Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NGÓJËZ,~A f. sh. ~A, ~AT Pjesa e hekurt ose nyja e frerit, që i vihet në gojë kalit për ta drejtuar. I vuri ngojëzën kalit.
✱Sin.: mëgojëz, ngoje, ngojcë, gojëz, fre, ujezë.
♦ Ia hoqi ngojëzën (dikujt) e ka lënë të lirë e ai mund të bëjë ç’të dojë, mund të dëmtojë a t’i bëjë keq dikujt, të marrë diçka që s’është e tij e të sillet lirisht; ia lëshoi litarin; kund. i vuri ngojëzën. I vuri ngojëzën (dikujt) e pengoi që të mos bënte dëme e të mos i bënte keq njeriu, e ndaloi të merrte diçka që s’ishte e tij e të sillej lirisht; ia mblodhi litarin; kund. ia hoqi ngojëzën.
PËRFL/ÁS vep., ~ÓLA, ~ÓLUR kal. 1. Flas keq për dikë, e marr nëpër gojë, flas prapa shpine, e përgojoj. I përflitnin gojët e liga. E shanë dhe e përfolën. Le të flasin e të përflasin sa të duan!
2. E qortoj dikë për diçka duke i veshur një faj, një punë jo të mirë etj. E përfolën si ngatërrestar.
3. Ia zë ngoje dikujt një të mirë që i kam bërë, ia kujtoj kur kam nevojë për të. I përfliste ndihmën e dhënë.
4. Përsërit diçka; ia them dikujt tjetër atë që di, ua tregoj të tjerëve. Mos e përfol atë që u tha aty!
5. etnogr. Mallkoj a truaj pa zë, zakonisht një fëmijë, që të mos i ecë mbarë shëndeti etj. Ia kanë përfolur çunin.
✱Sin.: përgojoj, them, përheq, qortoj, përmend, përsëris, mallkoj.
►PËRF/LÍTEM jovep., ~ÓLA (u), ~ÓLUR 1. vetv. Zihem me fjalë me dikë, bëj fjalë me të, shamatohem, grindem. U përfolën ashpër (rëndë).
2. vetv., vet. v. III Bëhet shumë fjalë për diçka; zihet ngoje një ngjarje, një lajm etj., flitet, hapet fjala se... Përflitej në pallat (në lagje, në shkollë) se...
3. pës. e PËRFLÁS.
✱Sin.: shamatohem, grindem, zihem, përmendem, përgojohem, nëpërgojohem.
ZË vep. ZÚRA, ZËNË kal. 1. E kap me dorë a me diçka tjetër; e prek, e rrok dhe e shtrëngoj dikë a diçka; kund. lëshoj. Zë lopatën (kazmën). Zë dorezën e derës (degën e pemës). Zë me dorë (me dhëmbë, me mashë). Zë për dore (për këmbe, për krahu, për fyti, për veshi, për flokësh, për faqesh). E zuri në gushë (dikë) e përqafoi. E zuri për mënge (për jake). Zuri kokën me duar. E zuri kalin për freri. E ka zënë keq (ligsht). - Zëre, se ra! Si t’ia zërë dora pa i zgjedhur; mbarë. Kush ka zënë për fyti ujkun, s’ka si trembet nga qentë. (fj. u.). Nuk zihen thëngjijtë pa nxirë gishtërinjtë. (fj. u.). E pa, por s’e zuri. (fj. u.). Edhe baltë po të zërë, i bëhet flori. (fj. u.).
2. I bie mbi të papritur dhe e mbuloj tërësisht a pjesërisht; e kap papritur dhe e dëmtoj dikë a diçka, duke i rënë përsipër, duke kaluar mbi të a duke e shtrënguar fort; dëmtoj diçka duke e futur a duke e vënë pa dashje te një vegël a te një send që mbyllet, nën një send që bie etj. Zura dorën. I zuri dera gishtin (rrota këmbën, makina krahun, trari dorën). E zuri shtëpia (tavani) brenda. Zuri batanijen nën vete. E zuri nën të. I zuri poshtë.
3. Kap të gjallë një njeri, një kafshë etj. duke e ndjekur a duke e përgjuar dhe e mbaj; shtie në dorë një njeri, një kafshë etj.; kap. E zunë të gjallë (të plagosur). E zunë rob. Zunë një kriminel (një vjedhës). Zë peshk (flutura, zogj). E zuri me lak (me çark, me grep, me dorë). U arratis, po e zunë. E zunë fshehurazi (me zor). Qeni zuri një lepur. Macja zuri një mi. - Zëre, se iku! - Në e zënça, do t'ia tregoj qejfin! Me dorën e botës zënç kokën e gjarprit! (mallk.). Dhelpra që fle, nuk zë pula. (fj. u.). Ç’ka zënë ujku, s’e kap gjarpri. (fj. u.).
4. edhe jokal. E mbërthej, e qep a e ngjit diçka, që të mbahet mirë e të mos bjerë; kap a lidh flokët ose diçka tjetër; vet. v. III qëndron, mbahet; ngec. Zë me gozhdë (me gjilpërë, me pe). Zë flokët. Zë kopsën e këmishës. Zë fijen e çorapit. Ka zënë mirë. Ngjitësja nuk zuri.
5. edhe jokal. Prek dikë a diçka, ndesh; takoj në diçka, has diku; arrij të mbështetem diku. Këmbët i zunë në tokë. I zuri këmba dhe. Varka zuri në rërë. Çengeli zuri dhe. Anija zuri fundin e detit. Rrotat zunë mirë në tokë. I zuri këmba vend e vuri këmbën mirë në tokë, shkeli plotësisht. Dora i zuri në diçka të butë. Zuri sharra në gozhdë.
6. Zbuloj dikë që është duke kryer një veprim të dënueshëm, e kap në gabim a në faj; kap në befasi, gjej. E zuri në faj (në gabim). E zuri në befasi. E zuri brenda në shtëpi. E zuri në fjalë e kapi dikë kur thoshte diçka të kundërt me atë që dëshironte të vërtetonte. - Të zura!
7. E gjej dikë a diçka të papërgatitur a në një gjendje të vështirë; e gjej dikë në një gjendje të caktuar (të mirë a të keqe), në një vend të caktuar etj.; gjej. E zuri ngushtë (keq.). E zuri të papërgatitur. E zuri në gjumë. Duajt i zuri shiu në fushë. I zuri ngrica pemët me lule. E zuri dëbora bagëtinë në mal. Sivjet dimri na zuri me të gjitha të mirat në shtëpi. Vjeshta e zuri në Korçë. I zuri nata (mëngjesi, vapa) në rrugë. I zuri stuhia në det. Të zëntë viti gëzuar! (ur.). Mos e zëntë moti! (mallk.). Mos e zëntë darka! (mallk.). Kë zë dielli pa larë, s'i vete puna mbarë. (fj. u.). Po të thanë “Nadja e mirë!”, ik se të zuri nata. (fj. u.).
8. Pësoj diçka, vuaj një pasojë nga veprimi i dikujt a i diçkaje; bie në një gjendje të caktuar në rrethana të caktuara, më pushton a më kap diçka. Na zuri shiu (breshri, bora). E ka zënë dielli shumë. E ka zënë qymyri (gazi). E zuri korrenti. E zuri grerëza (zekthi). E zuri gjumi (edhe fig.). E zuri frika (tmerri, paniku, ankthi). E zuri belaja (halli, e keqja, kusuri, taksirati). E ka zënë malli (mërzia, dashuria, meraku). E zuri turpi (inati). I zuri gazi (të qeshurit). Na zuri me të, s'kemi ç'të bëjmë. I zuri rakia (vera). E zuri deti (aeroplani, makina). E zuri gjaku. E zuri lemza (egjra). E zuri sëmundja (gripi, rrufa, lija, ngërçi). E zuri koka (barku, kolla, dhëmballa). E zunë ethet (të prerat, të dredhurat). I zuri haku i popullit. I zuri buka e fukarasë. Ç'e zë njeriun e nuk e duron? E zëntë gjarpri! (mallk.). S’ka gjë që e zuri njeriun e s’e hoqi. (fj. u.).
9. Arrij në një vend të caktuar e rri aty, vendosem diku; ngulem diku e s'luaj; marr me përpjekje diçka, e shtie në dorë, e pushtoj një vend; arrij një nëpunësi, vihem në një pozitë; hipi në një detyrë (edhe fig.). Zuri vend pranë dikujt u ul. - Zër vend! ulu! Zuri kryet e vendit. Zë shumë vend. Zuri një qoshe. Zuri majën e malit. Për tërë natën zuri Pukën. Zuri kurbetin. Zuri pritë (pusi). Zuri llogoren (qafën, grykën). Zunë qytetin (fshatin, kodrën). Zumë pozicionet e armikut (vijën e sulmit). Zuri pozita kyçe. Zuri një vend në ministri. Zuri vend të mirë (vendin e parë, vend nderi) në klasifikim. Zuri vendin që i takon. Ua zuri dhomën me plaçka. Më në fund zuri vend (dikush) u ngul në një punë. Çdo gur do të zërë vendin e vet. (fj. u.).
10. E marr diçka për të kryer një punë, e marr me qira; e pajtoj; e caktoj, e zgjedh ose e porosit me kohë, më parë se të tjerët. Zuri një dhomë (një vend) në hotel. Zuri hotel. Zunë një taksi. Zë një vend në teatër. Zë për një natë (për një muaj). Kishte zënë njëzet argatë.
11. E mbyll, nuk lë të përdoret për kalim, pengoj lëvizjen nëpër diçka; mbush një hapësirë a diçka tjetër, që të mos e lë të lirë, të mos punojë etj.; pengoj shikimin, dritën etj., nuk lë që të duket; fig. e mbush me një veprimtari një kohë të lirë ose një kohë të caktuar për diçka tjetër. Zë vrimat. I zuri rrugën (shtegun). Zë veshët (sytë, gojën). I zë diellin (dritën). E zuri mullirin e ndaloi. Zë grykën e shishes. Zë pikat e çatisë. Ky mur na zuri sytë. Retë e zunë diellin. E zuri me trup. Rrugën e ka zënë dëbora. Ua zuri zilet me bar. E ka zënë derën përbrenda. I zëntë sytë! (mallk.). I zuri frymën. Zë ujin në arë. Ua ka zënë fëmijëve kohën e lirë. Ditët e parashikuara për ujitje, meqë ra shi, i zunë me punë të tjera. Pilafi i botës të zë grykën. (fj. u.).
12. Arrij ta kap dikë a diçka që niset a që ecën para meje ose arrij të takohem me të; e arrij, e kap. E zuri trenin (autobusin). E zuri topin. E zuri në rrugë. E zuri me vrap (me biçikletë, me makinë). E zuri para se të nisej. Nuk e zë dot. E zuri në klasë të tretë. Bora zë borën. Zë buka bukën. Zë puna punën. Zë muaji muajin (viti vitin). Zë e reja të vjetrën. Fjala zë fjalën. Asnjë shtëpi s'e zinte bukën nuk arrinte ta siguronte bukën për tërë vitin. Bujk i thonë atij që i zë e reja të vjetrën. (fj. u.).
13. E kap dhe e shfrytëzoj si duhet kohën, rastin etj., nuk e lë të me ikë; arrij një kohë, një moshë etj. a me arrin një kohë, më vjen; mbushet, plotësohet një periudhë kohe. E zuri rastin. E zuri kohën e humbur. I zuri të tetëdhjetat. E zuri java në dyshek. E zuri pleqëria. Para se ta zinte mëngjesi. Po të hash mirë në mëngjes, zë darkën.
14. edhe jokal. Filloj, nis; kap, marr. Zuri shiu (breshri, bora, era). Zunë një këngë (një valle). Zuri një punë (një lojë). Zë punë. Zuri vrapin. Zuri shoqëri (miqësi, dashuri) me dikë. Zuri zanatin e babait. Ka zënë rrugë të keqe. Zunë luftën me armikun. E ka zënë ters. Dimri e ka zënë me të egër (me të keq, me të butë). Para se të zërë bora. Sa s'kanë zënë shirat. Që atëherë zunë brengat e hidhërimet. Nuk zë punë me dorë nuk punon fare. - Mbaroje këtë që ke zënë! Nuk di nga ta zë fillin nuk di ç'të bëj më parë, jam në mëdyshje. E zuri nga bishti një punë e nisi një punë së prapthi. S'ka zënë ende këmbët s'ka filluar të ecë. Molla kur piqet, mushti zë e digjet. (fj. u.).
15. vet. v. III I bie, e rreh (shiu, era etj.); e mbulon (ujët etj.); arrin ta përfshijë a ta kapë. Shtëpinë e zë dielli nga tri anë. Këtë vend nuk e zë era. Këtë arë e zë uji. Atje i zinte lumi shpesh. Disa vende s'i kishte zënë shiu. Sa më zë syri shumë larg, deri aty ku arrin të shohë syri.
16. vet. v. III E kap, e përfshin (një ligj, një vendim a detyrim, një ndarje administrative etj.). E zë ushtria (shërbimi ushtarak). E zë ligji. Nuk i zë urdhëresa. E zuri amnistia (falja). E zë rrethi i Tiranës. E zë plani rregullues i qytetit. I zë arsimi nëntëvjeçar. Zë një periudhë të gjatë historike. Të lashtat zënë një sipërfaqe të madhe. E zinte gjaku (etnogr.) i binte të merrte gjak për një vrasje.
17. vet. v. III Përbën. Zë numrin (shifrën) dyqind. Gratë zënë rreth 45 %. Shpenzimet zënë një peshë të madhe. Peshën kryesore të prodhimeve e zë gruri.
18. E qëlloj me diçka, i hyj me të rrahur; më bie, më qëllon, më godet. E zunë me gurë (me grushte, me domate). Plumbi s'e zuri mirë. Sa mund t'i zinte shigjeta. E hidhnin gurin dhe ku të zinte.
19. bised. Mbreh në parmendë (qetë etj.); i vë shalën a samarin për herë të parë kalit, mushkës etj. Zuri kaun me një ka tjetër. Zuri qetë në parmendë (në kular). - A e ke zënë mushkën?
20. vet. v. III Vishet, mbulohet a mbushet me diçka; formon diçka përsipër a brenda, lëshon, vë. Qumështi zuri ajkë. Lumi ka zënë akull. Plaga ka zënë kore (dregëz, qelb). Xhamat kanë zënë djersë. Oxhaku ka zënë blozë. Dollapi ka zënë pluhur. Buka ka zënë myk. Pushka ka zënë ndryshk. Dhoma ka zënë merimanga. Sytë i zunë perde. Duart i kanë zënë kallo (flluska). Qeni ka zënë pleshta. Djathi ka zënë shtrepa. Krevati ka zënë çimka. Mollët (dardhat) kanë zënë krimba. Ara me grurë ka zënë bar. I zuri gjuri (shpatulla) ujë. Mishi ka zënë erë mishi është qelbur.
21. Hyj në marrëdhënie të mira me dikë dhe e afroj, e bëj dikë të afërt. E zuri mik (shok). Ka zënë shumë miq (shokë) të mirë. E zuri dhëndër.
22. bised. Fejoj vajzën a djalin, i gjej nuse djalit a i gjej burrë çupës. E ka zënë vajzën. I zuri një nuse të mirë djalit. E ka zënë burrin vetë.
23. E quaj, e vlerësoj; e numëroj, e llogarit, e marr për... S’e zinte për gjë. S'e zë këtë lojë. Po e zëmë se fitove. Zëre se arrite. Zëri të humbura ato para. Edhe ato ia zuri në llogari. Ato vite nuk i zë fare. Nuk e zë në hesap (në numër) nuk e përfill. - Këto s’po t’i zë. - Për sylesh e zë ti atë? Kësmeti s’vjen vetë, po nuk e zure, nuk të zë. (fj. u.). Gjëja e shtrenjtë zë më lirë. (fj. u.).
24. jokal., vet. v. III Mbin (fara, rrënja a fidani i mbjellë); trevon (shartesa); bën kokrra a fryte bima; bëhet me barrë, merr (femra). Zuri lulja (druri, pema). Kumbullat (mollët) zunë mirë. Ulliri zë me vështirësi. S'kanë zënë të gjithë fidanët. Shartimi ka zënë mirë. Bimët kanë zënë rrënjë. Drurët zunë farë. S'ka zënë lopa (delja). Gruri zuri bukë. Qepët nuk kanë zënë kokë. S'kanë zënë krahë zogjtë s'u kanë dalë ende krahët.
25. Përgatit duke i hedhur maja, fare etj.; bëj, ngjesh, gatuaj. Zë bukën (brumin). Zë kosin (djathin). E zuri qumështin kos. Miellin e zuri brumë. Sa të zë një çikë brumë, pastaj ble edhe një furrë. (fj. u.).
26. Nxjerr fitim a të ardhura nga diçka a duke shitur diçka, fitoj, marr; kërkoj si çmim kur shes diçka, i mbaj. Zuri para të madhe. - Sa të zë muaji këtu? Zunë shumë të ardhura. Zuri 50 kv. për ha. Ia zuri shtrenjt (lirë). - Me sa ta zuri?
27. edhe jokal., vet. v. III Merr flakë, ndizet. Zë zjarr. Zjarri zuri mirë. Eshka mezi zuri. Nuk më zuri masati.
28. vet. v. III Më vret e më bën plagë. E ka zënë këpuca. E zuri gozhda kalin. E kishte zënë samari. Kali e di vetë se ku e zë samari. (fj. u.).
29. Filloj, nis (si folje gjysmëndihmëse së bashku me një folje tjetër). Ka zënë të flasë (të qeshë, të lexojë, të shkruajë, të mendojë, të bërtasë). Zuri të ecte (të vraponte, të largohej). Zuri të tallej. Zuri të vishej. Zuri të zbardhte (të frynte, të ngrysej, të ftohej moti). Zuri të binte shi (dëborë). Dielli zuri të perëndonte. Kali ka zënë të çalojë. Zë e bërtet (tregon, pyet, këndon). Zënë e dalin. Zë e tundet toka. Misri sa ka zënë të mbijë. Zuri të duket puna. Zuri të merret me punë. Kur nis e vjetrohet sita, zë e lëshon krundet. (fj. u.).
30. bised. Puth; takoj. I zuri dorën (dikujt) ia mori dorën dhe ia puthi. I zë këmbën i puth këmbën (edhe fig.). E zuri për dore e takoi në dorë.
✱Sin.: kap, mbërthej, kllapos, përqafoj, rrok, pushtoj, zaptoj, zates, mbush, mbyll, tapos, vulos, bllokoj, pres, plotësoj, vulos, arrij, përfshin, përmbledh, pllakos, nxjerr, ngjesh, mpiks, populloj, filloj.
♦ Ra *qielli dhe e zuri (dikë). Kë të *lë e kë të zë. Kë të zë e kë të lë s’di nga t’ia nis më parë, s’di ç’është e vlefshme, s’di ç’të zgjedh më parë; keq. të gjithë njësoj janë, si njëri dhe tjetri; kë të lë e kë të zë. E zuri *afti (i dikujt). Zë *barkun. I zë *besë (dikujt a diçkaje). Më zuri (u ndodha) *bosh. Zuri *brumë (dikush). E zuri *buka (ime) (dikë). Zë (mbaj) *brinjët me dorë. E zuri në *cak (dikë) keq. Zuri *cergë (dikush). Ka zënë *cerga (dikush a diçka). Zuri *cifël (dikush) krahin. Zë (mbyll) *të çarat. I zë *çelën (dikujt). Më zuri (më hyri) *data. E zunë me *daulle (dikë). Ia zë *derën (dikujt). Zë *dorë (me dikë). I zë (i kap) *dora (dikujt). S’e zë (s’e kap) me *dorë (diçka). Ç’të më zërë *dora. Ka zënë *dregëz (plaga). E zunë *të dridhurat (dikë). Zuri *dyshekun (dikush). Më zënë *të dhemburat. S’ta zë *dhëmbi (diçka). E ka zënë *egjra (dikë). S’i zuri *eshka (dikujt) iron. E zunë *ethet (dikë). E zunë *të ëmblat (dikë) euf. Zë *fill (diçka). Ia zë (ia kap) *fillin (diçkaje). Ia zuri fjalën në *gojë (dikujt). Zë (bën, ngre, gjen) *fole (diçka). Të zëntë frymën (diçka) mallk. vdeksh! Ia zë *frymën (dikujt). E ka zënë *furra (dikë) shaka. Zuri një *furrik (dikush). Të zëntë *fytin! mallk. E zuri (e kapi, e mbërtheu) për *fyti (dikë). Të zëntë grykën! mallk. E zuri (e kapi, e mbërtheu) për *gryke (dikë). Më zuri goja *bar. Më zuri goja *erë. E zë në (me) *gojë (dikë a diçka). Ia zë (ia mbyll) *gojën (dikujt). Ia zë (ia mbyll) *grykën (dikujt) keq. E zë në *gushë (dikë). Ia zuri *gjak (jetën). Zuri (hëngri, kafshoi) *gjuhën (dikush) përçm. Nuk më zë *gjumi (për diçka). Zuri *hendekun (dikush) përb. Më zuri *hera. Ma zë (ma kap, ma ndien, ma heq) *hunda (diçka). E zuri (e kapi) për *jake (dikë). Zuri jatakun (*shtratin, krevatin) (dikush). E zuri (e kapi) *kalemi (dikë). Zuri (gjeti) *karar (dikush a diçka). Ia zuri (ia lidhi) *këmbët (dikujt a diçkaje). Zuri *këmbën (e dikujt). I zuri *këmbën (dikujt). S’e zë *këmba. E zuri (e kapi) për *këmishe (dikë). Zuri *këndin (dikush). Më zuri *koka. I zë koka në *tavan (dikujt). Ka zënë *kore (plaga). Ka zënë *krimba (dikush a diçka). Sa për të zënë *kryqet. E zuri (e futi) në *lak (dikë). E zuri (e kapi) ndër *lakra (dikë). Zuri *ledh (dikush). Zuri *ledhin (dikush) përb. E zuri *ledhi (dikë) iron. Më zuri *lemza. Zuri *lepurin (dikush) shaka. E zë *lesa (dikë). Ka zënë *lëng (dikush). E ka zënë *majasëlli (dikë) tall. E zuri (e bëri) *mat (dikë). Zuri (vuri) *mend (dikush). S’e zë *meraku (dikë). Zuri (vuri) *merak (në diçka). Të kap (të zë) për *mënge (dikush). E zuri *e mira (dikë). Ka zënë *myk (dikush). Ka zënë *ndryshk (dikush). Zë *ngoje (dikë a diçka). E zuri *ngushtë (dikë). S’e zë (s’e vë, s’e shtie, s’e fut) në *numër (dikë). Nuk e zë *ora (sahati) (dikë a diçka). E zuri (e kapi) për *palltoje (dikë). Zuri *përroin (dikush) përb. E zuri *pisk (dikë). E ka zënë (e ka mbuluar) *pluhuri (diçka). E zunë me *plloça (dikë) keq. Zuri *qafën (zverkun) (dikush) keq. Nuk e zë *qederi (dikë). S’ka ku ta zërë (ku ta kapë) *qeni (dikë). Ra *qielli dhe e zuri (dikë). Zuri *qoshen (dikush). E ka zënë *qymyri (dikë) shaka. E zuri *rakia (dikë). E zunë *rrebet (dikë). E zuri *rrembi (dikë). Më ka zënë (atje) ku s’rrëfehet jam në një gjendje shumë të vështirë, s’di ç’të bëj e nga t’ia mbaj, e kam punën keq; jam shumë ngushtë. Ka zënë *rrënjë (dikush a diçka). E zuri me *rrjetë (dikë). Më zuri *rrota (qerrja) bishtin. Zuri *rruazën (dikush) keq. I zuri *rrugën (udhën) (dikujt). Mos të zëntë *sahati! mallk. Nuk e zë sahati (*ora) (dikë a diçka). Ma zuri (ma kapi) *syri (dikë a diçka). I zuri *sytë (dikujt). Sa të zë (sa të kap, sa të rrok) *syri. Më ka zënë syri *bakër (për diçka). I kanë zënë sytë *balluket (dikujt). Të zëntë *sytë buka! mallk. I kanë zënë sytë *lesh (dikujt). I kanë zënë sytë *mjegull (dikujt). Ia zë *shqyt (dikujt). E zuri në *shteg (dikë). Ia zuri *shtigjet (dikujt a diçkaje). I zëntë shtëpia *bar! (dikujt) mallk. Zuri *shtratin (krevatin, jatakun) (dikush). Ia zë shul (dikujt). E zuri *tartakuti (dikë). Zë (merr) në *thua (dikush). I zuri udhën (*rrugën) (dikujt). E zuri *vala (dikë). Zë *vend. I zë *vend (fjala) (dikujt). I zë *vendin (dikujt). S’më zuri *vend (diçka). S’i zë vendi *vend (dikujt). Zuri *veshin (dikush) tall. Më zuri *veshët (dikush). Zë *veshët (me duar). Më zë (më kap) *veshi (diçka). E zuri (e kapi) nga (për) *veshi (dikë). Zë (mbyll) *vrimat. Zë *zemrën. E zuri *zgjebja (dikë) tall. Zuri *zogun (dikush) shaka. Zuri zverkun (*qafën) (dikush) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë