Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMEBIÁZ/Ë,~A f., mjek. Sëmundje që shkaktohet nga ameba dizenterike, shpesh pa simptoma, që shkakton diarre ose dizenteri të rëndë; infeksion akut ose kronik që përhapet përmes ujit ose ushqimeve të ndotura dhe që shfaqet në formën e pezmatimit të mukozës së zorrës së trashë. Amebiaza akute (kronike).
AVULLPASTRÚES,~I m. sh. ~, ~IT tek. Pajisje që përdor avullin për të pastruar dhe dezinfektuar sipërfaqe të ndryshme, pa përdorur kimikate. Avullpastrues mekanik. Avullpastrues elektronik. Avullpastrues për zonat e ndotura.
DORËFËLLÍQUR mb. 1. Që i ka duart e fëlliqura e të ndotura. Mos e prek ushqimin me duar, o njeri dorëfëlliqur!
2. fig. Që bën punë të fëlliqura a të pandershme, që merret me punë të ulëta e të ndyra. S’e dua në punë, është dorëfëlliqur dhe i pabesë.
3. si em. m. e f. sipas kuptimeve të mbiemrit. S’ia hanë bukën dorëfëlliqurës!
LÉCK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Copë e vogël, e grisur a e prerë nga një rrobë (zakonisht e vjetër); rreckë, zhele. Lecka të vjetra (të ndotura, të fëlliqura). Leckat e kukullës. Top prej lecke. Dyshek me lecka. Qilim prej lecke. E lidhi me leckë. Mori (fshiu) pluhurin me leckë. E lan dyshemenë me leckë. Zë vrimat me lecka. I hoqi (i shkoi) një leckë dyshemesë.
2. kryes. sh. Rroba të vjetra e të grisura, rrecka. Vishej me lecka. 1 vareshin leckat. I hoqi leckat.
3. fig. keq. Diçka fare pa vlerë, njeri a gjë që ka humbur çdo vlerë. Iu duk vetja leckë. - Leckë fare është!
✱Sin.: rreckë, lëpendër, rezhdë, zhele, laskare, lëvere, rragnicë, skutinë, shtupë, sukull, shufël, vrigull, zhelaman, zarbë, zhelinë.
♦ U bë leckë (rreckë) (dikush) i ra vlera sa e tallin të gjithë; u poshtërua e s’i mbeti më asnjë vlerë; humbi çdo vlerësim; u bë lëvere; iu bë fytyra lëvere (dikujt); u bë paçavure; u bë zhele; u bë brashnjë krahin.; është bërë legen; u bë qole tall.; u bë blozë. E bëri leckë (rreckë) (dikë) e shau rëndë një njeri, s’i la gjë pa thënë; i rrëzoi çdo vlerë, e poshtëroi; bëri lëvere; e bëri zhele; e bëri paçavure; e bëri për një lek; e bëri për pesë (për dy) para; e bëri palaço; e uli (e rrëzoi) përtokë. Ia hodhi leckat në *erë (dikujt) përb. Ia dha leckat në *dorë (dikujt) mospërf. Me lecka e (me) pecka shih me laçka e (me) plaçka. Ngriti (mblodhi) leckat (rreckat) (dikush) mospërf. u shpërngul nga një vend i detyruar prej dikujt, u mbart në një vend tjetër pa dëshirën e vet e duke marrë me vete gjithçka; ngriti (mblodhi) rraqet; mblodhi cergat. Ia ngriti (ia mblodhi) leckat (dikujt) mospërf. 1. E shpërnguli dikë me zor në një vend tjetër, e detyroi të ikte, e përzuri nga një vend, e dëboi. 2. E hoqi nga një punë a nga një detyrë që nuk e meritonte, e përzuri nga puna; ia dha leckat në dorë. Ngriti (mblodhi) leckat (dikush) përçm. vdiq; shkoi me të shumtët; i bëri këmbët baras. S’i ngjitej leckë në trup (dikujt) ishte shumë i varfër; ishte copë e arne; s’kish ku ta zinte qeni (dikë). I qeshin edhe leckat (dikujt) është i gëzuar, kënaqet me atë pak gjë që mori; i qesh fytyra. *Top lecke mospërf.
NDÓTUR (i, e) mb. 1. Që është ndotur, që është fëlliqur me diçka, i fëlliqur, i papastër; kund. i pastër, i pastruar, i çndotur. Rroba (këpucë) të ndotura. Rrugë të ndotura. Me duar të ndotura.
2. Që është i dëmshëm për jetën e gjallë për shkak të lëndëve kimike, të mbeturinave të industrisë etj. Ujëra të ndotura. Ajër i ndotur.
✱Sin.: i ndyrë, i ndotë, i pistë, i zhyer, i papastër, beribat, i fëlliqur, i përlyer, i përdhosur, i laturisur, i llackosur, i llagavitur, i llangosur, lapangjoz, lastrok, zhelaman, i lyer, i zgjyrosur, i qelbur, gërbulaq, trokë, i prishur.
QILÍM,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Shtrojë e endur leshi, pambuku etj., me ngjyra e zbukurime, që vihet mbi dysheme. Qilim me thekë. Qilim i vogël. Qilim muri. Shtroj (hap, ngre, mbledh, shkund) qilimin.
2. fig. Shtresë e pandërprerë dhe e butë që mbulon një vend. Qilim dëbore. Qilim bari. Qilim lulesh. Qilimi i gjelbër fusha e futbollit. Qilim ndotës (bot.) shtresë veshtullore në fund të ujërave të ndenjura dhe të ndotura.
ZHÁRG/Ë,~A f. kryes. sh. ~A, ~AT 1. Këpucë të vjetra e të grisura, që nuk qëndrojnë mirë në këmbë dhe zvarriten kur ecim; brashnja; zhabërdina, zhabllaqe. Hiqte zvarrë zhargat. I ishin bërë këpucët zharga.
2. Rroba të vjetra, të grisura e të ndotura. I vareshin zhargat në trup. Ishin veshur me zharga.
3. fig. shar. Vajzë a grua e ligë e gojështhurur, shkatarraqe, që sillet poshtë e lart. Mori për grua një zhargë.
✱Sin.: brashnja, zhabërdina, zhabllaqe, shkarpa, shkatarraqe, e përdalë.
ZHÉL/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Copë e shqyer që varet nga një rrobë e vjetër. I vareshin zhelet.
2. kryes. sh. Rroba të vjetra, të grisura e të ndotura; rreckë, leckë. Vishej me zhele. Kur ruan vathë e dele, ha djathë e nuk vesh zhele. (fj. u.). Me gjumë e me zhele ngopesh kurdoherë. (fj. u.). Dimër e zhele mos lyp. (fj. u.).
3. fig., bised., keq. Njeri a diçka që nuk ka asnjë vlerë, leckë; njeri që merret nëpër këmbë nga kushdo, ai që shkelet me këmbë nga të tjerët. Mos u merr me zhelet! Zhele fare është. Iu duk vetja zhele. Para tij ai është zhele. E bëri zhele (dikë) e shau rëndë, s'i la gjë pa thënë, e bëri për pesë para.
4. si mb. I vjetër, i grisur dhe i ndotur (kryesisht për veshjet). Pantallona (këpucë) zhele. Mbante veshur një gunë zhele.
✱Sin.: leckë, rreckë, leckurinë, cergë, cule, cangël, sukull, leskër, cërule, lëvere, zhelinë, vjetërsirë.
♦ U bë zhele (dikush) shih u bë leckë. E bëri zhele 1. (diçka) shih e bëri fërtele1 (diçka). 2. (dikë) e bëri leckë (dikë).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë