Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FTÓHTË (i, e) mb. 1. Që ka temperaturë të ulët, që ka ftohtësi; kund. i ngrohtë; i nxehtë. Ujë i ftohtë. Ajër i ftohtë. Është i ftohtë.
2. Që e mban temperaturën të ulët, i tillë ku njeriu mërdhin. Dhomë (sallë) e ftohtë. Vend i ftohtë.
3. Që ka dalë prej kohe nga furra, që ka kohë që është zier ose është pjekur dhe nuk është më i ngrohtë (për bukën, gjellën etj.) Bukë (gjellë) e ftohtë. Byrek i ftohtë.
4. Që është me ngrica e me acar (për motin); që ka klimë me temperaturë shumë të ulët gjatë gjithë vitit (për vendet); që bën ftohtë. Mot i ftohtë. Klimë e ftohtë.
5. Që e ka temperaturën e zakonshme më të ulët sesa trupi i njeriut (për gjakun e disa kafshëve). Kafshë me gjak të ftohtë.
6. fig. Që nuk tregohet i dashur a i përzemërt me njerëzit e tjerë, që nuk është i afrueshëm me të tjerët; që është shumë i përmbajtur në shfaqjen e ndjenjave; që sillet a vepron me mospërfillje ndaj dikujt a diçkaje, mospërfillës. Njeri i ftohtë.
7. fig. Që nuk ka a nuk shpreh ndjenja të ngrohta e miqësore; që bëhet pa dashuri e pa përzemërsi ose me mospërfillje. Pritje e ftohtë. Përgjigje e ftohtë. Takim i ftohtë.
8. fig. Që nuk të tërheq e nuk të ngjall ndonjë ndjenjë, që nuk të prek shqisat a ndjenjat. Ngjyra të ftohta. Përshkrim i ftohtë.
✱Sin.: i acartë, i akullt, i huaj, i zbarët, i zbaritur, i pandjenjë, i pandjeshëm, mospërfillës, i mermertë, i cingortë, i pandjenjë, i thatë.
♦ Armë e ftohtë armë si thika, shpata etj. U bë për *ujë të ftohtë (dikush). E bëri për *ujë të ftohtë (dikë). Më ranë (më shkuan, më dolën, më mbuluan) *djersë të ftohta. Me *gjak të ftohtë. *Hallvë e ftohtë. E kam barkun (zemrën) të ftohtë. 1. Kam shpresa të pakta për diçka, nuk besoj shumë se do të bëhet diçka; e kam zemrën akull. 2. E ndiej veten si të mpirë, nuk jam i gëzuar, ndihem bosh; vuaj ngase kam pasur shumë fatkeqësi; kund. e kam barkun (zemrën) të ngrohtë. Ka *gjak të ftohtë (dikush). Me *gjak të ftohtë. Luftë e ftohtë luftë politike, ideologjike, ekonomike etj. pa armë. Ka *mendje të ftohtë (dikush). Me *mendje të ftohtë. (E pret) si *ujët e ftohtë (e pakët) (dikë a diçka).*Pilaf i ftohtë përçm. I ka qiqrat të ftohta (me dikë) ka marrëdhënie të këqija me dikë, nuk i pëlqen të ketë punë me të, është i ftohtë e nuk shkon mirë me të. E rreh *hekurin të ftohtë (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë