Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁFRO-AZIATÍK,~E mb. Që ka të bëjë me kontinentin e Afrikës dhe me kontinentin e Azisë të marrë së bashku; që ka të bëjë me vendet dhe popujt e Afrikës e të Azisë, i Afrikës dhe i Azisë njëkohësisht. Vendbanime afro-aziatike. Popujt afro-aziatikë.
AKÓRD,~II m. sh. ~E, ~ET muz. Harmonizim i tre ose më shumë tingujve që luhen njëkohësisht me lartësi të ndryshme; bashkim i tingujve të luajtur njëkohshëm që krijojnë harmoni muzikore. Akorde të thjeshta. Akorde me katër nota. Akorde të modifikuara. Akorde të hapura (të mbyllura). Luaj disa akorde. Përsërite akordin e parë. Akord tonik akord bazë në një tonalitet të caktuar. Vë në akord përshtat diçka për të arritur përputhje ose harmoni tingujsh. Në akord në përputhje me një tingull të caktuar.
✱Sin.: harmonizim, bashkim, përputhje, harmoni, pajtim, kombinim.
ANGLOAMERIKÁN,~E mb. 1. Që ka të bëjë me bashkësinë anglishtfolëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kultura angloamerikane. Letërsia angloamerikane. Stili angloamerikan. Ndikimi i madh i kulturës angloamerikane. Gjedhe angloamerikane.
2. Që ka të bëjë me rajonin amerikan në të cilin anglishtja është gjuha kryesore dhe Mbretëria Britanike ka pasur ndikim të rëndësishëm historik, etnik, gjuhësor dhe kulturor.
3. Që ka të bëjë me anglezët dhe amerikanët njëkohësisht. Bashkëpunimi angloamerikan në fushën e mbrojtjes. Trupat angloamerikane.
ANGLOIRLANDEZ,~E mb. 1. Që ka prejardhje a origjinë të përzier angleze dhe irlandeze.
2. Që u përket anglezëve dhe irlandezëve bashkë, i anglezëve dhe i irlandezëve; që lidhet njëkohësisht me Anglinë dhe Irlandën, nga ana gjeografike, kulturore, politike a historike; që ka të bëjë me marrëdhëniet midis Anglisë dhe Irlandës; Ai është me origjinë angloirlandeze. Politika angloirlandeze. Kufijtë angloirlandezë. Marrëdhëniet angloirlandeze. Kultura angloirlandeze. Çështje angloirlandeze. Letërsia angloirlandeze.
ART,~I m. 1. Formë e shprehjes së botës nëpërmjet rikrijimit të njëmendësisë në mënyrë artistike, e mbështetur në ndjeshmërinë dhe e shprehur me fjalën e folur ose të shkruar, me zërin, me vijat, me ngjyrat, me lëvizjen, me formën plastike, me ndërtimin etj.; veprimtari e veçantë njerëzore, kuptimi i së cilës ndërtohet dhe shprehet në një proces të ndërlikuar komunikimi mes artistit, veprës artistike dhe atyre që e përjetojnë estetikisht përmes shqisave pamore e dëgjimore. Arti popullor (kombëtar). Arti letrar (poetik). Arti pamor (dëgjimor). Arti klasik (modern). Vepër arti. Dashamirë e artit. Ngre në art. Shfaqje arti.
2. sh. ~E, ~ET Degë ose lloj i veprimtarisë krijuese artistike. Arti dramatik (skenik, teatral, kinematografik). Artet e bukura emër i përbashkët për letërsinë, muzikën, pikturën, skulpturën, teatrin, kinematografinë, arkitekturën etj. Artet figurative emërtim i përbashkët për pikturën, grafikën dhe skulpturën. Artet e zbatuara (e aplikuara) lloje të veçanta arti që krijojnë sende të përdorimit të përditshëm, orendi etj., të cilat njëkohësisht kanë edhe vlera artistike. Artet plastike. Arti kinematografik. Arti i pikturës (i skulpturës). Instituti i Arteve.
3. Tërësia e prodhimit të një periudhe ose të një vendi në fushën e veprimtarisë krijuese artistike, si pjesë e një kulture të caktuar. Arti shqiptar. Arti egjiptian (grek, romak). Arti mesjetar. Galeria e arteve.
4. Tërësia e rregullave dhe e metodave që kërkohen për ta kryer me mjeshtëri e në mënyrë të përsosur një veprimtari; njohja e hollë e një pune dhe aftësia për ta kryer atë si duhet; mjeshtëri. Arti i të folurit (i të shkruarit). Arti i luftës. Arti i kuzhinës (i qëndisjes). Arti i jetës (fig.). Vepër arti (ndërt.) objekt në vepra të mëdha, si në ndërtesa, në godina, në rrugë, në hekurudha, në tunele etj., ndërtimi i së cilës kërkon një punë të veçantë. Shtatë artet e lira (libr.) aritmetika, gjeometria, muzika, astronomia, gramatika, dialektika dhe ritmika (sipas terminologjisë së romakëve të vjetër).
AUDIOVIZÍV,~E mb. Që ka të bëjë me teknikat e komunikimit që shfrytëzojnë njëkohësisht zërin dhe pamjet, që kombinon dëgjimin dhe shikimin në filma, në programe televizive, në paraqitje multimediale, në dokumentarë ose në forma të tjera të komunikimit. Mjetet audiovizive. Mediumet audiovizive. Programi audioviziv. Produksion audioviziv.
BALLAFAQÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. Veprimi kur ballafaqoj dikë a kur ballafaqohem me të tjerë; drejt. vënia ballëpërballë e dy personave nga organet proceduese kur vërehet se thëniet e tyre për fakte e rrethana të caktuara janë të kundërta, në mënyrë që të dalë në dritë e vërteta; veprim me të cilin merren njëkohësisht në pyetje dy persona që janë pyetur edhe më parë në lidhje me faktet e rëndësishme për të cilat kanë dhënë deklarata të ndryshme dhe kundërthënëse. Ballafaqimi me çdo problem. Ballafaqimi me popullin. Ballafaqimi i përvojës. Ballafaqimi i mendimeve (i pikëpamjeve). Ballafaqimi i dëshmitarëve. Metoda e ballafaqimit. Kërkoi ballafaqim. Bëj ballafaqimin. - Mos ki frikë nga ballafaqimi!
2. Veprimi kur përqas dy a më shumë gjëra për të gjetur të përbashkëtat dhe dallimet; vënie përballë e dy a më shumë dokumenteve, teksteve etj. për të gjetur përkimet ose dallimet a mospërputhjet ndërmjet tyre; syzim, ndërsynim. Ballafaqimi i dorëshkrimeve poetike. Nga ballafaqimi i fjalorëve dygjuhësh.
3. Veprimi kur bashkoj dy sende; bashkim a vënie buzë më buzë e dy sendeve, puthitje.
✱Sin.: krahasim, përqasje, përballje, përballim, syzim, ndërsynim, puthitje.
BALLËSÓR,~E mb. 1. Që bëhet në ballë të gjerë, që i përfshin të gjitha njëkohësisht; ballor. Zgjidhje ballësore. Përparim ballësor. Sulm ballësor. Luftë ballësore. Në mënyrë ballësore. Përpjekje ballësore. Veprimtari ballësore. Studim ballësor i gjuhës.
2. Kryesor, shumë i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm. Ballësor në fis. Kau ka qenë ballësor për bujkun.
3. fig. Shumë i mirë e me vlera të mëdha, s’ka tjetër si ai, që s’i gjendet një i dytë. Ballësor për të gjithë.
BAR,~II m. sh. ~ËRA, ~ËRAT 1. bot. Bimë zakonisht njëvjeçare me kërcell të hollë e të njomë që nuk drunjëzohet, me gjethe të holla e të gjata në ngjyrë të gjelbër, e cila mbin e dendur në livadhe e në vende të tjera dhe shërben kryesisht si ushqim për kafshët; përmb. tërësia e bimëve të këtij lloji, që rriten vetë në livadhe, në ara etj.; mbulesa e gjelbër me këto bimë; lëndinë. Bar i gjelbër. Bar i njomë (i ri, i thatë). Bar i egër bimë barishtore që mbin e rritet vetë. Bar i dendur. Bar helmues (i kripur). Bar mali (kënete). Bar vjeshte. Fije bari. Mullar bari. Kosë bari. Ngjyrë bari. Një dorë (një gojë) bar. Del (mbin) bari. E mbuloi bari. Ka zënë bar. I shtie (i hedh) bar. Korr (kosit) bar. Mbledh (lidh) barin. Shkul barërat. Ha bar. Shkel (shtrihem) mbi bar. Aroma e barit. Martomë, o baba, martomë, / Sa të dalë bari i njomë. (folk.). Fije-fije bari, po bëhet mullari. (fj. u.). Dheu zhuritet, po bari mbin përsëri. (fj. u.). Bari me kosë e lisi me sëpatë. (fj. u.). Kush e rriti luadhin, kush e hëngri barin. (fj. u.). Bari i thatë djeg edhe të njomin. (fj. u.). Nën hije as bari nuk ngre krye. (fj. u.).
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të kësaj bime. Bar argjendi (lat. Equisetum arvense) KëputjeII. Bar ariu (lat. Erica carnea) Krahnjerr. Bar balsami (lat. Hypericum perforatum) BalçI. Bar i bardhë (lat. Hyssopus officinalis) bimë aromatike, kryesisht barishtore, rreth gjysmë metër e lartë, me kërcell të drejtë dhe me lule ngjyrë blu përgjatë kërcellit, që gjendet në Mesdheun Lindor dhe në Azinë Qendrore e që ka veti qetësuese për kollën. Bar bërdenice (lat. Pimpinela saxifraga) bimë barishtore shumëvjeçare që përdoret në mjekësinë popullore për sëmundjet në veshka dhe në fshikëzën e urinës. Bar bibe (lat. Polygonum aviculare) bimë barishtore deri një metër e gjysmë e lartë, me lule të bardha si push, me gjethe të gjata e të holla, që dalin tufë afër rrënjës dhe që përdoren për mjekimin e verdhëzës së bibave. Bar bishtmiu 1. (lat. Alopecurus myosuroides) bar i ligatinave me gjethe halore. 2. (lat. Micromeria juliana) shkurre e ulët erëmirë e viseve mesdhetare. Bar blete (lat. Melisa officinalis) bimë barishtore njëvjeçare, me gjethe vezake, me push e me erë të mirë si të limonit, me lule ngjyrë trëndafili ose të bardha, që përdoret për të mbledhur bletën kur roit; milcë, lule limoni. Bar bostani (lat. Sanguisorba minor) bimë barishtore shumëvjeçare, rreth pesëdhjetë centimetra e lartë, me gjethe që bien erë si trangull i njomë, që del në toka gëlqerore dhe që përdoret në mjekësinë popullore kundër barkut të keq. Bar brenge bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të degëzuar, me lule të imëta ngjyrë trëndafili, me gjethe si të shelgut e me push në të dyja anët, që zihet e përdoret për mjekime popullore. Bar breshke (lat. Dorycnium germanicum) një lloj bari si qumështorja, që lëshon kalli si gruri dhe që e ha shumë breshka. Bar bubash (lat. Cuscuta europaea) bimë parazitare të gjinisë së kuskutave, pa rrënjë e pa klorofil, me gjethe luspake dhe me lule të bardha përgjatë kërcejve të gjatë e të hollë, të cilët kanë ventuza që thithin ushqim prej bimës që i ngjiten. Bar buçi bar gjarpri. Bar bushi (lat. Thlaspi arvense) bimë barishtore njëvjeçare, rreth pesëmbëdhjetë centimetra e lartë, me lule të bardha e me kërcell të hollë e të degëzuar. Bar capoji (lat. Anagallis arvensis) bimë e vogël me lule bojë alle, që mbyllet kur vrenjtet moti. Bari i çikës bimë barishtore me gjethe si të borzilokut e me push, me lule të bardha, që përdoret në mjekësinë popullore kundër lulëzës së syrit. Bar dale (lat. Paris quadrifolia) Shtarcë. Bari i dalës (lat. Lycopodium clavatum) bar plasjeje. Bar i daljes së gjësë (dalëgjaje) (lat. Umbilicus pendulinus) bimë barishtore shumëvjeçare e ngrënshme, me kërcell dhe me gjethe të tulta në trajtë kërthize. Bar dejsh (lat. Anthriscus trichosperma) bimë barishtore rreth tridhjetë centimetra e lartë e me gjethe të rralla përgjatë kërcellit. Bar delli (lat. Plantago major) bimë barishtore e egër me gjethe të trasha, me shumë deje e të shtrira përtokë, që rritet anës vijave të ujit e pranë moçaleve dhe përdoret në mjekësinë popullore; gjethe delli, dejëz. Bar derri (lat. Setaria glauca) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të trashë e të gjatë dhe me lule si të fshesës. Bar djathi (lat. Cynara scolymus) bimë që përdoret për të zënë qumështin djathë. Bar dore bar delli. Bar i draprit 1. (lat. Trifolium pratense) tërfil i kuq. 2. (lat. Trigonella corniculata) bot. bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell deri gjysmë metri, me lule të bardha ose të verdha, me fara aromatike, që përdoren në mjekësi dhe për gatim; e përhapur në Europën Jugore dhe Azinë Lindore; trëndelinë. Bar dreni (lat. Asplenium) fier guri (shkëmbi). Bar dreqi (bar i dreqit) (lat. Cuscuta) helmëz, kuskutë, bardreq. Bar dreri (lat. Ephedra) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell kacavarës dhe me gjethe luspake, e përhapur në vise të ngrohta e me reshje të rralla, që përdoret për prodhimin e efedrinës. Bari i drithit bimë barishtore me gjethe të holla, të gjata e të dhëmbëzuara, me lule të bardha të grumbulluara në majë, që shtrohet në hambarët me drithë për të larguar kandrrat e dëmshme. Bar dhelpre (lat. Aconitum napellus) bimë helmuese shumëvjeçare, me rrënjë zhardhoku, me gjethe të gjera si pëllëmbë e me lule të kaltra ose të bardha. Bar dhëmballe (lat. Teucrum flavum) Arrës. Bar ere (lat. Tanacetum vulgare) bimë aromatike shumëvjeçare me lule si kopsa të verdha dhe me gjethe heshtake të hidhura, që përdoret si erëz dhe në mjekësi. Bar ethesh (lat. Chrysanthemum parthenium, Erythrea centaurium) Trikë. Bar fare bimë barishtore njëvjeçare me gjethe të gjata e të holla, me kalli si egjra e me fara që përdoren në mjekësinë popullore. Bar flokësh (lat. Poa pratensis) bimë barishtore shumëvjeçare e livadheve dhe e kullotave, që kultivohet në toka të shëndosha e të kulluara mirë, e njohur zakonisht me termin “bari blu”, që, i pakositur, rritet deri në shtatëdhjetë centimetra. Bar gardalinash (lat. Senecio vulgaris) bimë e egër barishtore njëvjeçare me përhapje të gjerë, me lule të verdha, me gjethe të dhëmbëzuara dhe me kërcell gjembak, që arrin deri në dyzet centimetra lartësi. Bar goje (lat. Teucrium polium) gjysmëshkurre e viseve mesdhetare dhe të Lindjes së Mesme, me lule të vogla, të bardha ose ngjyrë trëndafili dhe me gjethe të holla, që përdoret si erëz për gatim dhe në mjekësinë popullore kundër dhembjeve të stomakut. Bar gomari (lat. Carduus nutans) Gjembaç. Bar griskle (lat. Lathraea squamaria) bimë barishtore shumëvjeçare që rritet në pyje e në shkorrete, që i ka gjethet të vogla e lulet në trajtë kupe, ngjyrëmanushaqe e të vendosura rresht anës kërcellit dhe që e bën frutën si boçe. Bar gryke bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të drejtë e të mbuluar me push dhe me gjethe të çara anash. Bar guri (lat. Ephedra) bimë barishtore njëvjeçare me lule ngjyrë vjollce, që rritet zakonisht nëpër shkëmbinj dhe bën farë prej tri kokrrash të imëta e të kuqe. Bar guse bar bibe, bar pate. Bar gjaku 1. (lat. Hyperium perforatum) bimë barishtore me kërcell të gjatë mbi një pëllëmbë, i cili kur këputet, nxjerr një lëng në ngjyrë të kuqe. 2. Bishtmi1. Bar gjalpi lloj bari që ka erë si të bulmetit. Bar gjani (lat. Equisetum arvensis) KëputjeII. Bar gjarpri (lat. Ceterah officinarum) bimë barishtore shumëvjeçare pa lule, me zhardhok, me gjethet dhe kallirin si të këlkazës, që përdoret në mjekësinë popullore kundër helmimit të bagëtive nga gjarpri. Bar gjedheni (lat. Equisetum) KëputjeII. Bar gjelidani bimë barishtore njëvjeçare me kërcell e me fletë të gjera, që përdoret kundër difterisë. Bar gjergji (lat. Lysimachia nummularia) bimë barishtore zbukurimi me kërcej të shtrirë përdhe, të cilët zënë rrënjë, me gjethe të vogla dhe me lule të verdha. Bar i gjësë (lat. Scrophularia ramosissima) bar i dalës, bar plasjeje. Bar gjini (lat. Arnoseris minima) bimë barishtore me lule të vogla e me ngjyrë të verdhë të vendosura në majë të një kërcelli pushatak, deri një metër i lartë, që del herët në pranverë nëpër shkëmbinj. Bar gjumi (lat. Papaver somniferum) bimë barishtore njëvjeçare me lule të bardha, të kuqe, bojë trëndafili ose ngjyrëvjollcë, me boçe që lëshojnë një lëng si qumështi, prej të cilit nxirret opium. Bar hajduku (lat. Achillea millefolium) bimë e familjes së luleshqerrave, me gjethe pendore dhe me lule të bardha, të verdha ose ngjyrëvjollcë në majë të kërcellit. Bar hallve (lat. Cynoglossum creticum) bimë barishtore dyvjeçare me gjethe të vogla përgjatë kërcellit, me lule të kaltra ose mavi, që mbin me shumicë në toka kullosore dhe është e dëmshme për bagëtinë. Bar i të hasurit (lat. Micromeria juliana) bimë barishtore me gjethe të vogla e të shpeshta, me lule të bardha, që rritet për tokë në vende me lagështirë dhe që, sipas besëtytnive, përdorej për mjekimin e “të hasurit” a “të shuplakurit”. Bar helmi (lat. Micromeria juliana) bimë barishtore me kërcell të gjatë e të degëzuar që nxjerr lule të verdha dhe që është helmuese për bagëtinë. Bar hënëze (lat. Satimpod lunaria) bimë barishtore shumëvjeçare me rrënjë të gjatë boshtore, me gjethe të renditura në një bisht njëra kundrejt tjetrës, me lule si të grashinës, që mbillet në toka të varfra si ushqim për bagëtinë. Bar i hidhët (lat. Ruscus aculeatus) Rrushkull. Bar hikrraqi Syka. Bar hirre 1. (lat. Dictamnus albus) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe si të koprës së egër, me lule të bardha, që rritet nëpër lëndina dhe që i hidhet gjizës për t'i dhënë një erë të mirë ose që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e hirrëzës së kafshëve. 2. bar përdhesi. Bar hirrëze bar hirre. Bar hudhre (lat. Alliaria officinalis) bimë barishtore dyvjeçare, e përhapur në Europë e në Azi, me gjethe gjithë rrudha e me erë si të hudhrës kur shtypet, që lulëzon në vitin e dytë; borëza. Bar i imët (lat. Agrostis capillaris; Agrostis petiolate; Adenostyles alliariae; Erysimum alliaria; Sisymbrium alliaria) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të shkurtër e me nyja, me gjethe të holla, që nxjerr lule të imëta, të bardheme e të mbledhura tufë dhe bën fara të zeza e shumë të vogla. Bar italiani (lat. Lalium italicum) bimë barishtore njëvjeçare a dyvjeçare e viseve të ngrohta të Europës, me kallinj pa hala, që mbillet për silazh. Bar jeli 1. (lat. Mirabilis jalapa) bimë zbukurimi me lule të veçanta në ngjyra të ndryshme e me gjethe të mëdha përgjatë kërcejve, që zakonisht janë të shtrira përdhe. 2. (lat. Silene latifolia vulgaris) bimë barishtore njëvjeçare dhe rrallë dyvjeçare, që rritet deri në tetëdhjetë centimetra e lartë, me push, me gjethe shpatuke dhe me shumë lule në majë të kërcellit. Bar i jetës bimë barishtore njëvjeçare që rritet në fusha e nëpër hamullore dhe që bën fara të helmëta, lëngu i të cilave, po të pihet, sjell të vjella e gjumë. Bar jodi (lat. Chelidonium majus) Tamblagjak. Bar kallkë (lat. Hordeum bulbosum) bimë barishtore shumëvjeçare e përhapur në vise me klimë të butë, me kërcell deri një metër të lartë, me kalli halëgjatë e me gjethe dhjetë-njëzet centimetra të gjata, me rrënjë e me kokrra të ngrënshme. Bar kanarinash (lat. Phalaris canariensis) bar i viseve mesdhetare, farat e të cilit përdoren si ushqim për zogj që rriten në kafaz. Bar i keq (i lig) kryes. sh. bimë barishtore që mbijnë vetvetiu nëpër ara, nëpër kopshte etj. dhe që dëmtojnë a pengojnë rritjen e bimëve të dobishme. Bar i kimëzave gjethe delli. Bar me kokë tërfil. Bar kolaneci bar përdhesi. Bar koqedashi (lat. Coluchicu autamnale) bar tëmthi. Bar koshtenice (lat. Typha latifolia) bimë shumëvjeçare e moçaleve dhe e ligatinave në vise me klimë të butë të gjysmësferës veriore, me kërcell deri një metër e gjysmë të lartë, me kalli të madh bojëkafe dhe me një zgjatim si bisht në majë; shurdhaci. Bar krendësh (lat. Viscum album) Veshtull. Bar krimbi (lat. Teucrium polium) bimë barishtore me gjethe të vogla të prera në mes, me lule të bardha e ngjyrëmanushaqe në majë, që bën një farë të murrme të imët e të rrumbullakët. Bar kryezi bar i së paemrës. Bar i kuajve (lat. Equisetum) KëputjeII. Bar kukunjëze bimë barishtore njëvjeçare me gjethe të imëta si të gjembaçit e me lule të verdha si të trëndelinës, që përdoret në mjekësinë popullore për të shëruar kukunjëzat. Bar kulurxhi (lat. Astragalus glycyphyllos) bimë bishtajore shumëvjeçare me kërcell deri në gjashtëdhjetë centimetra të lartë, që lidh bishtaja si batha e që grumbullon azot në rrënjë. Bar kulloshtre (lat. Glycyrrhiza glabra) bimë bishtajore shumëvjeçare deri një metër e lartë, me gjethe pendore dhe lule gjatoshe të purpurta ose të kaltra, që lidh bishtaja të vogla me tre-katër kokrra e me shije të ëmbël. Bar i të kuqit të madh (lat. Physalis alkekengi) bimë barishtore shumëvjeçare, e lartë deri gjashtëdhjetë centimetra, me gjethe të mëdha e me lule të kuqe të ndezur, që zbardhet e bëhet si rrjetë rreth një frute të kuqe dhe ngjan si fener. Bar lebre (lat. Senecio vulgaris) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe si gjuhë ngjale e me push në të dyja anët, me lule ngjyrë trëndafili të çelur, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e lebrës së gjinjve. Bar lepuri (lat. Trifolium arvense) bimë barishtore njëvjeçare, e butë si mëndafshi, me farën si xhufkë të gjatë e të zbardhur, që rritet deri një pëllëmbë e përdoret si ushqim për kafshët. Bar lëngose bar përdhesi. Bar lëngjyre bimë barishtore me gjethe të gjata, me lule ngjyrëmanushaqe e me erë të rëndë, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e lëngjyrës. Bar lëshec (lat. Holcus lanatus) bimë barishtore shumëvjeçare pushatake si kadife, me kërcell të rrumbullakët, që lidh kalli të gjatë në majë e që përhapet me farë ose duke lëshuar rrënjë në nyjat e kërcellit të shtrirë përdhe. Bar limoni (lat. Acorus calamus) bimë shumëvjeçare e moçaleve me gjethe shpatuke të gjata e të merme, rizomat e së cilës përdoren në mjekësinë tradicionale dhe në prodhimin e parfumeve. Bar lithi (lat. Chrysanthemum parthenium; Erythrea centaurium) Trikë. Bar lope bar bushi. Bar i lotzonjës (lat. Convallaria maialis) Drekëz. Bar lunge (lat. Viola sylvestris) bimë barishtore me lule të kaltra ose si të manushaqes, që rritet në pyll dhe që në mjekësinë popullore përdoret për shërimin e lungave. Bar maceje (lat. Valeriana officinalis) bimë barishtore shumëvjeçare deri një metër e gjysmë e lartë, me gjethe të ngushta përgjatë kërcellit, me tufë lulesh të merme ngjyrë trëndafili në majë, që përdoret si qetësues. Bar macesh (lat. Nepeta cataria) bimë barishtore e shumëvjeçare me kërcell deri një metër të lartë, që ka gjethe, lule dhe erë të ngjashme me mendërzën. Bar i madh (lat. Helleborus) Shpendër. Bar majasëlli (lat. Teucrium polium) bimë barishtore me kërcell të përkulur, me gjethe ngjyrë argjendi zakonisht me push në të dyja anët, me kurorë lulesh të bardha ose të purpurta, që rritet në toka të thata. Bar mastiku (lat. Dictamnus) bimë barishtore shumëvjeçare e viseve të ngrohta të Europës, të Afrikës Veriore dhe të Azisë, rreth gjysmë metri e lartë, me lule të bardha ose ngjyrëvjollcë në formë piramide dhe me gjethe si të frashrit. Bar madërgoni (lat. Hyoscyamus) bimë e familjes së Solanaceve, që përdoret kundër astmës, dhembjes së dhëmbëve etj.; bar i trashë, kruspulluk. Bar i mazës (lat. Plantago) gjethe delli. Bar mëndafshi (lat. Asclepia vincetoxicum) bimë barishtore shumëvjeçare, e helmët, me kërcell të hollë kacavarës, me gjethe në trajtë zemre, me lule në tufë e ngjyrë jargavani të hapur, që bën fara të mbështjella në një fletë me push të gjatë. Bar me një mijë fletë (lat. Achillea millefolium) bimë e familjes së luleshqerrave me gjethe pendore dhe me lule të bardha, të verdha ose ngjyrëvjollcë në majë të kërcellit. Bar i minurit (lat. Chenopodium botrys; Dysphania botrys) bimë barishtore me kërcell të degëzuar me gjethe gjatore e të dhëmbëzuara, me lule si të blerta, që mban erë të keqe kur thërrmohet. Bar miu (lat. Asparagus officinalis) Shpargull. Bar mjalti (lat. Melissa officinalis) lule blete. Bar molldrage (lat. Portulaca oleracea) Bordullak. Bar morri (lat. Delphinium staphisagria) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe si të rrapit, me lule të gjelbra në të kaltër, që bën fara me dy bërthama si fasule dhe që përdoret kundër morrave. Bar muresh (lat. Umbilicus pendulinus; Umbilicus rupestris) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell dhe me gjethe të vogla si kopsa me gropë në mes, që janë të ngrënshme; gjethja pa cipë e së cilës mund të vendoset sipër plagës për të qetësuar dhembjen. Bar mushkërish (lat. Menyeanthes trifoliato) bimë barishtore me rizoma horizontale, me gjethe treshe e me një kërcell që nxjerr disa lule si yll në majë. Bar ndërgishteje (lat. Potentilla reptans) bimë barishtore shumëvjeçare, me zhardhok, me kërcell që shtrihet përtokë, me gjethe të dhëmbëzuara, me lule të verdha, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e ndërgishtes. Bar nepërke (lat. Echium vulgare) bimë barishtore me gjethe si të grurit e me pika të zeza. Bar nëngjuhe (lat. Ophioglossum vulgatum) bimë barishtore me rizoma dhjetë deri njëzet centimetra e lartë, me gjethe palme dyshe që mbështjell kallirin e lules e që përdoret për mjekime popullore si llapë për të lyer plagën. Bar ngalose Gurgulleshë. Bar ngjitës (lat. Ephedra distachya) Gjunjëz. Bar nozëll (lat. Achillea millefolium) bimë barishtore shumëvjeçare e merme, e lartë deri në një metër, me gjethe pendore të holla dyshe dhe treshe përgjatë gjithë kërcellit, me lule të vogla të bardha ose ngjyrë trëndafili, që dalin në grupe treshe deri në tetëshe; bar kolaneci; bar pezmi. Bar oborri (lat. Polygonum aviculare) bimë barishtore deri një metër e gjysmë e lartë, me lule të bardha si push, me gjethe të gjata e të holla si tufë afër rrënjës, që përdoret për mjekimin e verdhëzës së bibave; bar pate. Bar i së paemrës 1. (lat. Lycopodium clavatum) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të gjatë e të degëzuar, me gjethe pak më të vogla se të hithrës, me lule të bardha si të borzilokut, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e shpërgëtisë. 2. (lat. Centaurea calcitrapa) bimë barishtore dyvjeçare e gjembaçëve, deri në një metër e lartë, me gjethe të çara thellë dhe me lule si yll, që përdoret edhe për gatim. 3. (lat. Anagallis arvensis) bimë e vogël barishtore njëvjeçare, me kërcej të shtrirë përdhe, me lule bojë speci ose blu, që mbyllen kur vrenjtet moti ose kur bie shi. Bar paresh KëputjeII. Bar pasrregulli bimë barishtore me lule të kuqe e të rrumbullakëta si të zambakut, me gjethe si këmbë pate, që përdoret në mjekësinë popullore për të sjellë në vete një njeri të cilit i ka rënë të fikët. Bar pate (patash) (lat. Polygonum aviculare) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell që shtrihet përtokë, me gjethe të vogla në nyjat e kërcellit, me lule të gjelbra e anash trëndafili, që bën fara të vogla, të cilat i hanë shpendët dhe përdoret për mjekimin e verdhëzës së bibave; bar guse, bar oborri. Bar peshku (lat. Verbascum thapsus; Verbascum longifolium) bimë barishtore dyvjeçare me gjethe të mëdha, të gjata e të mbuluara me push, me kërcell të drejtë, që në majë ka një kalli me lule të verdha. Bar pezmi (lat. Achillea millefolium; Achillea ochroleuca; Achillea atrata; Achillea lanulosa) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të drejtë, me gjethe të buta e të çara si të fierit, me lule tufë në majë, që përdoret në mjekësinë popullore për plagët me qelb. Bar pezul (lat. Saxifraga) bimë e vogël një- e shumëvjeçare, me gjethe të rrumbullakëta që dalin drejt e nga rrënja, me kërcell të padegëzuar ku dalin lulet, që ka veti mjekuese për gurët në veshka. Bar përdhesi (lat. Achillea millefolium) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell në ngjyrë të errët, me rrënjë të dendura e të hidhura, me lule të verdha, që përdoret në mjekësinë popullore kundër përdhesit të bagëtive. Bar plagësh (lat. Dracunculus vulgaris) bimë barishtore me kalli të madh të luleve mashkullore dhe femërore, që bie erë mish i qelbur dhe që përdoret në mjekësinë popullore kundër helmimit të bagëtive nga gjarpri; lule gjarpri. Bar plakash (lat. Colchicum autunnale) lule vjeshte. Bar plasjeje (lat. Scrophularia ramosissima) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të degëzuar në majë si fshesë, me gjethe vezake, me lule të bardha e në tufë, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e plasjes; bar i dalës. Bar plehu bimë barishtore me gjethe si të hithrës me lule ngjyrë trëndafili, me fara si të lirit në ngjyrë të kuqërreme, që rritet në plehërishta dhe lulëzon nga mesi i verës. Bar pleshtash (lat. Tanacetun cinerarifolium, Chrysantemum cinerarifolium) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell deri një metër, me gjethe si të hithrës, me lule si të shpatores, që rritet nëpër shkëmbinj dhe farat e së cilës përdoren në mjekësinë popullore për shfarosjen e pleshtave. Bar të preri 1. (lat. Hypericum perforatum) Balç1. 2. (lat. Artemisia vulgaris) bimë barishtore shumëvjeçare deri dy metra e lartë, me rrënjë drunore dhe me kërcell në ngjyrë të kuqe të errët, që lëshon lule të vogla të verdha ose të kuqërreme. Bar prisi (lat. Silene altifolia vulgaris) bimë barishtore me lule si boçe ngjyrë trëndafili ose të bardha, kërcejtë dhe gjethet e njoma të së cilës përdoren për sallatë. Bar pulash (lat. Polygonum aviculare) bimë barishtore me kërcell të shtrirë përtokë, me lule të bardha si push, gjethet e njoma të së cilës përdoren si ushqim ose në mjekimet popullore. Bar pushi (lat. Poa bulbosa) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të hollë, me gjethe të imëta, me lule të mbledhura si fshesë, që del në tufa të dendura dhe që e hanë kafshët. Bar i qelbur (qelbës) (lat. Putoria calabrica) bimë barishtore me gjethe të holla si të pishës, me lule të kuqe, që mban erë të qelbur dhe rritet për rrënjët që përmbajnë pigment të kuq. Bar qeni 1. (lat. Plumbago europaea) bimë barishtore njëvjeçare me gjethe si të mendrës e me push, me lule të bardha dhe me fara si të çajit, që rritet e lartë mbi një pëllëmbë. 2. (lat. Marrubium peregrinum) bimë barishtore shumëvjeçare e familjes së mendrës deri gjashtëdhjetë centimetra e lartë, me push dhe me erë të mirë, që përdoret kundër kafshimit nga qeni i tërbuar. Bar qerosi (lat. Solanum nigrum) bimë barishtore me kërcell të trashë, me gjethe të rralla e të dhëmbëzuara si të manit, që bën fara të vogla të mbështjella në një lëvozhgë me gjemba si të gështenjës dhe që përdoret në mjekësinë popullore. Bar qimesh (lat. Convolvulus) bar pa rrënjë. Bar qumështi (lat. Taraxacum officenale) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell si të qumështores, me gjethe të holla e të gjata, me gjemba të vegjël si të hithrës, që u jepet si ushqim bagëtive për të shtuar qumështin. Bar rakie (lat. Dictamnus albus) bimë barishtore shumëvjeçare deri në gjashtëdhjetë centimetra e lartë, me lule të kuqe në trajtë piramide në majë të kërcellit e me gjethe si të frashrit; bar i uzos. Bar rikash (lat. Argentina anserina) bimë barishtore shumëvjeçare e familjes së trëndafilorëve, me degë deri tetëdhjetë centimetra të gjata të shtrira përdhe, me gjethe pendore të mbuluara me push të bardhë si mëndafsh, që rritet në ranishte e zaje. Bar rresh (lat. Cuscuta europaea) bimë barishtore njëvjeçare me lastarë shumë të hollë, të gjatë, të butë e të verdhemë, me lule ngjyrë limoni, që del nëpër ara të korrura, nuk e hanë kafshët dhe përdoret në mjekësinë popullore kundër rreve. Bar pa rrënjë (lat. Cuscuta epithymum) dredhël e kuqe. Bar sahati (lat. Passiflora) bimë barishtore me burbuqe si të zymbylit, që nxjerrin disa fijëza si akrepi i sahatit. Bar sapuni (lat. Saponaria officinalis) Shkumëz. Bar sarillëku (lat. Thalictrum L.) bimë barishtore shumëvjeçare me lule të verdha në majë të kërcellit të padegëzuar, me gjethe të holla si të koprës; rrënjët e kësaj bime që përdoren në mjekësinë popullore kundër verdhëzës. Bar squfuri (lat. Lycopodium clovatum) bimë barishtore shumëvjeçare gjithmonë e gjelbër, me kërcell të shtrirë për tokë e të rrënjëzuar, me gjethe të holla si push rreth kërcellit, që nxjerr kalli të verdhë. Bar stenicash (lat. Datura stramonium) Tatull1. Bar syri (i syrit) bimë barishtore me gjethe si të borzilokut fletëmadh, me fara në majë si të arrësit, që rritet rreth dy pëllëmbë. Bar shëllire bimë barishtore me gjethe të vogla e me lule të bardha me push, që vihet në kaden e djathit kundër shtrepave. Bar Shëngjergji (lat. Lysimachia nummularia) bimë barishtore zbukurimi me kërcej të shtrirë përdhe të rrënjëzuar, me gjethe të vogla dhe me lule të verdha. Bar Shëngjini (lat. Artemisia vulgaris) bimë barishtore shumëvjeçare deri në dy metra e lartë, me rrënjë drunore dhe me kërcell në ngjyrë të kuqe të errët, me lule të vogla të verdha ose të kuqërreme. Bar shite (lat. Polygonatum multiflorum) bimë barishtore shumëvjeçare me rrënjë të trasha e të bardha gjithë nyja, me kërcell të drejtë deri në gjashtëdhjetë centimetra i lartë, që merr hark në majë, me lule si zile në ngjyra të merme, të bardha ose të verdha në të blertë, që varen nga harku i kërcellit. Bar shkëndije bimë barishtore me gjethe si të hithrës e me një vijë të bardhë, me lule të vogla e të bardha, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e pikës në sy. Bar shkumëz bar sapuni. Bar shpatëz (lat. Potentilla) bimë barishtore me gjethe të përbëra pesëshe, me lule të verdha pesëpetalëshe. Bar shpërgëtie (lat. Anagallis arvensis) bar i së paemrës. Bar shpirre Helmëz. Bar shpretke (lat. Ruta graveolens) Ryzë. Bar shqiponje (lat. Digitalis ambigua) bimë barishtore shumëvjeçare e helmët, me kërcell të drejtë e me push, me gjethe të gjata, me lule të verdha si këmborë. Bar i shtërgjisë (lat. Aegaopodium podagraria) bimë barishtore shumëvjeçare deri një metër e lartë, me kërcell të drejtë pa palcë, me gjethe treshe të dhëmbëzuara dhe lule ombrellore; gjethet e së cilës përdoren për mjekimin e cermës dhe të thata përdoren si erëz. Bar shtrige (lat. Lycopodium) bimë enëzore si myshku. Bar i shtrirë (lat. Equisetum) KëputjeII. Bar shtroje (lat. Corrigiola litoralis) bimë barishtore njëvjeçare me degë deri njëzet e pesë centimetra gjatësi, të shtrira përdhe, që vetëpllenohet brenda lules së mbyllur. Bar shurrëgjakeje (lat. Lythrum) bimë barishtore me kërcell të kuq e të gjatë deri një gjysmë metri, me gjethe si të hides e me lule të bardha, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e shurrëkuqes së bagëtive. Bar i shushkave (lat. Celosia cristata) lafshë gjeli. Bar tambli 1. (lat. Taraxacum officinale) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell si qumështorja, me gjethe të holla e të gjata, me gjemba të vegjël si të hithrës, që u jepet si ushqim bagëtive për të shtuar qumështin. 2. (lat. Euphorbia) qumështore. Bar i tamës 1. (lat. Polygonum aviculare) bimë barishtore njëvjeçare e arave dhe e djerrinave me lule të bardha, që ka veti rrudhëse, mpiksëse dhe diuretike. 2. bar guse. Bar telishi 1. (lat. Carex canescens) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të lëmuar e të gjatë mbi një metër, me gjethe shumë të holla si fije bari, me lule si fshesë, që përdoret si ushqim për kafshët dhe për gjelbërim. 2. (lat. Hypericum perforatum) bimë barishtore me gjethe të holla, me lule të vogla të verdha a të merme, që përdoret për mjekim plagësh. Bar teshi 1. (lat. Centaurea alba) bot. Bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të degëzuar, me gjethe pendore të çara në bazë dhe me lule të purpurta, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e teshit a të shpërgëtisë. 2. (lat. Hypericum perforatum) bimë me kërcell gjer gjashtëdhjetë centimetra të lartë, me lule të verdha dhe me erë si të balsamit, balç. Bar teshtitjeje (lat. Achillea ptarmica) bimë barishtore, me gjethe të dhëmbëzuara imët dhe me tufa lulesh të bardha. Bar tëmthi (lat. Lilium Martagon) bimë barishtore me kërcell deri pesëdhjetë centimetra të lartë, që nxjerr një tufë lulesh në trajtë piramide, me ngjyra të merme, të bardha, të kuqe të ndezur ose ngjyrë trëndafili a të zeza, me gjethe të përkulura heshtake e që shtohet me qepujka. Bar tërfoni (lat. Lysimachia) bimë barishtore zbukurimi me kërcej të shtrirë përdhe që zënë rrënjë, me gjethe të vogla dhe me lule të verdha të vogla. Bar i trashë (lat. Hyoscyamus) madërgonë, kruspulluk. Bar tufak (lat. Centaurium umbellatum) bimë barishtore dyvjeçare deri pesëdhjetë centimetra e lartë, me kërcell të degëzuar, me gjethe të përkundërta, me tufë lulesh pesëpetalëshe ngjyrë trëndafili në majë, që përdoret si bimë mjekësore për gastritin dhe për sëmundje të mëlçisë. Bar turreci (lat. Aloprecurus pratensis) bimë barishtore shumëvjeçare e livadheve me kërcell deri njëqind centimetra të lartë e me kalli cilindrik. Bar të thekmi (lat. Polygonum aviculare) bar pate. Bar thëllëze (lat. Mercurialis) 1. bimë barishtore njëvjeçare ose shkurre shumëvjeçare e helmët, me lule të vogla, të gjelbra, pa petla e të mbledhura në kalli, me gjethe të mëdha, që kanë një lëndë ngjyruese. 2. thërroke, xerxele. Bar thiu trikë. Bar i thyer (lat. Euphorbia) bimë barishtore me gjethe të këmbyera me lule të vogla, të verdha, të mbledhura tufë në formë çadre, me kërcell që nxjerr një lëng të bardhë si qumësht; rryell. Bar uji maraskë. Bar urdheje (lat. Sedum acre) rrushqyqe. Bar urithi bimë barishtore e fushave me kërcell e gjethe si të zymbylit, me lule ngjyrëvjollcë, që e pëlqejnë bletët. Bar urovi (lat. Galium) bimë barishtore ose zbukurimi me kërcell gjembak, me gjethe të përveshura dhe me tufa lulesh të bardha. Bar i uzos (lat. Dictamnus albus) bimë barishtore shumëvjeçare e lartë deri gjashtëdhjetë centimetra, me lule të bardha në trajtë piramide në majë të kërcellit e me gjethe si të frashrit. Bar vedre bimë barishtore me lule ngjyrë blu, me gjethe të renditura në dy anët e një kërcelli dhe me erë të këndshme si ajo e rozmarinës. Bar Venetiku (lat. Phalaris arundinaceae) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell deri dy metra të lartë, me gjethe heshtake të blerta ose me ngjyra të tjera, me kalli si të elbit, që shtohet me rizoma të trasha. Bar i verdhë helmëz, kuskutë. Bar verdhëze (lat. Thalictrum minus) bimë barishtore me kërcell që shtrihet përtokë, me gjethe të bardheme, që bën kokrra si lende të verdha dhe që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e verdhëzës. Bar vese bimë barishtore njëvjeçare e lartë deri një pëllëmbë, me lule në ngjyrë të kaltër, që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e sëmundjes së lëkurës të shkaktuar nga vesa. Bar veshi (lat. Sempervivum tectorum) bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe të tulta e me lule ngjyrë trëndafili, që rritet zakonisht në mure të vjetra e mbi çati dhe që përdoret në mjekësinë popullore për shërimin e plagëve dhe të sëmundjeve të veshit. Bar vreri 1. (lat. Asplenium trichomanes) lloj fieri me gjethe pendore që del në gurishte. 2. krahin. bimë barishtore e lartë deri pesëdhjetë centimetra, që del në tufa nëpër shkëmbinj; kërcelli i kësaj bime që lëshon një lëng qumështor, i cili përdoret si bimë mjekësore për pastrimin nga vreri. Bar zemre 1. (lat. Gentiana lutea) sanëz, agnushe. 2. (lat. Aristolochia rotaunda) bimë barishtore e lartë deri në shtatëdhjetë centimetra, me rrënjë të trasha e të tulta, me kërcell të padegëzuar, me gjethe të përkundërta në trajtë zemre, me lulesë si gyp, që lëshon erë të keqe. Bar i zgjebes (lat. Centaurea scabiosa, Scabiosa atropurpurea) bimë barishtore njëvjeçare ose shumëvjeçare, me kërcell të degëzuar e të gjatë deri një metër, me gjethe të dhëmbëzuara, me lule si gjysmërruzull në ngjyrë trëndafili, vishnjeje a të bardhë, që përdoret në mjekësinë popullore kundër zgjebes ose për të ngjyer. Bar zogu (bar zogjsh) 1. (lat. Ruppia maritima) lloj luleje me ngjyrë të verdhë dhe me erë të mirë, sana detare. 2. (lat. Stellaria) bimë barishtore njëvjeçare me lule të vogla të bardha me dhjetë petla, që mbin në vjeshtë dhe lulëzon e farëzon njëkohësisht. Bar zonje (lat. Teucrium polium) shkurre e ulët e viseve mesdhetare, me lule të vogla të bardha ose ngjyrë trëndafili e me gjethe të vogla.
3. Bimë me veti të caktuara. Bar helmues.
4. fig. Gjë pa shije, ushqim si kashtë; gjellë që s'ka fare kripë. Sikur po ha bar.
♦ Bar i egër keq. njeri a diçka tjetër që dëmton ose që është i padobishëm; njeri pa vlerë e i keq; bar i keq. Bar në ferra njeri i mirë, por në kushte të këqija a të rrezikshme. Me bar e me gjethe gjithçka; me të gjitha ç’kam; kokë e këmbë. Bar i keq keq. e metë, ves a koncept i dëmshëm, që pengon mbarëvajtjen e punës; ai që ka të meta, vese a koncepte të tilla, njeri i keq; bar i egër. Bar i qullur njeri i paaftë, njeri pa asnjë vlerë; pushkë e lagur (dyfek i lagur) mospërf. Sa bari i tokës shumë, pa masë, pa fund; sa dushk e bar; sa rëra e detit. I është bërë bari sa *hanxhari (dikujt) keq. U bë *mullar bari (dikush). E bëri bar kënete (dikë) e shkatërroi, e shkretoi, nuk i la gjë prej gjëje; ka mbetur në këmishë (dikush); fle në lëkurë të arushës (dikush); (e la) pa plëng e pa shtëpi (pa cak). E bëri të hante bar (dikë) përb. e mposhti për turp, e mundi keq; e vuri poshtë. I ka dalë (i ka mbirë) bari (në faqe) (dikujt). 1. shih e ka mbuluar bari (dikë). 2. Ka shumë kohë që po pret e u mërzit; i doli mjekra. 3. (diçkaje). Është tepër vonë për të bërë diçka. Digjet bari i njomë nëpër të thatin shih shkon i njomi me të thatin. Sa *dushk e bar. Fluturon me një *fije bar (dikush) përçm. Ha bar (dikush). 1. Është shumë i varfër, gjendet në vështirësi të madhe ekonomike, bën sakrifica të mëdha për të jetuar. 2. Nuk i kupton gjërat, nuk di si janë punët, nuk kupton ç’bëhet; nuk është i zgjuar; gënjehet lehtë, ia hedhin të gjithë; është i trashë nga mendja; ha kashtë. I dha barin e ballkotit (dikujt) krahin. shih ia mori mendtë (dikujt). Nuk kullot bar (dikush) nuk ia hedh dot, nuk është budalla; nuk ha bar. S’e lë *hunda të hajë (të kullotë) bar (dikë) tall. I ka mbirë bari një *pëllëmbë (dikujt). I ka mbirë bari *sipër (dikujt). I ka mbirë bari mbi *varr (dikujt). I ka mbirë (i ka zënë) magjja bar (lëndinë) (dikujt) është shumë i varfër, është në vështirësi të madhe ekonomike, nuk i ka mbetur gjë për të jetuar; s’ka as hi në vatër (dikush); s’e mbush barkun me bukë (dikush); ka mbetur pa brumë në magje (dikush); i ushtojnë hambarët (dikujt). Mbledh me bar blete mbledh, zakonisht në shtëpi, një shumicë njerëzish të ndryshëm, duke i joshur me diçka, i tërheq me diçka. E ka mbuluar bari (dikë) ka vdekur prej kohësh; është tepër vonë tashti; ia ka mbuluar varrin bari (dikujt); i ka dalë (i ka mbirë) bari (në faqe) (dikujt). Ia ka mbuluar varrin bari (dikujt) shih e ka mbuluar bari (dikë). I mbushet bahçja me bar edhe në dimër (dikujt) shih i lulëzon (i lulon) bahçja (edhe) në dimër (dikujt). Prit *gomar të mbijë bar! iron. Ç’i shtie bar! (dikujt) përb. ç’ia var!, mos u merr me të!; nuk e meriton ta shohësh as si bagëti. I ka vajtur bari një *metër (dikujt) keq. Më zuri goja bar jam fare vetëm, s’kam me kë të ndërroj dy fjalë; më zuri goja erë. I ka mbirë (i ka zënë) magjja bar (lëndinë) (dikujt) është shumë i varfër, është në vështirësi të madhe ekonomike, nuk i ka mbetur gjë për të jetuar; s’ka as hi në vatër (dikush); s’e mbush barkun me bukë (dikush); ka mbetur pa brumë në magje (dikush); i ushtojnë hambarët (dikujt). Zë *peshk në bar (dikush). I zëntë shtëpia bar! (dikujt) mallk. i vdekshin njerëzit e shtëpisë!, u shoftë me gjithsej!; iu shoftë pragu! mallk.
BARASPÉSH/Ë,~A f. 1. fiz. Gjendje në prehje a e pandryshuar e një trupi kur mbi të veprojnë forca të kundërta e të barabarta; ekuilibër, balancë. Baraspesha e një lëngu (e një trupi të ngurtë). Vë në baraspeshë. Baraspeshë dinamike gjendje në të cilën një numër procesesh veprojnë njëkohësisht për ta mbajtur një sistem të pandryshuar. Baraspeshë e paqëndrueshme gjendje në të cilën veprimi i një force e ndryshon baraspeshën. Baraspeshë e qëndrueshme baraspeshë në të cilën çdo shmangie vë në veprim forca që e kthejnë sistemin në gjendjen e mëparshme. Baraspeshë statike gjendje e pandryshueshme.
2. Peshë e barabartë në dy a më shumë anë; ekuilibër; (edhe fig.). Baraspeshë e forcave gjendje në të cilën dy forca veprojnë barabar ndaj njëra-tjetrës. I vë në baraspeshë.
✱Sin.: ekuilibër, terezi, balancë, ajar.
BASHKINVEST/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. Investoj së bashku e njëkohësisht me dikë tjetër a me të tjerë për të ndërtuar, për të zhvilluar diçka etj. Do të bashkinvestojmë për ujësjellësin e ri.
BASHKINVESTÚES,~E mb. 1. Që investon së bashku e njëkohësisht me dikë tjetër a me të tjerë. Bisnesmenë bashkinvestues. Kompani bashkinvestuese.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Bashkinvestuesit ndanë fitimet sipas marrëveshjes.
BÁSHKË ndajf. 1. Në të njëjtin vend, në të njëjtin grup; puqur, pranë njëri-tjetrit; kund. veç. Të gjitha bashkë. Rrimë (punojmë, ecim) bashkë. Mblidhemi bashkë. I përziej bashkë. I bëj bashkë i bashkoj. I vë (i lidh) bashkë. Nuk vihen bashkë delja me ujkun. (fj. u.). S’flenë dot bashkë zjarri dhe kashta. (fj. u.). Bashkë me të thatat digjen dhe të njomat. (fj. u.).
2. Në lidhje njëri me tjetrin, jo veç e veç, bashkërisht; njëri me tjetrin, njësh, grumbull, tok; kund. ndaras. Të lidhur bashkë. Jetojmë bashkë. I ndajmë bashkë. Duhen bashkë. E filluam bashkë. - Të gjithë bashkë përherë, se bashkimi bën fuqinë! Të mirat s’vijnë gjithmonë bashkë. (fj. u.). Ikën dita me mëngjes bashkë. (fj. u.).
3. Në të njëjtën kohë, njëkohësisht, njëherazi, njëherësh. Flasin bashkë. Arritën bashkë. Kemi mbaruar bashkë shkollën. Bën disa punë bashkë. Bashkë me të gjithë. Ne ecnim bashkë. Na nisën të dyve bashkë, / Në atë udhë të gjatë, / Ku s’ka ditë po vetëm natë. (folk.). Bashkë kuvendojmë e nuk merremi vesh (e ç’themi nuk kuptojmë). (fj. u.). Bashkë flasim, veç dëgjojmë. (fj. u.).
✱Sin.: bashkërisht, njësh, grumbull, tok, njëkohësisht, njëherazi, njësh, njëzaj, njëherësh, përnjëherë, përnjëherësh, menjëherë, njësisht.
♦ S’i bën dy bashkë (dikush) s’është i zoti të kryejë një punë, s’ia del dot në krye; s’bën as një gjë të lehtë. Kur të bëhen dy *ditë bashkë! iron. Nuk bën dy *fjalë bashkë (dikush). Kemi ngrënë një *barrë kripë bashkë. Kemi ngrënë një *furrë bukë bashkë. Kemi ngrënë një *hambar miell bashkë. Kemi ngrënë një *thes me kripë bashkë. I kanë *pipëzat (pipat) bashkë. S’lë dy *gurë bashkë (dikush). Nuk lidh (dot) dy *fjalë bashkë (dikush).
BASHKËJETÉS/Ë,~A f. 1. Të jetuarit së bashku me të tjerë në marrëdhënie të caktuara; të jetuarit si bashkëshortë e një mashkulli me një femër, pa lidhur kurorë me njëri-tjetrin; të jetuarit së bashku nën një strehë si pjesëtarë të një familjeje; bashkëqenie. Bashkëjetesa e burrit me gruan. Bashkëjetesë e ndaluar. Zgjidhje të bashkëjetesës sonë të ardhshme. Rregullat e bashkëjetesës. Vende bashkëjetese hotelet, konviktet etj.
2. Të qenët njëkohësisht e bashkë me të tjerë a me diçka tjetër, jetesa bashkë me dikë a me diçka tjetër. Bashkëjetesa dhe fqinjësia. Bashkëjetesë paqësore. Bashkëjetesë idesh.
BASHKËJET/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Jetoj së bashku me një tjetër a me të tjerë në marrëdhënie të caktuara; jetoj si bashkëshort me një vajzë pa lidhur kurorë me të; jetoj si bashkëshorte me një burrë pa lidhur kurorë me të; jetoj së bashku nën një strehë si pjesëtar i një familjeje. Bashkëjetonin si burrë e grua. Bashkëjeton me prindërit. Bashkëjetojnë pa martesë.
2. Jam njëkohësisht e bashkë me të tjerë a me diçka tjetër, jetoj bashkë me dikë a me diçka tjetër. Dy rryma të kundërta filozofike që bashkëjetuan gjatë.
BASHKËSUNDIMTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT libr. Ai që ka dhe që mban pushtetin njëkohësisht me një tjetër, ai që sundon së bashku me një tjetër. Kishte qenë bashkësundimtar me të atin. Kërkonte një bashkësundimtar nga jashtë familjes së tij.
BASHKËSUNDIMTÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET libr. Ajo ka dhe që mban pushtetin njëkohësisht me një tjetër, ajo që sundon së bashku me një tjetër. E kurorëzuan si bashkësundimtare. E njohur si bashkësundimtare që e mbajti gjatë pushtetin.
►BASHKËSUND/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR libr., vet. v. III 1. vetv. Sundohet njëkohësisht me dikë tjetër. Principata bashkësundohej nga dy princër.
2. pës. e BASHKËSUNDÓJ.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë