Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►DÚHEM jovep., DÉSHA (u), DÁSHUR 1. vetv. Dua dikë dhe ai më do mua, më lidh me të një ndjenjë dashurie, miqësie e dhembshurie; e kam dhe më ka njeri të dashur a të shtrenjtë, shok a mik të ngushtë. Duhen shumë me njëra-tjetrën. Duheshin si vëllezër (si motra).
2. vetv. Bie në dashuri me një njeri të seksit tjetër. Duhej me një vajzë. Duhej me një djalë. Duheshin prej shumë kohësh. U deshën dhe u martuan.
3. vetv., kryes. v. III Është i nevojshëm, hyn në punë për diçka, shërben,. Duhet punë (qetësi, kujdes). Duhet shi (pleh, ajër). Duhet një njeri i aftë. I duheshin ca të holla. U duhen vegla pune. U desh shumë kohë. A duhem me këtu unë? Ç'ndihmë duhet? S'kanë ç'na duhen fjalët.
4. Përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale përpara një foljeje në lidhore a përpara pjesores për ta paraqitur si të detyrueshme, si të nevojshme, si të domosdoshme atë që shpreh folja. Duhet mbaruar shpejt. Duhet thënë se... Duhet ta bëjmë patjetër. Duhet të arrijmë sot. Duhet të ngulim këmbë.
5. Përdoret si folje gjysmëndihmëse me vlerë modale përpara një foljeje në lidhore a përpara pjesores, me kuptimin “ka shumë mundësi, ka shumë të ngjarë, mundet”. Duhet të jetë shkruar para shumë kohësh. Duhet të ketë qenë edhe ai. Duhet ta ketë kuptuar.
6. pës. e DÚA.
✱Sin.: dashurohem, nevojitet, lypset, kërkohet, mundet, do, vlen, vyen, meriton.
♦ S’ka ç’të duhet! nuk të përket ty kjo punë, s’është puna jote, mos u merr me këtë punë.
HË,~NI pasth., bised. 1. Përdoret kur duam të nxitim dikë për një veprim, kur duam t’i japim zemër dikujt etj. dhe i përgjigjet kuptimit të fjalëve “jepi!, forca!, nisja!”. Hë, fol! Hë de, fillo tani! Hë, se e bën ti! Hë, djalë i mbarë, shko tani! Pa hë, na e trego tani! Hë, edhe pak! Hëni more! Po hëni de, se na zuri nata!
2. Përdoret për të forcuar një urdhër a një qortim. Hë, ulu tani! Hë, rri këtu! Hë, mos fol! Hë, mos luaj nga vendi! Hë, mos çaj kokën! (bised.)
3. Përdoret kur shprehim habi, zemërim, kënaqësi a pakënaqësi ose një ndjenjë tjetër (ironi, tallje, mospërfillje etj.) për dikë a për diçka. Hë, ç’paska qenë ai! Hë, po të më bjerë në dorë edhe një herë. E po, hë de, këtë doja unë. Hë, kur të vij këtu do ta rregulloj mirë! Hë, se e di unë! Hë, sa mirë ta bëri! Hë ç’ngatërresa më ka nxjerrë! Hë, s’të pëlqeu?! Hë, ç’na the! Hë, mos u tall! Hë, më qafsh!
4. si pj. Përdoret në fjalitë pyetëse për të përforcuar pyetjen; përdoret kur bëjmë një pyetje me njëfarë dyshimi, habie etj. Hë? Si the? Hë, e more? Hë, si të doli? Ç’u bëre de, hë? Pse me shikon kështu, hë? Të vjen keq, hë? Nuk do, hë? Hë pra, ç’kërkon? Po ti, pse i mban anën, hë?
5. Përdoret për të forcuar një mohim a një kundërshtim, kur ngulim këmbë për diçka etj. S’dua të vete, hë! Nuk e bëj, hë! S’vij me ty, hë! Për inatin tënd, hë!
6. si pj. Përdoret kur shprehim një veprim që shtyhet, që pritet të ndodhë nga dita në ditë a nga një çast në tjetrin; përdoret kur shprehim një veprim që mezi bëhet. Hë sot, hë nesër. Hë ta hap këtu, hë ta kap atje. Hë të bjerë andej e hë të bjerë këtej. Hë aty, hë këtu.
7. si ndajf. Përdoret e përsëritur me kuptimin «ca nga ca» (sidomos në tregimet e përrallat popullore). Hë, hë, arritën. Hë, hë, shkuan vite.
8. si lidh., krahin. Ose... ose, ja... ja. Hë e bëka, hë s’e bëka, ata nuk e besojnë më. Hë vjen, hë nuk vjen, ai duhet lajmëruar.
✱Sin.: jepi, forca.
INSTALÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur instaloj diçka ose kur instalohem diku. Instalimi i motorit (i makinerisë). Instalimi i elektrikut (i ujit). Bëj instalimin.
2. Vegël, aparat, makineri, pajisje etj., që është vendosur diku; tërësi veglash, aparatesh etj. në një fabrikë, në një laborator a në një ndërtesë të vendosura sipas punës që kryejnë; ngrehina së bashku me pajisjet. Instalime elektrike (hidraulike, industriale, ushtarake). Instalime nëntokësore. Instalim i përkohshëm (i përhershëm, i posaçëm). Instalimet e centralit (e minierës). Shkatërroj instalimet.
3. Vendosje a ngulitje diku për të jetuar e për të punuar.
✱Sin.: vendosje, ngulim, ngulitje, qëndrim, pajisje.
KOLONÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Vend i pushtuar dhe i varur ekonomikisht e politikisht prej një shteti tjetër më të fuqishëm, por që ruan njëfarë pavarësie.
2. Ngulim emigrantësh jashtë atdheut; vend a krahinë e populluar nga kolonë. Kolonitë e shqiptarëve në dhe të huaj.
3. biol. Grup mikroorganizmash, qeniesh të gjalla, kandrrash etj., që jetojnë së bashku. Koloni milingonash (algash, koralesh).
MÝK/Ë,~A f. Pjesa e trashë e një mjeti prerës në të kundërtën e tehut, ana që nuk pret; pjesa e prapme e sqeparit, e sëpatës etj., e trashë dhe e sheshtë, me të cilën ngulim gozhdët, rrahim pykat a goditim diçka tjetër; qyrë, tun. Myka e thikës (e shpatës). Myka e kazmës (e shatës). Myka e sëpatës (e sqeparit). I ra (e goditi) me mykë. Ia nguli sëpatën gjer në mykë. Myka e di sa e fortë është gozhda. (fj. u.) ai që e bën punën e di se ç’vështirësi ka ajo.
♦ Ia ktheu nga myka (dikujt) nuk kujdeset, nuk shqetësohet e nuk pyet më për dikë, s’do t’ia dijë më për të; i ktheu krahët. I pret edhe myka (dikujt) i shkon fjala për çdo gjë, nuk ia kthejnë kurrë fjalën, s’ia bëjnë fjalën dysh; çfarëdo që të thotë, ia besojnë. Shkojnë mykë e pykë shih shkojnë si qeni me macen. I vajti në mykë (për diçka) iu tek për diçka dhe e do patjetër, është djegur a është tharë për diçka, s’duron dot pa të, i hipi (kryesisht për ndonjë ushqim, për duhan etj.).
NGÚLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Veprimi kur ngul diçka apo kur ngulem diku; kund. shkulje, çngulje. Ngulja e shtyllave (e hunjve). Ngulja e gozhdëve. Ngulja e gjilpërës. Ngulja mbi libra në sezonin e provimeve.
✱Sin.: futje, rrasje, mbjellje, ngulje, fiksim, mbërthim, hyrje, vendosje, ngulim, ngulitje, rrënjosje, përqendrim, përcaktim.
VENDBANÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Vendi ku banojnë njerëzit për një kohë të gjatë, fshati a qyteti ku dikush ka banesën e tij; qendër banimi. Vendbanim i përkohshëm (i përhershëm). Me vendbanim të qëndrueshëm (të paqëndrueshëm, të panjohur). Vendbanim i lashtë (i hershëm). Vendbanim i ri. Vendbanim ilir. Ndërroi vendbanimin.
2. Zonë me karakter urban ose zonë me karakteristika të qytetit; tokë bujqësore dhe vendbanime të tjera të cilat janë të shpallura ligjërisht zona hapësinore për banim.
✱Sin.: banim, ngulim, horë, plëng, katund, troje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë