Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMPLIFIKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb., libr. Që mund të amplifikohet. Instrumenti elektronik lëshonte një tingull origjinal të amplifikueshëm sipas standardeve muzikore.
APOGRÁF,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Transkriptimi i një dokumenti origjinal; kopjim i një teksti origjinal me shkrim dore; fotokopje e një dokumenti origjinal, zakonisht me shkrim dore. Apografi i “Mesharit”. Apograf i certifikuar i vendimit të gjyqit. Në vend të marrëveshjes origjinale paraqita apografin e saj.
2. Procesi i listimit, i regjistrimit dhe i vlerësimit të pasurisë së personave fizikë ose juridikë për të përcaktuar vlerën e tyre dhe detyrimin tatimor ose për ndonjë kërkesë tjetër administrative. U realizua apografi vjetor i qytetarëve.
✱Sin.: dorëshkrim, transkript.
ARKETÍP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. libr. Model ose gjedhe që shërben për të nxjerrë kopje; formë e parë burimore, origjinalja; modeli i një personi, i një personaliteti ose i një sjelljeje; model parak, model ideal, ekzemplar konkret; shembulli i parë, prototipi. Arketipi i Skënderbeut. Arketipi i ujkut. Arketipi i heroit.
2. psikol. Model ose gjedhe themelore e sjelljes dhe e përfytyrimit, që ekziston në nënvetëdijen njerëzore. Arketipi i nënës.
3. filoz. Njëra ndër format e qenieve të krijuara në mendjen hyjnore. Arketipi i autoritetit.
4. let. Personazh, situatë, ndjenjë, ndjesi, simbol ose ndodhi, që përsëritet në histori a në rrëfime të ndryshme nga shumë kultura dhe që janë shndërruar në simbole universale. Arketip mitik. Arketip simbolik. Arketip tematik. Arketipi folklorik. Arketip i situacionit. Arketipat e karaktereve. Rëndësia e arketipave në letërsi. Arketip i kulturës popullarizuese. Arketip i prozës moderne.
✱Sin.: gjedhe, model, paramodel, kopje, figurë, variant, origjinal, simbol, prototip.
AUTENTÍK,~E mb., libr. 1. Që është i saktë e i sigurt, që nuk ngjall dyshime, i vërtetë, që karakterizohet nga vërtetësia, origjinaliteti dhe besueshmëria. Fakt (lajm) autentik. Burim autentik. Përfaqësim autentik. Jeta autentike.
2. Që nuk është kopje e diçkaje; origjinal. Dokument autentik. Vepër autentike. Veshje autentike. Ishte valle autentike shqiptare.
3. drejt. Që është vërtetuar zyrtarisht sipas origjinalit, që përputhet plotësisht me origjinalin; që është i njëjtë me një tjetër. Kopje autentike. Nënshkrim autentik.
✱Sin.: i vërtetë, i saktë, i besueshëm, burimor, origjinal, i njëjtë, i sigurt.
AVANGARDÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që është në ballë të ndryshimeve novatore dhe që sfidon normat dhe marrëveshjet ekzistuese në fusha të ndryshme, si në art, kulturë, politikë, arkitekturë, teknologji etj. Avangardisti i skulpturës shqiptare. Avangardist origjinal. Avangardist në stil dhe në përmbajtje. Avangardistët radikalë.
✱Sin.: pararojë, nismëtar, prijatar, risimtar, pionier, pararendës, novator.
BIRMANÍSHT/E,~JA f., gjuh. Gjuhë e birmanezëve; gjuhë zyrtare e Birmanisë. Teksti origjinal është në birmanishte. Dialektet e birmanishtes.
BUMERÁNG,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shkop i trashë, i përkulur e me majë, që kur hidhet me forcë, dredhon në ajër dhe kthehet përsëri tek ai që e ka hedhur (përdoret si armë nga fiset australiane dhe nga disa fise të tjera indianësh). Goditi me bumerang. Kthehet prapa si bumerang. Bumerang australian origjinal.
2. fig. Veprim që e bën dikush dhe e pëson vetë; fjalë ose vepër e cila kthehet kundër atij që e thotë a që e bën. U kthye në bumerang. Akuzat iu bënë bumerang. Ky vendim doli si bumerang.
DORËSHKRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Tekst i shkruar me dorë ose i daktilografuar; teksti origjinal i një vepre, i shkruar me dorë a i daktilografuar, sipas të cilit bëhet radhitja dhe shtypja në shtypshkronjë. Dorëshkrim i pastër (i qartë). Dorëshkrimet ruhen. E lexoi në dorëshkrim. E krahasoi me dorëshkrimin.
2. Dokument a vepër e shkruar me dorë në kohë të hershme përpara se të dilte a të përdorej shtypshkronja. Dorëshkrimet e vjetra. Dorëshkrimet e letërsisë shqiptare me shkronja arabe.
DYSHARÍTUR (i, e) mb. I kopjuar nga dokumenti origjinal; që është i bërë me dublikatë.
2. I falsifikuar.
EKSPERIMENTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur eksperimentoj diçka ose kur eksperimentohet. Eksperimentim shkencor. Metoda e eksperimentimit. Nisi eksperimentimin e projektit. Filloi eksperimentimin me inteligjencën artificiale. Gërsheton eksperimentimin me kreativitetin për të dhënë një interpretim origjinal.
2. Eksperiment. Eksperimentim në bujqësi. Drejtoj (organizoj) eksperimentimin. Firma farmaceutike ndërpret eksperimentimin e vaksinës.
ELBASANÍSHT/E,~JA f., gjuh. E folmja e Elbasanit dhe e rrethinave. Dokumenti origjinal ishte në elbasanishte. Elbasanishtja letrare variant i shqipes letrare përpara krijimit të standardit.
HUAJËZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur diçka humbet karakterin e vet origjinal dhe merr tipare të huaja; largim nga origjinaliteti apo identiteti.
KRITÍK,~E mb. 1. Që vë në dukje kryesisht të metat e dikujt a të diçkaje; që priret të gjejë gabimet, fajet dhe mangësitë e dikujt a diçkaje; negativ. E pa (e analizoi, e vlerësoi) me sy kritik. Mbajti qëndrim kritik ndaj sjelljes së saj. Fjalimi i tij qe kritik. Shokët e njihnin si njeri kritik.
2. Që ka aftësi të analizojë, të vlerësojë dhe të gjykojë vlerat, të vërtetat, të metat dhe mangësitë e diçkaje. Përpiqemi për zhvillimin e mendimit kritik të nxënësve në klasë.
3. Shumë i rëndësishëm, thelbësor, jetik, delikat. Adoleshenca është moshë kritike. Foli për një çështje (problem, pikë) kritike. Ishte në këtë moment kritik që ai dha ndihmesën e vet të rëndësishme.
4. Që merret me hetimin, vlerësimin dhe gjykimin e veprave të artit, të letërsisë, të teatrit, të historisë, të filozofisë etj., zakonisht si profesion. Shkrimtar (poet) kritik.
5. fil. Që synon të rindërtojë tekstin origjinal sipas vullnetit të autorit që e ka shkruar atë. Një botim kritik i Mesharit të Gjon Buzukut. Botime kritike të shkrimtarëve të letërsisë arbëreshe.
6. fiz., kim. Që ka të bëjë me pikën (vlerën e saktë) në të cilën ndodh një ndryshim i menjëhershëm i një vetie a gjendjeje të lëndës (për temperaturën, për trysninë etj.). Me arritjen e temperaturës kritike të një lëngu, zhduket dallimi midis gjendjes së lëngët dhe të gaztë.
✱Sin.: qortues, fajësues, negativ, i rëndësishëm, thelbësor, jetik, delikat.
MASHTRIMÍSHT ndajf. Duke mashtruar, me mashtrim. Kap mashtrimisht fondet e blerësve. Produkt i shitur mashtrimisht si origjinal. Skenar mashtrimisht i thjeshtë.
MOSPËRPÚTHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Mungesë përputhjeje ndërmjet dy gjërave etj. që bashkohen ose që vihen një mbi një; kund. përputhje.
2. Gjendja kur nuk pajtohen ose nuk përputhen ndërmjet tyre dy a më shumë dukuri a anë të tyre, mendime, veprime etj., mungesa e përputhjes së diçkaje me një tjetër; kontradiktë. Mospërputhje e plotë e mendimeve (e pikëpamjeve). Ka mospërputhje mendimesh me një pjesë të anëtarëve të grupit. Mospërputhja e karaktereve të tyre ishte e dukshme. U vu re mospërputhja e formës me brendinë. Ka mospërputhje të kërkesave me mundësitë.
3. Rast kur nuk përputhem me dikë a diçka. Ka (vihen re, duken) disa mospërputhje në mendimet (në përgjigjet) e dikujt. Dorëshkrimi ka disa mospërputhje me tekstin origjinal.
✱Sin.: mospajtim, mospërkim, dallim, mosbarazim, dallim, kontradiktë, disonancë.
MËNJANÚAR (i, e) mb. 1. Që është anuar. Një tendë e mënjanuar nga era.
2. Që ndodhet larg ose jashtë qendrës, që është i veçuar (për sendet etj.). Fshat i mënjanuar. Shtëpi e mënjanuar. Vend i mënjanuar. Ky teatër mbeti pak i mënjanuar nga teatri kryesor.
3. Që është hequr mënjanë a është veçuar nga të tjerët (për dikë). Njeri i mënjanuar. Jeton (rron) i mënjanuar. Vazhdon të qëndrojë e mënjanuar. Tregoi shembullin e jetës së tij të mënjanuar nga jeta e botës.
4. Që nuk bashkohet me të tjerët, që është ndryshe, i veçuar, i diferencuar. E shoh çështjen nga një pikëvështrim i mënjanuar.
4. Që është shmangur, që është larguar. Interpretime të mënjanuara nga kuptimi origjinal.
5. si em. m. e f. Ai ose ajo që është mënjanuar nga dikush a nga diçka. Të mënjanuarit padrejtësisht nga konkurrimi protestuan.
✱Sin.: i anuar, i veçuar, i shmangur, i diferencuar, i larguar, i tanuar, i devijuar.
ÓRIGJINÁL,~E mb. 1. Që është vërtet ai i fillimit, që është bërë a është krijuar për së pari nga dikush; që nuk është përkthim, riprodhim a kopje e diçkaje tjetër (për një vepër letrare ose artistike); që është bërë nga vetë autori. Vepër origjinale. Pjesë origjinale. Tekst origjinal. Monedhë origjinale.
2. Që shkruan a krijon në një mënyrë të vetën, që sjell diçka të re me veprën e tij; që sjell diçka të re, që është krijuar në mënyrë të re. Shkrimtar (mendimtar, dijetar) origjinal. Artist (kompozitor) origjinal. Mendim origjinal. Ide origjinale. Vizatim origjinal.
3. bised. Që bie në sy nga sjellja e veçantë ose nga qëndrimi mjaft i ndryshëm në krahasim me të tjerët, që nuk është i ngjashëm me të tjerët dhe flet, sillet a vepron në mënyrë jo të zakonshme a pak të çuditshme. Njeri origjinal.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë