Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÝDHËT (i, e) mb. 1. I butë, që pritet, që copëtohet a që hahet lehtë, i ndulkët (për pemët, për mishin, për gatesat etj.); që punohet lehtë, i shkrifët, i butë (për tokën); kund. i fortë, i ashpër. Pemë të brydhëta. Dardhë (hurmë) e brydhët. Mish i brydhët. Bakllava e brydhët. Tokë e brydhët. Dhe i brydhët. Sapun i brydhët. Llaçi u zbut e u bë i brydhët.
2. Që nuk është fishkur a nuk është tharë; jo i fortë e jo i ashpër; i butë e i njomë; kund. i tharë, i thatë, i ashpër. Dorë e brydhët. Lëkurë e brydhët. Bebe me krahë e me këmbë të brydhëta.
3. fig. Që nuk ka shumë forcë, që ndriçon pak; i butë, i dobët; kund. i fortë, i fuqishëm, verbues. Dritë e brydhët. Rreze e brydhët. Shkëlqim i brydhët. Flakë e brydhët. Ëndrrat tona janë të brydhëta.
4. Që vjen i dobët e i mekët nga natyra a nga ndonjë sëmundje, i brishtë; kund. i shëndetshëm, i shëndoshë. Trup i brydhët. Fëmijë i brydhët. Me krahë të brydhët.
5. fig. Që është shumë i ri në moshë dhe nuk e ka përvojën dhe forcën e nevojshme për ta përballuar vetë jetën. Djelmosha ende të brydhët.
6. fig. Që preket shpejt, që ndikohet lehtë; që është i mirë, i bindur e i afruar me të tjerët. Fëmijë i brydhët. Tipat e brydhët preken shpejt.
7. fig., mospërf. I squllët, i ngathët. Njeri i brydhët.
BÚTË (i, e) mb. 1. Që nuk të vret e nuk të gërvisht kur e prek, që nuk është i ashpër në sipërfaqe, që të lë ndjesi të këndshme në të prekur; që shtypet lehtë kur e prekim, që është si brumë; që përkulet a përpunohet lehtë (për metalet etj.); kund. i ashpër, i fortë. Lesh (stof) i butë. Flokë të butë. Dyshek i butë. Sustë e butë. Duar të buta. Lëkurë e butë. Miell i butë miell i bluar hollë. Dëborë e butë. Baltë e butë. Tokë e butë. Dhera të buta. Bukë e butë. Djathë i butë. Metale të buta. Sipërfaqe e butë. Tel i butë. I butë si pambuk (si dyllë, si push). Ujë i butë (i lehtë). Ferrë e butë (bot.). Kalbëzim i butë (bot.). Kulpër e butë (bot.). Lahutë (këngë) e butë (muz.). Qiellza e butë (anat.). E bëj të butë. Lapsat e butë shkruajnë trashë. Druja e butë ka më shumë lagështirë nga druja e fortë. Lima e butë të ha trutë. (fj. u.). Konopi (litari) i butë bren gurin e fortë. (fj. u.).
2. Që nuk të vret veshin a syrin, që është i ulët, i shtruar e i ëmbël, që të pëlqen ta shohësh a ta dëgjosh, i këndshëm; kund. i ashpër, i fortë, i vrazhdë. Dritë e butë. Ngjyrë e butë. Tingull i butë. Fjalë e butë. Zë i butë e përkëdhelës.
3. fig. Që preket shpejt, që ndikohet lehtë (për karakterin e njeriut, për sjelljen etj.); që është i urtë, i dashur, i shtruar e i afruar me të tjerët (për njerëzit e për kafshët); që nuk rrëmbehet, që bindet ose që dëgjon kur e këshillojnë; që shpreh dhembshuri e shpirtmirësi; kund. i egër, i ashpër, i vrazhdë. Njeri (prind, tip) i butë. Djalë i butë e i ëmbël. Qengj (qen, kalë) i butë. Me zemër (me shpirt) të butë. U bë (u tregua) i butë. Dele e butë në qafë të ujkut. (fj. u.).
4. fig. Që shpreh butësi, që s’është i ashpër; dashamirës; kund. i ashpër, i rëndë, i vrazhdë. Zë i butë. Fytyrë e butë. Qëndrim i butë. Sjellje e butë. Qortim (dënim) i butë. Kritikë e butë. Urdhër i butë. Mësues i butë.
5. Që s’ka pjerrësi a lartësi të madhe, që ka sipërfaqe jo shumë të thyer; që nuk ka male, fushor; kund. i thyer, i ashpër, i rreptë. Shpat i butë. Kodër e butë. E përpjetë (e tatëpjetë) e butë. Vende të buta. Pamje e butë dhe e bukur.
6. Që është zbutur, që mbahet e rritet nga njeriu në shtëpi a në kushte të tjera të përshtatshme për t’i shërbyer atij; kund. i egër. Kafshët e buta. Derr i butë. Lepur i butë. Pëllumb i butë. Bletë e butë. Mollë (dardhë, kumbull) e butë. Ulli i butë. Gështenjë e butë. Man i butë. Llojet e buta. Lisa të butë. Në gjendje të butë. Ecte rëndë, si ari i butë. Gjuante gjah të egër e gjah të butë. Fikut të butë ia hanë edhe bishtin. (fj. u.). Pema e butë s’bën të egra. (fj. u.).
7. I ngrohtë, i mirë, që s’ka të ftohtë (për kohën, për klimën etj.); kund. i ashpër, i ftohtë, i egër. Mot i butë. Kohë e butë. Dimër i butë. Stinë e butë. Ditë (mbrëmje) e butë. Net të buta. Vende të buta. Klimë e butë, jo e egër.
8. I një grade të ulët, që s’të djeg fytin, jo i fortë (për pijet alkoolike, për duhanin etj.); kund. i fortë. Raki (verë) e butë. Uthull e butë. Duhan i butë. Sapun i butë.
9. I imët, që bie shtruar e pa zhurmë (për shiun). Shi i butë. Shiu i butë të lag e të këput. (fj. u.).
10. I lagur pak, i patharë mirë. Fanella ishte e butë s'ishte tharë mirë. Duajt ishin të butë nga vesa.
11. tek. Që bëhet pa u përplasur, pa u goditur me forcë, që bëhet lehtë e ngadalë (për uljen e avionëve në Tokë, të anijeve kozmike në Hënë etj.). Ulje e butë.
✱Sin.: butak, butëlosh, i shkrifët, i zbutur, i zbrujtur, i squllët, i ndulkët, i brydhët, i ëmbël, i tultë, ajkë, shkumë, i ulët, i shtruar, i këndshëm, i urtë, i qetë, i bindur, i dëgjueshëm, babaxhan, kuvendshtruar, fjalështruar, dashamirës, i lehtë, i shkrifur, fushor, shtëpiak, i ngrohtë, i mirë, i dobët, i ngadalshëm, i imët, i lagur, i qullur, i patharë.
♦ Ia bëri *kurrizin (shpinën) më të butë se barkun (dikujt). *Ethe e butë keq. Me *gjak të butë. Ka shpirt (*zemër) të butë (dikush). E ka shpirtin (zemrën) *të butë (dikush). Ka *zemër (shpirt) të butë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) të butë (dikush) është zemërbutë; ka zemër (shpirt) të butë. *Limë e butë. *Sëmundje e butë iron.
DÚGUR (i, e) mb. 1. I ndulkët, i zbutur në kashtë etj.. Ftonj të dugur. Vadhëza të dugura. Dardhën e dugur e ha derri (breshka). (fj. u.).
2. I zbutur në yndyrë a në lëng. Pite e dugur.
3. I trashur nga trupi; tepër i shëndoshur. Burrë i dugur. Grua e dugur.
4. fig. I pasur, të peshon me flori (me ar). Familje e dugur.
✱Sin.: i brydhët, fice, i ficur, i ndulkët, i zbrujtur, i qullët, i shëndoshur, i majmur, i trashur, i kamur, i pasur.
NDÚLKËT (i, e) mb. Që është pjekur e zbutur pasi është këputur nga pema (për frutat), i ndrydhët, i mbrydhët. Vadhëza (gorrica) të ndulkëta. Dardhë e ndulkët.
✱Sin.: i butë, i pjekur, lloç, llockë, i zbutur, i ndrydhët, i ndulkur, ndulkë, dujkë, i brydhët, i mbrydhët, i zbrujtur, i zbrumur, i ajkosur, fice, i ficur, i squllët, i zhungur, zhungë, cuckë.
PJÉKUR (i, e) mb. 1. Që është zbrujtur e rreshkur në furrë a në zjarr dhe është bërë i gatshëm për t’u ngrënë. Mish i pjekur. Pulë e pjekur. Qengj i pjekur. Patate të pjekura. Gështenja të pjekura. Misër i pjekur. Njëri e do të zier, tjetri e do të pjekur. (fj. u.).
2. Që ka arritur zhvillimin e vet të plotë dhe është i gatshëm për t’u përdorur si ushqim, që është pjekur. Pemë (qershi) të pjekura. Rrush i pjekur.
3. fig. Që ka arritur zhvillim të plotë trupor e mendor dhe ka fituar njohuri e përvojë për jetën, është kalitur etj. Në moshë të pjekur. Djalë i pjekur. Shumë i pjekur për vitet që ka.
4. fig. Që është menduar e peshuar mirë, duke parë thellë të gjitha rrethanat e pasojat e mundshme; që është karakteristik për një njeri me zhvillim të plotë mendor dhe me përvojë në jetë; i matur, i urtë. Vendim i pjekur. Mendime (propozime) të pjekura. Qëndrim i pjekur.
✱Sin.: i arrirë, i bërë, i ardhur, i burrëruar, i rritur, i mushtuar, i matur, i urtë, i mençur, i skuqur, i kaurdisur, miellës, i ndrydhët, i ndulkët, i squllët, i zbrujtur, fice, i ficur, i thekur, i rreshkur, i tharë, i përgatitur, i rëndë, i kalitur, i menduar, i thellë, i peshuar, i rrahur, mjekërbardhë.
SHÉG/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT (lat. Punica granatum) 1. bot. Pemë frutore shkurrore deri në pesë-tetë metra e lartë, me degë shumë të dendura dhe me gjethe të vogla heshtore, me lule të mëdha në formë cilindrike dhe strukturë mishtake, me fruta të mëdha lëkurore, në brendësi të ndara në fole që mbushen me kokërrza me ngjyrë zakonisht të kuqe në vishnje, me shije të ëmbël në majhoshe ose të tharta; kokrra e kësaj peme me farat të cilat hahen kur piqen. Shegë e kuqe. Shegë e ëmbël (e thartë). Shegë e butë. Shegë devedishe. Shegë lëkurëkuqe. Lule shege. Lëngu i shegës. Ngjyrë shege e kuqe. Gjel shege (dhomëz shege) një pjesë e kokrrës së shegës, që i ka farat të mbledhura në një vend. I kuq si shegë. Ngjyej me lëkura shege. Me faqe si shegë e pjekur. Faqet i kishte të kuqe si shegë.
2. bot. Kumbull e papjekur që prishet në degë, rrëshegë. Kumbulla nuk mbajti, i bëri shegë.
3. fig. Ajo që gëzon shëndet të mirë. Me faqe si shegë e pjekur. Faqet i kishte të kuqe si shegë. Faqekuq si shegë.
4. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të kësaj bime ose bimë që kanë ngjashmëri me shegën. Shega e egër (lat. Punica granatum spontaneum) shkurre me degë me gjemba e me trung të përdredhur dhe lule të kuqe, me fryt të mbuluar me lëvozhgë të trashë, që ka fara të lëngshme, por të athëta. Shega Sokotran (lat. Punica protopunica) bimë endemike në një ishull afër Jemenit, me një lartësi prej 2-4 m, me lëvore kafe të kuqërremtë, gjethe të errëta e fryt sferik, e cila mendohet se është pararendëse e shegës së butë. Shegëza e ëmbël (lat. Passiflora edulis) fryti i pasionit, fryt tropikal në formë ovale, me një lëkurë të fortë dhe tul të butë të përbërë nga fara plot lëng. Shegëza e ndulkët (lat. Passiflora molissima, Tasconia mollissima) fryti i pasionit në formën e bananes, me ngjyrë të verdhë, që kultivohet gjerësisht në malësitë e Andeve dhe konsiderohet si lule zbukurimi dhe të cilit i hahen edhe frutat.
✱Sin.: krahnjerr, grathatë, grathatel, boshtër, shtogër, ulër.
SQÚLLËT (i, e) mb. 1. Që është bërë si qull. Amvisa i bëri salcë domatet e squllëta. Frutat e squllëta i hoqën nga arkat që do të shkonin nëpër dyqane.
2. fig. I dobësuar; i rënë, i dobësuar, i sqaqur. Sportisti i moshuar nuk e kishte më trupin si dikur, muskujt e squllët dhe profili i kërrusur ishin pjesë e figurës së tij tashmë.
✱Sin.: i ndulkët, i zbutur, i zbrujtur, i qullët, qull, i brumtë, i baltemë, baltavec, i baltur, i llurbët, i flashkët, qullash.
ZBRÚJTUR (i, e) mb. 1. Që është bërë i butë si brumë, duke u përzier me ujë a me një lëng tjetër e duke u ngjeshur ose duke qëndruar në kushte të caktuara; që është zbutur, i zbutur, i ndulkët. I zbrujtur nga zierja. I zbrujtur me ujë. Tokë (kore) e zbrujtur. Farë e zbrujtur. Dardhë e zbrujtur. Me duar të zbrujtura. - Mos përto, djalo, / Hiqe që atje, / Se nuk ke ç'e do të zbrujtur. (folk.).
2. fig. I vrarë nga diçka; i butë, i dobët, i ligështuar. Me fytyrë të zbrujtur. Me zë të zbrujtur. Gjendje e zbrujtur. Të gjithë e kishin vënë re si dukej i zbrujtur.
✱Sin.: i brumëzuar, i butë, i zbutur, i dyllëçitur, i bryllët, i ndulkët, i zbrumur, i squllur, i baltur, i brumtë, i mbrydhët, i ligështuar, i dobësuar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë