Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHUK,~U m. sh. ~A, ~AT 1. Top i vogël që bëhet duke mbledhur e duke ngjeshur një leckë, një rrobë, një letër, një grusht dëborë ose diçka tjetër; lëmsh. Shuk i madh (i vogël). Shuk letrash (leckash, parash). Shuk leshi (pambuku). Shuk dëborë. Shuk brumi (hallve, balte). Shuka gjeli toptha brumi për të ushqyer gjelat e detit që të majmen. Shuka buke. I shëndoshë si shuk topolak, buçko (për fëmijët). Një shuk me lekë një grumbull me lekë.
2. kryes. nj. Kulmi i të ftohtit; cegëm. Shuku i të ftohtit.
3. Bletë e re që largohet nga zgjoi në pranverë, shemë, luzmë. Shuku i bletës.
✱Sin.: topth, lëmsh, sukull, përboç, shemë, luzmë, cegëm.
TOP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Rruzull me madhësi të ndryshme, zakonisht prej llastiku e i mbushur me ajër, që kërcen kur e goditim ose kur përplaset në një vend të fortë dhe që përdoret për të luajtur. Top llastiku (plastike). Top lecke. Top futbolli (basketbolli, volejbolli). Top tenisi. Top hokei. Top pingpongu. Top fëmijësh. Top dore (këmbe). Topa me ngjyra. Lojërat me top. Luaj me top. Hedh (gjuaj) topin. Iu shpua (u shfry) topi. Kërcen si top. Është si top është i shëndetshëm, është me fytyrë të mbushur e topolak (zakonisht për fëmijët).
2. usht. Armë e rëndë zjarri, me grykë të gjatë e të gjerë, që përdoret në luftë për të hedhur larg predha të mëdha. Top kundërajror. Top kundërtank. Gryka e topit. Shtrati i topit. Qitje me top. Një breshëri topash. Mbush (zbraz) topin. Gjëmojnë topat. Gjuaj (shtie) me top. I ra (e rrahu) me top e qëlloi me artileri.
3. Lëmsh nga një lëndë e butë ose e shkrifët. Top dëbore. Top balte. Top brumi.
4. Një sasi stofi, pëlhure, letre, duhani etj., që mbështillet rrumbullak ose lidhet dëng për ta mbajtur më mirë. Një top letër (karton). Dy topa stof (basmë, beze, fanellatë). Top pambuku. Top duhani. Bleu një top shkrepëse.
5. Shirit a rrip i gjerë në pëlhurën e mëndafshtë, që bëhet gjatë endjes me ngjyrë tjetër ose me fill të ndryshëm nga tjerri. Top i kuq (i zi, i gjelbër). Pëlhurë me topa.
6. si ndajf. Të gjithë së bashku, bashkë, tok; lëmsh, shuk. Erdhën top. Jemi top. E mblodhi peshqirin top.
7. si ndajf., bised. Përfundimisht, plotësisht, krejtësisht; menjëherë, si i vdekur, në vend. E mblodhi (e ndau) mendjen top. Iu mbush mendja top. E bëri mendjen top vendosi përfundimisht për diçka. I është bërë mendja top i është mbushur mendja përfundimisht për diçka. Ra top në gjumë. Ra top në tokë. E la top e vrau me një të goditur. Mbeti top në vend ra e vdiq menjëherë.
✱Sin.: lëmsh, shuk, tokël, përboç, lëmuq, rrotull, vilar, kruspull, topçe, tok, ashkë, shakull, vdekur.
♦ M’u bë mendja top (për diçka) u binda plotësisht dhe jam i vendosur prerazi për diçka, më është mbushur mendja plotësisht, nuk kam më asnjë lëkundje; e bëra mendjen top. T’u bëftë pushka top! 1. ur. T’u rritshin fuqitë e fitofsh! (për dikë që shkon në luftë kundër armikut, në kufi për mbrojtjen e atdheut etj.). 2. iron. Bëj çfarë të duash, nuk ta kam frikën, merr fuqi sa të duash e provoje! E bëj zemrën top e mbledh veten, vendos (për të bërë diçka). T’i biesh me top (diçkaje) është shumë e fortë (buka, lakrori etj.), nuk hahet, nuk kapërdihet diçka. Topat të bien! sado zhurmë e madhe të bëhet (për dikë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet nga zhurmat a që nuk dëgjon). I ra me top (diçkaje) e shkatërroi përfundimisht diçka; e harxhoi shpejt e shpejt, duke e përdorur me shumicë. S’e çan topi. 1. (dikë). Është i veshur shumë trashë, nuk do t’ia dijë nga e ftohta. 2. (diçka). Është shumë e fortë dhe e qëndrueshme; u bën ballë goditjeve etj. Gjuan një *zog me top (dikush). E hodhi topin (dikush) iron. foli një fjalë, dha një mendim, mbajti një qëndrim; e kaloi shqetësimin a problemin te të tjerët në bisedë. Ja *hop, ja top. Është në *grykë të topit (dikush). Është *tapë topi (tapë) (dikush) tall. E ka mendjen top (dikush) është i qartë e i kulluar në vetvete, me gjithë moshën e kaluar ose edhe pse është i sëmurë; është i përqendruar; iu mbush mendja top (dikujt); e ka mendjen të kthjellët; e ka mendjen të mbledhur; e ka kokën (kryet) plot. E la top në vend (dikë) e vrau me një të goditur aty ku ishte; e la në vend; e la thes në vend; e la lëmsh në vend; e la pikë e gjallë; ia hodhi potkonjtë në erë (dikujt); e la pykë. S’më lënë topat të dëgjoj pushkët (dyfekët) më ka zënë një e keqe e madhe dhe kam harruar hallet e tjera më të vogla. S’e luan (s’e tund) (as) topi. 1. (diçka). Pikërisht ashtu është, është shumë e sigurt dhe plotësisht e vërtetë, nuk mund të hidhet poshtë a të ndryshohet. 2. (dikë). Nuk e lëviz dot njeri nga një vend, nga një punë etj., ka zënë vend mirë, është ngulur, s’e luan a s’e largon dot; ka rrënjë të thella (të forta) (dikush). Mbeti top në vend (dikush) ra e vdiq menjëherë aty ku ishte; mbeti thes në vend; mbeti lëmsh në vend; mbeti në vend; ra pikë e gjallë. E mblodha (e bëra) mendjen top e vendosa përfundimisht e prerazi për diçka, nuk kam asnjë mëdyshje, jam i bindur plotësisht, nuk lëkundem më; e mblodha mendjen; e ndava mendjen. M’u mbush mendja top u binda plotësisht për diçka, nuk kam më asnjë dyshim e nuk lëkundem; m’u mbush mendja; e kam mendjen top; m’u mbush mendja qyp. *Mish për top keq. Top me dhjamë shumë i shëndoshë. Topi s’i ndan shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, kanë shoqëri të ngushtë e të pastër; janë shumë të lidhur njëri me tjetrin, s’i ndan e s’i përçan dot askush e asgjë; janë mish e kockë; janë mish e thua; janë mish e gjak. Top lecke mospërf. njeri që e urdhëron a e dërgon dikush ku të dojë, që e trajton si të dojë, që sillet me të si i do qejfi; top llastiku. Top llastiku. 1. Njeri me trup të rrumbullt, të lidhur e të fortë, që rrëzohet e nuk vritet. 2. keq. Njeri që nuk zë vend; njeri i paqëndrueshëm, të cilit nuk mund t’i zihet besë, që kërcen sa andej këtej. 3. mospërf. Njeri, të cilin e urdhërojnë shumë, e dërgojnë gjithandej për punë ose e lëvizin shpesh nga një punë në një tjetër; top lecke. Top sheqeri fëmijë i shëndetshëm, i bardhë dhe i bukur (kryesisht për vajza).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë