Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NJEHSUESHMËRÍ,~A f., libr. Të qenët i njehsueshëm; vetia e diçkaje që është e njehsueshme; mundësia për t’u njehsuar.
PALLOGARÍTUR (i, e) mb. 1. Që nuk është i llogaritur; i panjehsuar; kund. i llogaritur, i njehsuar.
2. I pallogaritshëm. Dëm i pallogaritur.
PANJEHSÚAR (i, e) mb. Që nuk është i njehsuar; i pallogaritur; kund. i njehsuar.
✱Sin.: i pallogaritur, i panumëruar, i panjehur.
PAPËRPÍKTË (i, e) mb. 1. Që nuk është njehsuar, matur a vlerësuar me përpikëri; jo i përpiktë; kund. i përpiktë. Përfundim i papërpiktë. Përshkrim i papërpiktë.
2. Që e bën punën a detyrën pa kujdes, pa rregull e me të meta; kund. i përpiktë. Njeri i papërpiktë.
3. Që nuk i përmbahet orës ose afatit të caktuar për diçka ose një zotimi që ka marrë përsipër; kund. i përpiktë. Është i papërpiktë në punë.
✱Sin.: i pasaktë, i panjehsuar, i pallogaritur, i pamatur, i pavlerësuar, i pakujdes, i parregullt.
PASÁKTË (i, e) mb. 1. Që nuk është matur, njehsuar a vlerësuar me përpikëri, që ka të meta, që nuk është bërë me përpikëri; që nuk e jep diçka me saktësi, jo i përpiktë, i papërpiktë; kund. i saktë. Peshim i pasaktë. Matje e pasaktë. Përfundim i pasaktë. Përgjigje e pasaktë. Punë e pasaktë. Lajm i pasaktë. Të dhëna të pasakta.
2. Që nuk mund t’i zësh besë me siguri, që e bën punën a detyrën pa kujdes e më të meta; i papërpiktë; kund. i saktë. Njeri i pasaktë.
✱Sin.: i papërpiktë, i gabuar, i pakujdesshëm, i çrregullt.
►USHTR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Bëj ushtrime të vazhdueshme për t’u bërë i aftë e i shkathët për diçka; punoj vetë për të fituar shprehitë e nevojshme; stërvitem. Ushtrohem në vegla (në paralele). Ushtrohen çdo ditë (rregullisht). Ushtrohet në sport. Ushtrohet në gjueti (në not). Ushtrohen për të njehsuar shpejt (për t’i rënë violinës).
2. vetv., vet. v. III Fiton aftësinë e shkathtësinë për diçka me ushtrime të vazhdueshme. Nuk i është ushtruar dora (veshi).
3. pës. e USHTRÓJ1,3.
VLÉR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shuma e të hollave që shpreh sa vlen diçka (një send, një mall a një punë); çmimi. Vlera e një sendi. Vlera e ditës së punës.
2. ek. Puna e domosdoshme që harxhohet për prodhimin e një malli. Vlera e mallit. Vlera e këmbimit (e përdorimit). Ligji i vlerës. Tatimi mbi vlerën e shtuar është tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve dhe bëhet i pagueshëm, pasi më parë zbritet TVSH që rëndon drejtpërdrejt, elementet e kostos së mallrave dhe të shërbimeve.
3. E mira, dobia e rëndësia që ka diçka për shoqërinë, për njerëzit a për kafshët. Vlerë ushqyese. Vlerë shoqërore. Vlerë njohëse (edukuese). Vlera e letërsisë. Vlera e një romani (e një vepre). Humbet vlerën. I bie vlera. Ia rrit vlerën. Ia di vlerën. Me (pa) vlerë.
4. zakon. sh. Sende e pasuri të çmueshme për një popull ose për një vend; të mirat e jetës materiale a shpirtërore që ka grumbulluar njerëzimi ose që arrihen me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë; pasuri. Vlera kombëtare. Vlera materiale. Vlera shpirtërore (kulturore, letrare, artistike, estetike, historike). Ajo vepër nuk ka vlerë të lartë artistike. Vlerat e popullit. Krijues i vlerave të mëdha.
5. mat., fiz. Masë e një sasie a e një madhësie të ndryshueshme. Vlerë e njehsuar. Vlerë e përafërt. Vlerë absolute. Vlera mesatare. Vlerë numerike. Vlera e shprehjes numerike. Vlera e forcës.
6. spec. Cilësia dalluese e diçkaje, vetia e diçkaje. Vlera fonetike.
7. muz. Zgjatja relative e një note, e një pushimi a e një toni muzikor. Vlera e notave. Ka vlerën e dy notave (e një pushimi).
✱Sin.: vleftë, çmim, dobi, peshë, masë, cilësi, veti, notë.
♦ I ra vlera (dikujt) humbi në sytë e të tjerëve, nuk është më aq i vlefshëm, nuk e nderojnë si më parë, s’ia kanë më nevojën ose nuk është më aq i fuqishëm; kund. iu rrit vlera. Ia di vlerën (dikujt a diçkaje) e çmoj shumë dhe e ruaj me kujdes a e mbroj (dikë a diçka); ia kam nevojën, e kërkoj. Iu rrit vlera (dikujt) e nderojnë më shumë se më parë, ka fituar në sytë e të tjerëve; ia kanë më shumë nevojën ose është bërë më i fuqishëm e më i kërkuar; kund. i ra vlera.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë