Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARTIKULACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shprehje, formësim me fjalë; përshkrim verbal (shprehje e ndjenjave, shprehje e përkatësisë ideologjike, e përkatësisë fetare etj.); artikulim. Artikulacioni i ndjenjave (i qëndrimeve, i bindjeve, i dëshirave, i kërkesave etj.). Artikulacion i mendimeve ose i ideve. Artikulacion i qartë (i paqartë). Artikulacion i mirë (i keq, i dobët).
2. Lidhje ose bashkim i pjesëve të ndryshme (i elementeve, i njësive, i pjesëtarëve etj.) në një tërësi ose mënyra si janë lidhur ato pjesë; formësim, të formësuarit. Artikulacioni i hapësirës së planifikuar.
3. gjuh. Nyjëtim, prodhimi i tingujve përmes organeve të të folurit siç janë gjuha, buzët, dhëmbët dhe tejzat e zërit, për të formuar tinguj të ndryshëm që përbëjnë fjalët. Artikulacion i labërguar. Artikulacion sintagmatik. Artikulacion i frazës.
4. muz. Mënyra e lidhjes ose e ndarjes së notave (të akordeve) gjatë ekzekutimit të një kompozimi dhe shenjat përkatëse grafike: harku për ekzekutimin e toneve të lidhura, viza ose pika për ekzekutimin e toneve të ndara. Artikulacione të akordeve.
5. anat. Nyjëzim, nyjë, kyç ose mënyrë se si janë të lidhur dy eshtra ose dy kërce të njerëzve ose të kafshëve në një nyjë; vendi ku lidhen dy kocka njëra me tjetrën. Artikulacionet e kyçeve. Artikulacionet e gjunjëve (të duarve etj.). Formësim i artikulacioneve. Operacione të artikulacioneve. Sëmundjet e artikulacioneve. Më dhembin artikulacionet.
6. anat. Nyjë3. Artikulacion nervor. Artikulacione limfatike.
7. Kryqëzim rrugësh a vijash ajrore (hekurudhore, detare etj.); nyjë5. Artikulacion rrugor, ujor etj.
8. tek. Nyjë6. Artikulacionet e rrymës elektrike.
9. arkit. Mënyrë e lidhjes së pjesëve të një strukture ose montimi i tyre përmes nyjave. Artikulacionet e strukturave ndërtimore. Artikulacionet e urave. Artikulacionet e makinerive të lëvizshme dhe fikse.
✱Sin.: nyjëtim, formësim, nyjëzim, artikulim, nyjë, kyç.
ARTIKULÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Mënyra si shprehet ose si strukturohet mendimi ose si lidhen idetë qartë dhe logjikisht; shprehje, paraqitje, ndërtim (i mendimit). Artikulim gjuhësor. Artikulim i qartë i mendimit. Artikulim i kuptueshëm i ideve.
2. gjuh. Procesi i prodhimit të tingujve të gjuhës me anë të organeve të të folurit (gjuha, buzët, qiellza etj.); shqiptim; shprehje. Artikulim anatomik. Aparati i artikulimit. Organet e artikulimit. Artikulim i tingujve. Artikulim i qartë.
3. mjek. Lidhje ose bashkim i dy a më shumë kockave në pjesë të caktuara të trupit, që mundësojnë ose kufizojnë lëvizjet (gju, krah, bërryl etj.); nyjë. Artikulim i gjurit. Artikulim i bërrylit. Dëmtim i artikulimit të gjurit.
✱Sin.: nyjëtim, formim, formësim, shprehje, paraqitje, ndërtim, prodhim, nyjëzim, shqiptim, nyjë, artikulacion, bashkënyjë, vendbashkim.
FARINGALIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET gjuh. Veprimi kur faringalizojmë një bashkëtingëllore; nyjëtim i një bashkëtingëlloreje në pjesën e faringut. Dukuria e faringalizimit.
SHQIPTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Akti i shqiptimit me zë i një tingulli, fjale etj. Shqiptimi i një rrokjeje (i një fjale). Shqiptimi i një vendimi.
2. gjuh. Mënyra si shqiptohen tingujt e një gjuhe; mënyra e veçantë se si shqiptohen tingujt e gjuhës në një stil të caktuar të saj ose në një dialekt; mënyra si shqiptohen fjalët e shkruara të një gjuhe; tingujt që u përgjigjen shkronjave të një gjuhe; nyjëtim. Shqiptim i drejtë (i përpiktë). Shqiptim standard (dialektor, bisedor). Stilet e shqiptimit. Fëmija akoma nuk shqiptonte qartë. Tingujt dhe shqiptimi i tyre.
3. gjuh. Paraqitja grafike e mënyrës se si shqiptohet një fjalë, duke përdorur simbole fonetike. Shqiptimi i fjalëve shënohet në kllapa katrore. Shkrimi dhe shqiptimi nuk përputhen.
✱Sin.: nyjëtim, artikulim, deklarim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë