Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÍNJAS ndajf. 1. Nga ana e brinjëve, në krah, në brinjë. Bie brinjas. Eci brinjas. Filloi të zvarritej brinjas.
2. Në anë të diçkaje, anash, përanash. Një pjesë e rrugës kalonte brinjas.
3. Për së gjati dikujt a diçkaje, jo drejtpërdrejt, tërthorazi. Kthej brinjas. Vështron brinjas. Dyshemeja kishte vajtur brinjas.
4. fig. Duke e prekur pak; në mënyrë të cekët, përciptas, kalimthi. Është prekur brinjas kjo temë. E përmendi brinjas. Vetëm një herë e kishte parë brinjas në rrugë. I ra çështjes brinjas.
5. Duke u kapur nga mesi a nga brinjët (kur munden dy vetë). U kapën brinjas. E përfshiu brinjas dhe e hodhi përtokë.
6. Cingëlthi. Luaj brinjas.
✱Sin.: anash, përanash, anësisht, përbri, bërrylas, përskaj, skiç, ijas, mëkrahëzaj, tërthoras, pjerrtas, mënjanë, shtrembër, këlliç, paksa, kalimthi, përciptas, shkaras, shpejt, kapërcimthi, kaluarthi, rrëshqitas, cekët, gomarazi, cingëlthi, cinglapjekthi.
KAL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Lëviz më këmbë nga një vend në një vend tjetër (për njerëz dhe kafshë); eci diku; shkoj. Kalojnë vijat e bardha. Kalojnë rrugë (në urë). Kaloj me makinë.
2. jokal., vet. v. III Lëviz në një drejtim të caktuar (për një makinë, një mjet transporti etj.); vete. Kalon makina (treni, anija, avioni).
3. jokal., vet. v. III Rrjedh uji mbi një sipërfaqe; shkon uji (për lumin, përroin etj.). Kalon lumi (vija e ujit).
4. jokal., vet. v. III Ikën, shkon (për kohën). Kanë kaluar disa ditë (disa vjet) qysh atëherë. Kaloi koha.
5. edhe fig., jokal., kryes. v. III Mbaron a pushon së qeni; përfundon (jeta ose një dukuri, një ngjarje etj.). Kaluan pushimet. Kaloi ajo kohë iku ajo kohë, mbaroi, nuk është më ajo kohë. Kaloi lufta. Dasma (shfaqja) kaloi mirë (me sukses). Kaloi pandemia (sëmundja). Kaluan vuajtjet e shumta. I kaloi mosha u plak. I kaloi koha diçkaje (një ngjarjeje, një fenomeni) u vjetrua; nuk ka më vlerë për kohën e sotme. I kaloi zemërimi dikujt. Kaloi rinia jonë.
6. edhe fig., jokal., kryes. v. III Shkon a përcillet nga një dorë tek tjetra ose nga një brez tek tjetri etj. Topi i kaloi për duarsh topi preku duart, por i shpëtoi. Kultura (edukata, zakoni) kalon nga prindërit tek fëmijët.
7. jokal. Ndodhem a jam në një gjendje ose në një mënyrë të caktuar. Si kaloni? Ia kalojmë mirë.
8. edhe fig., jokal. Zhvendosem diku (në një shtëpi të re, në një punë tjetër etj.); shkoj në një nivel të ri, në një shkallë më të lartë ose më të ulët. Kam kaluar në një apartament të ri. Kaloj nga sulmi në mbrojtje. Kaloi në klasën e pestë. Kam kaluar në një punë të re. Kaloi në kategorinë e parë.
9. kal. Çoj, shpie diku (dikë a diçka). I kaloi degët (tullat) matanë murit.
10. edhe fig., kal. Arrij të bëj një punë a diçka tjetër duke mbledhur të gjitha forcat; kryej me sukses një veprim a një veprimtari të vështirë; kapërcej diçka (një pengesë, një mur); përballoj një sëmundje etj.; mposht; mund. Kaluam vështirësi (pengesa). E kalova perin në gjilpërë. Kaluan kufirin fshehurazi. E kaluam edhe këtë pandemi. Kam kaluar shumë peripeci.
11. fig., jokal. Nis të flas, të bëj një punë tjetër etj. (në rrethana a në kushte të caktuara). Kalojmë në pikën e dytë të rendit të ditës. E kaloi në heshtje problemin kryesor.
12. kal., vet. v. III (zakonisht me trajtë të shkurtër përemërore). Më shpëton diçka pa dashje. Më kaluan disa gabime.
✱Sin.: shkoj, vete, lëviz, rrjedh, mbaron, përfundon, kapërcej, hedh, përballoj, mposht, mund, shpëton.
♦ S’e kalon (s’e kapërcen) *avllinë (dikush). E kaloi (kapërceu) *cakun (dikush a diçka). S’e lë *diellin t’ia kalojë (dikush). I kaloi (i shkoi) *koha (dikujt a diçkaje). E kaloi (e kapërceu) *kufirin (dikush). E kaloi (e kapërceu) *masën (dikush). E kaloj *përanash (diçka). E kapërceu (e kaloi) *pragun (dikush a diçka). E kaloj nëpër *shoshë (dikë a diçka). Ia kalon *trashë (dikush).
RRÓTULL ndajf. 1. Afër dikujt a diçkaje nga të gjitha anët, përreth, përqark, rreth e qark. Vendet rreth e rrotull. I vinte rrotull. Vështroj rrotull. Në fshatrat rrotull. Diku (këtu) rrotull në një vend afër a rreth një vendi tjetër.
2. Duke u rrotulluar. Shkon rrotull.
3. Anës. Vjen rrotull për shi.
✱Sin.: përreth, përqark, rreth, qark, qarkas, rrumbullak, vrangull, anës.
♦ I bie rrotull e rrotull (përqark) (diçkaje) i bie jo drejtpërdrejt, i shkoj tërthorazi, duke e prekur anash diçka; flas a sillem në një mënyrë që dikush ta nënkuptojë vetë thelbin e çështjes; i bie anës e anës; i bie larg e larg; i bie rreth e rreth; i bie qark e qark. S’kam ku të vij rrotull (përqark) jam shumë ngushtë diku (zakonisht në një dhomë a në një banesë); nuk kam se si të lëviz e t’i bëj punët lirisht. *Rreth e rrotull. Ia sjell mendjen rrotull (përqark) (dikujt) e bën dikë që të mos dijë nga t’ia mbajë, e turbullon, e ngatërron dhe e huton; e shastis; ia sjell mendjen vërdallë. Ia sjell (ia bie, ia hedh) rrotull (dikujt) i flas për diçka tërthorazi, që ai ta marrë me mend vetë për çfarë e kam fjalën, nuk i flas hapur. E sjell rrotull (dikë) e sorollat, e mban me fjalë dhe nuk ia plotëson një nevojë a një kërkesë që ka; e tall duke e mbajtur me shpresa të kota; e sjell vërdallë; e heq (e tërheq) për hunde (për hundësh); luan cingël (cingëlthi) (me dikë); e luan në tel. Më vjen (më sillet) festja (takija) rrotull (përqark) shih më vjen (më sillet) mendja (koka) rrotull (përqark). Më vjen (më sillet) mendja (koka) rrotull (përqark) ka shumë kokëçarje e nuk di si t’ia bëjë; është krejt i hutuar; më vjen (i sillet) festja (takija) rrotull (përqark); më vjen (m sillet) mendja (koka) vërdallë; më vjen tjegulla përqark. Vjen rrotull (përqark). 1. (dikush). Lëviz kot, sillet lart e poshtë pa bërë asnjë punë; sorollatet; vjen rreth; mat rrugët. 2. (dikush). Matet për të thënë ose për të bërë diçka, do që të thotë a të bëjë diçka, por ngurron ose pret një çast më të përshtatshëm. 3. (diçka). Është duke ardhur, mund të shfaqet a të shpërthejë, është gati të fillojë (një reshje, një sëmundje etj.); vjen anës; vjen rreth; vjen vërdallë. 4. (diçka). Është gati të më bjerë mbi kokë a të më ndodhë diçka e keqe, po më afrohet, e kam pranë. I vjen (i bie) rrotull (rrotull e rrotull, qark, qark e qark) (diçkaje). 1. Nuk e thotë drejtpërdrejt diçka, flet tërthorazi; (i vjen, i bie) anës e anës; (i vjen) rreth e rreth; (ia thotë) larg e larg. 2. Nuk e zë një punë nga anët kryesore, nuk i futet në thelb, i shkon përanash; matet. I vjen (i sillet) rrotull (përqark) (dikujt). 1. Kujdeset për dikë, i rri pranë dhe i bën të gjitha shërbimet e nevojshme (një të sëmuri, një fëmije etj.). 2. Përpiqet t’i pëlqejë dikujt e ta bëjë për vete, përpiqet t’i fitojë zemrën; e merr me të mirë ose me lajka për t’i shkëputur diçka, përpiqet të nxjerrë përfitime prej tij; i vjen (i sillet) rreth (përqark); i vjen (i sillet) vërdallë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë