Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
JÁSHT/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që gjendet a që kryhet jashtë diçkaje, që nuk përfshihet brenda kufijve të saj; që është në anë të diçkaje; kund. i brendshëm. Pjesa (faqja, ana...) e jashtme. Muret e jashtme. Shkallë e jashtme. Dera (porta) e jashtme. Xhepi i jashtëm. Lagjet e jashtme të qytetit. Veshje të jashtme. Kënd i jashtëm (gjeom.).
2. Që nuk lidhet me anën shpirtërore dhe me veprimtarinë psikike të njeriut, që nuk ka të bëjë me botën e tij të brendshme; që ndodh a që bëhet jashtë njeriut; kund. i brendshëm. Bota e jashtme. Gjendja e jashtme. Shtysë e jashtme. Mjedis i jashtëm. Veprim (ngacmim) i jashtëm.
3. Që nuk ka të bëjë me përmbajtjen a me brendinë e vërtetë të diçkaje, që nuk prek thelbin e një gjëje, i sipërfaqshëm; që ka të bëjë vetëm me atë që duket a që mund të shihet, që bëhet a që kryhet nga jashtë; kund. i brendshëm. Ndryshime të jashtme. Lidhje të jashtme. Qetësi e jashtme. Shkëlqim i jashtëm. Shfaqje (shenja) të jashtme. Pamje e jashtme e diçkaje. Demokraci e jashtme. Shkak i jashtëm.
4. Që lidhet me jetën jashtë një vendi, një rrethi shoqëror a një familjeje; që i përket veprimtarisë, e cila zhvillohet jashtë një shteti, një njësie administrative, një ndërmarrjeje a një institucioni, një organizate etj.; që gjendet ose që bëhet jashtë kufijve të një vendi a të një shteti; kund. i brendshëm. Mallra (prodhime) të jashtme. Stof i jashtëm. Tregu i jashtëm. Tregtia e jashtme. Gjendja e jashtme. Politika e jashtme. Faktori i jashtëm. Presioni i jashtëm. Ministria e Punëve të Jashtme. Njeri i jashtëm njeri që s’ka lidhje gjaku me një familje ose lidhje të ngushta me një rreth shoqëror. Nxënës i jashtëm nxënës që nuk jeton në konvikt. Bashkëpunëtor shkencor (pedagog) i jashtëm bashkëpunëtor shkencor ose pedagog që nuk është punonjës i rregullt i një institucioni shkencor ose mësimor, por që bën punë shkencore a jep mësim duke qenë punonjës i rregullt i një institucioni tjetër.
✱Sin.: i përjashtëm, i sipërfaqshëm, i përfaqtë, përfaqshëm.
PËRCÍPTË (i, e) mb. 1. Që nuk futet në thellësi a në thelbin e gjërave e të dukurive, që kapet pas anës së jashtme, që mbetet në sipërfaqe, që nuk thellohet; i cekët. Njeri i përciptë. Studiues i përciptë.
2. Që bëhet në mënyrë jo të thelluar, të sipërfaqshme; që bëhet shpejt e shpejt e pa hyrë në thelbin e gjërave; që bëhet shkel e shko; i cekët. Studim i përciptë. Kontroll i përciptë. Analizë e përciptë e ngjarjeve. Bënin një punë të përciptë.
✱Sin.: i cekët, i sipërfaqshëm, sipërfaqësor, i sipërfaqtë, i përfaqshëm, i përfaqtë, i errët, dritëshkurtër, mendjeshkurtër.
SIPËRFAQËSÓR,~E mb. 1. Që gjendet në sipërfaqe, i sipërfaqes, jo i thellë; që ndodh a që bëhet në sipërfaqe, jo në thellësi. Nivel sipërfaqësor. Rrymat sipërfaqësore vëreheshin qartë në ujërat e lumit. Shtresat sipërfaqësore të tokës ishin prekur nga tronditja e tërmetit. Pacienti kishte një frymëmarrje sipërfaqësore.
2. fig. I sipërfaqshëm; kund. i thellë; i thelluar. Trajtim sipërfaqësor i një çështjeje (i një dukurie).
✱Sin.: i sipërfaqtë, i përfaqshëm, i përfaqtë, i përciptë, i cekët, i sipërfaqshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë