Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BLÚARJ/E,~A f. 1. Veprimi kur bluaj diçka. Bluarja e drithit. Bluarja e kafesë. Bluarje me rul. Makina e bluarjes. Linjat e bluarjes. Teknika të bluarjes. Mulliri i bluarjes. Të përshtatura për bluarje. Gur bluarjeje.
2. Përtypja e ushqimit me dhëmbë para se të kapërdihet, përçapje; tretje në stomak. Është bërë pluhur nga bluarja me dhëmbë. Bluarja e ushqimit.
3. Brejtje, grirje.
4. fig. Përvetësim më i mirë i mësimit, i dijeve etj.; zotërim, përtypje, thithje, asimilim.
5. fig. Shoshitje, tretje, shestim. Bluarja e mendimeve.
6. fig., bised. Dërdëllitje, turtullitje.
✱Sin.: thërrmim, miellzim, grimcim, imtim, imshtim, grirje, përtypje, përçapje, mbllaçitje, tretje, përvetësim, zotërim, thithje, asimilim, shoshitje, përsiatje, shestim.
DÓBËT (i, e) mb. 1. Që e ka trupin të pafuqishëm ose të hollë, të thatë e të brishtë; që e ka lënë fuqia (nga mungesa e ushqimit, nga ndonjë sëmundje, nga lodhja, mundimet etj.) (për njerëzit e për kafshët); që ka pak forcë fizike, që nuk i ka të gjitha vetitë e aftësitë e duhura fizike për t'i kryer mirë funksionet e veta; që mezi u qëndron kushteve të vështira natyrore, punëve të lodhshme, sëmundjeve etj. (për pjesët e organet e trupit); jo i shëndoshë; kund. i fortë, i shëndoshë. Fëmijë (plak) i dobët. Kalë (ka) i dobët. Me trup të dobët. Me krahë (me muskuj, me qafë) të dobët. I dobët nga trupi (nga krahët, nga këmbët).Me duar (me këmbë) të dobëta. E ka zemrën të dobët. I ka mushkëritë (veshkat) të dobëta. I ka veshët (sytë, nervat) të dobët. Ka lindur (ka mbetur) i dobët. E la sëmundja të dobët. Miza e dobët të pickon më tepër. (fj. u.).
2. Që nuk ka dhjamë e që ka pak vlera ushqyese, që nuk është i majmë (për mishin e për kafshët që theren); kund. i shëndoshë; i majmë. Mish i dobët. Berra të dobët.
3. Që thyhet, këputet, griset, çahet, shthuret, shprishet, rrëzohet a prishet lehtë, kur mbi të ushtrohet një forcë e jashtme (për shkak të vetive të lëndës, nga e cila përbëhet ose të mënyrës së punimit a të ndërtimit); që nuk mban a nuk duron shumë; jo i fortë; kund. i fortë, i qëndrueshëm. Dru i dobët. Tulla (tjegulla) të dobëta. Letër e dobët. Xham i dobët. Mur (gardh, ledh, cfrat) i dobët. Urë e dobët. Shkallë (shtylla) të dobëta. Me themele të dobëta. Pe (tel, krehër) i dobët. Pëlhurë (stof, lëkurë, mushama) e dobët. Këpucë (çorape) të dobëta.
4. Që nuk është i lidhur e i shtrënguar fort, i lirshëm; që nuk është i ngjitur mirë. Nyjë e dobët. Lidhje e dobët. Ngjitje e dobët.
5. spec. Që nuk ka shumë forcë, që shfaqet, lëviz a vepron me fuqi të paktë e ngadalë; jo i theksuar; kund. i fortë, i fuqishëm. Erë e dobët. Rrjedhë (rrymë, dallgë) e dobët. Goditje e dobët. Puls i dobët. Tërmet i dobët. Dritë e dobët. Zë i dobët.
6. edhe fig. Që nuk është shumë i qartë e i dukshëm, që nuk është i thellë, i theksuar a i përvijuar mirë; i zbehtë, i cekët; kund. i thellë; i qartë. Gjurmë (shenja, vija) të dobëta. Ngjyra të dobëta. Mbresa (përshtypje) të dobëta. Parafytyrim i dobët.
7. Që është në një shkallë më të ulët nga mesatarja për shkak të të metave të ndryshme të organeve të trupit; kund. i fortë; i mprehtë. Shikim i dobët. Ndijim i dobët. Nuhatje e dobët. E ka kujtesën të dobët.
8. Që ka pak fuqi lëvizëse a tërheqëse, që ka pak energji; që ka aftësi vepruese të kufizuar; kund. i fuqishëm (edhe spec). Motor i dobët. Rryma të dobëta (elektr.). Pushkë (kobure) e dobët. Hark i dobët.
9. Që nuk vepron menjëherë ose në mënyrë të ndjeshme në organizëm (për ilaçet etj.); që nuk ka shumë alkool ose thartor, i butë (për pijet etj.); kund. i fortë. Bar (ilaç) i dobët. Duhan i dobët. Raki (verë) e dobët. Uthull e dobët. Tretësirë e dobët.
10. Që nuk ka aftësi të madhe sulmuese a mbrojtëse dhe frymë të lartë luftarake, që mund të thyhet me lehtësi; kund. i fortë, i fuqishëm. Ushtri e dobët. Njësi e dobët. Mbrojtje kundërajrore (bregdetare) e dobët. Pikë e dobët e frontit.
11. Që nuk ka ekonomi të shëndoshë; që nuk mbështetet në baza të qëndrueshme, nuk ka ndikim të gjerë të njerëzit, nuk gëzon përkrahjen e masave dhe nuk ka pushtet të fortë e autoritet,; kund. i fortë, i fuqishëm. Shtet (vend) i dobët. Qeveri e dobët. Regjim i dobët. Klikë e dobët.
12. I pafuqishëm nga ana ekonomike; që ka pak të ardhura; i varfër; kund. i fortë, i fuqishëm. Është i dobët ekonomikisht.
13. I një cilësie jo të mirë, që nuk plotëson kërkesat e duhura. Prodhime (mallra) të dobëta. Grurë (misër, pambuk) i dobët. Tokë e dobët tokë e varfër, jopjellore. Gjellë e dobët. Vepër (vjershë) e dobët. Roman (tregim, artikull, studim) me përmbajtje (me gjuhë) të dobët.
14. Që nuk është ose nuk bëhet në masën, në shkallën a në lartësinë e duhur, që ka mjaft të meta; jo i plotë, i pamjaftueshëm, i pakënaqshëm. Punë (stërvitje) e dobët. Lojë e dobët. Mësim i dobët. Disiplinë e dobët. Kontroll i dobët. Ndihmë e dobët. Lidhje të dobëta. Pjesëmarrje e dobët.
15. Që ka dije, aftësi e shprehi të pakta ose i përvetëson këto me vështirësi; që nuk e zotëron mirë profesionin e vet, që nuk e kryen mirë detyrën a punën e vet ose që nuk e njeh mirë një lëndë a një fushë të caktuar; që nuk ecën përpara si duhet në një punë; i paaftë;; kund. i fortë. Nxënës (student) i dobët. Mësues (mjek, shkrimtar, lojtar) i dobët. Klasë (skuadër) e dobët. Orkestër e dobët. I dobët në matematikë (në fizikë, në gjuhë).
16. Që nuk ka baza të shëndosha dhe që nuk të bind, që nuk ka forcë bindëse; që nuk mbështetet në diçka të sigurt. Argumente (prova) të dobëta. Arsyetim i dobët. Mbrojtje e dobët. Shpresa të dobëta.
17. Që nuk bëhet me tërë forcën e duhur, me këmbëngulje dhe në mënyrë të vendosur e të plotë. Kërkesa të dobëta. Përpjekje (përçapje, orvatje) të dobëta. Protesta (kundërshtime) të dobëta.
18. fig. Që nuk ka karakter a vullnet të fortë, që ligështohet para vështirësive e goditjeve, që nuk ka kockë të fortë; që ndikohet e preket lehtë, që nuk e përmban veten në rrethana të rënda dhe përkulet shpejt, tepër i butë e i prekshëm; që nuk është i qëndrueshëm, i vendosur e i patundur; kund. i fortë. Njeri i dobët. Me karakter (me vullnet) të dobët. E ka zemrën të dobët. U tregua i dobët.
19. Që ka veti të ulëta ose qëllime e synime të këqija; që bie në kundërshtim me rregullat e me normat morale të shoqërisë dhe nuk pëlqehet e nuk pranohet prej saj; i ulët. Njeri i dobët. Sjellje e dobët. Qëndrim (veprim) i dobët. Me moral të dobët.
✱Sin.: i pashëndet, i pafuqishëm, fuqiprerë, fuqipaktë, i sëmurë, i ligur, i hequr, i lëmekët, trupdobët, trupbrishtë, shëndetlig, i tukequr, i thatë, i mekur, i shuar, i paktë, i bëshnjakur, shtatanik, eshtak, kockanjar, i zbrujtur, i grymosur, hallkeq, i varfër, ngordhalaq, delikat, anemik, rakitik, verdhacuk, i brishtë, i hollë, dështak, i paaftë, i pazoti, i pavendosur.
♦ *Baltë e dobët. E ka zemrën (shpirtin) të dobët (dikush) është shumë i butë a i ndjeshëm, s’e duron dot të keqen; ligështohet lehtë; ka zemër të dobët; kund. e ka zemrën të fortë. *Pikë e dobët.
HAP,~I m. sh. ~ A, ~AT 1. Një e hapur e njërës këmbë para, prapa ose anash dhe vendosja e saj në tokë, kur ecim, kur bëjmë një ushtrim ose kur kërcejmë. Hap i madh (i vogël, i plotë). Gjysmë hapi. Hap para! (hap prapa!). Hap me të djathtën (me të majtën). Disa hapa larg. Hapat e parë të fëmijës. Në çdo hap. Bëj ca hapa. Hedh (shtrij) hapin.
2. Largësia ndërmjet shputave të këmbëve gjatë kësaj lëvizjeje, që merret edhe si masë gjatësie. Numëroj hapat. Mat me hapa.
3. Mënyrë të ecuri; ecje; mënyrë ecjeje e ngadaltë e disa kafshëve. Hap i shpejtë (i ngadaltë, i lehtë). Me hap rreshtor; me hap ushtarak; me gjysmë hapi; Me hap të shtrirë. Nis hapin eci. Rregulloj hapin. Shpejtoj (ngadalësoj) hapin. Eci me hap. Ecin me një hap. Me hap të lirë (të rregullt).
4. Zhurma që dëgjohet kur ecën dikush një njeri a kafshë. Dëgjohen hapa. Nuk ndihet kur ecën. Ecën në majë të gishtave. Kuptohet nga zhurma e hapave të marshit. Po afrohet dikush me hap rreshtor. Hap i rëndë. Mbaj (ndal) hapin ndalem.
5. fig. Ecje përpara, përparim; fazë a etapë në rrugën e zhvillimit të diçkaje, në një punë a veprimtari. Hapi i parë (i fundit). Me hapa të shpejtë (viganë). Hap i ri në rrugën e fitores (drejt fitores). Me hapin e masave. Hedh (bën) hapin e parë (hapat e parë) sapo nis të veprojë.
6. fig. Mënyra si veprojmë a si sillemi në një rast të caktuar; veprime e përpjekje që bëjmë për të arritur diçka, përçapje. Hap i rëndësishëm (i sigurt, i drejtë). Hap i pamatur (i gabuar, i nxituar). Hap vendimtar. Hap me përgjegjësi.
7. tek. Largësia më e madhe e lëvizjes drejtvizore të një mekanizmi; madhësia e detaleve të makinave etj. Hapi i rrotave të dhëmbëzuara. Hapi i helikës.
✱Sin.: pupë, hapshalë, ecje, përparim, përçapje.
♦ E bën hapin *kilometër (dikush) libr. Bëj (hedh) hapin e parë. 1. Marr nismën për t’i dhënë mundësi dikujt që edhe ai të më ndjekë; filloj unë i pari të tregoj se diçka mund të ndreqet. 2. Nis me sukses diçka, e nis mbarë; kapërcej vështirësitë e fillimit; bëj hapat e parë. Bëj hapat e parë nis të bëj diçka, filloj një punë; nis të përparoj, kapërcej vështirësitë e fillimit dhe eci më tej; bëj (hedh) hapin e parë. Bëj hapa (një hap) përpara kam arritje në një punë, kam sukses në diçka; e çoj më tej diçka, përparoj; kund. bëj hapa (një hap) prapa. Bëj hapa (një hap) prapa kam rënë më poshtë nga ç’kam qenë, nuk kam sukses në një punë; shkoj prapa; kund. bëj hapa (një hap) përpara. Bën hapa (mbeti, qëndron, ngeci) në *vend (dikush a diçka). E bën *vrapin sa ka hapin (dikush). Eci në një hap (me dikë) kapërcej prapambetjen dhe përparoj së bashku me dikë; punoj e përparoj njësoj si ai; vihem në një radhë. Ecën me hapin e breshkës (dikush) ecën shumë ngadalë, ka ritme të ulëta në punë, përparon shumë pak. Ecën me hapin e kohës (dikush a diçka) punon a sillet ashtu si e kërkon koha; nuk mbetet prapa, përparon në përputhje me kohën; është bashkëkohor. Hedh hapin nis një veprimtari, ia hyj diçkaje; guxoj të filloj diçka; ndjek. Hedh hapin i pari marr i pari nismën për të bërë diçka, dal në krye dhe filloj diçka që të më ndjekin të tjerët, hidhem i pari në veprim. Kaq e ka hapin (çapin) (dikush) kaq ka fuqi a mundësi për të bërë diçka, kaq i aftë është, kaq mundet; kaq e ka frymën. Nuk ia ndaj hapin (dikujt) e ndjek kudo, i shkoj pas kudo, nuk i ndahem, nuk shkëputem prej tij; nuk mbetem prapa tij. E ndjek në çdo hap (në çdo çap). 1. (dikë). Shkoj kudo ku vete dikush, i vete pas kudo; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). 2. (dikë a diçka). E vëzhgoj vazhdimisht dikë si përparon në një punë, si sillet, çfarë bën, si përgatitet për diçka etj., e ndjek me vëmendje ose e kam kujdes në çdo ndryshim që bën; e vëzhgoj vazhdimisht e pa ndërprerje diçka si ndryshon shkallë-shkallë, si zhvillohet, çfarë ndodh etj.; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). E ndjek hap për (më) hap (dikë a diçka) shih e ndjek në çdo hap (në çdo çap) (dikë). E ndjek hap pas hapi (dikë a diçka). 1. Shkoj pas dikujt a diçkaje pa iu ndarë, i vihem pas, e ndjek këmba-këmbës; e ndjek në çdo hap (në çdo çap); e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). 2. E vëzhgoj vazhdimisht dikë si përparon në një punë, si sillet, çfarë bën, si përgatitet për diçka etj., e ndjek me vëmendje ose e kam kujdes në çdo ndryshim që bën; e vëzhgoj vazhdimisht e pa ndërprerje diçka si ndryshon shkallë-shkallë, si zhvillohet, çfarë ndodh etj.; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek çap pas çapi; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme).
MBLLAÇÍTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur mbllaçit diçka ose kur mbllaçitem. Mbllaçitja e lëvores së shelgut apo edhe e gjetheve të tij qetëson dhimbjet në organizëm.
2. Zhurma që bën dikush që mbllaçitet. Dëgjoheshin vetëm lugët dhe mbllaçitjet e tyre që hanin ngutshëm.
3. Zhurma që dëgjohet kur ripërtypet një kafshë. Mbllaçitja e kuajve.
4. fig. Fjalët të thëna gjysma-gjysma nëpër dhëmbë. Hodhi një vështrim përmes mbllaçitjeve të sallatës.
✱Sin.: përçapje, përtypje, ripërtypje, bluarje.
NDËRHÝ/J vep., ~RA, ~RË jokal. 1. Marr pjesë në një punë, në një bisedë a në diçka tjetër që nuk lidhet me mua, përzihem. Ndërhyn në punët e brendshme. Ndërhyn në marrëdhëniet familjare. Ndërhyri në bisedë. Ndërhyri me forcë. Ndërhynte vend e pa vend. Mos ndërhyni!
2. Marr pjesë në diçka për të ndërprerë vazhdimin e mëtejshëm ose për t’i dhënë drejtim tjetër. Ndërhynë forcat e paqes. Ndërhynë ushtarakisht. Ndërhyri në kohë. Ndërhyri për t’i ndarë (për t’i pajtuar).
3. Bëhem ndërmjetës për diçka, bëj përçapje pranë dikujt për punën e një tjetri; ndërmjetësoj. Ndërhyri pranë drejtorisë. Ndërhyri për t’i gjetur punë.
4. mjek. Operoj.
✱Sin.: përzihem, ngatërrohem, futem, hyj, ndërpres, ndërmjetësoj, operoj, ndihmoj, vendos.
PËRPJÉKJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përpjek ose kur përpiqem. Përpjekja e duarve (e këmbëve). Përpjekja e dy makinave (e trenave).
2. Gjendja pasi përpjek a pasi përpiqem. Ka përpjekje mendimesh.
3. Përqendrimi i vullnetit dhe i forcave fizike e mendore për t’ia dalë në krye një pune ose për të arritur diçka; mënyrë që përdor dikush për t’ia dalë në krye një pune; mundim, orvatje. Përpjekje të mëdha (këmbëngulëse, të pandërprera, të përditshme). Përpjekje e kotë. Përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. Bëj përpjekje përpiqem. Kërkohen shumë përpjekje. Bëri të gjitha përpjekjet. Nuk i shkuan kot përpjekjet.
4. Luftim i shkurtër, ndeshje me armë ndërmjet pak forcave; luftim. Përpjekje me armë ndërmjet bandave të drogës. Në përpjekje me armiqtë e kombit e të shqiptarisë.
✱Sin.: përplasje, trokitje, ndeshje, orvatje, tentativë, rropatje, çallëstisje, çalltisje, përçapje, përpëlitje, mundim, zor, goditje, takim, pjekje, përputhje, pajtim, sprovim, rrekje, këmbëngulje, zell, mukajet, shtërzim, zorim, luftim, betejë.
PËRTÝPJ/E,~A f. 1. Veprimi kur përtyp ose kur përtypem. Përtypja e mirë e ushqimit. Muskujt e përtypjes (anat.).
2. Ripërtypje.
3. Durim.
✱Sin.: përçapje, bluarje, përvetësim, mbllaçitje.
PËRÇÁPJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përçap ose kur përçapem.
2. Përpjekje që bëhet për të arritur diçka, duke ndërhyrë te dikush, duke folur me dikë për t’i mbushur mendjen etj.; orvatje. Përçapje të përsëritura. Bëj përçapje. I vajtën kot të gjitha përçapjet.
✱Sin.: përtypje, bluarje, mbllaçitje, përpjekje, hap, orvatje, mundim.
TAKTÍK,~E mb. 1. usht. Që ka të bëjë me taktikën e luftës; që i shërben asaj; që ka të bëjë me tërësinë e mjeteve luftarake, të metodave dhe të mënyrave të luftës. Veprime (lëvizje, stërvitje) taktike. Zonë taktike. Të dhëna taktike (të armës). Nga ana taktike. Tërheqje taktike. Armë taktike bomba, predha artilerie, raketa me rreze të shkurtër veprimi.
2. fig. Që lidhet me mënyrat dhe format e sjelljes, të veprimit etj., të cilat i ndjek dikush për të plotësuar një qëllim të caktuar; që ka të bëjë me rrugën që ndjek dikush gjatë përpjekjeve për të arritur një qëllim të caktuar; diplomatik, politik, strategjik. Përçapje taktike. Gabim taktik. Tërheqje taktike. Për arsye taktike. Këshilla taktike.
✱Sin.: diplomatik, politik, taktikan, strategjik.
VEPRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Kryerja e një pune a e një veprimtarie të caktuar; veprimtari; kund. mosveprim. Veprim i guximshëm (heroik). Veprim mirëdashës. Njeri i veprimit njeri që atë që e thotë e bën. E gjykojmë nga veprimet. Fushë veprimi. Mënyra e veprimit. Gjeti shesh të lirë veprimi. Tashti kërkohet veprim, jo fjalë.
2. Lëvizje me trupa dhe me armë sipas kërkesave të stërvitjes ose të luftimit; goditje e shpejtë dhe e papritur që i japim armikut, aksion luftarak. Veprime rreshtore (taktike). Veprime ushtarake (luftarake). Radha e veprimeve. Veprime stërvitore.
3. Diçka që bëhet me një qëllim të caktuar; mënyra se si vepron dikush, sjellje; pjesë e veprimtarisë së dikujt; vepër, punë. Veprim i guximshëm (mirëdashës, i keq, dashalig, i shëmtuar). Veprime të vetëdijshme. Njeri i veprimit. E gjykojmë nga veprimet. Bëj (kryej) një veprim.
4. tek. Ndikim; ushtrimi i forcës mbi diçka e rrjedhimi që pason a shfaqet; fuqi, zbatimi në praktikë i një ligji etj. Veprim dobiprurës (lehtësues, i dëmshëm). Veprimi i ilaçit. Veprimi i rrezeve të diellit. Veprimi i acideve mbi metalin. Veprimi i magnetit. Bombë me veprim të ngadalshëm. Me rreze të gjatë veprimi. Nën veprimin e nxehtësisë. Hyn në veprim një ligj.
5. let. Ngjarja a tërësia e ngjarjeve që zbulojnë konfliktin dhe që zhvillohen njëra pas tjetrës e sipas një plani të caktuar në një vepër letrare. Veprim dramatik (skenik). Veprimi i romanit. Koha e veprimit të dramës.
6. Puna e një motori, e një mekanizmi, e një makine etj., lëvizje. E vë në veprim makinën (motorin).
7. Lëvizje me trup a me pjesë të trupit në një ushtrim gjimnastikor; figura që formon një lëvizje e tillë. Ushtrim me gjashtëmbëdhjetë veprime. Ushtrime me veprime akrobatike.
8. zyrt., kryes. sh. Përçapje e nevojshme për të plotësuar në të gjitha hallkat e që nga fillimi deri në fund një detyrë, një urdhëresë a urdhër, një vendim a porosi, për të zgjidhur një çështje etj.; përgatitje e shkresave a dokumenteve të nevojshme për këtë qëllim nga organet përkatëse. Veprime zyrtare (juridike). Veprime bankare (administrative). Bëri veprimet e duhura. Për njoftim e veprim.
9. mat., kryes. sh. Format kryesore a themelore të llogaritjeve në matematikë, përllogaritjet. Katër veprimet e aritmetikës. Veprime algjebrike. Kryej veprimet. Problem që zgjidhet me katër veprime. Veprimi i mbledhjes (i pjesëtimit). Bëjmë veprimin e shumëzimit.
✱Sin.: bëmë, aksion, operacion, zbatim, përçapje, llogaritje.
ÇÁPJ/E,~AII f. sh. ~E, ~ET Mbllaçitje, përçapje e ushqimit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë