Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÉN/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Send i lugët prej porcelani, metali, plastike etj., me anë të ngritura, me trajta e përmasa të ndryshme, ku hedhim diçka për të ngrënë a për të pirë, ku mbajmë lëngje a lëndë të tjera. Enë laboratorike. kim. Enë komunikuese. fiz., kim. Enë kulluese. Enë balte (dheu). Enë bakri (zinku, alumini). Enë porcelani. Enë plastike. Enë kuzhine. Enët e shtëpisë. Rafti i enëve. Dyqani i enëve. Laj (shpëlaj) enët. Uthulla e fortë prish enën e vet. (fj. u.).
2. anat. Çdonjëri nga gypat e hollë në trupin e njeriut dhe të kafshëve nëpër të cilët kalon gjaku ose limfa. Enët limfatike. Enët e gjakut. Forcon (dobëson) enët.
3. bot. Secili nga gypat qelizorë te bimët që shërbejnë për kalimin e ujit dhe të lëndëve të tretura në të. Enë përçuese. Enë rrjetore. Enë e pikëzuar. Enë unazore.
♦ E bëri *shtupë enësh (dikë). Enë komunikuese libr. njerëz a gjëra që kanë lidhje të ngushtë dhe japin e marrin ndërmjet tyre, plotësojnë njëri-tjetrin, shkëmbejnë të dhëna e bashkëpunojnë për diçka. Ka enë të vogël (dikush) keq. është zemërngushtë e i rrëmbyer, nuk duron dot, nuk përmbahet dot, preket shpejt e kërcen menjëherë; i marrin bajgat zjarr (dikujt) tall. vulg.; është barut i thatë shak. Merr *formën e enës (dikush) libr. përb.
ETÉR,~I m. sh. ~E, ~ET kim. 1. Lëng i pangjyrë, i avullueshëm, me erë të mprehtë, që përftohet nga bashkimi i alkooleve në mjedis acid dhe përdoret si tretës në industri etj. Eteret e thjeshta (e përbëra). Thith eter. Eteri përdoret si anestezi. Një sasi eteri.
2. fiz. Lëndë që sipas përfytyrimeve të kohës së lashtë, zinte gjithë hapësirën mbi atmosferë; një lëndë e tillë, pa peshë, që mendohej se mbushte hapësirat ndërmjet grimcave dhe ishte përçuese e dritës dhe e elektricitetit. Ekzistenca e eterit. Lëvizja e eterit. Eteri si lëndë që i ngjan ajrit.
3. Pjesa më e pastër dhe më e tejdukshme e ajrit në shtresat më të larta të atmosferës (sipas mitologjisë së grekëve të lashtë). Eteri është elementi i pestë.
4. poet. Qiell; hapësira qiellore. Zëri përhapej në eter.
ILUMINÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET hist. Përfaqësuese e rrymës dhe e lëvizjes iluministe në Evropë në shekujt XVII-XVIII; pasuese e përçuese e ideve iluministe në Shqipëri në shekullin XIX në kohën e Rilindjes Kombëtare; pasuese e iluminizmit, ndriçimtar. Iluministe franceze.
PËRCJÉLLËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që përcjell dikë në një pjesë të rrugës ose në një vend për ta nderuar, për t’i treguar rrugën, për ta mbrojtur, për ta ndihmuar në rast nevoje etj.; shoqëruese. Shoqëruese e nuses në altar (në ceremoninë e martesës).
2. Ajo që del te vendi ku niset dikush për ta përshëndetur e për t’i uruar rrugë të mbarë. Përcjellëset e vajzës.
3. edhe fig. Ajo që shpie a dërgon diçka nga një vend në një tjetër.
4. fig. Ajo që bëhet përçuese e përhapëse e një ideje, e një ideologjie etj. në popull ose në një masë të gjerë njerëzish; përçuese, përhapëse. Në poezinë tradicionale, fjala poetike është e sigurt dhe përcjellësja e garantuesja e ndjenjës.
5. Refren. Përcjellësja e një kënge.
✱Sin.: përçuese, shoqëruese, përhapëse, refren.
PËSHTJÉLLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur pështjell ose kur pështillet diçka.
2. Mbështjellje.
3. Diçka që është bërë nga mbështjellja e perit, e gjalmit etj., gjendja kur pështjell ose kur pështillet diçka. E kthej në lëmsh mbështjelljen.
4. elektr. Sistem fijesh përçuese në një pajisje elektrike, nëpër të cilat kalojnë rrymat që krijojnë fushat magnetike. Pështjellje me tela (me gërshetë, në trajtë cilindri).
✱Sin.: mbështjellje, pështjellim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë