Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANAMORFÍK,~E mb. 1. fiz. Që shtrembëron a që e ndryshon një imazh, që e zmadhon në mënyrë të pabarabartë një imazh përgjatë boshtit pingul e horizontal. Objektiv anamorfik. Lente anamorfike. Imazh anamorfik. Vizion anamorik.
2. I prapët, i kthyer së prapthi; i përmbysur, kokëposhtë.
ANARKOTERRORÍZ/ËM,~MI m. Lloj i veçantë i terrorizmit anarkist, formë dhune që ka në objektiv figurat kryesore politike, mekanizmat dhe pronat e tyre, si dhe institucionet shtetërore dhe sistemin ekzistues të shtetit në përgjithësi. Organizatë e anarkoterrorizmit. Anarkoterrorizmi dhe strategjia e tij.
ANASTIGMÁT,~I m., opt. Objektiv fotografik, që përbëhet nga thjerrëza të kombinuara posaçërisht, për të dhënë pamje që tregojnë mprehtësi të fortë shikimi.
ANASTIGMATÍK,~E mb., opt. 1. Që ka të bëjë me anastigmatin. Objektiv anastigmatik.
2. Që shërben për të korrigjuar astigmatizmin (lente optike, sistem lentesh), për të dhënë një pamje të qartë në të gjitha pikat e fushës pamore; që korrigjon astigmatizmin. Sistem anastigmatik. Mikroskop i pajisur me sistem anastigmatik.
3. Shikimmprehtë, që shikon qartë. Lente anastigmatike.
ANTIKATÓD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT kim. Pllakëz metali e vendosur në gypat rëntgenologjikë, që shërben si objektiv mbi të cilin godasin rrezet katodike (rrezet e rëntgenit); elektrodë me ngarkesë negative e vendosur në gyp elektronik, në të cilin energjia e elektroneve të shpejta kthehen në rrezatim rëntgenologjik, kundërkatodë. Elektronet lëshohen nga antikatoda. Tensioni përshpejtues lëviz elektronet nga katoda drejt antikatodës.
ANTIREALÍST,~E mb., filoz. Që kundërshton realitetin; që nuk e pranon realitetin; që mendon se realiteti nuk ekziston në mënyrë objektive dhe se perceptimet individuale ose ndjenjat subjektive janë më të rëndësishme se realiteti objektiv, kundërrealist; kund. realist. Teoria antirealiste. Pikëpamje antirealiste. Teza antirealiste. Alternativa antirealiste. Pozicion antirealist global. Interpretim antirealist.
ARSYETÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shprehje e qartë dhe e bindshme e argumenteve dhe e arsyeve për qëndrimin a vendimin e marrë. Arsyetim ligjor. Gjykatësi paraqiti arsyetimin e tij. Arsyetim objektiv. Arsyetim logjik. Bindshmëria e arsyetimit. Vërtetësia e arsyetimit. Struktura e arsyetimit.
2. Varg mendimesh e gjykimesh të parashtruara në mënyrë logjike për të shpjeguar diçka ose për të arritur një përfundim. Arsyetim i plotë. Arsyetim i pranuar. Logjika e arsyetimit.
3. Shkak, arsye që sillet për të përligjur diçka; fletë, dëshmi, dokument, që shërben për të përligjur një mungesë, një veprim. Arsyetim me shkrim. Arsyetim me dëshmi.
4. Veprimi kur arsyetoj ose kur arsyetohem për diçka. Arsyetim i drejtë (logjik, i shëndoshë). Arsyetim i cekët. Arsyetim deduktiv (induktiv). Arsyetimi i mungesave (i veprimeve). Forca (logjika) e arsyetimit.
✱Sin.: arsye, shkak, faktim, dëshmim, dokumentim, shpjegim, sqarim, argumentim, justifikim.
ARSYETÚAR,~IT (të) as. Arsyetim1. Të arsyetuarit logjik. Mënyrë të arsyetuari. Të arsyetuarit objektiv.
ATAK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. libr. Sulmoj, godas dikë a diçka; kryej veprim të dhunshëm ndaj dikujt ose diçkaje. Atakoj verbalisht. Atakoi fizikisht. E patën atakuar pafajshëm.
2. usht. Sulmoj, godas një objektiv ushtarak ose pozicion armik. Atakuan bazën ushtarake. Atakuan civilët.
3. pol. Kundërshtoj, kritikoj fuqishëm gojarisht ose me shkrim një person, një grup, një politikë a një ideologji të caktuar. Atakoj politikisht. Atakoj gojarisht. Atakoj fuqishëm.
4. mjek., vet. v. III Sulmon ose paraqitet papritmas sëmundja, simptomat ose dhembja. Atakoi zemrën. E atakoi kriza nervore. Më atakuan ethet e gripit.
5. inf. Sulmoj, kryej një sulm ndaj një sistemi kompjuterik ose rrjeti kompjuterik. Atakoi sistemin e sigurisë së kompanisë. Hakerët atakuan kompjuterin e tij.
✱Sin.: sulmoj, godas, kërcënoj, kanos, ofendoj.
ATLANTÍZ/ËM,~MI m., pol. Koncept politik dhe ideologjik që ka në objektiv mbështetjen dhe përkushtimin ndaj aleancave dhe bashkëpunimit midis vendeve të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fuqia e atlantizmit. Atlantizmi si mundësi strategjike dhe gjeopolitike.
BASHKËVENDÓSUR (i, e) mb. Që është vendosur së bashku me një tjetër a me të tjerë. Detyra të bashkëvendosura. Objektiv (qëllim) i bashkëvendosur. Ekipi do të jetë gjithnjë i bashkëvendosur.
BÓT/Ë,~AI f. 1. Rruzulli i Tokës; dheu me gjithçka që është në të, sipërfaqja e Tokës dhe gjithë qeniet që jetojnë në të, dheu, toka. Lëmshi (rruzulli) i botës. Harta e botës. Kontinentet (shtetet) e botës. Lumenjtë (ujërat) e botës. Rreth botës. Në fund të botës. Në të katër anët e botës. Udhëtim nëpër botë. Sa të jetë bota për jetë të jetëve. Botën kush e pa, / Botën kush gjezdisi, / Iu lumturua zemra, / Iu lumturua shpirti! (folk.). S’merret bota në krahë (në kurriz). (fj. u.). Bota është e rrumbullakët. (fj.u.).
2. sh. ~Ë, ~ËT Trup qiellor; planet. Botë të panumërta. Botët e gjithësisë.
3. Tërësia e formave të materies, realiteti; tërësia e çdo gjëje që është pavarësisht nga ndërgjegjja. Bota objektive (materiale, fizike, reale) të gjitha sendet pa jetë; gjithçka praktike që haset në jetën e përditshme, ndryshe nga bota abstrakte, teorike ose e idealizuar. Botë virtuale (inf.) mjedis elektronik i rrjeteve kompjuterike të komunikimit. Bota e jashtme. Njohja e botës. Uniteti i botës. Pasqyrimi i botës. Prejardhja e botës.
4. përmb., bised. Njerëzit mbi Tokë, popullsia e Tokës; njerëzit e tjerë, gjindja që na rrethon, njerëzia; njerëzit e huaj me të cilët nuk kemi të bëjmë; një njeri tjetër, dikush. Gjithë bota. Si gjithë bota. Në shtëpi të botës. Fjalët (gojët) e botës. Malli i botës mall i huaj. Në dasmë të botës. Me fjalët e botës. Çuditet gjithë bota. E di (flet) e gjithë bota. U rrit në dyert e botës. Hyri botë hyri si i huaj në shtëpinë e një tjetri. Jam botë për të jam njeri i huaj e i panjohur për të, s’jam i tij. Kali i botës të lë në udhë (në rrugë). (fj. u.). Mos hyr në pus me litarin e botës. (fj. u.). Mos shtjer kripë në gjellën e botës! (fj. u.). Bota jep sa t’i kesh dhënë. (fj. u.). E dhëna e botës - e gënjyera e gojës. (fj. u.). Kalit të botës i këputet nënbishtja edhe në të përpjetë. (fj. u.). Edhe pula jote në kopshtin e botës të duket më e majme. (fj. u.).
5. edhe sh. ~Ë, ~ËT Shoqëria njerëzore e një vendi ose e disa vendeve, që është organizuar sipas një rendi të caktuar dhe që dallohet nga tipare historike e kulturore të veçanta; mënyra e jetesës dhe e organizimit shoqëror në një vend, në një grup vendesh ose në një periudhë historike. Bota e re. Bota perëndimore. Botë e lashtë (e vjetër) (hist.) bota që nga fillimet e qytetërimit deri në ndarjen e Perandorisë Romake (në vitin 467 të erës së re). Bota shqiptare. Bota antike. Bota ilire (greko-romake, arabe). Bota perëndimore. Bota e Lindjes. Bota moderne bota e sotme me zhvillimet e fundit dhe me idetë e reja. Bota përparimtare. Bota e jashtme vendet e tjera, vendet e huaja. Bota e tretë (hist.) kombe në zhvillim në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine; grupe të pakicave kombëtare brenda një kulture më të madhe mbizotëruese. Lufta ndërmjet dy botëve.
6. Tërësia e qenieve të gjalla që kanë veçori të përbashkëta të zhvillimit e të jetesës; tërësia e sendeve ose e dukurive që na rrethojnë; fushë e veçantë e dukurive a e sendeve të realitetit objektiv. Bota e gjallë. Botë bimore (bot.) tërësi e bimësisë së rruzullit të Tokës; klasifikim i organizmave të gjallë që përfshin të gjitha bimët; kategori e organizmave që përfshin të gjitha bimët me përjashtim të algave, kërpudhave e baktereve. Bota organike (joorganike). Bota njerëzore. Bota e kafshëve (biol.) botë shtazore Bota e pyllit. Bota e ngjyrave (e tingujve). Bota e yjeve. Në botën e përrallave.
7. Fushë e veçantë e veprimtarisë së njerëzve, sfera e punës së njeriut; rreth njerëzish që merren me një veprimtari të njëllojtë a që kanë interesa të përbashkët, që i përkasin një mjedisi etj. Bota shkencore (letrare, artistike). Bota financiare. Bota e fëmijëve. Bota e shkrimtarëve (e artistëve). Në botën e shkencës dhe të teknikës. Bota e krimit.
8. Tërësia e dukurive të jetës shpirtërore e psikike të njeriut (perceptimet, ndjenjat, mendimet etj.), tërësia e ndjenjave dhe e mendimeve të njeriut; një rreth shfaqjesh psikike, që lidhen me moshën, me veprimtarinë mendore etj., rrethi i interesave të njeriut. Bota shpirtërore e njeriut. Bota vetjake (e brendshme). Botë e vogël (e mbyllur, subjektive).
9. Jeta në Tokë, jeta e vërtetë objektive; jeta në tokë dhe jeta e përtejme në kundërvënie njëra me tjetrën, sipas perceptimeve fetare e pikëpamjeve idealiste. Kjo botë. Bota jonë. Bota tjetër (e përtejme, e përtejvarrit).
✱Sin.: tokë, dhe, glob, dynja, alem, shekull, popullsi, dynjallëk.
♦ Që kur është bërë bota prej kohësh a në kohë shumë të lashta; që nga fillimi i jetës. U bë *gazi i botës (dikush). U bë *goja e botës (dikush). U bë *përralla e botës (dikush). Bëhet *plak në shtëpinë e botës (dikush) keq. Bëhet *saç për lakrorin e botës përçm. Bën *zemrën e botës (dikush). *Biri i botës (i biri i botës). (Edhe sikur) bota (dynjaja, qielli) të përmbyset! çfarëdo që të ndodhë, edhe e keqja më e madhe po të ndodhë; në asnjë mënyrë, kurrsesi; themeli çati (le) të bëhet!; të bëhet ç’të bëhet!; njëra të bëhet!; (sikur) qeni qepën të hajë! *Burri i botës përçm. E çoi në botën tjetër (dikë) përçm. e vrau; e vdiq. E çoi prapa botës (dikë) e degdisi shumë larg, në një vend të humbur a të shkretë; e dërgoi (e çoi) prapa diellit. Doli në botë (dikush) lindi, erdhi në jetë; pa diellin (me sy); kund. shkoi (vajti) në atë botë. Dëgjohet nëpër botë (dikush) keq. flasin e përflasin për dikë, thonë; e marrin (e mbajnë) nëpër gojë (dikë). M’u errësua bota. 1. Më zuri turpi; s’dija ku të futesha nga turpi; m’u errën (m’u errësuan) sytë. 2. Rashë në një gjendje shumë të keqe a të vështirë, nuk shoh ditë të lumtura; m’u nxi jeta; m’u errësua vendi. Sa për *faqe të botës. *Fundi i botës. Në *fund të botës (të dynjasë). Ha *bukën e vet e bën davanë e botës (dikush). Ha nga *xhepi i botës (dikush) keq. Hedh *kripë në gjellë të botës (dikush). Hyn në *pus me litarin e botës (dikush). Iki nga kjo botë shih iki nga kjo jetë; kund. vij në këtë botë. Është në atë botë (dynja) (dikush) shih s’është në këtë botë (dynja) (dikush) përçm. S’është në këtë botë (dynja) (dikush) përçm. s’merr vesh çfarë po bëhet, s’kupton ç’po ndodh rreth e rrotull tij; është jashtë botës; është prapa botës; s’di si (nga) lidhet gomari. Është jashtë botës (dikush) përçm. s’merr vesh nga bota; sillet ndryshe nga të gjithë e jo ashtu si duhet; s’është në këtë botë; është prapa botës; s’është në këtë dynja; s’di si (nga) lidhet gomari. Është prapa botës (prapa dynjasë) (dikush) përçm. 1. Është i paditur, ka mbetur prapa, nuk është zhvilluar me kohën; është i prapambetur e fanatik. 2. Nuk di se ç’bëhet, nuk merr vesh të rejat; s’është në këtë botë; është jashtë botës. Sikur ka botën (tërë botën) nën këmbë (dikush) përb. është bërë mendjemadh, është fodull, mburret e krekoset; i duket vetja i gjithëpushtetshëm, kujton se mund të bëjë ç’të dojë me të tjerët; shet mend (dikush); sikur ka zënë qiellin me dorë; i ka hipur mendja në qafë (në qiell); e mban hundën në qiell iron.; i është rritur hunda. Në të katër *anët e botës (e dheut). Këqyr *kafshatën e botës (dikush). *Kërthiza e botës. S’më lënë *zilet e mia të dëgjoj këmborët e botës. Mori botën (dynjanë) (diçka) u përhap kudo, u përhap anembanë, u shtri gjerësisht; mori dheun. Mori botën (dheun) ndër (në) sy (dikush) iku shumë larg vendit të banimit të zakonshëm, iku në anë të anës; shkoi larg në mërgim, mërgoi; shkoi në shumë vende, ku nuk shkoi!; mori detin në sy2; mori sytë (e iku); (iku) nga (ku) sytë këmbët. *Miell nga thesi i botës (i huaj) iron. I nxjerr *gështenjat nga zjarri me duart e botës (dikush). Përmbys botën (për dikë a për diçka) bëj gjithçka, edhe të pamundurën, pa e kursyer veten. Pret *thika në mish të botës (për dikë). Nuk u prish (nuk u shemb) bota (dynjaja) mospërf. s’ka ndodhur ndonjë e keqe e madhe; nuk ra sheqeri në ujë; s’u bë kiameti. *Pula e botës i duket më e majme (patë) (dikujt). Në *sy të botës. Sa për *sy të botës. Nuk u shemb (nuk u prish) *bota (dynjaja) mospërf. Shkoi (vajti) në atë botë (në atë dynja) (dikush) vdiq; ndërroi jetë; doli (iku, u nda) nga jeta; kund. doli në botë. Shkon me *mendtë e botës (dikush). Ka parë botë (dynja) (me sy) (dikush) ka shëtitur në shumë vende, është njeri i dalë; ka përfituar dhe është kulturuar, është zhvilluar, është bërë i ditur; ka parë jetë. Sa për “shihni botë!” sa për t’u dukur përpara të tjerëve; sa për sytë e botës; sa për faqe të botës; sa për sy e faqe (për sy e për faqe). Të pafsha në (nëpër) *dyert e botës (dyerve të botës)! mallk. Shtie me *pushkën e botës (dikush). Vajti në atë botë dhe u kthye (dikush) vdiq e u ngjall; vuajti shumë; s’tregohet (s’rrëfehet) me gojë (diçka). Vij në këtë botë shih vij në jetë; kund. iki nga kjo botë.
DETERMINÍZ/ËM,~MI m., filoz. Doktrinë sipas së cilës të gjitha dukuritë e ngjarjet kanë karakter ligjësor e lidhje shkakësore objektive.Determinizmi materialist (dialektik). Determinizmi metafizik determinizëm që pranon vetëm domosdoshmërinë në natyrë e në shoqëri dhe mohon çdo rastësi. Determinizëm gjuhësor hipotezë, sipas së cilës gjuha e përcakton mënyrën se si mendohet dhe kuptohet bota (realiteti objektiv).
FOTOOBJEKTÍV,~I m. sh. ~A, ~AT Objektiv i aparatit fotografik. Ndryshoj fotoobjektivin.
IDEALÍZ/ËM,~MI m. 1. filoz. Botëkuptim filozofik që merr si parësore në natyrë idenë, ndërgjegjen, shpirtin, kurse materien, qenien e quan dytësore, të varur nga ndërgjegjja, nga idetë; kund. materializëm. Idealizmi objektiv idealizëm që merr si parësore një ndërgjegje mbinjerëzore, të pavarur nga njeriu, të quajtur “ide absolute”, “arsye botërore” etj. Idealizmi subjektiv idealizëm që merr si parësore ndërgjegjen e njeriut ose elemente të veçanta të saj (ndijimet, perceptimet, emocionet, vullnetin etj.). Përfaqësuesit e idealizmit. Bie në idealizëm.
2. Tërësia e idealeve të larta, ndjenjat e synimet fisnike që e udhëheqin dikë në jetë, qëllimet e larta për të cilat ai lufton deri në vetëmohim; qëndrim e prirje prej idealisti.
3. Prirje për t’i zbukuruar e për t’i idealizuar gjërat.
JOOBJEKTÍV,~E mb. Që nuk është objektiv; kund. objektiv. Njeri joobjektiv. Qëndrim joobjektiv.
JOSUBJEKTÍV,~E mb. Që është objektiv; kund. subjektiv.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë