Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ALOKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET ek. 1. Veprimi kur alokoj ose kur alokohet një fond financiar etj.
2. Shtim, shtesë, shtojcë. Sistemi operativ bëri alokimin e memories.
3. ek., fin. Shpërndarje e fondeve, e mjeteve financiare, e shpenzimeve etj., që kanë tepruar; alokacion. Alokimi i buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë. Alokimi i detyrave sipas aftësive të punonjësve. Alokimi i pasurisë. Alokimi i shpenzimeve veprim kontabiliteti, me të cilin shpenzimet e përgjithshme, përkatësisht shpenzimet e departamenteve të shërbimeve, barten te departamentet e prodhimit. Alokimi i burimeve (potenciale, të aktivizuara, të përdorura etj.) orientimi i faktorëve natyrorë, teknikë, tregtarë dhe financiarë për zhvillimin e ndërmarrjes (e kompanisë etj.). 4. treg. Miratim i një llogarie ose i një paragrafi që lejon vendosjen e saj në një llogari tjetër edhe pasi është mbyllur ajo; alokacion.
✱Sin.: shpërndaje, ndarje, bartje, zhvendosje, caktim, alokacion.
ANDROÍD,~I m. sh. ~E, ~ET tek. 1. Makinë e automatizuar shumëfunksionale, që mund të kryejë veprime të ngjashme me veprimet njeriut; robot. Android industrial. Android me inteligjencë artificiale. Gjenerata e androidëve.
2. Sistem operativ i projektuar për telefonat celularë, për kompjuterët e mbartshëm, për tabletet etj., platformë e hapur për pajisjet kompjuterike të lëvizshme. Versioni i fundit i androidit.
AUDÍT,~I m. sh. ~E, ~ET fin. 1. Proces sistematik dhe i pavarur i mbikëqyrjes, i analizimit dhe i vlerësimit të regjistrave, të dokumenteve dhe të aktiviteteve të një kompanie, të një ndërmarrjeje, të një institucioni ose të një organizate për të vërtetuar nëse ato përmbushin standardet e përcaktuara me rregullat ligjore, me politikat dhe me procedurat e brendshme të funksionimit të tyre. Audit i ndërmjetëm. Audit tatimor. Ndikimi në audit. Procedurat shtesë të auditit.
2. Vlerësim i saktësisë dhe i transparencës së informacionit financiar dhe operativ si dhe siguri që veprimet dhe llogaritjet janë bërë në përputhje me standardet dhe praktikat e duhura. Auditi financiar mbikëqyrje e regjistrave financiarë. Auditi i brendshëm proces që kryhet nga departamentet e brendshme të kompanisë, institucionit etj. Auditi i jashtëm proces që kryhet nga auditorë të pavarur jashtë kompanisë, institucionit etj. Auditi operacional shqyrton proceset dhe procedurat operative për të vlerësuar efikasitetin.
GRUPÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur grupohet dikush ose diçka. Grupimi i forcave. Grupimi i materialit. Bëhet grupimi.
2. Tërësi njerëzish, kafshësh a sendesh që ndodhen a që janë mbledhur së bashku në një vend ose që veprojnë së bashku; tërësi njerëzish të organizuar përkohësisht së bashku, që kanë ide e qëllime të njëjta ose që kryejnë të njëjtën punë; grup. Grupim politik. Grupim monopolist. Grupim ndërtesash. Grupim fisesh.
3. usht. Bashkim i përkohshëm i disa njësive ushtarake me një komandë të vetme për të kryer një detyrë luftarake. Grupim operativ. Grupim artilerie (aviacioni). Komanda e grupimit.
✱Sin.: grumbullim, kamp, klasifikim.
NJËBLLÓKËSH,~E mb. 1. tek. Që përbëhet vetëm nga një bllok, që ndërtohet si një bllok i vetëm. Formacion guri njëbllokësh. Oxhak njëbllokësh. Sistem operativ njëbllokësh. Kompjutera njëbllokësh.
2. fig. Që formojnë një grup të vetëm, që përbëjnë një bllok. Uniteti njëbllokësh i vendeve në Evropën Lindore.
OPERATÍV,~E mb. 1. usht. Që lidhet me operacionin ushtarak, i operacionit. Shtabi operativ. Zona operative. Komandë operative. Lojë operative.
2. fin. Që ka të bëjë me veprimet financiare në një punë të caktuar. Evidencë operative. Përfundimet operative. Seksion operativ.
3. Që vepron shpejt e në kohën e duhur; që e kryen një punë vetë dhe menjëherë. Organet (njësitë) operative. Grupi operativ.
4. Që lidhet me veprimtarinë e një grupi njerëzish a të një institucioni; veprues. Plani operativ. Të dhënat operative. Koha operative për prodhimin e diçkaje. Çështjet operative.
5. Që bëhet menjëherë e në kohën e nevojshme; që bëhet shpejt e me fryt. Mbledhje (punë, masa) operative. Takim (kontroll) operativ. Në mënyrë operative.
6. Që ndjek e zgjidh detyrat e ngutshme ose çështje të veçanta në një sektor a zonë të caktuar; që ka shërbimin e ditës në njësitë ushtarake a në organet e policisë. Punonjës operativ. Oficeri operativ.
7. si em. m. e f., bised. Punëtori ose oficeri operativ. Operativi i caktuar për këtë çështje. Operativi i zonës.
SHTAB,~I m. sh. ~E, ~ET 1. usht., vjet. Organ i dikurshëm i drejtimit të trupave pranë komandës së një njësie ushtarake a të një reparti ushtarak; oficerët që e përbëjnë këtë organ; vendi a ndërtesa ku është vendosur ky organ. Shtabi i përgjithshëm organ i drejtimit të forcave të armatosura të një vendi, që varet drejtpërdrejt nga komandanti i përgjithshëm (ose nga ministri i mbrojtjes). Shtab gjitharmësh. Shtabi operativ. Shtabi i batalionit (i brigadës, i korpusit). Shtabi i zonës (i qarkut).
2. Organ drejtues në një aksion a në një veprimtari tjetër të organizuar ose në njësi që kanë organizim të ngjashëm me atë të ushtrisë. Shtab drejtues. Shtabi qendror (udhëheqës). Shtabi i elektrifikimit (i ujitjes). Shtab pune.
SIGURÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Arritja me përpjekje që diçka të jetë e sigurt ose krijimi i kushteve për këtë, garantim. Sigurimi i lirisë dhe i pavarësisë. Sigurimi i numrit të nxënësve. Sigurimi i një të ardhmeje të lumtur.
2. Gjetja apo arritja me punë e me përpjekje e diçkaje të nevojshme; prodhimi i diçkaje në sasi të mjaftueshme; nxjerrje. Sigurimi i ushqimeve për dimër. Sigurimi i lëndëve të para. Sigurimi i bukës në vend.
3. Tërësia e masave që merren për t'u mbrojtur nga rreziqet e fatkeqësitë në punë. Sigurimi teknik.
4. Kontratë, marrëveshje për të paguar rregullisht një shumë të caktuar për jetën ose pasurinë pranë një institucioni shtetëror a një shoqërie, që janë të detyruar ta shpërblejnë dëmin e pësuar në rast fatkeqësish. Sigurimi i jetës. Agjenci sigurimesh. Sigurim kundër zjarrit. Sigurimi i shtëpisë (i gjësë së gjallë).
5. hist. Policia sekrete e shtetit shqiptar gjatë regjimit komunist, e ngarkuar me zbulimin, kundërzbulimin dhe goditjen e kundërshtarëve politikë. Bashkëpunëtor i sigurimit. E përndiqte sigurimi. Operativ sigurimi.
6. kryes. sh. Fjalët që thotë dikush për ta bindur një tjetër se gjithçka është e vërtetë ose ashtu siç e paraqit ai. Me gjithë sigurimet e tij, nuk doli ashtu.
7. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta. Sigurim shoqëror fond i cili përbëhet nga shuma e përqindjes së kontributeve të detyrueshme, vullnetare e suplementare të cilat paguhen nga punëdhënësit dhe punëmarrësit. Sigurimet shoqërore institucion shtetëror, që u siguron falas pagën punonjësve në raste sëmundjesh, fatkeqësish etj. Sigurim i provave ndërmarrja e masave përkatëse nga ana e gjykatës ose e organit kompetent me qëllim mbrojtjen e provave të ardhshme.
SOFTUÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT tek. inf. Tërësi programesh dhe informacioni operativ që përdor kompjuteri. Softueri për përpunimin e fotografive. Programuesit përdorin softuer të veçantë për të zhvilluar dhe testuar aplikacione të reja. Softuerët e analizës së të dhënave.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë