Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ZBRES vep., ZBRÍTA, ZBRÍTUR 1. jokal. dhe kal. Zhvendosem nga lart poshtë, shkoj e zë vend diku me poshtë nga ku ndodhem, ulem; lëviz poshtë nëpër një shkallë a nëpër diçka tjetër; kund. hipi, ngjitem. Zbriti nga çatia (nga ballkoni). Zbriti nga kati i dytë (i tretë). Zbriti nga shtylla (nga pema, nga fiku). Zbritën nga kodra (nga mali). Zbritën në rrugë. Zbriti në katin e parë. Zbret në det (në lumë). Zbritën në fushë (në pazar). Zbresin me këmbë (me ashensor). - Zbrit poshtë! - Zbrit shpejt! Pa zbritur mirë. Hip e zbrit nëpër shkallë, i ka dalë gjuha një pash. (folk.). - Shko atje, - i tha plaka, - por mos zbrit në gropë, se të ha kuçedra. (folk.). Hip se të vrava, zbrit se të vrava. (fj. u.).
2. jokal. Ulem shkallë-shkallë nëpër diçka nga një pikë më e lartë në një pikë tjetër më të ulët; shkoj tatëpjetë; kal. ul diçka shkallë-shkallë nga lart poshtë; kund. ngjit, ngjitet. Zbriti majën e kodrës. Rruga zbret butë (thikë). Lumi zbret me ngadalë. Ujërat zbresin me rrëmbim. Zbriti një tatëpjetë të madhe. Zbres një vijë pingule. Zbrita televizorin (frigoriferin, lavatriçen) nga kati i tretë. Shkallët ishin plot me njerëz që hipnin ose zbrisnin. Dynjaja është shkallë-shkallë: ca hypin, ca zbresin. (fj. u.).
3. jokal. Ulem poshtë nga një kafshë a nga një mjet udhëtimi; kund. hipi. Zbriti nga kali. Zbriti nga makina (nga karroca). Zbriti nga anija (nga aeroplani). I zbriti biçikletës. Zbriti në tokë. Prej kali të botës të zbresin në mes të lumit. (fj. u.). Kali i huaj të zbret vrik. (fj. u.). I ligu, po të hipi në shpinë, nuk di të zbresë kurrrë. (fj. u.).
4. jokal. Ulem në hapësirë nga lart poshtë; vet. v. III Ulet a fluturon diçka poshtë; kund. hipi, ngjitem. Zbritëm me aeroplan shumë ulët. Mjegulla kishte zbritur mbi male e fusha (mbi qytet). Dielli po zbriste mbi det. Kanë zbritur shumë retë. Kanë zbritur dallëndyshet e fluturojnë ulët. E zbriti avionin aq poshtë.
5. kal. E vë diçka në një vend më të ulët se aty ku është, e mbart dhe e çoj në një vend më të ulët, e ul poshtë; kund. ngjit, ngre, hipi. I zbriti valixhet nga dhoma. I zbriti librat nga rafti. E zbriti fëmijën nga pema (nga mani, nga dega). E zbritën nivelin e ujit. E zbriti poshtë (në tokë). Deshi ta zbresë tatëpjetë me grua e kalamanj, po u mendua e u pendua. (folk.).
6. kal. E ul dikë a diçka nga një kafshë a nga një mjet udhëtimi, e shkarkoj; e shpie në një vend tjetër më të ulët; kund. hipi. E zbriti nga mushka. E zbriti nga qerrja (nga kamioni, nga treni). E zbriti tufën nga mali. E zbresin bagëtinë nga mali (nga bjeshka). I zbriti dhentë në fushë (në vërri).
7. jokal., vet. v. III Arrin deri në një cak, shkon poshtë deri në një pikë të caktuar, i vjen, i bie. Duart i zbresin deri te gjunjët. Flokët i zbresin gjer mbi supe. Kapela i zbriste gjer te sytë. Dëbora zbriti deri në rrëzë të malit. Kur mendtë shkojnë te maja e flokëve, punët zbresin te maja e këmbëve. (fj. u.).
8. jokal., vet. v. III Arrin në një vend me sulm ose për të sulmuar. Zbritën me sulm deri në gjysmëfushën e kundërshtarit (sport.). Sulmuesit zbritën në portën kundërshtare (sport.).
9. fig., jokal. Ulem nga një detyrë, bie nga përgjegjësia; ulem një shkallë më poshtë; kal. e vë dikë në një detyrë më të ulët, e caktoj në një punë më pak të rëndësishme. Zbriti nga detyra (nga përgjegjësia, nga grada). E zbritën nga drejtor. Zbriti nga kategoria.
10. fig., jokal., vet. v. III Bie, shtrihet e sundon mbi dikë a mbi diçka, pllakos, mbulon. Zbriti mbrëmja. Zbriti vjeshta. Nata zbret e qetë. Një errësirë e dendur zbriti e mbuloi katundin, sa të shponte tjetri sytë me gisht. (folk.).
11. jokal., vet. veta III I ulet niveli diçkaje, bie. Zbriti lumi (liqeni). Zbriti deti. Zbriti zhiva në termometër (në barometër). Zbriti niveli i ujit. Zbriti qumështi (pasi zihet).
12. fig., jokal. Shkoj a dal në një vend ku kam për të bërë diçka. Zbriti në fushën e betejës. Zbritën në rrugë për të kërkuar të drejtat. Skuadrat zbritën në fushë (sport.).
13. fig., jokal. Rrjedh, e kam prejardhjen; vij. Ne zbresim nga ilirët. Ai zbret nga një familje e mirë. Njeriu zbret nga majmuni. Qeniet e larta zbresin nga qeniet e ulëta.
14. edhe kal. E bëj diçka më të vogël, e pakësoj; heq një pjesë nga diçka, e zvogëloj; vet. v. III ulet vlera e diçkaje, bie; zvogëlohet a ulet çmimi i një malli; kund. rrit, shtoj. I zbriti çmimi. Zbriti sheqeri. Zbriti prapë vlera e dollarit. Zbritën kohën e humbur. I zbriti dhjetë lekë. E zbriti nga shuma e përgjithshme. Kryesia zbriti në shtatë vetë.
15. mat., jokal. Bëj veprimin e zbritjes. Nga katra zbrit dy.
16. fig., jokal., vet. v. III Zvogëlohet a dobësohet diçka, bie në një shkallë më të ulët, ulet; pakësohet. Zbriti temperatura. Zbriti të nxehtët (vapa). 1 zbriti zjarrmia (të nxehtët) djalit. I zbritën ethet. Zbriti puna. U bëre hallë, zbrit dy shkallë. (fj. u.). Kur mendtë shkojnë te maja e flokëve, punët zbresin te maja e këmbëve. (fj. u.).
17. fig., jokal., vet. v. III Bëhet më i dobët, i bie forca e vrulli, dobësohet, ulet, zbutet. Zbriti flaka. Zbriti era. Nuk i zbriti vrulli. I zbriti zemërimi (inati). I zbritën nervat. Sa t'i zbresin.
✱Sin.: ulem, bie, varem, shpërvarem, kalavarem, ndorem, zdryp, rusem, pllakos, mbulon, vij, rrjedh, dirgjem, zhdirgjem, rrëzohem, zbutet, zvogëlohem.
♦ *Hip e zbrit. I zbriti (i ra) *damari (dikujt). Zbrit (ulu) nga *fiku! Zbriti nga *fuqia (dikush). I zbritën (i ranë) *kacabunjtë (dikujt). Zbriti (ra) nga *kali (dikush). I zbritën (i ranë) *orët (dikujt). E zbritën (e rrëzuan) nga *piedestali (dikë a diçka) libr. I zbritën (i ranë) *xhindët (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë