dorën nis të kursej më shumë, nis ta përdor diçka më me kursim, bëhem më i kursyer; e mbledh (e rrudh) dorën; shtrëngoj rripin; e bëj groshin kacidhe; kund. e lëshoj (e liroj) dorën. I shtrëngoj dorën (dikujt) e uroj dhe e përgëzoj dikë për një punë të mirë që ka bërë a për diçka të mençur që thotë; e përshëndes, e nderoj dhe e lavdëroj; i heq kapelen. Shtrëngoj *kokën me duar. Sa të shtrish dorën shumë afër, thuajse ngjitur; një pushkë larg; sa një nishan dyfeku. Shtriu (zgjati) dorën (duart) (dikush). 1. Nisi të lypë a të kërkojë diçka; i kërkoi ndihmë dikujt, iu lut t’i japë diçka; i shtriu (i zgjati, i ndeu) dorën2 (dikujt). 2. Nisi të vërë sundimin e vet diku; shtriu (zgjati) krahët. I shtriu (i zgjati, i ndeu) dorën (dikujt). 1. I dha ndihmë, e ndihmoi dikë; i dha përkrahje; i dha (i hodhi) dorën (një dorë). 2. I kërkoi ndihmë, iu lut ta ndihmojë; lypi; shtriu (zgjati) dorën (duart)1 (dikush). 3. Kërkoi të pajtohej me dikë, me të cilin ishte në armiqësi, bëri i pari hapin e nevojshëm për t’u pajtuar, i kërkoi pajtim dikujt. M’u thanë duart. 1. S’më bëjnë duart për punë a për diçka tjetër, nuk zë dot punë me dorë; s’e bëj dot diçka; më ka ikur dëshira a më ka lënë vullneti për të bërë diçka. 2. Mbeta pa ndihmë e pa përkrahje, nuk bëj dot diçka (kur më ikën dikush, kur më mungon një vegël etj.); m’u prenë duart; m’u prenë krahët. T’u thaftë dora! mallk. mos qofsh më i zoti të bësh atë të keqe që bëre! (zakonisht për një veprim me duar, si rrahje, vrasje, vjedhje etj.). Më thau duart (dikush) më la në një gjendje shumë të vështirë, më la pa ndihmë e pa përkrahje; më preu duart; më preu krahët. T’u thafshin (duart) gjer në *rrëzë! mallk. I thaj (duart) që në *rrëzë! Me *thonjtë e duarve. Të thyen *arrën në dorë (dikush). E thyej dorën (për diçka) fitoj pak nga pak, duke u ushtruar, aftësinë a shkathtësinë e nevojshme për të bërë një punë, e mësoj dhe e bëj më lehtë diçka; ia marr dorën1 (diçkaje); më vjen dora. Të thyhet në dorë (dikush) është shumë i brishtë, është delikat; të mbetet (të ngelet) në dorë (ndër duar). Vë dorë (mbi dikë a mbi diçka). 1. Ndërhyn për të vënë diçka në rregull, ndihmon që të përmirësohet një gjendje etj.; vepron mbi dikë a mbi diçka që të ndreqet, të mos vejë më keq etj. 2. keq. E ngacmon dikë; e rreh, e qëllon, e godit, ushtron dhunë; lëshon dorë. 3. keq. Merr diçka që s’është e tij, vjedh, grabit a rrëmben diçka; e prek; e trazon; hedh dorë. I ka vënë duart në fyt (në grykë) (dikujt) shih i ka vënë shkelmin në fyt (në grykë) (dikujt). Vë duart në *kokë (në krye). Për të vënë duart në *kokë. E vë dorën në *ungjill (për dikë). Vë dorën në *zemër (për dikë). Vë dorën (duart) në *zjarr (në prush) (për dikë a për diçka). Më vjen dora (për diçka). 1. Fitoj shkathtësi për të përdorur diçka me dorë, për të gjuajtur në shenjë etj.; ia marr dorën1 (diçkaje); e thyej dorën. 2. Më shkon mbarë (në lojën me letra). I vjen në dorë (dikush) e sjell rasti t’ia ketë nevojën, të varet prej tij ose t’i tregojë forcën e aftësinë e vet; e ka në dorë (dikë). Më vjen (më shkon) për dore (diçka) kam aftësi a shprehi ta bëj mirë e shpejt diçka, e kam të lehtë, më jepet për një punë. (Vjen) me *pishë në dorë (dikush). (Vjen) me *urë në dorë (dikush). E vret *gjarprin me dorën e tjetrit (dikush). Me *zemër në dorë. Zë *dorë (me dikë). I zë (i kap) dora (dikujt). 1. I vjen ndoresh për çdo punë; nuk rri kot; është i zoti e i gjithanshëm. 2. I del mirë e mbarë çdo gjë; ka dorë të mbarë (të bekuar) (dikush). S’e zë (s’e kap) me dorë (diçka) nuk merret fare me një punë; nuk e mëson, s’e përgatit (një mësim); s’e bën a s’e prek fare. Ç’të më zërë dora pa e zgjedhur diçka, në mënyrë të rastësishme. Nuk zë gjë me dorë (dikush) nuk punon fare, s’kryen asnjë punë a shërbim; është dembel, rri gjithë ditën e s’bën asgjë; i ka duart të thara; i ka krahët të tharë; rri me duar kryq. S’ka zënë *kalem me dorë (dikush) keq. Zë *kokën (kryet) me dorë. S’e zë (s’e kap) njeri me dorë (dikë a diçka) s’e përfill njeri; s’kujdeset njeri për të, s’merret askush me të; nuk vlen fare, s’i shërben askujt; s’e zë (s’e kap) njeri për bishti (dikë) shpërf.; s’e vë (s’e ka) në hesap. (Sikur) ka kapur (ka zënë) qiellin me dorë (dikush). është shumë i gëzuar për atë që ka bërë ose ka ndodhur, shkëlqen nga lumturia; i shkëlqejnë (i ndritin) sytë (dikujt); i ndrit nuri (dikujt). Zë *veshët (me duar). I zgjidh duart (dikujt) i jap mundësi të veprojë e të bëjë ç’të dojë, i heq çdo pengim a ndalim; i lë dorë të lirë; kund. i lidh duart.
ÉR/Ë,~AI f. sh. ~ËRA, ~ËRAT 1. Rrymë e madhe ajri që lëviz horizontalisht. Erë e ftohtë (e ngrohtë). Erë e lehtë (e fortë, e tërbuar, e hollë, e lagësht, e thatë). Erë pranverore. Era mëngjesore. Era e malit (e fushës). Era e diellit era që fryn nga lindja. Era e lindjes (e perëndimit, e veriut, e jugut). Erë bore (shiu) erë që sjell borë (shi). Erë me shi (me dëborë). Forca (shpejtësia) e erës. Drejtimi i erës. Matës i erës. Mot me (pa) erë. I shpejtë si era. Fryn erë. Fishkëllen era. Pushoi (ra) era. Të than (të pret, të shkurton, të gërryen) era. E rreh (e zë, e kap, e ha) era. Vend i mbrojtur nga era.
2. bised. Ajër. Vrimë (baxhë) për erë. Shtie (qëlloj) në erë. Fluturoi në erë. Marr erë marr frymë.
✱Sin.: rrymë, ajër.
♦ U bë erë (dikush) iku me vrap, vrapoi me shpejtësinë më të madhe, fluturoi menjëherë; u zhduk shumë shpejt; u bë veri; u bë tym1; (u bë) tym e mjegull; (iku) tym dose; u bë lepur; ia mbathi me të katra; s’i zënë këmbët dhe (dikujt). Bën (ngre) *kështjella (kala) në erë (në ajër) (dikush) keq. Bie (mban) erë *barut. Bie (mban) erë *myk. I bie koka erë hallvë (dikujt) keq. është plakur shumë, nuk është në gjendje të mirë mendore, është matufosur; i janë thartuar (i janë uthulluar) trutë; i kanë rrjedhur trutë. Erë më erë gjithkund, kudo; gjithandej. Erë mali dikush që është i rrëmbyer ose shumë mendjelehtë dhe i papjekur; ia ka marrë mendtë era (dikujt); e ka mendjen veri. Erë me shi diçka e papritur, e shpejtë a me rrëmbim; diçka që kalon shpejt e rrëmbyeshëm.*Fjalë në erë. Flet në erë (dikush) flet pa u menduar; flet a premton kot, pa asnjë siguri, grin kot; flet në tym; prashit në erë keq.; flet pa doganë; grin sallatë bised.; grin lakra bised.; rreh ujë në havan; çan dërrasa bised.; i bie legenit bised. Fluturon në erëI (diçka) shkatërrohet krejt, prishet kot, vete dëm; fluturon në ajër. Fluturon në erëII (dikush) i merr gjërat lehtë, nuk mendon thellë; i duket çdo gjë e arritshme, nuk i kupton vështirësitë; është mendjelehtë e i rrëmbyer; fluturon në hava. Fryjnë erërat (për dikë a për diçka) libr. vjen diçka që e nxit ose e pengon një ndryshim, zhvillim a përparim, krijohen kushte nxitëse a penguese. Hedh në erë (diçka). 1. E prish krejt diçka, e shpërthej, e shkatërroj me lëndë plasëse; hedh në hava. 2. I prish menjëherë planet e dikujt, i shkatërroj krejt; hedh në hava. Ku e hedh era (dikë) ku ndodhet rastësisht, ku qëllon të jetë. Ia hodhi leckat në erë (dikujt) përb. e zhduku, e asgjësoi; e shkatërroi përfundimisht; ia hodhi potkonjtë në erë përçm.; ia hodhi trutë në erë keq. I hodhi paratë në erë (dikush) i prishi paratë kot; i bëri rrush e kumbulla (paratë). Ia hodhi potkonjtë në erë (dikujt) përçm. e la në vend të vdekur, e vrau; ia hodhi leckat në erë përb.; ia hodhi trutë në erë keq. Ia hodhi trutë në erë (dikujt) keq. e vrau (zakonisht me plumb dhe duke e qëlluar në kokë); ia derdhi (ia zbrazi) trutë; ia hodhi leckat në erë përçm.; ia hodhi potkonjtë në erë përçm. (Humbi) si *pluhuri në erë (dikush a diçka). Erë bjeshke shumë mendjelehtë; i nxituar e nuk vë re se ç’po bën; erë mali; e ka mendjen veri. Kërkon të kapë erën (dikush) përpiqet më kot, do që të arrijë të pamundurën, ia hyn një pune që nuk mund të bëhet. Kthehet nga të fryjë era (dikush) shih kthen gunën nga të fryjë era (dikush). Kthen gunën nga të fryjë era (dikush) vepron si t’i bëhet më mirë atij, shkon nga t’i leverdisë më shumë; nuk është parimor dhe ndryshon bindjet me lehtësi për të mbrojtur interesat e vet, anon herë këtej, herë andej, nuk qëndron në një mendje; kthehet nga të fryjë era; shkon nga të fryjë era; ruan erërat; si të jetë moti e kthen gëzofin; e kthen barkun nga (del) dielli; (është) me dyzet (me njëqind) flamurë. E la në *krahët e erës (dikë). Leh në erë të ujkut (dikush) bised. tall. flet tjetër për tjetër, flet kot, si t’i vijë, pa i ditur gjërat e pa i gjykuar fare; rri me dhen e flet për dhi; flet për gogla dushku në lëmë. Ia ka lëshuar kryet (dikujt) shih ia lëshoi (ia liroi) frerin (dikujt) keq. Lufton me *mullinjtë e erës (dikush) iron., tall. Merr erëI (diçka). 1. Qelbet, prishet, bie erë të keqe; merr amë. 2. Bëhet e ditur diçka, mësohet prej të gjithëve; nuk është më e fshehtë, zbulohet sheshit e përhapet; ka filluar t’i dalë nami i keq; e përflasin; i vjen era (diçkaje); merr amë. Merr erëII (nga diçka) e njeh diçka; e kupton, di ta bëjë a ta përdorë; ka njohuri për diçka; merr amë (nga diçka); merr vesh; ka haber bised. E merr eraI (dikë). 1. Është fare i dobët e me trup të lehtë; s’mbahet dot më këmbë. 2. Nuk është i qëndrueshëm në bindje e në fjalë, lëkundet shpejt; ndjek një rrugë të rastësishme. E merr era II (diçka) shkon kot; nuk zë vend; zhduket pa lënë gjurmë; nuk ngjit ose harrohet shpejt. I marr (i mbaj) erë (diçkaje). 1. E nuhat. 2. Përpiqem ta njoh mirë e nga afër diçka, të zbuloj ç’është a ç’vlera ka. I ka marrë erë *barutit (dikush). I ka marrë era *miellin (dikujt). I ka marrë koka (mendja) erë (dikujt) bën veprime të pamenduara mirë, punon a vepron pa llogaritur pasojat; nuk është në gjendje të mendojë mirë; është kokëkrisur, kërkon t’ia hyjë një rreziku pa u menduar; i ka hipur në kokë. Ia ka marrë mendtë era (dikujt) është shumë mendjelehtë; është i nxituar e nuk vë re se ç’po bën; është si era e malit (dikush); e ka mendjen veri (dikush). I mban goja erë *qumësht (dikujt). Mbolli erën e korri furtunën (dikush) libr. bëri një të keqe dhe si pasojë e pësoi nga një e keqe më e madhe; çfarë mbolli (edhe) korri. Të ngop me erë (dikush) të ngop me fjalë e me premtime të kota; të mban me shpresa të kota; të mban me erë të mollës; të ngop me lugë të zbrazët; të jep ujë me shoshë. Prashit në erë (dikush) keq. shih flet në erë (dikush). Qëllon në erë (dikush) shprehet për diçka pa e ditur e pa e njohur, jep një mendim të kotë; ia fut kot; flet në erë; flet në tym; flet në hava. Ruan erërat (dikush) bën si të vijë puna a si t’i interesojë, pret e sheh si venë punët e shkon andej nga i leverdis; është njeri me dy faqe; kthen gunën nga të fryjë era; shkon nga të fryjë era. Rron me erën e mollës (dikush) nuk vë gjë në gojë, nuk i pëlqen asnjë ushqim (nga sëmundja etj.); bën naze në të ngrënë. Shkel në erë (dikush) është shumë i shpejtë; ikën e vrapon si veriu, fluturon si era; bëhet erë; bëhet veri; s’i zënë këmbët dhe (dikujt); ia mbath me të katra. Shkon nga të fryjë era (dikush) shih kthen gunën nga të fryjë era (dikush). Ia ka shkundur era *trutë (dikujt) mospërf. *Vrimë në erë. Nuk e zë as era e as shiu (dikë) është në kushte shumë të mira, nuk i mungon asgjë. Më zuri goja erë shih më zuri goja bar.
EVENTUALÍSHT ndajf., libr. 1. Me shumë mundësi. Eventualisht mund të pranohet ndonjë ndryshim. Iu shtua eventualisht edhe kërkesa e heqjes së emrit.
2. Përfundimisht. Eventualisht mund ta ndryshosh vendbanimin. Produkte të cilat eventualisht mund t’u shiten konsumatorëve.
FIKSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur fiksojmë; ngulitja e shikimit, e kujtimeve etj. Fiksimi i ngjarjes në kujtesë.
2. Vendosje me përpikëri e përfundimisht e një afati, e një date etj. Fiksimi i datës së konferencës.
3. Mbetje në mend vazhdimisht e dikujt a e diçkaje; përqendrim vetëm në një gjë. I ishte bërë fiksim.
FIKS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ngulit (shikimin etj.). Fiksoj në kujtesë.
2. Vendos me përpikëri e përfundimisht (një afat, një datë etj.). E fiksuan datën e provimit.
3. Vendos përfundimisht diçka në mënyrë që të mos lëvizë. Fiksoj një tablo në mur.
4. kim., fot. Ndaloj çngjyrosjen e fotografisë, duke e veshur me kimikat gjatë larjes. Fiksoj fotografitë.
FJÁL/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. gjuh. Njësia më e vogël e mëvetësishme e gjuhës, që ka kuptim dhe shprehet fonetikisht dhe grafikisht, e formësuar nga ana gramatikore, e cila shënon sende dhe dukuri konkrete (abstrakte) dhe përdoret e veçohet në rrjedhën ligjërimore. Fjalë shqipe. Fjalë e huaj (e huazuar). Fjalë e re (e rrallë, krahinore, e vjetruar). Fjalë e parme (e prejardhur, e përngjitur). Fjalë shënuese (emërtuese, ndihmëse, shërbyese). Fjalë me shumë kuptime. Kuptimi i fjalës. Trajta e fjalës. Theksi i fjalës. Përdorimi i fjalës. Formimi i fjalëve. Prejardhja e fjalës. Çerdhe fjalësh. Rendi i fjalëve në fjali. Mbledhja e fjalëve. Ndaj fjalën në rrokje.
2. Diçka që i thuhet një tjetri; thënie; pohim; bisedë. Fjalë të ngrohta (të ëmbla, të buta, përkëdhelëse). Fjalë të ashpra. Fjalë mashtruese (joshëse). Fjalë me vend. Thuaj një fjalë! Fjala është më e rëndë se plumbi (fj.u.). Zihej (grindej, hahej) me fjalë.
3. Këshillë a porosi që i jepet dikujt; udhëzim, urdhër, vendim. Fjala e tij ishte ligj. Ia dëgjoi (ktheu) fjalën. E çoi në vend fjalën e mësuesit.
4. Premtim a zotim për të bërë diçka; premtim a diçka e thënë. Fjala e dhënë. Fjala e nderit. Fjala dhe vepra. Ka dhënë fjalën. Fjala e burrit, pesha e gurit (fj. u.). Duhet punë e jo fjalë. Vetëm me fjalë s'bëhet gjë.
5. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë njerëzve ose ndërmjet dy palëve; besë. Fjalë burrash. Lidhën fjalën. E lë me fjalë me dikë.
6. Bisedë që bëhet me një tjetër, diçka që thuhet a që tregohet; muhabet. Lërini fjalët! E la fjalën përgjysmë. Meqë ra (erdhi) fjala duke marrë shkas nga biseda, me këtë rast.
7. Diçka e thënë që s'duhet të bisedohet me të tjerë; diçka që thuhet vesh më vesh nga njëri te tjetri; thashetheme. U hap fjala. I nxorën fjalë. Dolën fjalë. Fjala ka këmbë (fj. u.). Doli fjala nga dhëmballa, mori njëzet e shtatë mëhallë (fj. u.).
8. Njoftim, lajm. Dërgoj (çoj) fjalë. Lë fjalë. Pruri fjalë. Erdhi fjala.
9. Fjalim a ligjëratë që mbahet para të tjerëve; pjesë nga ky fjalim; e drejta për të folur, për të shfaqur mendimet përpara të tjerëve. Fjala e hapjes (e mbylljes). Fjala e rastit. E drejta (liria) e fjalës. Mbaj fjalën. Kërkoj fjalën. Ia ndërpreu (ia preu) fjalën.
10. Aftësia për të shprehur diçka me gojë ose me shkrim; të folurit; gjuha, ligjërimi. Forca e fjalës. Mjeshtër i fjalës. Fjala artistike gjuha që përdoret nga një shkrimtar në një vepër letrare; mjeshtëria artistike e të folurit në skenë. Kultura e fjalës. Kujdesi për fjalën. Fjala shqipe tingëllon bukur. Arma e tij ishte fjala.
11. Teksti i një kënge ose i një pjese muzikore. Fjalët dhe muzika.
✱Sin.: llaf, thënie, pohim, bisedë, kuvend, muhabet, udhëzim, urdhër, vendim, premtim, zotim, marrëveshje, besë, thashetheme, njoftim, lajm, të folur, gjuhë, ligjërim, fjalim, porosi, mesele.
♦ Fjalë petake fjalë që zënë vend. Fjalë rrumbullake fjalë që nuk zënë vend. Fjalët i merr era (fj. u.) fjalët s’kanë vlerë po nuk u shoqëruan me vepra. I bën *dredhë fjalës (dikush). Nuk bën dy fjalë bashkë (dikush) është njeri i urtë dhe i dëgjuar, është i pafjalë, s’i ndihet zëri; kund. ka ngrënë plëndës pule (dikush) shak. Bëhet fjalë (për dikë a për diçka) flitet, thuhet diçka; shtjellohet diçka, trajtohet; përmendet dikush a diçka; zihet në gojë (dikush a diçka). Bëj fjalë (për dikë a për diçka). 1. Flas për dikë a për diçka, e përmend; them a trajtoj diçka; e zë në (me) gojë (dikë a diçka). 2. (me dikë). Grindem me fjalë; zihem me dikë për diçka që s’është si duhet; trazoj fjalët; i përpjek fjalët; bëri llafe. I bëj (i çoj) fjalë (dikujt) e njoftoj, i dërgoj një lajm, e lajmëroj për diçka; e thërres; i bëj zë. E bëri me fjalë (dikë) e përfoli dhe e turpëroi, i nxori thashetheme; bëri që të tjerët ta marrin nëpër gojë. E bëj me fjalë (me dikë) merrem vesh për diçka; e lë të bëjmë diçka bashkë; e lë me fjalë; i puq fjalët. S’bën fjalë (dikush) nuk ankohet e nuk kundërshton, pranon ç’t’i japësh etj.; është shumë i urtë. S’e bëj për fjalë (diçka) nuk ia tregoj askujt diçka që nuk duhet thënë, nuk flas me njeri për diçka që duhet mbajtur e fshehtë; s’e bëj për zë. Ta bën fjalën *bosh (dikush). Nuk ia bëj fjalën *dy (dysh) (dikujt). I bën fjalës *themel (dikush). Iu bë *lak (fjala) (dikujt). Nuk i bën *lak (fjalës) (dikush). Bie fjala. 1. (për dikë a për diçka). Flitet, vjen biseda. 2. Ta zëmë, për shembull (shkurt. b.f.); fjala vjen. Bie në një fjalë (me dikë) shih e gjej fjalën (me dikë). S’i bie fjala në *tokë (dikujt). Del nga fjala (del fjale) (dikush) nuk e mban premtimin a zotimin, s’i përmbahet fjalës, gënjen, e dredh; e dredh (e përdredh) fjalën; e ha fjalën; luan nga fjala (luan fjale); kund. e mban fjalën. I kanë dalë fjalë (dikujt) është përfolur, është marrë nëpër gojë, flitet keq për të. Di të gdhendë fjalë është i zoti të gjejë fjalët e bukura; di të parashtrojë fjalët e duhura. Nuk di fjalë (dikush) i bie shkurt e copë; vepron shpejt, nuk e zgjat; është praktik. E dredh (e përdredh) fjalën (dikush). 1. E kthen dhe e stërkthen fjalën, e zgjat shumë muhabetin rreth një gjëje, duke thënë edhe hollësira të panevojshme. 2. Nuk e mban fjalën a premtimin; e ndërron mendimin, flet ndryshe nga ajo që ka thënë më parë; e ha fjalën; del nga fjala (del fjale); kund. e mban fjalën. S’do fjalë pa dyshim, s’ka dyshim, doemos; natyrisht, s’ka pse të diskutohet më tej, mos e zgjat; s’do mend; ta merr (ta pret) mendja; është afër mendjes (mendsh). Me një fjalë shkurt; në mënyrë të përmbledhur; me fjalë të tjera; fundi i fjalës. Fjalë në erë (hava) fjalë të thëna pa u menduar, fjalë boshe; premtime të kota; gjepura. Fjalë ari (e artë) thënie e mençur, e vyer, që peshon. Fjalë burri fjalë me mend; premtim që mbahet; besë. Fjalë të ëmbla e punë të tharta shih fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fjalë për fjalë. 1. Pa ndryshuar asgjë nga ajo që është thënë a është shkruar, besnikërisht; plotësisht e me hollësi; duke përmendur a duke përkthyer çdo fjalë veças; një për (më) një. 2. Në kuptim të drejtpërdrejtë; ashtu si e ka thënë a e ka shkruar dikush, pa hequr asnjë fjalë, pikërisht ashtu. Fjalë fluturake thënie a shprehje, zakonisht e figurshme, që përmban një gjykim ose një mendim përgjithësues të spikatur dhe që njihet e përdoret gjerësisht. Fjala e fundit. 1. Arritja më e re dhe më e lartë në një fushë të shkencës, të teknikës ose të kulturës. 2. Mendimi përfundimtar që vendos për diçka; mendimi i fundit. Një fjalë goje... duket shumë e lehtë diçka, por në të vërtetë është e vështirë (për një punë etj.); një llaf goje... Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë) premtim a zotim për të bërë diçka, por që nuk shoqërohet me punë e me vepra ose që nuk zbatohet, mashtrim me fjalë të bukura për ta përcjellë dikë; fjalë të ëmbla e punë të tharta. Me fjalën e parë në çast, menjëherë, me të thënë; me bindje e pa e zgjatur. Me fjalë të tjera ndryshe; më shkurt e më qartë, domethënë; me një fjalë. Fjalë e urtë folk. proverb; shprehje e njohur me kuptim të njësishëm e zakonisht të figurshëm, që përgjithëson një vëzhgim a një vlerësim për dukuritë e ndryshme të jetës, por që, ndryshe nga proverbi, nuk është një fjali e plotë. Fjala vjen për shembull, ta zëmë se është kështu, zëre se..; bie fjala. *Fundi i fjalës. E gjej fjalën (me dikë) merrem vesh me dikë, gjej një gjuhë të përbashkët a pajtohem në mendim me të; kuptohemi; bie në ujdi; bie në va; i ndreq hesapet; i puq fjalët. Sa për t’u gjendur në fjalë sa për të thënë diçka duke folur për gjëra të parëndësishme ose që nuk kanë të bëjnë me çështjen, sa për të marrë pjesë në bisedë. Me një *gjysmë fjale. Gjuhemi me fjalë ngacmojmë (thumbojmë) njëri-tjetrin. E ha fjalën (dikush) e mohon atë që ka thënë, e dredh; nuk e mban premtimin, gënjen; nuk është i besës; ia kthen fjalën (dikujt); kund. e mban fjalën. E hodhi fjalën (për dikë a për diçka) e zuri në gojë dikë a diçka; dha të kuptohet në bisedë se e kishte për dikë a për diçka tjetër, e kishte për të, aludoi; ndërroi bisedë. E hedh fjalën në *pus (dikush). I humbi fjala (dikujt) u habit shumë, u hutua fare sa s’mund të fliste; iu pre goja; iu mpi gjuha. I hyj në fjalë (dikujt) e kuptoj ç’thotë, e rrok çfarë thotë; e marr vesh (dikë). Ç’është ajo fjalë! as mos e thuaj!, si mund të flasësh a të mendosh ashtu!, nuk është ashtu!, s’është e nevojshme ta thuash! (si përgjigje për një kundërshtim të dikujt ose kur ai shprehet se ndihet ngushtë etj.). I jap fjalën (dikujt). 1. E lejoj a e ftoj të flasë (në një mbledhje etj.). 2. I premtoj, e siguroj dikë për diçka. S’ka fjalë e kuvend (për diçka) është shumë e vërtetë, nuk mund të diskutohet për këtë gjë, është e sigurt a e vendosur. I ka fjalët *të prera (dikush). E ka fjalën *pushkë (dikush). I ka fjalët *të shkurtra (dikush). E kapërcen fjalën (dikush) lë me qëllim pa përmendur diçka, i shmanget bisedës; nuk i vjen mirë të flitet për atë gjë. Këmbej (shkëmbej) fjalë (me dikë) zihem me fjalë me dikë, grindem me të; më shan dhe e shaj. Kërkon fjalë dëshiron të grindet, kërkon sherr. Ia kthen fjalën (dikujt). 1. Nuk i bindet dikujt, e kundërshton, nuk bën si thotë ai; i përgjigjet ashpër. 2. shih e ha fjalën (dikush). S’ia kthen fjalën *mbrapsht (dikujt). S’e kthen fjalën *mbrapsht (dikush). E lë me fjalë (me dikë) merrem vesh me të për t’u takuar diku a për të bërë diçka; e vendos me dikë; e bëj me fjalë. Lidh fjalën (me dikë) merrem vesh përfundimisht me dikë për të bërë diçka së bashku; e vendos përfundimisht të bashkëpunoj me të; merrem vesh. Nuk lidh (dot) dy fjalë (bashkë) (dikush) nuk di të flasë rrjedhshëm, i shpreh mendimet me vështirësi; nuk është i zoti i gojës. *Lojë fjalësh. Luan me fjalë (dikush). 1. Flet me fjalë të tilla që fshehin qëllimin e vërtetë, dredhon duke thënë jo atë që duhet; nuk mban qëndrim serioz, nuk e merr me gjithë mend diçka, e quan si lojë. 2. Përdor fjalë të afërta nga tingëllimi e nga kuptimi për të bërë përshtypje tek të tjerët. Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga *goja (dikush). E mban fjalën (dikush) e plotëson premtimin, çfarë thotë e bën; është i besës; kund. e ha fjalën; e dredh fjalën; luan nga fjala (luan fjale). Mbeta pa fjalë u çudita shumë, u habita jashtë mase nga diçka e papritur a e pabesueshme; dola nga këmisha; dola nga rrobat e trupit; dola linjës. E mori ferra fjalën u përhap fjala kudo; e morën vesh të gjithë. E ndal diellin me fjalë (dikush) është llafazan i madh, të mbyt me llafe, s’i lë radhë askujt në bisedë; mburret shumë se mund të bëjë çdo gjë, e paraqit veten me fjalë si të plotfuqishëm; mbush pusin me pështymë. Që ta ngas fjalën (llafin)... meqë ra fjala; që të vijoj më tej bisedën aty ku e lamë; kam parasysh që... Më ngjit fjala (me dikë) më shkon muhabeti me dikë, pajtohem në muhabet me të; e dua si shok, është i ëmbël në muhabet dhe më pëlqen të flas me të. T’i përpin fjalët (dikush) të dëgjon me shumë vëmendje; s’i shpëton asgjë nga ato që i thua; është tërë sy e veshë (dikush); s’i shpëton qimja. I përpjek fjalët (me dikë) zihem keqas me fjalë me dikë, grindem e shahem me dikë, i them e më thotë fjalë të ashpra. Prenë fjalën etnogr. caktuan ditën kur do të bëhet martesa; bënë marrëveshje e vendosën afatin për diçka. I puq fjalët (me dikë) pajtohem në mendim, merrem vesh; i rregulloj punët me të; bie në një mendje; e gjej fjalën; e bëj me fjalë. E qep fjalën them fjalë me vend, që nuk m’i rrëzon dot kush. Ta rrëmben fjalën nga goja (dikush) të kupton a ta kap mendimin menjëherë; është shumë i zgjuar; të ndërpret në të folur, nuk të lë të flasësh më tej; ndërhyn në një bisedë dhe e vijon vetë më tej. I shkon (i ecën, i dëgjohet, i zë vend) fjala (dikujt) ia pranojnë mendimin, ia çojnë në vend porositë a ia plotësojnë kërkesat; ka ndikim tek të tjerët, i binden e bëjnë si thotë ai. I shkoi fjala *bosh (dikujt). I tërheq fjalët zvarrë. 1. Flet ngadalë si i vogël. Flet me përtesë. 2. Zgjat dhe zvarrit mbarimin e një pune. I trash fjalët (me dikë) filloj të zihem me fjalë të ashpra me dikë; acarohem edhe më shumë me fjalë, nis të përdor kundër tij fjalë të rënda; i thartoj fjalët. Trazoj fjalët (me dikë) zihem me dikë, prishem me të e grindem me fjalë të ashpra. I thartoj fjalët (me dikë) zihem e keqësohem me dikë, prishem edhe më shumë me fjalë të hidhura kundër tij; i trash (i ashpërsoj) fjalët. (Nuk tha) asnjë *gjysmë fjale (dikush). Ia ushqen fjalën (dikujt). 1. Ia miraton ato që thotë; e nxit të flasë. 2. E lëvdon e i bën qejfin, e përkëdhel më shumë se ç’duhet; e përkrah, pavarësisht e ka mirë a keq. I vë *qokë fjalës. Ia zuri fjalën në *gojë (dikujt).
FÓRM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Tërësia e vijave dhe e tipareve të jashtme të dikujt a të diçkaje, ana e dukshme, trajta, figura; pamja e jashtme e diçkaje pavarësisht nga lënda me të cilën është bërë; tiparet e jashtme të njeriut ose të kafshës. Forma e sendit. Forma e trupit. Në formë rrethi. Merr (ndryshon) formën.
2. Kallëp ose mostër që shërben për të bërë diçka; shtypshkr. pajisje në trajtën e një kornize me reliev, ku vendosen germat metalike për shtypje; diçka që ka trajtën e një kallëpi a të një kornize dhe që përdoret për qëllime të ndryshme. Format e djathit. Derdh në formë.
3. Ana e jashtme si diçka që nuk shpreh përmbajtjen e vërtetë, dukje; mënyra se si sillet a vepron dikush; diçka formale. E bën për formë. Sa për formë formalisht, sa për sy e faqe.
4. Ndërtimi i diçkaje, i kushtëzuar nga një brendi e caktuar; mënyra e organizimit të një përmbajtjeje të caktuar; mënyra se si shfaqet, si paraqitet, si shprehet a si është diçka; lloj tjetër i diçkaje. Formë shtetërore (private). Në formë përfundimtare. Format e shprehjes së mendimit. Format e energjisë. Forma e folur (e shkruar) e gjuhës.
5. filoz. Mënyra e lidhjes së elementeve të përmbajtjes, mënyra e organizimit, e ndërtimit të brendshëm dhe e shprehjes së përmbajtjes. Forma dhe përmbajtja. Format e ndërgjegjes shoqërore.
6. let., art. Mënyra se si ndërtohet e organizohet një vepër letrare e artistike; tërësia e mjeteve shprehëse e figurative, që përcaktohen nga brendia, nga tema, nga problematika dhe nga ideja e një vepre letrare e artistike dhe shërbejnë për t’i mishëruar ato në figura të gjalla artistike. Forma artistike. Formë e përsosur. Elementet e formës.
7. gjuh. Trajtë e një fjale, që shpreh kategori e kuptime gramatikore të caktuara; mënyra si shprehet apo shfaqet përmbajtja, kuptimi e funksioni i një njësie gjuhësore (fjalë, grup fjalësh a fjali). Forma të thjeshta (të përbëra, të pashtjelluara, analitike, sintetike). Forma e fjalës shenjuesi i saj. Forma e shumësit. Forma e dëftores. Forma e fjalisë.
8. Gjendje shëndetësore a shpirtërore e mirë; gjendje fizike e mirë. Formë sportive. Sot ishte në formë. Ra nga forma.
9. Format. Forma e librit (e fletëpalosjes).
✱Sin.: trajtë, figurë, kallëp, mostër, pamje, dukje, model, mënyrë, format.
♦ I formës së prerë drejt. i vendosur përfundimisht, që nuk mund të rishqyrtohet e të ndryshohet nga një organ tjetër edhe më i lartë (për një vendim gjyqi etj.). Merr formën e enës (dikush) përb. nuk është njeri i ndershëm dhe i çiltër; është i paqëndrueshëm e hipokrit, nuk e mban fjalën, e dredh; flet e vepron sipas interesit të vet; është pa shtyllë kurrizore; (është njeri) me dy fytyra; (është njeri) me dy faqe; (është) mësallë me dy faqe.
FUND,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pjesa e poshtme e një ene, e një arke, e një shporte, e një anijeje etj., e cila është zakonisht e sheshtë, duke shërbyer edhe si pjesë mbështetëse. Fund i sheshtë. Fundi i kazanit. Fundi i arkës. Fundi i anijes. Pastroj fundin. Kulloi në fund.
2. Pjesa e poshtme e diçkaje që mbështetet në tokë e që ngrihet mbi të ose që është ngulur në tokë; vendi ku lidhet me trupin një gjymtyrë a organ i veçantë ose ku lidhet me trungun një degë; rrëzë; taban. Fundi i malit. Fundi i digës. Fundi i lisit. Fundi i krahut. E preu pemën deri në fund. Në fund të fshatit.
3. Trualli a shtresa e tokës që ndodhet nën ujin e detit, të liqenit, të lumit a të një pellgu etj.; pjesa e poshtme e një vendi të thelluar në tokë. Fund ranor (shkëmbor). Fund me baltë (me zhavorr). Fundi i detit. Fundi i pusit. Gërryej fundin.
4. Diçka në sasi të vogël, që ka mbetur në pjesën e poshtme të një ene a të një vendi të thelluar. Hëngri fundin e tenxheres. E derdhi fundin e fuçisë.
5. Caku e skaji ku mbaron diçka që shtrihet në hapësirë (një sipërfaqe, një rrugë, një varg sendesh a frymorësh, një shtrojë a mbulojë, një tel a litar i gjatë etj.); skaji më i largët i një vendi a i një hapësire të madhe; mbarimi, pjesa e skajshme e një sendi a e një hapësirë; kund. krye, fillim. Fundi i fushës (i kopshtit). Fundi i qilimit. Në fund të sheshit (të oborrit, të rrugës, të bulevardit). Fundi i rreshtit (i vargut të njerëzve, i kolonës së automjeteve). E ka theksin në fund.
6. Pjesa e fundit e një vepre të shkruar, e një shfaqjeje a e një krijimi tjetër artistik; kund. fillim. Fundi i librit (i romanit, i artikullit). Fundi i filmit (i dramës, i shfaqjes, i videoklipit).
7. Veshje e sipërme grash ose pjesë e kostumit të grave, që mbulon trupin nga mesi e poshtë. Fund i gjerë. Fund me pala (me kinda). Vesh fundin.
8. Caku që shënon mbarimin e një kohe; pjesa e kohës që lidhet me këtë cak; caku kohor që shënon mbarimin e një pune, të një veprimi a të një veprimtarie etj.; pjesa e fundit e një pune a e një veprimtarie; mbarim, përfundim; kund. fillim. Fundi i vitit. Në fund të javës. Fundi i punës. Fundi i lojës (i ndeshjes). Aty nga fundi i mbledhjes.
9. bised. Mbarimi i jetës, vdekja. Fund i parakohshëm (i hidhur). I erdhi fundi.
✱Sin.: rrëzë, taban, mbarim, fundje, fundar, anë, skaj, bisht, përfundim, mbyllje, epilog, fustë, kotull, rashe, pështjellak, fustan, zgrip, vdekje, perëndim.
♦ I afron fundin (dikujt) bën që dikush të dështojë në punën e tij, të bjerë nga përgjegjësia etj.; bën që të marrë fund. Pa *anë e pa fund (pa fund e pa anë). *Ballë e fund. U bë *pus pa fund (diku). Më ra (më shkoi) *gjaku në fund të këmbëve. I ra koshi në fund (dikujt) shih i ushtojnë hambarët (dikujt). I ra shekja (e djathit) në fund (dikujt) nuk është mirë nga gjendja ekonomike, është trokë; nuk ka asgjë në hambar; i ushtojnë sheket; i ra koshi në fund; (është) kripë në diell (dikush); e ka hambarin dërrasë (dikush). Deri në *cakun e fundit. *Dritë në fund të tunelit Fundi i arkës rrobat më të mira të ruajtura për festë; gjërat më të mira të vluara diku. (Ia di, ia njoh) fundin e barkut (dikujt) shih (ia di) zorrët e barkut (dikujt). Në fund e në bisht shih në fund të fundit. Fundi i botës. 1. Një vend shumë i largët, skaj i panjohur e i harruar; në fund të botës. 2. Shkatërrim i plotë, zhdukje, përmbysje e gjithçkaje, katastrofë. Në fund të botës (të dynjasë) shumë larg, në një vend shumë të largët; fundi i botës; në anë të anës. I heq *gurin e fundit (dikujt a diçkaje). (Është) në fund të dardhës (dikush) është ende prapa, është në bisht; ka mbetur në bisht (në bisht të urës, te bishti i urës). Në fund të detit diku shumë larg a në një vend të fshehtë ose të vështirë për të arritur atje. Në fund të ditës si përfundim, si rrjedhim i veprimeve që kemi bërë, përfundimisht; në mbyllje. Fundi i fjalës shkurt; si përfundim; me një fjalë; fundi i fundit; në fund të fundit. Fundi i fundit tekembramja, më në fund; sido që të jetë; në fund të fundit; fundi i fjalës. Në fund të fundit tekembramja, më në fund; në fund të diçkaje; si përfundim; si mbyllje; fundi i fundit; fundi i fjalës. Fundi i kazanit gjellë e mbetur; ushqimi më i keq; kund. gryka e kazanit. Fund e krye (e majë) krejt, plotësisht; që të gjithë, pa asnjë përjashtim; kokë e këmbë; nga koka deri te këmbët; nga a-ja deri te zh-ja; ind e majë. Nga fundi në krye krejt, tejendanë; nga kreu në fund. Në fund e në krye (e në majë) tejpërtej; krejt. Nga fundi i zemrës (i shpirtit) shih nga thelbi i zemrës (i shpirtit). (Humbi) si *gjilpëra në fund të bunarit (dikush a diçka). I jap (i vë) fund (diçkaje) e kryej, e mbaroj a e përfundoj me sukses, e përmbyll përfundimisht; i vë fund; i vë kapak (kapakun). Kur të kalbet *guri në fund të lumit. I kallëzoj fundin e arkës (dikujt) ia them të gjitha, nuk lë gjë pa thënë, ia them gjithçka që mbaj përbrenda, i zbrazem; i zbraz barkun; nuk mbaj gjë në bark; ia hap barkun. I ka trutë në fund të këmbëve (dikush) është budalla, është pa tru; është shumë mendjelehtë; s’ka tru në kokë. E kam ujin në fund të arës nuk më vete puna mbarë, nuk më ka fryt puna; nuk më ndih fati, nuk më ecën; kund. e kam ujin në krye të arës. E kërcen *vallen deri në fund (dikush). Ka marrë fund. 1. (diçka). Ka përfunduar, është kryer plotësisht; ka mbaruar. 2. (diçka). Është vendosur përfundimisht, nuk rikthehet më. 3. (dikush a diçka). Është dobësuar a është prishur krejt, nuk ka më fuqi a vlerë, nuk mund të rrojë a të veprojë më; ka shkuar në fund (dikush); është bërë fare (dikush). 4. (dikush). Është varfëruar fare; ka mbaruar me liq e me shpatë. I nxjerr (i gjej) fundin (diçkaje) e përpunoj a e studioj thellë diçka, e shqyrtoj me themel e deri në imtësi; i zbuloj çdo të fshehtë; i dal në fund; i nxjerr tabanin. I nxjerr fundin e arkës (dikujt) e pres dikë me gjërat më të mira që kam, nuk kursej asgjë, i shtroj çdo gjë që e kam ruajtur a që ka mbetur. Ia nxjerr prej fundit të barkut (diçka) e detyroj të thotë edhe fjalën e fundit, e shtrëngoj të thotë gjithçka, nuk i lë gjë pa nxjerrë; ia nxjerr me darë. Ka shkuar në fund (dikush a diçka) shih ka marrë fund3 (dikush a diçka). E shkundi fundin e barkut (dikush) keq. i tha të gjitha, nuk la gjë pa thënë, i zbrazi ç’kishte brenda; është llafazan i madh; s’i vë fre gojës (gjuhës); e ka gjuhën (llapën) të gjatë (një pëllëmbë, një pash) keq. I shpon *kungulli fundin e kusisë (dikujt). *Shportë pa fund mospërf. I erdhi fundi (dikujt). 1. Është në prag të vdekjes ose tash do ta pësojë të keqen; (është) në buzë të varrit (të gropës) (dikush); (është) me një këmbë në varr (dikush). 2. shih (është) në buzë të greminës (të humnerës) (dikush). Zë fundin e barkut ha fare pak, ha sa për të thyer urinë; hedh një brez. Mos të zëntë fundi i javës! mallk. vdeksh!
FËRTÉLE ndajf. Në shumë copa, copa-copa. Ishte bërë fërtele.
♦ U bë fërtele (dikush a diçka) u bë copë-copë a fije-fije diçka, u gris krejt, u copëtua fare (kryesisht për këpucët a për rrobat); u vra keq dikush, u plagos rëndë, u dërrmua; u bë retra; u bë feta; u bë lakër (diçka); u bë copë (copë e gojë)1; u bë thelë e copë. E bëri fërtele. 1. (dikë a diçka). E griu copa-copa diçka; e copëtoi; e rrahu keq dikë, e dërrmoi, e shqepi; e bëri zhele1 (diçka); e bëri retra; e bëri feta; e bëri pelte; e bëri patështinë krahin.; e bëri lakër. 2. (dikë). E shpartalloi përfundimisht, e shkatërroi krejt; e bëri copë (copë e çikë, copë e thërrime).
GUR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Lëndë minerale e fortë dhe e patretshme në ujë, por e thyeshme, që gjendet në brendësi ose në sipërfaqe të tokës si masë e ngjeshur ose në copa të veçanta dhe që përdoret kryesisht si lëndë ndërtimi; një copë e veçantë e kësaj lënde me përmasa të ndryshme. Gur i fortë (i butë). Gur vullkanik (gëlqeror). Gur stralli kuarc. Gur i gdhendur. Gur lumi (zalli). Gurët e kalldrëmit. Guri i themelit. Gur vatre secili nga të dy gurët e vendosur në anë të vatrës, carani i vatrës. Gurët e qosheve (e pragjeve). Rrasë guri. Çekan (sëpatë) prej guri. Shtëpi prej guri. Punime në gur. I gdhendur (i shkruar) në gur. Thyej gurë. Hedh gurin. Shtroj me gurë. I ra (e qëlloi, e gjuajti, e goditi) me gurë. Me një gur s’bëhet mur. (fj. u.). Gur, gur bëhet mur. (fj. u.). Gurë, gurë bëhet kalaja. (fj. u.). Pika shpon gurin. (fj. u.). Gur filozofik. Epoka e gurit.
2. vet. nj. Shkëmb (edhe si pjesë përbërëse e emrave të vendeve). Gur i gjallë shkëmb i tërë, fare shkëmb. Gur i thepisur. Leskovik, o gur i thatë, trima burrat, trime gratë! (kr. pop.) Guri i Kamjes. Guri i Qytetit.
3. Copë prej kësaj lënde zakonisht e gdhendur, që vendosët diku si shenjë. Gur përkujtimor. Gur kufiri. Guri kilometrik. Gur varri.
4. Një copë prej kësaj lënde me përbërje, me përmasa e me trajta të ndryshme, që kryen një punë të caktuar në një mekanizëm ose që shërben drejtpërdrejt për një punë. Gur grihës. Gur shkrepës. Gur mulliri mokër. Gur zjarri guri i urorit. Gur çakmaku. Gur kafeje gur i fortë, i gërryer brenda e i bërë si havan për të shtypur kafenë.
5. Copë nga një lloj minerali i fortë, i rrallë e i çmuar, me shkëlqim të madh; rubin. Gur i çmuar. Gur xhevahir. Guri i unazës. Unazë me gur. Orë me (pa) gurë.
6. mjek., veter. Formim i ngurtësuar në disa organe të sëmura brenda në trupin e njeriut ose të kafshëve (në veshka, në mëlçi, në tëmth etj.). Gur në veshka (në mëlçi). Gurët e tëmthit. Gurët e dhëmbëve. I hoqën (i nxorën) dy gurë.
7. Secila nga figurat që përdoren në disa lojëra. Gur bilardoje. Gur shahu. Gur dominoje.
8. bised. Secila nga copat prej metali, me peshë të caktuar, që përdoret për të peshuar mallra a sende të ndryshme në një peshore, secila nga peshat e peshores; gramar. Gur një kilogram.
9. bised. Bërthama e disa frutave. Gur thane (kumbulle, pjeshke, qershie).
10. fig. Brengë e thellë, peshë e rëndë në zemër, gozhdë. Ka një gur në zemër.
11. Sasia e ujit që nevojitet për një mulli drithi, për një palë mokra ose sasia e ullinjve që shtrydhen njëherësh në një mulli vaji. Një gur ujë. Një gur ullinj.
12. si mb. Shumë i fortë e i ngjeshur. Buka ishte gur. Ka ngrirë dheu, është bërë gur. I ka faqet gur i ka faqet të shëndosha, të ngjeshura. E ka mishin gur.
13. si mb. Shumë i rëndë. Thesi qenka gur.
14. si ndajf. Shumë (me disa mbiemra). Gur i fortë. Gur i rëndë. Gur i ftohtë.
✱Sin.: mollok, popël, qopal, fufë, shkëmb, gurinë, stranicë, fletar, rubin, xhevahir, shndrizë, peshë, dërhem, grihë, grihës, bërthamë, brengë, i fortë, i rëndë, shumë.
♦ U bë gur. 1. (diçka). U forcua shumë, u bë e fortë si guri; u bë kockë; u bë tjegull. 2. (dikush). Ngriu e u mpi së ftohti; u bë dru. 3. (dikush). Ngriu në vend nga frika a nga një fatkeqësi, nuk ndien më asgjë. U bëfsh gur! mallk. ngrifsh!, vdeksh! U bë gur e hi (diçka) u dogj e u shkatërrua krejt; u bë shkrumb (e hi); u bë pluhur (e hi); u bë hi (e pluhur). M’u bë gur në opingë (dikush) më bezdis shumë, më shqetëson a më dëmton e s’e heq dot qafe, s’e duroj dot më; ma pruri (ma solli) në majë të hundës; më plasi shpirtin; më plasi buzën. Bëhem *urë e gurë. E bën bukën gur (dikush) keq. shih bën hesap në krundet (dikush) keq. Bëri gurin e gjakut (dikush) s’la gjë pa bërë; e ktheu mbarë e prapë; bëri kiametin; bëri namin; bëri hatanë bised. E bëj zemrën gur duroj shumë; i zotëroj ndjenjat, e mbaj veten për të përballuar hidhërimin, e mposht një dhembje të thellë shpirtërore a një mall të madh; nuk e lëshoj veten, përpiqem të bëhem i fortë; i vë (një) gur zemrës. I ra gurit e drurit (dikush) u përpoq shumë, u mundua e u rropat pa masë, s’la gjë pa bërë për diçka; çau gur e dru. I rëntë gurit e drurit! mallk. mos prektë asnjeri!, kaloftë pa bërë dëm në njerëz!, rëntë aty ku nuk prish punë! (një sëmundje e rëndë a epidemi, një fatkeqësi natyrore etj.). I ra guri në opingë (në këpucë) (dikujt) i ra një e keqe së cilës nuk i shpëton dot, e zuri një hall që s’e priste. I ra sëpata në gur (dikujt) ngeci a u pengua në një punë, nuk përparon dot, i doli një pengesë e madhe a e pakapërcyeshme; i zuri (i hasi) sharra në gozhdë; i ngeci sharra në gozhdë; i ngeci veza kryq. Bluan edhe gurë (dikush) është i fortë nga dhëmbët, ka stomak të fortë, ha çdo gjë; nuk bën naze në të ngrënë. Çau gur e dru (dikush) bëri çmos, bëri të pamundurën, u përpoq me të gjitha forcat e mënyrat për të arritur diçka; i ra gurit e drurit. Çele gur *gojën! iron. Di të lidhë edhe gurë (dikush) është shumë i zoti, bën çdo lloj pune, i zë dora çdo gjë; i vjen ndoresh (dikujt); i zë (i kap) dora (dikujt); ç’i sheh syri ia bën dora (dikujt). E duan edhe gurët e sokakut (dikë) është njeri shumë i mirë, është i butë e i dashur; është melhem për plagë (dikush); shpirt njeriu. I dhimbset gurit e drurit (dikush) të gjithëve u vjen keq për dikë, vuajnë të gjithë për të, s’mbetet askush pa u prekur; dhembja është shumë e madhe. *Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Fol o gur, fol o mur! mospërf. është shumë i heshtur dikush, nuk e hap gojën fare, s’e thotë një fjalë; çele gur gojën! Fsheh (mban) gurin në gji (dikush) shih e mban sëpatën nën gunë (dikush). Fut gurë në opingë (në këpucë) (dikush) thotë fjalë a shpifje për ta nxitur dikë kundër një tjetri ose për t’i futur në shpirt një dyshim a një shqetësim; fut fitila; fut kunja. U gëzuan gurët e drurët (për dikë a për diçka) u gëzuan të gjithë, s’mbeti njeri pa e shprehur gëzimin; u gëzuan edhe gurët e dheut. Gur i çmuar njeri me vlera të veçanta, njeri i përsosur; njëzet e katër karatësh libr.; i larë në flori. Guri i fundit pengesa a vështirësia e vetme, që ka mbetur për t’u kapërcyer. As gur e as haliç shih as mish e as peshk. Gur në hobe njeri shumë i lëvizshëm, që nuk rri në një vend; dikush që është i detyruar të lëvizë shpesh a vazhdimisht nga një vend në tjetrin; ku ngryset nuk gdhihet (dikush). Gur kilometrik libr. shenjë që tregon një arritje të rëndësishme a një hap të madh përpara; shkallë e një zhvillimi të madh. Me gurë në kokë (te koka). 1. Me mundime të mëdha, duke kapërcyer vështirësi të mëdha ose kushte të rënda. 2. Para rreziqeve të mëdha, nëpër rreziqe për jetën; me kokë në torbë (në trastë, në thes); me qefin nën sqetull (në kokë). Gur kufiri. 1. Pengesë që nuk duhet kapërcyer; qëndrim a kërkesë e caktuar që nuk duhet shkelur; kufi. 2. Njeri që rri në një vend si i ngurosur dhe pengon të tjerët për diçka. 3. Shenjë a diçka tjetër që ndan dikë nga të tjerët ose fusha të ndryshme, bindjet e qëndrimet e njerëzve etj. Gur mulliri. 1. Diçka shumë e rëndë, sa nuk e ngre dot. 2. Njeri shumë i fortë, që nuk e mund a nuk e thyen dot. Veç guri i mullirit nuk e ka bluar (dikë) ka hequr shumë keq, ka vuajtur shumë; ka hequr të zitë e ullirit (dikush); ka hequr pikën e zezë (dikush); ka hequr gurin e gjakut (dikush). Gur prove libr. kriter themelor që shërben për të provuar qëndrimin ndaj diçkaje, diçka që e vë dikë në provë vështirësie dhe e përcakton përfundimisht atë. Gur në qafë barrë e rëndë që na e ka ngarkuar dikush, përgjegjësi e madhe për dikë a për diçka. Gur qosheje njeri i shquar, me vlera të veçanta e me peshë, njeri me rëndësi, që i zë vend fjala e që e nderojnë të gjithë. Gur i rëndë në vend të vet njeri që vlerësohet e që ka peshë në vendlindje ose atje ku i takon të jetë. Gur shahu mospërf. njeri që bën ç’i thotë dikush tjetër, që lëviz e vepron si do një tjetër a si i duhet atij, pa menduar vetë. Me gurë në trastë i përgatitur mirë e i vendosur që ta dënojë a ta dëmtojë dikë, i gatshëm në çdo kohë t’i bëjë keq. Gur themeli diçka shumë e rëndësishme dhe e qëndrueshme, që shërben si mbështetje për diçka tjetër; kryesorja. Gur varri. 1. I ngrirë, i shtangur, i palëvizur. 2. I heshtur, që nuk flet e nuk ndihet fare; i zymtë, i ngrysur (për njerëzit). Me një gur vret dy zogj (dikush) me një përpjekje, me një veprim a me një lëvizje arrin njëkohësisht dy qëllime, bën dy punë njëherësh; me një të shtënë vret dy zogj. *Gjarpër nën gur. Gjeti *gropën e gurit (dikush). E gjeti guri *vendin. E gjuan me gurë (dikë) e lufton me mënyra të pandershme dhe me egërsi; sillet shumë ashpër me të. Ha gur e dru (dikush) shih bën be e rrufe (dikush). Ha gurë e dhe duroj e pranoj çdo sakrificë për dikë a për diçka, bëj çdo gjë për të, s’lë gjë pa bërë. I hedh gurë (dikujt) e sulmoj padrejtësisht dikë, e godit për t’i bërë keq; hedh baltë (mbi dikë). Hodhi një gur në *ferrë (dikush). Hedh gurin e fsheh dorën (dikush) është fsheharak e tinëzar, të bën një të keqe dhe e mohon ose e mbulon me çdo mënyrë; punon e vepron fshehurazi; punon nën rrogoz; i fsheh (nuk i tregon) këmbët. E hedh gurin *larg (dikush). Hodhi një gur në *lumë (dikush). Hodhi një gur në *ujë (dikush). E hedh me gur në *ujë (diçka). I heq gurin e fundit (dikujt a diçkaje) i heq mbështetjen për ta dëmtuar, për ta prishur a për ta shkatërruar, i heq themelin që të bjerë. Heq gurin e gjakut vuaj shumë, robtohem, sfilitem; heq të zitë e ullirit; më del shpirti. I ka humbur guri (dikujt) nuk është në vete; është shumë i hutuar; e ka humbur fillin (dikush); e humbi toruan (dikush). Është si guri në bahe (dikush) nuk qëndron në një vend, lëviz shumë, shkon nga një vend në një tjetër; ku mbillet s’korret; ku ngryset nuk gdhihet; ku gdhihet nuk ngryset; ku bun s’bun. Janë gur e uror (si guri me urorin). 1. Zihen keqas kur janë bashkë, s’pajtohen kurrë. 2. Ndizen menjëherë për njëri-tjetrin kur janë bashkë, marrin flakë shpejt kur afrohen. S’të jep as gur për të çarë kokën (dikush) është shumë dorështrënguar, është koprrac i madh e shpirtlig; s’të jep as litar për t’u varur. Kur të kalbet guri në fund të lumit shih kur të bëhet deti kos. I ka (në dorë) gjithë gurët (dikush) i ka të gjitha mundësitë e mjetet e duhura për të bërë diçka, s’i mungon asgjë; ka (në dorë) edhe gurin edhe arrën. Ka (në dorë) edhe gurin edhe arrën (dikush) ka fuqi e mundësi të veprojë si të dojë, çdo gjë varet prej tij; është në dorën e tij të veprojë si do vetë, me të mirë a me të keq; vetë shkruan e vetë vulos; vetë vali e vetë kadi (myfti); vetë kadi e vetë myfti; vetë zot e vetë shkop; pret e qep; lidh e zgjidh (vetë). Kam një gur në zemër vuaj shumë shpirtërisht, jam i brengosur; kam një shqetësim a një peng që më mundon; kam një lëmsh në zemër (në gjoks, në kraharor). E ka kokën gur (dikush) është shumë kokëfortë, është kokëshkëmb; e ka kokën të fortë; e ka kokën gdhe; e ka kokën me gunga; e ka kokën shkëmb. E ka zemrën gur (dikush). 1. Duron e përballon dhembje të mëdha shpirtërore, e mban hidhërimin, nuk ligështohet; e ka zemrën të fortë; e ka zemrën hekur; ka lindur prej gurit. 2. Nuk i vjen keq për të tjerët, është zemërgur; e ka zemrën limë. Ku ha pula gur (strall) shumë larg, në një vend të vështirë për të jetuar. S’lë dy gurë bashkë (dikush) është shumë i mbrapshtë, s’lë gjë pa prekur e pa lëvizur, është trazovaç; bën shumë paudhësi (kryesisht për fëmijët); s’lë gur pa lëvizur (pa luajtur); nuk lë gur mbi gur; nxjerr të vdekurin nga varri. Nuk lë gur mbi gur (dikush). 1. Nuk lë gjë pa lëvizur e pa prishur, s’lë gjë në këmbë, është shkatërrimtar i madh; s’lë dy gurë bashkë; nuk lë gur në këmbë (në vend); s’lë gur pa lëvizur (pa luajtur). 2. Është ters, s’i del kurrë mbarë një punë. Nuk lë gur në vend (dikush). 1. Bën ç’është e mundur për të plotësuar një dëshirë a një nevojë vetjake, për të arritur një synim etj.; s’lë gur pa lëvizur (pa luajtur). 2. S’lë gjë pa trazuar e pa lëvizur nga vendi (zakonisht për fëmijë), bën rrëmujë; s’lë dy gurë bashkë; nuk lë gur mbi gur. S’lë gur pa lëvizur (pa luajtur) (dikush). 1. shih s’lë dy gurë bashkë (dikush). 2. Bën çdo gjë për të arritur diçka, i përdor të gjitha mjetet e mënyrat; s’lë njeri pa e vënë në lëvizje e pa e shfrytëzuar për të arritur qëllimin (zakonisht për interesa vetjakë); nuk lë gur në këmbë (në vend). Ia la gurin në *qafë (dikujt). Ka lindur prej gurit (dikush) është shumë i durueshëm, është shumë i fortë e i qëndrueshëm, nuk thyhet e nuk ligështohet, është zemërshkëmb; e ka zemrën të fortë; e ka zemrën gur; e ka zemrën hekur. Luan (lëviz) gurët (dikush) bën ç’është e mundur për të arritur diçka, përpiqet shumë për qëllimin e vet, përdor të gjitha mjetet e mënyrat për t’ia arritur qëllimit (zakonisht mënyra të parregullta e për interesa vetjakë). Luaj (hedh) gurin e fundit përdor edhe mundësinë e vetme a mjetin e vetëm që më ka mbetur për t’ia arritur diçkaje, pasi kam provuar të gjitha mënyrat e mjetet e tjera; luaj letrën e fundit. Mat gurët e sokakut (dikush) keq. rri kot, nuk bën asgjë; sorollatet; vjen vërdallë; mat rrugët; vjen rrotull (përqark)1. S’mbeti gur mbi gur u shkatërrua gjithçka, u përmbys nga themelet, mori fund. Mbiftë mbi gur (të thatë)! ur. le të bëhet sa më shumë, mbiftë kudo (thuhet për diçka që është shumë e nevojshme). Nxjerr *dhjamë nga guri (dikush). E nxjerr nga guri (diçka) është shumë i zoti, e siguron diçka edhe kur duket krejt e pamundur, duke shfrytëzuar çdo mjet e mënyrë, bën të pamundurën; s’lë gjë pa gjetur, pa zgjidhur etj. Nxjerr *mjaltë nga guri (dikush). Nxjerr *ujë nga guri (dikush). Nxjerr *vaj nga guri (dikush). Pëlcet (edhe) guri (diku) është shumë nxehtë, bën shumë vapë; pëlcet derri; ziejnë fasulet në diell. Pëlcet edhe gurin (dikush) të mundon e të mërzit pa masë; është i padurueshëm, të fryn, të buhavit (dikush që është përtac, i plogët, i pabindur, zvarritës etj.); pëlcet gur e dru; të pëlcet shpirtin. Pëlcet gur e dru (dikush) shih pëlcet edhe gurin (dikush). Pi gurin e gjakut (dikush) shih heq gurin e gjakut (dikush). Qajnë edhe gurët (për dikë) ka qenë njeri aq i mirë, sa u vjen keq të gjithëve që ka vdekur ose që është larguar përgjithnjë nga një vend. (Shkoi) gur në ujë (në lumë) (dikush a diçka) shkoi kot, nuk i hyri në punë e nuk i shërbeu askujt; humbi çdo vlerë; (shkoi, humbi) si sëpata pa bisht; (shkoi) për dhjamë qeni. Shkul një gur nga një mur është shumë dorështrënguar dikush, mezi e nxjerr lekun nga xhepi; sikur i shkul diçka të rëndë dhe të dhimbshme kur i merr diçka, sado të vogël; e ka (e mban) dorën grusht (dikush); shkul një qime nga një derr. Unë me *bukë (me grurë) e ti me gurë. *Urë mbi gurë. Vë gurin e parë (për diçka) e nis unë diçka, jam i pari që filloj diçka. I vë gurin e rëndë (dikujt a diçkaje) kërkon ta groposë përgjithmonë, do që ta asgjësojë fare; i vë gurin e varrit (diçkaje). I vë gurë nën rrota (dikujt) shih i vë (i fut) shkopinj në rrota (dikujt). I vë gurin e varrit (diçkaje) e mbyll një çështje përfundimisht e në mënyrë që të mos dalë më në shesh dhe të mos e marrë vesh askush; i vë kapak (kapakun); i vë gurin e rëndë (diçkaje). I vuri gurët në zemër (dikujt) e shtrëngoi shumë dikë, e detyroi me forcë për diçka; ia shtrëngoi darët. I vë (një) gur zemrës duroj shumë; i zotëroj ndjenjat, e mbaj veten për të përballuar hidhërimin, e mposht një dhembje të thellë shpirtërore a një mall të madh; nuk e lëshoj veten, përpiqem të bëhem i fortë; e bëj zemrën gur. *Xixë guri. I zuri guri *këmbët (dikujt). Sikur ka zënë perëndinë me gurë (dikush) vuajti shumë, ka kaluar shumë vështirësi e të këqija; u stërmundua, u rraskapit (në jetë a në një punë); hoqi lëngun e ullirit; hoqi pikën e zezë; nuk pa një ditë të bardhë; iu nxi jeta (dikujt).
HÁPUR (i, e) mb. 1. Që është hapur; që lejon të hyjë brenda, të dalë a të kalojë lirisht dikush a diçka, i çelur; kund. i mbyllur. Dritare e hapur. Kanat (dollapi) i hapur. Dhomë e hapur.
2. Që i është hequr tapa, kapaku, mbyllësja a mbështjellja; kund. i mbyllur. Shishe e hapur. Arkë e hapur. Kuti e hapur. Enë (tenxhere) e hapur. Zarf i hapur. Dry i hapur. Zinxhir i hapur. Letër e hapur letër postare e pambyllur në zarf, e cila në njërën anë ka të shkruar adresën dhe në anën tjetër vetë përmbajtjen e letrës.
3. Që i ka pjesët a anët të larguara ose të mënjanuara njëra nga tjetra, i shpalosur, i shtrirë e i drejtuar; i çelur; kund. i mbyllur. Me perde të hapura. Me libër të hapur. Me sy të hapur. Me buzë të hapura. Me sqep të hapur. Me krahë të hapur. Me jakë të hapur. Xhaketë hapur.
4. Që është gërmuar a është shpuar, i çarë; që nuk është mbuluar a nuk është mbushur; që është punuar a është kthyer për herë të parë (për tokën); që nuk është përtharë a nuk është mbyllur (për plagën). Gropë e hapur. Varr i hapur. Galeri e hapur. Tokë e hapur.
5. Që ka filluar veprimtarinë, që punon, i çelur. Vendburim i hapur. Dyqanet janë të hapura.
6. Që është i zbuluar; që i është hequr diçka, e cila e kishte mbuluar; i sheshtë e i zbuluar. Vend i hapur. Rrugë e hapur. Me gjoks të hapur. Me ballë të hapur.
7. fig. Që lë mundësi për të ecur përpara, që nuk ka pengesa a vështirësi. Rrugë të hapura. Horizonte të hapura. E ka rrugën të hapur. I ka dyert të hapura.
8. Që ka shtrirje të madhe e të pakufizuar; që është i gjerë dhe nuk e pengon shikimin e njeriut; i hapët. Vend i hapur. Qytet i hapur. Në fushë të hapur. Në det të hapur në mes të detit, larg brigjeve.
9. I shpërndarë, i përhapur, i përndarë; kund. i mbledhur. Fshatra të hapura. Shtëpi të hapura. Pyll i hapur. Lojë e hapur lojë me lojtarë të shpërndarë në të gjithë fushën (shtypshkr.). Shkronja të hapura shkronja të rralluara.
10. Që është i zbuluar, që nuk ka çati a mbulesë lart ose rrethim anash; që nuk është i mbuluar a i mbyllur, që është në natyrë. Makinë e hapur. Stadium i hapur. Pishinë e hapur. Poligon i hapur. Kinema e hapur kinema verore. Minierë e hapur. Vendburim i hapur. Në ajër të hapur jashtë. Në fushë të hapur. Në qiell të hapur jashtë.
11. edhe fig. Që është vënë në veprim, që është lëshuar të punojë; që është i lirë për të kaluar, për të hyrë e për të dalë etj.; kund. i mbyllur. Me drita të hapura. Kufi i hapur. Port detar (aeroport) i hapur.
12. fig. Që është i tillë ku mund të marrin pjesë edhe njerëz të tjerë së bashku me ata që kanë të bëjnë drejtpërdrejt. Mësim i hapur. Gjyq i hapur.
13. fig. Që nuk ka përfunduar, i pazgjidhur; që ka mbetur pezull. Diskutim i hapur. Çështje e hapur. Bisedim i hapur.
14. fig. Që vepron ballë për ballë ose drejtpërdrejt, që nuk mbulohet nga asgjë, që nuk bëhet fshehurazi; që shfaqet haptas, që del sheshit, i hapët. Ndeshje e hapur. Tradhti e hapur. Provokim i hapur. Kritikë (letër) e hapur. Në kundërshtim të hapur me...
15. fig. Që bëhet përpara syve të pjesëmarrësve të tjerë, që bëhet haptas dhe zakonisht duke ngritur dorën, që nuk bëhet fshehurazi; kund. i fshehtë. Votim i hapur. Zgjedhje të hapura.
16. fig. Që ia tregon tjetrit haptas mendimet, ndjenjat, hallet etj., që ua hap zemrën të tjerëve; i çiltër; kund. i mbyllur. Njeri i hapur. Bisedë e hapur.
17. fig. Që është i gatshëm për të marrë në konsideratë ose për t’u marrë me diçka; që është i hapur ndaj sugjerimeve. Jam i hapur ndaj ideve të reja. Është i hapur për bashkëpunim.
18. fig. Që është e ndjeshme dhe e mëshirshme; vulnerabël; që është e hapur për interpretim; që është e hapur për pyetje, diskutim etj. Ligji është i hapur sot për diskutim.
19. Që ka ngjyrë jo të theksuar, e cila afrohet me të bardhën, i çelur; kund. i mbyllur, i errët. Ngjyrë e hapur. E kuqe (e gjelbër) e hapur.
20. tek. Që është ndërprerë a është këputur në një vend (për diçka që ka qenë e mbyllur ose e lidhur); kund. i mbyllur. Qark i hapur. Dritë e hapur.
21. mjek. Që zhvillohet duke dhënë shenja të dukshme; kund. i fshehtë. Formë e hapur e sëmundjes.
22. fin. Që i vijon veprimet me të holla, që nuk është mbyllur përfundimisht, që nuk i ka përfunduar veprimet; i çelur. Kredi e hapur. Llogari e hapur.
23. Që nuk është zënë, i lirë. Vend i hapur në organikë.
24. I çelur, i lulëzuar (për burbuqet ose boçet). Lule e hapur. Syth i hapur. Boçe pambuku e hapur.
25. I kthjellët, që nuk ka re. Qiell i hapur.
✱Sin.: i çelur, i hapur, i shkyçur, i ndërtuar, i pakyçur, i pambyllur, i zbyllur, i zbërthyer, i shtrirë, i nderë, i kthyer, i çarë, i ndezur, i shpallur, i shpërndarë, i kthjellët, i zbuluar, i pambuluar, i pazgjidhur, i ndezur, i nderë, i çelët, i hapët, i rrafshët, i sheshtë, i shtruar, i gjerë, i zgjeruar, i lirë, i lulëzuar, i kthjellët.
♦ *Derë e hapur (e çelur). *Me dyer të hapura libr. (politikë) e *dyerve të hapura libr. Me *gjoks hapur. E kam ballin të hapur jam ballëhapur; e kam ballin të larë. E ka derën të hapur (të çelur) (dikush). 1. Hyn lirisht diku, nuk e pengojnë, madje e presin me kënaqësi; është mikpritës e zemërgjerë. 2. Është i lirë për të bërë diçka, vepron lirisht; nuk ka pengesë për të ecur përpara; është i mirëpritur; e ka rrugën (udhën) të hapur (të çelur). Ka *fushë të hapur (dikush). E ka gojën të hapur (dikush) s’ka pse të druhet a të ngurrojë, s’ka pse të heshtë; është ballëhapur; ka plotësisht të drejtë e ka guxim të bëjë një kërkesë. E ka rrugën (udhën) të hapur (dikush) është i lirë për të bërë diçka, vepron lirisht; nuk ka pengesë për të ecur përpara; e ka derën të hapur (të çelur). E ka syrin të hapur (dikush). 1. Është ballëhapur; është në të drejtën e vet. 2. Është i ditur; ka parë e ka mësuar shumë. Me *letra (me karta) të hapura. *Libër i hapur libr. *Plagë e hapur. Shpërthen një *derë (një portë) të hapur (dikush) iron. libr. Troket në *derë (në portë) të hapur (dikush). Troket në *derën (në portën) e shurdhit (dikush). *Varr i hapur. Me *zemër të hapur.
HÉR/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. vet. nj. Kohë kur ndodh diçka. Një copë here ca kohë. Më të shumtën e herës. Një herë tjetër. Tjetër herë. Në drekë herë në kohën e drekës. S’ka ardhur hera. S’është më hera të vajtoni.
2. Copë kohe e vetme kur ndodh diçka e njëjtë me ngjarjet e tjera; pjesë kohe e barabartë me pjesë të tjera dhe e marrë si njësi matjeje për të treguar përsëritjen a radhën e diçkaje; rast, ngjarje a diçka tjetër që përsëritet kohë me kohë (zakonisht me numërorë, me përemra të pakufishëm ose me ndajfolje sasie). Hera e parë (e dytë, e fundit). Për të fundit herë. Këtë herë. Kësaj here. Një herë tjetër. Herën e fundit. Herën tjetër (e ardhshme). Çdo herë. Të vetmen herë. Më të shumtën e herëve. Një herë, dy herë, tri herë... Disa (shumë, mjaft) herë. Shpesh herë. Më shumë se një herë. Rrallë herë. Sa e sa herë shumë herë. Një herë e përgjithmonë përfundimisht, në mënyrë përfundimtare. Një herë e mirë pa i lënë gjë mangët; në mënyrë të prerë. Ndryshe nga herët e tjera. As këtë herë, as atë herë. Një herë në javë. Dy herë në muaj. Katër herë në vit. Çdo dy herë. Çdo herë që... Sa herë që... Më bie hera kam rast. Më zë hera rastis. E solli hera. Na mblodhi hera. Erdhi vetëm një herë. Bëje (thuaje) edhe një herë! përsërite! Ia kam thënë njëqind (një mijë) herë. Sa herë të duash. Mjafton (del) për katër herë. Matu shtatë herë dhe fol një herë. (fj u.).
3. Përdoret së bashku me numërorë për të shënuar shkallën a madhësinë e diçkaje, si njësi shumësie ose ndarjeje. Edhe një herë më shumë. Dhjetë herë më pak. Pagoi dy herë pagoi dyfish. Sa herë është më i madh (më i vogël?). Dy herë dy bëjnë katër (mat.).
4. vjet. Stinë. Herë e këndshme. Herë e bukur. Herët e motit. Hera e luleve.
✱Sin.: kohë, rast, radhë, stinë.
♦ U bëra edhe një herë *aq (kaq). Ka rënë (shumë herë) nga *kali (dikush). Herë pas here në periudha pak a shumë të largëta e jo rregullisht; kohë më kohë (kohë pas kohe); kur e kur. Një herë në *hënë. Një herë e mirë përgjithmonë, përfundimisht; përgjithnjë (për diçka që mbyllet a përfundon krejt). Mat shtatë herë e pret një herë (dikush) i mendon mirë gjërat, nuk ngutet, i peshon si duhet e pastaj vepron, matet mirë para se t’ia hyjë diçkaje. *Mend për tjetër herë. *Puna e herës euf. *Puna e hënës euf. E skuq të *verdhën e vezës dy herë (dikush) keq. Më zuri hera qëlloi, rastisi, ndodhi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë