Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BISHT,~I m. sh. ~A, ~AT dhe ~RA, ~RAT 1. Pjesa e zgjatur në fund të kurrizit të kafshëve, që është e lëvizshme dhe zakonisht e mbuluar me qime të gjata te kafshët e mëdha; ana e prapme e trupit të shpendëve e mbuluar me një tufë puplash; copa e mishit që pritet nga kjo pjesë e kafshëve ose e shpendëve; kërbishte. Bisht i gjatë (i shkurtër). Bisht kali. Bisht dhelpre. Bishti i qenit (i maces, i miut). Bisht zogu (gjeli, pëllumbi). Bishti i peshkut. Bisht gjarpri (hardhuce). Bishti i akrepit. Pendët e bishtit. Leshi i bishtit. Mishi i bishtit. Me bisht të prerë. Tund (luan) bishtin. I qeth bishtin. I këputi bishtin. E kapi për bishti. Mikut i vënë bishtin e pjekur për ta nderuar (etnogr.). Jeton bleta majë malit, jeton dhe miza nën bisht të kalit. (fj. u.). Është kollaj t’i presësh bishtin ujkut të vrarë. (fj. u.). Po e lë punën për nesër, do të hash bishtin e dhelprës. (fj. u.). Kur ikën bualli, ç’bëhesh merak për bishtin. (fj. u.). Të ha bishtin e të merr gishtin. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta nga botanika, zoologjia etj. Bisht daci (lat. Equissetum maximum) bot. bimë barishtore me kërcell të gjatë e të hollë si fill dhe me një tufë gjatoshe në majë. Bisht gomari (lat. Equisetum arvense) bot. bimë barishtore rreth një metër e lartë, me gjethe të holla si hala, që rritet anës përrenjve, kanaleve etj.; këputje; bargjan. Bisht mëllenje (lat. Psetta maxima) zool. peshk i madh me trup petashuq, me të dy sytë në pjesën e sipërme të trupit, që noton në fund të detit. Bisht miu (lat. Micromeria) bot. bimë barishtore aromatike, me kërcell e me gjethe pushatake dhe me lule të vogla përgjatë kërcellit; bishtmi.
3. Pjesë e hollë që bashkon gjethen, frytin ose lulen me degën a me kërcellin e një bime. Bishti i gjethes (i lules). Bishti i dardhës (i mollës, i kungullit, i shalqirit). E këput me gjithë bisht. I përdredh bishtin. Heq bishtat.
4. Pjesë e një vegle a e një mjeti, shkop i ngulur në pjesën tjetër a i mbërthyer me të ose pjesë e zgjatur si shkop që shërben si dorezë. Bisht druri. Bishti i lopatës (i shatit, i kazmës, i çekanit, i kosës, i draprit). Bishti i çadrës. Bishti i pendës. Bishti i tiganit (i lugës, i xhezves). Bishti i fshesës (i kopanit). Bishti i kandarit. Bishti i lahutës. Bishti i parmendës. Filxhan (gotë) me bisht. Sqepari s’e gdhend bishtin e vet. (fj. u.). Gjeti bishtin sëpata, pyllin e mori data. (fj. u.).
5. Zgjatim në pjesën e fundit ose të anës së një sendi, që zakonisht vjen duke u ngushtuar; pjesë që varet prapa a anash si rrip; shtojcë e përzgjatur a e përdredhur. Bishti i aeroplanit. Bishti i kometës (astr.) pjesa e gaztë e kometës. Bishti i balonës. Bishti i malit. Bishti i mustaqeve. Bishti i anijes. Bishta qepe (preshi, hudhre) gjethet e qepës (të preshit, të hudhrës). Bishtat e shkronjave. Sy me bisht. Yll me bisht (astr.) kometë. Fustanet me bisht o moj, ç’kanë që s’i mbajnë, / Dolën këto kostumet o moj, na prishën dynjanë. (folk.).
6. gjeogr. Rrip i zgjatur toke brenda në det ose në liqen, kep, hundë. Bisht i gjatë.
7. bised. Gërshet flokësh, bishtalec; tufë flokësh. Mban bishta. Preu bishtat. I mbledh flokët bisht. Bishtat i binin gjer në bel.
8. edhe fig. Pjesa e fundit e diçkaje, vendi në fund të diçkaje, fundi, skaj; fig. pjesa e fundit dhe e parëndësishme e diçkaje; pjesa me më pak vlerë; njeri i parëndësishëm; kund. koka, kreu. Bishti i arës. Bishti i urës. Bishti i fshatit. Bishti i trenit. Bishti i varganit (i karvanit, i kolonës, i turmës). Në bisht të krevatit. Në bisht të natës. Në bisht të bisedës. Në bisht të jetës në pleqëri. Diskutim pa bisht e pa krye. Qëndron në bisht të punëve. E zuri punën nga bishti. Nuk e gjente dot ku e kishte kokën dhe ku e kishte bishtin kjo punë. Bishtrat e lëmit i hanë pulat. (fj. u.).
9. fig., keq. Diçka e paparashikuar dhe e tepërt, që paraqitet për të ngatërruar një punë ose për t'iu shmangur një detyre; trillim, diçka e paqenë që shtohet me qëllim të keq. Punë me bishta. Dalin bishta. Kërkonte bishta. I gjeti një bisht. Ka bishta prapa.
10. fig., përb. Ai që ndjek dikë në mënyrë të verbër, ai që hiqet zvarrë pas dikujt; sahanlëpirës, bishtalak. Merrte bisht me vete. Bëhej bisht i tjetrit.
11. fig. Pjesa e papërfunduar e një pune ose e një detyre, diçka që ka mbetur pa u mbaruar. La bishta pas. Mbetën ca bishta.
12. Pjesa që mbetet pas përdorimit të diçkaje; mbeturinë, fundërrinë; pjesa e cilësisë më të ulët. Bishti i cigares. Bisht qiriu. Bisht kalemi. Bisht kazani raki e dorës së fundit. Bishti i lëmit. Bishti i leshit (i vajit). I dha ca bishtra.
13. fig., bised., mospërf. Njeri i shtresës më të ulët; njeri që shihet si i pavlerë e i parëndësishëm; bishturinë. Bishti i fshatit.
14. bised. Kokë bagëti (si njësi numërimi); një sasi e vogël e papërfillshme, shumë pak, ca pak. Dhjetë bishta dhen. Një bisht gjë. Një bisht arë.
15. fig. Nofkë; thashetheme. S’ka lënë kënd pa një bisht. Këqyr punën tënde e mos rri duke u ngjitur bishta të tjerëve. (fj. u.).
✱Sin.: kërbishte, bishtok, bishturinë, kërbythje, fre, frenjë, rrëfanë, vadarosh, rrezgë, rropulli, bend, sahanlëpirës, bishtalak, fundërri, llum, vulg, llurbëtirë, lëngjerë, llomështi, zgjyrë, bigorr, rrëzall, hulinë, shushull, handrak, nofkë, thashetheme.
♦ As *ballë e as bisht. *Ballë e bisht. U bë bisht (i dikujt) iu nënshtrua plotësisht dikujt, shkon pas tij e vepron si do ai; u bë vegël në duart e tij; i mban bishtin (dikujt); i shkon pas bishtit (dikujt); u lidh pas bishtit (të dikujt). Është bërë bisht luge (dikush) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). Iu bë morri me bisht (dikujt) përçm. është fëlliqur shumë; është shumë i papastër ngaqë nuk është larë prej kohësh; është bërë gjer në brez (dikush) vulg.; ka zënë krimba (dikush). Bën bisht (dikush) bën hile, luan sa andej-këtej duke gjetur arsye të kota ose dredhi, dredhon; është hileqar; bën dredha; rrëshqet (shket) si ngjalë. I bën bisht (dikujt a diçkaje) i shmanget takimit me dikë që nuk e do, përpiqet t’i shpëtojë; i ruhet përplasjes me diçka, bën mënjanë ose largohet; i shmanget një pune, i dredhon diçkaje, nuk i del ballas; i bën dredha; i bën (i jep) lak. E bëri bishtin *kobure (dikush) iron. E bën bishtin *krye (dikush). E bëri bishtin *palë (dikush) përçm. E ka bërë bishtin *pykë (dikush). Bën *kokë (krye) nga bishti (dikush). Ra në bisht (dikush) tall. u përgjunj, u dorëzua. Bishti i bushtrës përb. vulg. njeri që nuk e mban fjalën; i pabesë; gjethe plepi; me dy fytyra; me dy faqe. (U zunë) për bishtin e dhelprës u zunë për hiçgjë, për një shkaka a për një arsye fare pa rëndësi; (u zunë) për pesë para spec; (u zunë) për mustaqet e Çelos; (u zunë) për të bardhat e laraskës; (u zunë) për mjekrën e qoses; (u zunë) për një lëkurë lepuri; (u zunë) për një kokërr hudhër; e lagu s’e lagu (bishtin dhelpra). Bishti i fshesës njeri që nuk përfillet nga të tjerët (në një familje a në shoqëri); bishti i pallës; vrima e fundit e kavallit. Me bisht ndër këmbë shih me bisht ndër (në) shalë përçm. Pa bisht e pa krye pa lidhje, pa fillim e mbarim, në mënyrë të ngatërruar e të paqartë; rrëmujë. Bisht lugati bised. ters, keq. Bishti i pallës tall. njeri më i vogël se të tjerët; i fundit nga rëndësia e nga vlera, që s’e pyet njeri për asgjë, që nuk e përfill askush fjalën e tij; bishti i fshesës; vrima (bira) e fundit e kavallit. Me bishtin përpjetë shih me hundën përpjetë. Bisht qeni (bishti i qenit) përb. njeri i keq, i shtrembër, që nuk ndreqet kurrë. Me bisht të syrit shkarazi, kalimthi. Me bisht ndër (në) shalë përçm. i mundur e i turpëruar; mori bishtin ndër shalë (dikush); si pulë e lagur. (U zunë) për bishtin e vjedullës shih (u zunë) për bishtin e dhelprës. Çau bishtin (dikush) keq. iku i mundur e turpëruar, iku me bisht ndër shalë. E çoi kandarin deri në bisht (dikush) e teproi shumë, nuk durohet më; e mbushi kupën; ka ardhur kandari në bisht. Dolën bishta dolën gjëra të paparashikuara në një punë, dolën vështirësi e pengesa të reja. *Dardha e ka bishtin prapa fj. u. E drodhi (e përdrodhi) bishtin (dikush) përçm. shih e drodhi këmbën (dikush). *Dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë (cakërr) mospërf. Në *fund e në bisht. E ka futur bishtin në *shalë (dikush) përb. Hedh bishta (dikush) keq. nuk punon mirë, i shmanget punës, është hileqar; bën bisht; bën dredha; rrëshqet (shket) si ngjalë. E hedh bishtin mbi *sergjen (dikush). Heq bishtin e gjarprit vuaj shumë, lodhem e mundohem tepër derisa arrij diçka; heq të zitë e ullirit; heq pikën e zezë. Heq buallin nga bishti (dikush) keq. merr përsipër një punë që s’e bën dot, hiqet si trim dhe shumë i zoti; e mbath kalin pa gozhdë; e fut (e fsheh) minaren në thes; fut (shtie) shejtanin (djallin) në shishe. Humbet *kau me gjithë bisht (diku) shaka. Të jep ujë me bisht të lugës (dikush) është shumë i zoti; është i shkathët e ta hedh me zotësi; të jep ujë në shpinë të dorës; të jep ujë me shoshë; të vë në bisht të lugës; nxjerr dhjamë nga pleshti. Ia kalon bishti sakicës shih del si bishti para sqeparit (dikush). Kur të këndojë *qyqja e kuqe (nga bishti) iron. Iu këput bishti (dikujt) mospërf. shih i doli boja (dikujt). Pa *kokë (pa krye) e pa bisht. I kreh bishtin (dikujt) keq. i bën lajka, e lajkaton, e merr me të mirë dhe e mburr për t’i prishur mendjen dhe për të përfituar prej tij; e llaston dikë; i fërkon krahët; i shkon (i vete) pas avazit. Ia lagu bishtin (dikujt) e turpëroi; i vuri njollën. E lagu s’e lagu bishtin (dhelpra) hahen kot, bëjnë fjalë a grinden për diçka fare pa rëndësi; (zihen) për bishtin e dhelprës; (zihen) për të bardhat e laraskës; (zihen) për një kokërr hudhër; (zihen) për pesë para spec; (zihen) për mustaqet e Çelos; (zihen) për mjekrën e qoses. E la në bisht (dikë) përparoi më shumë se dikush, ia kaloi shumë; e la prapa. I lëpin bishtin (dikujt) keq. i bën lajka, i vete pas qejfit; i lëpin bythën përb. vulg.; ia kreh bishtin. U lidh pas bishtit (të dikujt) keq. shkon e vepron sipas interesave të dikujt, lidhet ngushtë me dikë e vepron si do ai; u bë bisht (i dikujt); i mban bishtin (dikujt); i shkon pas bishtit (dikujt). S’lidhet as për bishti e as për krye (dikush) nuk bindet, s’ke ku e kap që ta bindësh për diçka, s’është e mundur; është gdhe; nuk i mbushet mendja; nuk ha arsye; s’ha (s’merr) pykë; s’ha të gdhendur. I lidhur bisht më bisht (me dikë) përb. i lidhur ngushtë me dikë, ka marrëdhënie shumë të afërta me të, nuk ndahet dot prej tij; ka marrëveshje të pandershme me dikë. I luan (i tund) bishtin (dikujt) keq. e ndjell pas vetes, përpiqet ta joshë me lajka e me ojna. E luan (e dredh, e lëviz) bishtin (dikush) keq. 1. Nuk mban qëndrim të mirë moral, shkon me disa burra (për femra); luan si gjethja e plepit. 2. Mban qëndrim të lëkundur, nuk qëndron besnik, e dredh. Me *lugë të kon e me bisht të verbon (dikush) keq. Mori bishtin ndër shalë (dikush) përçm. shih (iku) me bisht ndër (në) shalë (dikush). Ka marrë *lëng nën bisht (dikush) keq. I mban bishtin (i shkon pas bishtit) (dikujt) përçm. e përkrah dikë e i bën qejfin, vepron si ai ose bën si thotë ai; u lidh pas bishtit (të dikujt); i shkon pas bishtit; u bë bisht (i dikujt); shkon pas qerres (së dikujt); i shkon (i vete) pas avazit; i mban avazin. E mban bishtin *përpjetë (dikush) iron. I mbeti bishti i kandarit (dikujt) iron. shih mbeti me gisht në gojë (dikush). Mbeti në bisht (në bisht të urës, te bishti i urës) (dikush) përçm. mbeti prapa të tjerëve, nuk përparoi; është i prapambetur, ka mbetur si në të shkuarën; mbeti te këmbëza e urës; është (ka mbetur) (ende) tek ura; është në fund të dardhës tall. Mbeti si *kopan pa bisht (dikush) mospërf. S’ka mbetur *laraskë pa bisht tall. Mblodhi bishtin (dikush) mospërf. u tërhoq, ndenji urtë e s’u ndje më (zakonisht nga frika, nga turpi etj.). E ndjek bisht pas bishti (dikë) e ndjek pa iu ndarë, s’i ndahem këmba-këmbës; e ndjek hap pas hapi (dikë). Ngre bishtin (dikush) bised. 1. Nis të shthuret moralisht, fillon të luajë e të prishet nga ana morale (kryesisht për femra). 2. Mbahet më të madh, krekoset; ka kërkesa të tepërta; ngre hundën; iu rrit mendja (dikujt); kund. ul bishtin (dikush). Nxjerr bishta (dikush) krijon pengesa e vështirësi për të mos e bërë një punë; i shmanget një detyre me justifikime a me pretendime të paarsyeshme; nxjerr yçkla. Ia nxjerr bishtin (diçkaje) e teproj, e kapërcej masën, bëj diçka të tepërt a të panevojshme. Ia pres bishtin (dikujt) ia heq gjërat e tepërta a të panevojshme që ka ose që nuk i meriton. Prish një *ah për një bisht kmese (dikush) iron. I qëroi bishtin (dikujt) keq. e vrau, e zhduku dikë; humbi pa bisht e pa kokë (dikush). Më i rëndë bishti se sqepari thuhet kur dikush që është me detyrë e përgjegjësi më të vogël ose që ka vlera e merita më të pakta, kërkon të dalë mbi ata që kanë detyra, përgjegjësi, vlera a merita më të mëdha. Është rritur me bishta preshi (dikush) ka qenë i varfër, ka hequr keq në jetë; ka jetuar keq, ka vuajtur për bukën e gojës, i kanë munguar edhe ushqimet më të domosdoshme; është rritur me qull; ka ngrënë urov; kund. është rritur me thelpinj arre. I rri maçoku në bisht (dikujt) është gati për t’u zënë me të tjerët, grindet e zemërohet kot; i thotë sherrit lepe (dikush); e heq brezin zvarrë (dikush); hahet me leckat e tij; e kërkon sherrin me qiri. E rrjep morrin nga bishti (dikush) është shumë dorështrënguar, kursen sa më s’bëhet; përpiqet të nxjerrë fitim edhe nga hiçi; e vë (e shtie) morrin në hell; nxjerr dhjamë nga pleshti. Më rruan bishtin (dikush) përb. bised. nuk më bën dot asgjë, s’ka ç’më bën; s’ia kam fare frikën; më rruan trapin shpërf. vulg.; më rruan bythën përb. vulg. I shkeli bishtin (dikujt) (e shkeli në bisht) (dikë). 1. I preku një të drejtë a një privilegj; i bëri një të keqe. 2. shih ia zuri kokën me derë (dikujt). I shkon pas bishtit (dikujt) përçm. shih i mban bishtin (dikujt) përçm. (Shkoi, humbi) si *sëpata pa bisht (dikush a diçka). E sheh me bishtin e syrit (dikë) nuk e vlerëson siç e meriton, e nënvlerëson; e përçmon; e sheh shtrembër. E shtriu bishtin (dikush) euf. keq. nuk u ndje më, vdiq; e hëngri djathin e hoxhës keq.; shkoi me të shumtët; i ktheu patkonjtë nga dielli (nga qielli). *Tigan pa bisht mospërf. Të than në bisht të kandarit (dikush) ta hedh në peshë; të mashtron, të vjedh, ta merr diçka sy në sy; të vjedh vezët nën klloçkë; të vjedh hundën midis (në mes të) syve. *Thelë mbi bisht. Ul bishtin (dikush) përçm. heq dorë me turp nga kërkesat e tepruara, tërhiqet me turp; përulet duke e pranuar diçka; ul hundën; kund. ngre bishtin (dikush). E vë në bishtI (diçka) përçm. nuk e përfill; e quaj si pa vlerë ose në fund të gjithçkaje; s’e vë (s’e zë, s’e shtie, s’e fut) në numër; s’e bëj për osh. E vë në bishtII (dikë) ia kalon, e lë shumë prapa; e mund; e hedh me një gisht; e vë përfund. E vë në bisht të lahutës (dikë) e talli, e qesëndis; e vë në lojë; e vë në sitë dhe në shoshë; luan arushë (me dikë); e luan nëpër gishta. Të vë në bisht të lugës (dikush) ta hedh kur të duash, të tall e ta punon me lehtësi; të jep ujë me bisht të lugës; të jep ujë me shpinë të dorës. I vë (i ngjit) bisht (prapa) (dikujt a diçkaje) i shton diçka të tepërt, i ngjit diçka të paqenë a të trilluar me qëllim që ta ulë në sytë e të tjerëve; i shton nga xhepi. Ka ardhur kandari në bisht ka ardhur puna sa nuk durohet dot më; është kaluar çdo kufi i pranueshëm, nuk mban më; ka vajtur (ka shkuar) thika në kockë; nuk mban më ujë pilafi (orizi, vera). I zuri *bishti dhjamë (dikujt). E zë (e kap) demin nga bishti e fillon së prapthi një punë, nuk e nis nga kreu ose nga më kryesorja; e kap për degësh; kund. e zë (e kap) demin për brirësh (nga brirët). S’e zë (s’e kap) njeri për bishti (dikë a diçka) shpërf. shih s’e zë (s’e kap) njeri me dorë (dikë a diçka). Më zuri rrota (qerrja) bishtin e shoh veten në vështirësi, s’kam nga t’ia mbaj; s’kam ç’bëj; më zuri guri këmbët; më zuri çarku kokën; u zura ngushtë. *Yll me bisht. *Zero me bisht (me xhufkë) shpërf.
ÉM/ËR,~RI m. sh. ~RA, ~RAT 1. Fjalë a grup fjalësh me të cilën quhet një njeri, një kafshë, një send, një dukuri, një vend etj., për ta dalluar nga të tjerët. Emër i ri (i vjetër). Emër shqiptar (i huaj, i njohur, i panjohur). Emra historikë. Emër gjeografik. Emri i babait (i nënës, i vëllait, i motrës, i burrit, i gruas). Emri i kalit (i qenit, i lopës). Emrat e bimëve. Emri i vendit. Emri i krahinës (i malit, i fushës, i qytetit, i fshatit, i lagjes, i rrugës). Emri i shkollës. Emra artistësh. Emri dhe mbiemri. Listë emrash. I vë emrin quaj. Ndryshoj emrin. E thërras me emër. - Si e ka emrin? - Si ta thonë emrin? Emër i ngjitur nofkë. Pa emër anonim. Emër për emër duke e përmendur secilin me emër. Flas (veproj) në emër të dikujt flas (veproj) me porosi të dikujt. E njoh vetëm me emër dikë nuk e njoh vetë, i di vetëm emrin.
2. gjuh. Fjalë që shënon qenie, send, dukuri, veprim etj. dhe që lakohet sipas numrit, gjinisë, rasës dhe trajtës. Emër i përgjithshëm (i përveçëm). Emër konkret (abstrakt). Emër përmbledhës. Emër mashkullor (femëror, asnjanës). Emër i shquar (i pashquar). Lakimi i emrave. Gjinia (rasa) e emrit. Numri i emrit. Formimi i emrave.
3. fig. Mendim i mirë ose i keq që është krijuar nga shoqëria për dikë e për diçka; famë. Njeri me emër të mirë (të keq). Fitoi (ka) emër. Është me emër është i njohur, i dëgjuar, i shquar.
4. fig. Njeri i dëgjuar. Emrat e mëdhenj të historisë. Është me emër në këtë fushë. Ka emër në sportin e futbollit.
5. fig. Autor i një vepre (letrare, artistike e shkencore). Është një emër i ri në poezinë (shkencën) shqiptare. Liria ka një emër.
✱Sin.: fjalë, famë, nam, reputacion, autor.
♦ Bëri emër (dikush) shquhet, u bë i famshëm, njihet nga të gjithë për diçka; la emër; ka emër të madh. I doli emri (dikujt) u zu në gojë nga dikush për mirë a për keq ose për të bërë diçka; e njohin të gjithë, u bë i famshëm. S’i kam dëgjuar as emrin (dikujt a diçkaje) nuk e njoh fare, s’e di kush është a ç’është. (Është) sa për emër (dikush a diçka) nuk bën asgjë; është sa për të thënë, është kot; nuk hyn në punë a s’bën asnjë punë, është pa rëndësi. Ka emër të madh (dikush) është shumë i njohur e i përmendur, ka nam të madh. La emër (dikush) e kujtojnë për të mirë, ka punuar a është sjellë mirë dhe është bërë i paharruar; bëri emër. I ngre emrin (dikujt a diçkaje) bëj që të çmohet më shumë nga të tjerët, bëj që ta vlerësojnë më shumë, t’i çmojnë cilësitë, vlerat a meritat. I njollosi emrin (dikujt) i cenoi nderin, nuk e ruajti të pastër figurën e tij, e bëri për turp; i vuri njollë. E quaj me emrin e vet (diçka) e them diçka ashtu si është në të vërtetë, flas haptas, drejt, shkurt e shkoqur, pa e zbukuruar gjërat; i vë emër (diçkaje). Iu shua (iu harrua, i humbi) emri (dikujt) shpërf. vdiq e s’e kujton më njeri, e kanë harruar të gjithë, nuk përmendet kurrë e nga askush; i humbi vula. I vë emër (diçkaje) e përcaktoj diçka drejt e haptas dhe e paraqes sipas vlerës a sipas rëndësisë që ka, e karakterizoj pa zbukurime e pa i hequr gjë, e quaj ashtu siç është; e quaj me emrin e vet (diçka).
MBIQÚAJTUR (i, e) mb. Që i është ngjitur një llagap ose nofkë, që është mbiquajtur, i mbiemëruar. Një person i mbiquajtur ‘Elefanti’.
NGJIT (NGJIS)I vep., ~A, ~UR kal. 1. Bashkoj një gjë tek një tjetër me një lëndë veshtullore si zamkë, tutkall etj.; vë; kund. shqit, heq, çngjit. Ngjit pullën në zarf. Ngjit një lajmërim (një shpallje) në mur. Ngjit me tutkall (me zamkë).
2. Bashkoj pjesët e diçkaje që ishte këputur e thyer; bashkoj një gjë me një tjetër duke e qepur a duke e mbërthyer. Ngjit kockën e thyer. Ngjit dorezën e çadrës. I ngjiti këmbën stolit.
3. Bashkoj dy pjesë prej metali duke i shkrirë me zjarr në dy skajet; i zë vrimat një ene prej metali duke e pikur; i zë vrimat a të çarat një ene plastike e prej druri. Ngjit hekurin (shufrën e këputur). Ngjit kovën (kazanin). Ngjit me kallaj (me plumb).
4. Ia kaloj një tjetri sëmundjen nga e cila vuaj vetë; fig. e bëj ta zërë një ndjenjë, që e kisha vetë. I ngjiti sëmundjen (gripin, virusin). Ua ngjit gëzimin (guximin, optimizmin) edhe të tjerëve. Ma ngjiti pesimizmin.
5. I vë emrin; i vë një emër të dytë a një nofkë, quaj. Ia ngjitën emrin Agim. I ngjitën një nofkë. - Si ia ngjitët emrin koteles?
6. fig. I vë fajin pa të drejtë për diçka; ia vë në kurriz dikujt diçka që nuk i takon; ia vesh. Ia ngjiti fajin shokut (fëmijës). Ia ngjiti tjetërkujt vrasjen (vjedhjen). Ia ngjitën të gjitha atij. I ngjitën një bisht.
7. Bashkoj fort pas diçkaje; afroj shumë sa të takohen. E ngjiti faqen pas xhamit. I ngjitën disa tryeza bashkë. I ngjiti dhëmbin e kafshoi.
8. bised. Godas me diçka, qëlloj fort. Ia ngjiti me shuplakë (me pëllëmbë). Ia ngjiti në lule të ballit.
9. jokal., vet. v. III Ka aftësinë të bashkojë dy gjëra që të mos ndahen (për disa lëndë veshtullore etj.). Kjo zamkë nuk ngjit mirë këpucët. Si ngjitëse, ngjit mirë.
10. jokal., vet. v. III Zë vend mirë dhe nuk shqitet lehtë, ngjitet. Nuk ngjiti bora. Më ngjiti këmba në baltë. Më ngjiti në dorë tutkalli.
11. jokal., vet. v. III Më zë vend një ushqim, më shijon e më shkon mirë. Nuk më ngjiti buka (dreka). Sa i ngjiti byreku!
✱Sin.: bashkoj, pik, pikoj, puq, puthit, përngjit, kolis, zamkoj, vë, var, mbërthej, zë, qep, saldoj, shkrij, rregulloj, moleps, përcjell, quaj, godis, vesh, ngarkoj, hedh, përplas, mbath, ngjesh, afroj, shijon, pëlqen.
♦ I ngjit (i trazon) *dora (dikujt) përb. Nuk i ngjit *fare (dikush a diçka). Më ngjit *fjala (me dikë). Për ta ngjitur pas *muri. I ngjit *shkallët një nga një.
NJOLLÓSËS,~E mb. 1. Që të bën me njolla; që të njollos. Frutë njollosëse.
2. fig. Që njollos diçka të mirë; që njollos dikë me pa të drejtë, duke ia cenuar nderin. Njeri njollosës.
3. Komprometues, turpërues. Veprim njollosës. Nofkë njollosëse.
4. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Njollosësit e veprës së shkrimtarit. Njollosësit përdorin çdo metodë për të përbaltosur.
OFÍQ,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vjet. Detyrë, nëpunësi; titull. Ofiq i larti. Ofiqet zyrtare. Ofiq fetar (kishtar). Ofiqi i presidentit. Zotërojnë toka, tituj e ofiqe. Onufri ka qenë klerik, madje me ofiqin “Protopapë” që do të thotë “Prift i parë”.
2. Emri që i ngjitet dikujt për ta tallur sipas ndonjë të mete trupore, mendore ose morale; nofkë. I vuri një ofiq.
✱Sin.: nëpunësi, titull, nofkë.
SHA/JI vep., ~VA, ~RË 1. kal. I them dikujt fjalë e shprehje të rënda, fyese e të pahijshme, e quaj një njeri me një emër të keq, i vë një nofkë të keqe për ta tallur a për ta fyer; fyej, lolis, horoj, përçmoj; kund. lavdëroj. Shajnë dhe fyejnë njëri-tjetrin. E shau me rrënjë e degë. I shante gjithë të tjerët.
2. kal. Flas keq për një njeri, e marr nëpër gojë duke shprehur një mendim të keq për të, i vë njollë; flas prapa krahëve për dikë. E shante prapa krahëve. Mos e shaj pa qenë këtu! E shau sapo u nda nga ajo.
3. kal. E qortoj ashpër dikë, i flas ashpër për një gabim a për një faj; e qortoj, i flas. E shau vajzën për atë veprim. E shanë shokët, se nuk mbërriti në kohë. Të dua, pa të shaj.
4. kal. Nuk e quaj të mirë dikë a diçka, nuk e përfill, e përçmoj dhe them se s’më pëlqen. Ia shau të shkuarën. E shau, e shau, po prapë e mori. Mos ia shaj punën se e ka të mirë.
5. jokal. Them fjalë qortuese për diçka, bërtas, bëj shamatë. Shante nëpër dhëmbë. U vrenjt në fytyrë, po nuk shau. Shante e mallkonte.
✱Sin.: qortoj, lolis, horoj, munxos, mallkoj, përshaj, përtop, fyej, përçmoj, qorrollis, bërtas, flas.
VRAÇ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Kalë me qime të zeza, qimezi, kalë i zi; arap. I hipi vraçit. E kishte një vraç të zi me të cilin kalëronte.
2. Nofkë për meshkuj që janë të zeshkët në fytyrë, që janë shumë të zekshtë. Ai vraçi po na rri në të madh. Ai është vraç i madh. Ai vraçi më duket hijerëndë. Atë vraçin nuk e shohin me sy të mirë.
✱Sin.: arap, qimezi, zijosh.
VË vep., VÚRA, VË́NË 1. kal. E vendos dikë a diçka në një vend; e ngul a e mbështet diku; vendos. Vë në (mbi) tryezë. Vuri tenxheren në zjarr. E vuri në vendin e vet. Vuri një kurorë mbi varr. I vuri dorën mbi sup. Vuri këmbën mbi këmbë. I vuri mollës një furkë. I vuri bashkë (afër, larg e larg).
2. kal. E fut, e shtie diçka brenda në një send; e puthit a e ngërthej pas diçkaje. E vuri në çantë. E vuri (brenda﴿ në dollap (në sirtar). Vë këpucët në kallëp. Vë hekurin në prizë. Vë duart (shaminë) në xhep. E vunë grurin në hambar. Vë çelësin në bravë. Nuk kam vënë gjë në gojë nuk kam ngrënë fare. E vunë në dhe e varrosën. E vënça në dhe (mallk.)!
3. kal. E çoj dhe e lë dikë a diçka në vendin e duhur ose në vendin që i takon; e vendos në një vend a në një gjendje të caktuar; e rregulloj si duhet; ndreq, rregulloj; vendos. E vunë në krye të vendit. I vuri nxënësit në rresht. E vuri fëmijën në gjumë (të flejë). E vunë barin mullar. I vuri drutë stivë. E vuri më këmbë. E vuri me kokë poshtë. E vuri orën në zile.
4. kal. Vendos në një vend një aparat, një makinë etj. dhe e bëj të punojë, e mbërthej a e lidh si duhet, në mënyrë që të punojë; vendos. Vë telefonin në shtëpi. Vë dritën elektrike. Vë një radio në makinë.
5. kal. Pajis diçka me një send a me një mjet të nevojshëm, i shtoj a i vendos diçka të nevojshme. I vuri derës shulin. I vë frenat makinës (biçikletës). I vë bisht lopatës. I vë astar xhaketës. I vuri rrathët vozës. I vuri pajimet kalit. I vë mbulesën tryezës. I vuri derës një bravë të re.
6. bised., kal. I jap a i shtroj përpara dikujt një gjë që të ulet, të hajë, të flejë etj. Vëri karrigen të ulet! I vuri një dyshek për të fjetur. I vunë bukë e gjellë.
7. kal. Vendos një arnë etj. në një veshje a në diçka tjetër për ta ndrequr ose për ta bërë më të fortë; i qep, i ngjit diçkaje një gjë. I vë arnë një petku. U vuri gjysma këpucëve. I vuri një pullë zarfit (kartolinës).
8. kal. Vesh; vendos diçka në trup a në një pjesë të trupit tim ose të dikujt tjetër; ngjesh. Vë kapelën. Vuri helmetën. Vë syze. Vë dylbitë. Vë dhëmbët. Vë rruaza (në qafë). Vuri pushkën në krah. Vuri brezin. Vuri gjerdanin me fishekë. Vë termometrin vendos termometrin nën sqetull për të matur temperaturën.
9. kal. Lyej një pjesë të trupit (fytyrën, buzët etj.) me diçka për t'u zbukuruar; lyej dikë a diçka tjetër për ta zbukuruar, për t'i ndryshuar pamjen etj. Vinin këna. Vë të kuq (të bardhë). Vë krem. I vuri pudër. U vë vaj flokëve. U vë bojë këpucëve lyej këpucët me bojë.
10. kal. Bëj një shenjë në diçka me laps, me bojë ose me diçka tjetër, shënoj; shkruaj diçka në një fletë etj. I vuri vulën. Vë nënshkrimin. Vë theksin. Vë pikat mbi ë. Vë datën. Vë shenjat e pikësimit. U vinin damkë deleve. I vë notën nxënësit. Vë mungesat në regjistër.
11. jokal., vet. v. III Zë a formon diçka përsipër. Vë ajkë qumështi. Vë kore plaga. Ka vënë një cipë të hollë. Ka vënë pluhur. I kanë vënë perde sytë. Ka vënë guall toka.
12. jokal. Shtoj diçka në peshën ose në vëllimin e trupit; zë. Ka vënë dhjamë (mish) është shëndoshur tepër, është ngjallur. Ka vënë gjak është shëndoshur. Ka vënë bark.
13. jokal. Mbjell; rrit, mbaj. Vunë duhan (lakra, qepë, presh, hudhra). Vunë mollë (fiq, rrush, pemë). Vënë lule (karafila). Kanë vënë pula (derra, dhen, pëllumba).
14. kal. Fitoj a grumbulloj para, pasuri etj. me punë ose me një mënyrë tjetër, siguroj; vendos para, ushqime a gjëra të tjera diku për t'i ruajtur ose për t'i përdorur më vonë; lë. Vuri pasuri (mall, para, kapital). Vinin zahire për dimër. Vunë ushqimin e dimrit për bagëtitë. Vë para mënjanë kursen, i ruan, i grumbullon paratë.
15. kal. Përfshij, fut në një listë, në inventar etj.; shtroj, paraqit diçka për ta shqyrtuar; paraqit dikë për ta zgjedhur. Vuri kandidaturën. E vunë në listë. E vunë në rendin e ditës. E vunë në votë.
16. kal. E vlerësoj diçka në një mënyrë të caktuar, e çmoj, e quaj. E vë baras me atë. E vë mbi vete. Nuk e vë nën të tjerët. Nuk e vë me asgjë. E vuri si rregull. E ka vënë si detyrë.
17. kal. Caktoj përfundimisht diçka, përcaktoj; shtroj kërkesa të caktuara. Vuri çmimet. Vunë norma të reja. Vë kërkesa të larta. Vuri kushte të rënda.
18. bised., kal. E caktoj dikë të kryejë një punë a një detyrë; e emëroj; e zgjedh. E vunë drejtor (kryetar). E vunë senator klase. E vunë rojë. E vunë në punë. E vunë në një vend me përgjegjësi.
19. jokal. Bëj që diçka të vejë ashtu si duhet; ndërhyj e krijoj kushte të përshtatshme për diçka; vendos. Vë rregull (disiplinë).
20. kal. E detyroj a e shtrëngoj dikë të bëjë diçka; i jap të kryejë një punë (zakonisht në bashkëvajtje me një folje në mënyrën lidhore). E vuri të mësonte. E ka vënë të flejë. E vuri të bënte be. Vuri usta t'i ndreqte çatinë. I vuri njeri ta ruante.
21. kal. I ngjit dikujt diçka; i jap një emër a një emërtim, një titull etj. Si ia vunë emrin? I vunë një nofkë. I vuri titullin artikullit.
22. kal. E lë dikë a diçka në një gjendje të caktuar, e vendos në disa rrethana; krijoj rrethana a kushte të caktuara. E vuri në gjendje të vështirë. Vëre veten në gjendjen time!
23. kal. I përvishem një pune me një vegël, e bëj duke përdorur një mjet. I vuri draprin e korri. I vuri kosën e kositi. I vuri gërshërën e preu me gërshërë, e qethi. I vuri sëpatën e preu me sëpatë. I vuri sharrën e sharroi. I vuri thikën e preu me thikë, e theri.
24. bised., kal. E qëlloj a e shtyj dikë me diçka; e pengoj me diçka; e rrëzoj. I vuri duart (bërrylat). I vuri këmbën (pengën).
25. kal. E përdor diçka, e shtie në punë; shfrytëzoj. Vunë të gjitha forcat (fuqitë). Vuri të gjitha aftësitë e veta.
26. kal. Ngre a kurdis diçka kundër dikujt; shtyj dikë kundër një tjetri. I vuri pritë (pusi). I vuri një grackë (një kurth). E vuri kundër tij.
27. kal. E bëj gati për t'u shfaqur (një vepër dramatike, muzikore etj.). Vuri operën në skenë. Vuri një pjesë të re.
28. kal. Nis diçka, filloj. Vunë themelet e shtëpisë.
29. kal. Përdoret së bashku me disa emra pa parafjalë dhe formon me ta grupe fjalësh me kuptimin e foljeve, që kanë lidhje fjalëformuese me këta emra (edhe në një varg njësish frazeologjike). Vë bast. I vë besë i besoj. Vuri dashuri ra në dashuri, shtiu dashuri. I vuri dyllin diçkaje e dyllosi. S'i vë faj nuk e quaj fajtor, nuk e ngarkoj me faj. I vuri fre e frenoi, e përmbajti. Vë inat inatoset. I vuri kufi (cak) e kufizoi. Vë kujdes kujdesohem. I vuri kusht e kushtëzoi, e bëri me kusht. Vuri ulërimën (lemerinë, kujën). Vë merak merakoset. I vuri minat diçkaje. I vuri njollë (damkë) dikujt e njollosi, e damkosi, e bëri me turp, e poshtëroi para të tjerëve. Vë shpresat te dikush a te diçka shpresoj. I vë theksin e theksoj.
30. kal. Përdoret së bashku me emra, zakonisht prejfoljorë e të paraprirë nga një parafjalë, dhe formon me ta grupe fjalësh me kuptimin e foljeve, që kanë lidhje fjalëformuese me këta emra (edhe në një varg njësish frazeologjike). E vuri në be e lidhi me be, e detyroi të bëjë be. E vuri në dijeni dikë ia bëri të ditur diçka, e njoftoi për diçka. E vë në diskutim diçka e diskutoj, e quaj të diskutueshme. Vuri në dukje se... theksoi se..., përmendi, tregoi se… Nuk e vë në dyshim nuk dyshoj për atë. E vuri në funksionim diçka e bëri të funksionojë. E vuri në gjunjë dikë e gjunjëzoi, e nënshtroi. E vuri nën kontroll nisi ta ketë nën kontroll. E vuri në lëvizje e bëri që të lëvizë, e gjallëroi. Vë në lidhje lidh. E vunë në litar e varën. S'e vë në llogari (në hesap) dikë a diçka s'e llogarit. E vuri në mendime e bëri që të mendohet. E vuri në mundime dikë e futi në mundime, e mundoi. E vuri para përgjegjësisë dikë e bëri të përgjigjet për atë që ka bërë ose të kuptojë përgjegjësinë që ka, i kërkoi llogari. E vuri në përdorim nisi ta përdorë. Kam vënë në plan kam planifikuar, kam ndër mend, mendoj. Vë në provë provoj. Vë në qarkullim e qarkulloj, e shpërndaj; e nxjerr në qarkullim. Vë në rregull diçka rregulloj. Vë në rrezik rrezikon. E vë në shfrytëzim diçka nis ta shfrytëzoj. E vuri në shitje diçka e nxori për ta shitur. E vë nën ujë një tokë e bëj të ujitshme. Vë në veprim e bëj që të veprojë, e bëj që të lëvizë.
✱Sin.: vendoj, mbërthej, rendis, radhis, rendoj, lë, fus, shtie, hedh, ngjis, shtroj.
♦ *Hiq e vër atë vetë. *Ngre e vë (dikush) keq. E puth dhe e vë në *ballë (diçka). Vë (jep) *alarmin (dikush). E vë (e nxjerr) në *ankand (diçka) libr. I vë (i hedh) një *arnë (diçkaje). Vë në balancë (në *peshore) (diçka). Iu vu *bala (dikujt). I vuri (i derdhi) *balsam (dikujt). I vë *balluke (dikujt) keq. E vuri (e bëri) *batbat (dikë). Vuri (hodhi) bazat (*themelet) (e diçkaje) libr. E vë në *be (dikë). I vuri *benzinën (diçkaje). I vuri (i futi) *bërrylin (dikujt). E vë (e sjell) në *binarë (dikë a diçka). E vë në *bishtI (diçka) përçm. E vë në *bishtII (dikë). E vë në *bisht të lahutës (dikë). U vu në *blojë (dikush) tall. I vë *bojë (dikujt a diçkaje). (Është) për ta vënë në *bostan (dikush). E vë (e fut) në *brazdë (në hulli) (dikë). I vë *brirë (dikujt) keq. I vuri (i nguli) *bririn (dikujt). S’e vënë *brinjë (dikë) mospërf. Vuri *brumë (dikush). I vë *cak (dikujt). I vuri çelësin (*kyçin, drynin) (diçkaje). E vë në *çetele (diçka). I vuri *dajakun (dikujt). I vunë *dajren (dikujt) mospërf. I vuri *damkën (dikujt). Ivunë *daullen (dikujt). S’e vë (s’e fut, s’e ka) në *defter (dikë a diçka) mospërf. E vë në *dietë (dikë) libr. Vihem në *dietë libr. Vë *dorë (mbi dikë a mbi diçka). E vuri (e shtiu) në *dorë (dikë a diçka). E vë në *dritë (diçka). I vuri *drizën (diçkaje). I vuri *drunë (dikujt) mospërf. I vuri drynin (*kyçin, çelësin) (diçkaje). Vë në *dukje (diçka). I vuri (i ktheu) dyfekun *(pushkën) (dikujt). Vë *dhjamë. I vë *emër (diçkaje). I vuri *ferrën (diçkaje). E vuri (e solli) në (për) *fije (diçka). I vuri *fitilin (diçkaje). I vuri *flakën (diçkaje). I vë *fre (frerin) (dikujt a diçkaje). E vë në *fre (dikë). I vuri *fshesën përb. I vuri *fugën (diçkaje). I vë (i jap) *fund (diçkaje). I vë gardh (diçkaje). I vuri (i futi) *gërshërën (diçkaje). Vë *gishtin (mbi dikë a mbi diçka). Ka vënë *gojë (dikush). E shtiu (e vuri) në *gropë (dikë). Ka vënë (ka lëshuar) *gushë (dikush). Vë *gjak. I vë *gjoksin (diçkaje). E vë në *gjumë (dikë). I vë * gjyzlykë (dikujt). E vë në *hije (dikë). I vuri *hunë (dikujt) përb. E vë (e fut) në hulli (në *brazdë) (dikë). I vë *hundëz (dikujt). I vë *jastëk. Vënë *jetë (diçka). Vuri *kambanën (dikush). Nuk e vë në *kandar (në peshore). I vuri *kapak (kapakun) (diçkaje). E vë në *karantinë (diçka) libr. E vuri (e futi) në *katror (dikë) libr. I vuri *kazmën (diçkaje). Vë *këmbë (diku). I vuri *këmbën (dikujt) keq. E vuri nën *këmbë (dikë). E vë (e hedh) *këmbën mbi këmbë. I vë *kokë (diçkaje). E vuri nën *komandë (dikë). I vuri *kosën (dikujt a diçkaje). I vë *krahët (diçkaje). I vuri *krusmën I vë *krye (diçkaje). I vuri *kryq (dikujt a diçkaje). Vë *kujën (dikush). I vuri *kyçin (diçkaje). I vë *kufi (sinor) (dikujt a diçkaje). Vë *kujën (dikush). Vuri *kurorë (dikush). S’kam vënë (s’kam lidhur) *kurorë (me dikë) tall. I vuri *kurrizin (diçkaje). I vuri *kyçin (çelësin, drynin) (diçkaje). I vë *ledh (diçkaje). I vunë (i varën) *legenin (dikujt) mospërf. I vuri *leqe (dikujt). Vë *lemerinë (dikush). I vuri *lesën (dikujt a diçkaje). E vuri në *lojë (dikë). E vë në *lotari (diçka). I vuri *lulen (diçkaje). S’e vë në llogari (në *hesap) (dikë a diçka). I vuri *llozin (diçkaje). I vë *majën (diçkaje). Vuri *maskën (dikush) keq. I vë *mend (dikujt a diçkaje). Vuri (zuri) *mend (dikush). E vë ndër *mend (diçka). I vë *mendjen (dikujt a diçkaje). E vë në *mendje. E ka vënë në *mengene (dikë). Vuri (zuri) *merak (në diçka). I vë *metrin (dikujt). I vë *mëgojëzën (dikujt). Vë *mënjanë (diçka). I vuri *minat (dikujt a diçkaje). Vë (lidh) *mish. I vuri *ngojëzën (dikujt). E vuri në *nishan (dikë). S’e vë (s’e zë, s’e shtie, s’e fut) në *numër (dikë). I vë *njollë (dikujt a diçkaje). I vuri një *perde (diçkaje). Vë në *peshë (diçka). Vë në *peshore (diçka). Nuk e vë në peshore (në *kandar) (diçka). E vuri *përfund. E vuri (e mori) *përpara (dikë). E kam vënë *përpara (diçka). E vë *përposhtë (dikë). E vunë (e ngritën) në *piedestal (dikë a diçka) libr. I vuri *pikë (pikën) (diçkaje) libr. E vë në *pikëpyetje (dikë a diçka) libr. I vë një *pikëpyetje (dikujt a diçkaje) libr. I vuri *pishën (diçkaje). E vë *plak (dikë). I vë në një *plan libr. I vuri *plloçën (diçkaje). E vuri *poshtë (dikë). I vë (i hedh) *prangat (dikujt). Më ka vënë *prangat (dikush). S’ia vë për *pulle (dikujt). I vuri (i ktheu) *pushkën (dikujt). E vuri në *pyka (dikë). I vë *qeleshen (dikujt) keq. E vunë në *qoshe (dikë). E vë në *rabush (dikë a diçka). Vë në një *radhë (në një rresht) (me dikë a me diçka). Vë *re (dikë a diçka). I vuri *rrasën (diçkaje). I vë *samarin (samar) (dikujt) tall. I vuri *sëpatën (diçkaje). E vuri (e futi) në *sirtar (diçka). Ia vuri *syrin. I kanë vënë sytë *ag (dikujt). I kanë vënë (i kanë zënë) sytë *cergë (dikujt). I kanë vënë (i kanë zënë) sytë *perde (dikujt). Ivë *qeleshen (dikujt a diçkaje). I vë *syze (dikujt). I vë *shenjën (dikujt). E ka vënë (e ka) në *shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka). E ka vënë (e ka) në shënjestër (në *shenjë) (dikë a diçka). I vuri *shkelmin (diçkaje). I vuri *shkëndijën (xixën) (diçkaje). I vë *shpatullat (diçkaje). I vunë *shpatullat (njëri-tjetrit). I vuri *shtupën (diçkaje). I vuri *shulin (diçkaje). E vë në *tel (dikë). Vë *telat (dikush) iron. Vë *tellallin (dikush). I vunë (i varën) *teneqenë (dikujt) mospërf. E vuri në *tragë (dikë a diçka). E vunë në *tupan (dikë) mospërf. Vë *theksin (mbi diçka) libr. Vuri (hodhi) *themelet (bazat) (e diçkaje) libr. I vë *thikën. E vuri në *thikë (dikë). E vë në *thua (dikë) mospërf. E ka vënë nën *thundër (dikë). E vë në *udhë (të mbarë) (dikë a diçka). E vë në *ujdi (diçka) vjet. Vë ujkun *bari (dikush) iron. Vë *ujkun të ruajë delet (dhentë) iron. Vë *ulërimën (dikush). E vë në *vaj (diçka a dikë). E vuri (e shtiu) në varr (dikë). E vuri në *vend (diçka). Vë *vesh (veshin). I vë *veshin (dikujt a diçkaje). E ka vënë nën *vete. I vuri (i hoqi) *vizë (vijë) (dikujt a diçkaje). I vuri *vulën (diçkaje). I vuri xixën (*shkëndijën) (diçkaje). E vë (e fut) në *xhep (diçka). E vuri (e futi) në *zgjedhë (dikë). I vuri *zjarrin (diçkaje).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë