Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NGRÉH/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Tërësia e trarëve që ngrihen nga muret e shtëpisë deri te kulmi dhe që shërbejnë si mbështetje e çatisë. Ngreha e shtëpisë (e çatisë). I vë ngrehën shtëpisë.
2. arkit. Tërësia e pjesëve prej druri, prej hekuri etj. që përbëjnë skeletin e një ndërtese, skelet. Ngrehë metalike. Ngrehë mbajtëse. Ngrehë çatie.
3. anat. Tërësia e eshtrave të një frymori, skelet, eshtëri.
✱Sin.: pandë, skelet, eshtëri, strukturë.
SKELÉT,~I m. sh. ~E, ~ET anat. Tërësia e eshtrave që përbëjnë mbështetjen e fortë në trupin e njeriut dhe të kërbishtorëve të tjerë; eshtrat e një pjese të trupit. Skeleti i njeriut prehistorik ishte ekspozuar në muze. Skeleti i kalit (i qenit) ishte në laborator. Zbuluan vetëm skeletin e kokës. Zbuloi një skelet.
2. Shtyllat, harqet dhe pjesët e tjera më të forta e më të qëndrueshme, në të cilat mbahen e mbështeten pjesët e tjera të një ndërtese, të një mjeti a të një pajisjeje tjetër dhe që përcaktojnë trajtën e përgjithshme. E montuan skeletin metalik. Skelete anijesh. Skeleti i aeroplanit ishte një masiv metali.
3. Mbeturinat e një ndërtese, të një mjeti ose të diçkaje tjetër që është prishur a djegur, duke ruajtur vetëm tiparet kryesore. Skeleti i aeroplanit të rrëzuar. Skeletet e makinave të djegura. Kishte mbetur vetëm skeleti.
4. Kornizë, rreth. Skeleti i dritareve u vendos në godinën e re. Skeletin e syzeve e kishte prej metali të mirë.
5. bujq. Skeleti i tokës, pjesa e tokës që përbëhet nga gurët, zalli dhe rëra e trashë. Ishte një terren me skelet të ashpër.
6. fig. Ajo që shërben si pikënisje a si mbështetje për të ndërtuar diçka; vijat kryesore, sipas të cilave hartohet një vepër letrare, një studim etj. Skeleti i ushtrisë së ardhshme do të ishin këto reparte. Po përpiqej të hartonte skeletin e romanit. Skeleti i tregimit ishte i mjegullt.
7. fig. Njeri që është dobësuar së tepërmi. Ishte bërë një skelet i gjallë.
✱Sin.: eshtëri, eshtra, ashtëri, ashtërim, skurrjalë, zgorre, kornizë, ngrehë, ngrehinë, armaturë.
♦ Është bërë skelet (dikush) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë