Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NGJALL vep., ~A, ~UR kal. 1. Kthej përsëri në jetë dikë që mendoj se kishte vdekur; kthej në jetë një të vdekur, ringjall (sipas besimeve fetare ose besëtytnive). E ngjallën të mbyturin.
2. I jap të hajë sa të shëndoshet mirë (për kafshët); e majm. I ngjallin me brumë (me misër). Ushqim që ngjall derrat.
3. fig. Risjell në mendje a në kujtesë gjëra të kaluara ose të largëta. Ngjall kujtime. Më ngjall nostalgji për fëmijërinë.
4. fig. Bëj që të lindë a të përftohet te dikush një ndjenjë, një gjendje shpirtërore e caktuar; i zgjoj përsëri, ringjall. Ngjall ndjenjat kombëtare. I ngjall besimin në vetvete. I ngjall shpresat (dëshirën).
5. fig., vet. v. III Shkakton, bëhet shkak për të lindur a për t’u shfaqur diçka. Ngjall interes (kureshtje). Ngjall diskutime (kundërshtime). Ngjalli entuziazëm. Ngjall pakënaqësi (armiqësi). Ngjall habi (frikë, dyshim).
6. bised. Shëroj. E ngjalli mjeku.
✱Sin.: ringjall, ngjalloj, shëndosh, mbruj, majm, fryj, nxis, ngacmoj, ndez, këndell, çoj, ndjell, zgjoj, rizgjoj, ringjall, krijoj, bëj, shkaktoj, shëroj.
♦ Më ngjall (më shtie, më kall) *krupën (dikush a diçka) përb. Ngjall *të vdekurin nga varri (dikush).
VRAP/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Eci me hapa shumë të shpejtë dhe duke kërcyer, shkoj diku me vrap, përshkoj një vend me vrap; rend. Vrapoi shkallëve. Vrapoi drejt meje. Vrapoi me të katra. Erdhi duke vrapuar.
2. fig., jokal. Nxitoj, shpejtoj shumë për të bërë diçka; e bëj shpejt një punë; rend. Vrapoi t’i vinte në ndihmë. Kush vrapoi, bloi. (fj. u.).
3. sport., jokal. Marr pjesë në garën e vrapimit, merrem me vrapim. Do të vrapojë për njëqindmetërshin.
4. jokal. Lëviz a ecën shpejt diçka (për një automjet, për retë etj.) Vraponte vetura. Vraponin retë. Vrapojnë valët.
5. fig., jokal. Kalon, ikën, rrjedh shpejt, nxiton e s’ndalet (për kohën). Vrapon koha. Vrapon ora. Vrapojnë ditët (vitet).
✱Sin.: rend, ngarend, ngas, nxitoj, shpejtoj, ngjalloj, turrem, bares, grah, sulem, vërsulem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë