Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABLACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Heqje ose largim i diçkaje prej një vendi në vendin tjetër. Ablacioni i pajisjeve.
2. gjeol. Rrëshqitje ose bartje e materialit të thërrmuar shkëmbor nën ndikimin e ujit, të erës, të akullnajave etj.; procesi i zhdukjes së akullit ose borës për shkak të shkrirjes, të avullimit ose të shkëputjes së ajsbergëve. Ablacion i rërës shkëmbore. Ablacioni i akullit (i borës).
3. astr. Procesi i largimit dhe i zhvendosjes së lëndës nga sipërfaqja e një trupi qiellor ose nga një anije kozmike gjatë hyrjes në atmosferë, për shkak të nxehtësisë së skajshme.
4. mjek. Heqje me operacion e ndonjë organi a i një pjese të tij; shkolitje e vetvetishme e një formacioni indor nga tjetri. Ablacion me laser. Ablacion me radiofrekuencë. Ablacioni kirurgjikal. Ablacion i placentës. Ablacion i retinës. Ablacion kardiak.
✱Sin.: heqje, largim, mënjanim, shkolitje, shkëputje, zhvendosje, bartje.
ADHUR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ndiej dashuri, respekt të thellë ose përkushtim ndaj dikujt ose diçkaje; kam ndjenja të forta adhurimi e respektit për një person, për një ide, për një vepër arti ose për ndonjë figurë të shenjtë. Adhuroj lirinë. Adhuroj gruan time. Adhuroj muzikën. Adhuroj detin. Adhuron artin.
2. fet. Nderoj dikë a diçka si perëndi, i përulem e i falem duke e njohur si hyjni me fuqi të mbinatyrshme.
✱Sin.: dua, pëlqej, vlerësoj, admiroj, himnizoj.
AFAZÍ,~A f. Paaftësi ose zvogëlim i aftësisë së të folurit dhe të shprehurit me shkrim ose me shenja, si pasojë e dëmtimit të ndonjë pjese të trurit ose nga një sëmundje që prek pjesë të ndryshme trunore; çrregullim gjuhësor. Afazia tërësore (e plotë) humbja pothuajse e plotë e të folurit. Afazia shprehëse ngecja në shoqërimin e mendimeve përmes fjalës ose shkrimit. Trajtimi i afazisë. Diagnostikim modern i afazisë.
AFSH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Valë e nxehtë ajri që del nga zjarri ose nga ndonjë burim tjetër nxehtësie; rrymë ajri që vjen nga diçka e ftohtë. Afshi i stufës (i furrës). Afsh i ftohtë. Afshi i flakës. Afshi i etheve. Lëshon (nxjerr) afsh. Marr një afsh te zjarri.
2. Frymë e ngrohtë që del nga goja; avull që del nga uji i valë ose nga një lëng i nxehtë; avull, avull uji. Afshi i gojës. Afshi i frymëmarrjes. Afshi i ujit. Afshi i gjellës. Afsh i bukës së nxehtë. Afshi i tokës së lëvruar.
3. Avull kundërmues, erë e fortë që lëshojnë disa lëndë ose sende, duhmë. Afsh i mirë (i keq). Afshi i gjellës (i hudhrës). Afshi i rakisë (i duhanit). Më bie afshi në hundë. Afsh plehu. Afsh gjaku.
4. fig. Ndjenjë ose ndjesi e fortë ngrohtësie dhe emocioni, vrull shpirtëror, zjarr i brendshëm. Afsh rinor. Afshi i dashurisë. Afshi i zemrës (i shpirtit). Afshi i zemërimit. Përftoi me afshin e dritës. Rrëfen me afsh. Afshi i etjes për diçka. Ha me afsh.
5. Ndezje e kafshës në kohën e ndërzimit, të ethjes. Mbush afsh (kafsha). E ka zënë afshi. I iku afshi.
6. Gjendja e tokës kur është e gatshme për t’u mbjellë.
✱Sin.: dëshirë, zjarr, nxehtësi, dëshirë, pasion, vrull.
♦ Me afshin (me ashkun) e zemrës me shpirt, me dëshirë të madhe, me dashuri të thellë; me gjithë zemër; me gjithë shpirt.
AGALAKSÍ,~A f. 1. Zvogëlim ose mungesë e plotë e sekretimit të qumështit të gjirit pas lindjes, si rrjedhojë e faktorëve të trashëguar ose nga ndonjë sëmundje; paaftësi e pamundësi e funksionimit të gjëndrave qumështore. Agalaksi te nënat e reja. Agalaksia te lopët (te dhitë, te dhentë).
2. zool. Sëmundje ngjitëse që zë dhentë e dhitë, që karakterizohet me pezmatime në gji duke hirruar qumështin, me pezmatime edhe në kyçe e në sy. Agalaksi ngjitëse. E zuri agalaksia.
✱Sin.: zbekth, ngalosë, hirrë, hirrëz.
ALARM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Jap alarmin për një rrezik; paralajmëroj për një rrezik a ndonjë ngjarje të papritur që kërkon ndërhyrje të menjëhershme; lajmëroj me alarm. Alarmoj për rrezikun e përmbytjes. Alarmova gjithë lagjen. I alarmoi në mëngjes herët. Alarmuam zjarrfikësit. Alarmova për stuhinë e paralajmëruar.
2. E shqetësoj tepër dikë, i fut frikën me lajme të këqija; frikësoj, tremb dikë; shkaktoj ndjenjë frike ose shqetësimi, shkaktoj panik. Alarmoi gjithë familjen. Alarmova edhe fqinjët.
3. E bëj problem shqetësues edhe për të tjerët, e bëj alarm. E alarmoi policinë. Alarmoi qytetarët.
✱Sin.: paralajmëroj, lajmëroj, shqetësoj, frikësoj, tremb.
AMATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT libr. 1. Ai që është dhënë pas diçkaje me dëshirë e me dashuri, pa e pasur profesion. Amator në pikturë. Amator i fotografisë. Amatorët e radios (e kinemasë). Amator i muzikës popullore.
2. Ai që merret me një lloj sporti ose me një lloj arti pa e pasur si profesion, por duke pasur prirje për të. Amatorët e grupeve artistike. Grupi i amatorëve. Shoqata e amatorëve.
3. Ai që merret me një punë, pa pasur ndonjë përgatitje të veçantë për të; joprofesionist, fillestar. Amator në shkencë. Diskutim i amatorit. Punë e amatorit. Është amator.
✱Sin.: fillestar, diletant, joprofesionist.
AMATÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET libr. 1. Ajo që është dhënë pas diçkaje me dëshirë e me dashuri, pa e pasur profesion. Amatore filmi. Amatoret e radios (e kinemasë). Amatore pikture.
2. Ajo që merret me një lloj sporti ose me një lloj arti pa e pasur si profesion, por duke pasur prirje për të. Amatoret e korit. Shoqata i amatoreve. Festivali i amatoreve.
3. Ajo që merret me një punë, pa pasur ndonjë përgatitje të veçantë për të; joprofesioniste, fillestare.
✱Sin.: fillestare, diletante, joprofesioniste.
ANÁBULL,~A f. sh. ~A, ~AT hist., fet. 1. Vulë, letër ose dokument zyrtar me karakter kishtar, i lëshuar nga Papa ose nga ndonjë autoritet tjetër i lartë kishtar, me përmbajtje urdhëruese, shpallëse apo ligjvënëse. Anabulla papnore. Papa lëshoi një anabull. Anabull plumbi. Në arkivat ruhen anabulla të shekujve të kaluar.
2. hist. Dokument me vulë, për një dekret, për urdhër etj., i lëshuar nga një autoritet mbretëror ose shtetëror. Mbreti lëshoi anabull për të vërtetuar pronat mbretërore.
3. Pllakëz e rrumbullakët metalike, që përdoret si dëshmi ose për dekorim. Në fund të pergamenës varej në anabull plumbi si dëshmi origjinaliteti.
✱Sin.: bullë, vulë, shenjë, myhyr.
ANGARÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. hist. Punë e detyruar pa shpërblim, që bënte fshatari për beun ose për shtetin me krahë dhe me mjetet e kafshët e veta të punës; punë e detyruar pa shpërblim. Angaritë për shtetin. Pesë ditë angari. Bënin angari.
2. fig. Barrë, punë që bëhet pa dëshirë a që nuk të sjell ndonjë kënaqësi; punë e padobishme. Angaritë e shtëpisë. Ia ngarkoi angari dikujt.
ANKÓJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT keq. Njeri që ankohet vazhdimisht, ai që qahet për çdo gjë orë e çast, zakonisht pa të drejtë a për të arritur një përfitim vetjak; qaraman. Është një ankojë e mërzitshme. Është një ankojë e keqe. Moj dhelpër, moj ankojë, shumë armiq zure në gojë! (iron.) thuhet për një njeri që e ka zakon të ankohet vazhdimisht me qëllim që të ketë ndonjë përfitim.
ANËSÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Pjesa anësore e një mobileje të drunjtë, faqe anësore e dollapit; anëse.
2. Thurimë që vihet anash shtratit të qerres, që të mos bjerë ndonjë gjë, kanatet e qerres. I vë anësoret.
3. Pjesë e parmendës, e cila hedh anash dheun që çan plori, veshëz.
4. Rrugëz anës mureve të ndërtesave pak më e ngritur se rruga a oborri. Eci në anësore.
5. sport. Vijë që kufizon fushën e lojës (së futbollit, të hendbollit, të volejbollit etj.) përgjatë gjithë sipërfaqes së saj. Anësoret e fushës.
APLIKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprim kur aplikoj ose kur aplikohet diku a për diçka.
2. Zbatim.
3. Paraqitje e kërkesës për diçka (për punësim, për pozicion pune, për të ndjekur një program studimi në një institucion arsimor ose shkencor, për pranim si anëtar në ndonjë institucion të lartë kombëtar ose ndërkombëtar, për mjete financiare (grante) te ndonjë fondacion, për një leje, për një kurs ose për çështje të tjera administrative etj.). Aplikim në konkursin për punësim. I plotësova kushtet për aplikim. Aplikim për marrje të patentës. Aplikim për pjesëmarrje në festival. Aplikoi për ambasador.
4. Vënie në përdorim (e një metode, një mjeti), vë në funksion (një aparat, një makinë, etj.); vënie në fuqi (e një ligji, e një rregulloreje, e një vendimi, e një urdhri etj.). Aplikim i metodës me elektricitet. Aplikimi i urdhërarrestit. Vendosën për aplikim.
5. Përdorim i diçkaje (i një bari mbi lëkurë, i pikave në sy, etj.). Aplikimi i ilaçit mbi lëkurë. Aplikimi i hidratimit. Nuk bëri punë aplikimi i yndyrës.
APOGRÁF,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Transkriptimi i një dokumenti origjinal; kopjim i një teksti origjinal me shkrim dore; fotokopje e një dokumenti origjinal, zakonisht me shkrim dore. Apografi i “Mesharit”. Apograf i certifikuar i vendimit të gjyqit. Në vend të marrëveshjes origjinale paraqita apografin e saj.
2. Procesi i listimit, i regjistrimit dhe i vlerësimit të pasurisë së personave fizikë ose juridikë për të përcaktuar vlerën e tyre dhe detyrimin tatimor ose për ndonjë kërkesë tjetër administrative. U realizua apografi vjetor i qytetarëve.
✱Sin.: dorëshkrim, transkript.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë