Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►KARGATÍS/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Ndehem a mbështetem pas dikujt a pas diçkaje Kargatisem pas murit.
2. vetv. Shtriqem; ndehem diku. Pas punës së lodhshme u kargatis në divan (në shtrat).
3. edhe fig., vetv., kryes. v. III Pezmatohet a acarohet një plagë, një gjendje a një situatë etj. Kargatiset plaga (sëmundja).
4. pës. e KARGATÍS.
✱Sin.: ndehem, tendosem, shtriqem, mahiset, pezmatohet, acarohet.
NDÉRJ/E,~A f. 1. Veprimi dhe gjendja kur ndej ose kur ndehem. Nderja e rrobave. Nënëmadhja po e mbaronte nderjen. Nderja e dorës (e këmbës). Nderje nervore. Nderja e të gjitha forcave.
2. gjuh. Faza e parë e shqiptimit të një tingulli, gjatë së cilës organet e nyjëtimit tendosen në mënyrë të përshtatshme për të nxjerrë tingullin.
✱Sin.: hapje, ndemje, ngrehje, shtëllitje, ashpërsim, acarim, varje, zgjatje, shtrirje, përhapje, tendosje, shtrim.
NDJEK vep., NDÓQA, NDJÉKUR kal. 1. Shkoj prapa dikujt a prapa diçkaje për ta kapur, i vihem pas për ta zënë ose për ta dëmtuar a për ta asgjësuar. Ndjek ujkun. Ndjek gjakun. Ndjek armikun (keqbërësin). E ndoqi këmba-këmbës. E ndjek nga pas. I ndoqi deri larg.
2. Eci pas dikujt a pas diçkaje që prin, i shkoj prapa pa iu ndarë. Qeni e ndjek të zotin. Ndoqëm udhërrëfyesin. Ndjek gjurmën. Ishte lodhur e nuk e ndiqte dot nga pas.
3. Eci në një rrugë, në një shteg a në një drejtim të caktuar. Ndoqën rrjedhën e lumit. Ndoqën vazhdën e gjurmëve.
4. fig. Zbatoj një mënyrë a një metodë të caktuar, eci sipas ideve a sipas parimeve specifike. Ndjek një rrugë të drejtë (të gabuar). Ndjek një politikë të drejtë.
5. Shoqëroj veprimet e një tjetri, e dëgjoj çfarë thotë ose përsërit atë që bën dikush tjetër. Ndjek fillin e mendimeve të dikujt. Nxënësit ndiqnin leximin e mësuesit. Nuk po më ndjek me vëmendje.
6. fig. Veproj ose sillem sipas shembullit të dikujt, e kam si udhëheqje a si udhërrëfyes; Ndjek këshillat e dikujt. Ndjekin modën. Ndjek shembullin e më të mirëve. Ndoqën rrugën e të parëve të tyre.
7. Lexoj, dëgjoj a shikoj rregullisht veprimtarinë apo aktivitetet e një shkrimtari, gazetari, këngëtari, të një emisioni etj. Ndjek emisionin tim të preferuar. Ndjek dikë në rrjetet sociale.
8. Jam pasues a përkrahës i dikujt a i diçkaje, jam ithtar. Ndjek një rrymë politike (filozofike, artistike etj.).
9. Vështroj diçka që lëviz, e shoqëroj me shikim. Ndjek me sy. E ndoqi deri sa u zhduk nga sytë.
10. Shoh ose dëgjoj një shfaqje, një program etj. Ndjek një ndeshje (një lojë). Ndjek punimet e një konference. E ndoqi deri në fund.
11. fig. Mbikëqyr vazhdimisht për të parë si ecën e si zhvillohet diçka; kujdesem vazhdimisht për mbarëvajtjen e diçkaje, kam përsipër një punë për ta çuar deri në fund; shoh. Ndjek një çështje. Ndjek zbatimin e një projekti. Ndjek ecurinë (frekuentimin) e nxënësve. Ndjek zhvillimin e ngjarjeve. Ndjek me vëmendje (me kujdes, me interesim, me kënaqësi, me padurim, me ankth) diçka.
12. fig. Synoj të arrij diçka. Ndjek një qëllim (një objektiv).
13. Shkoj rregullisht në një shkollë a diku tjetër për të mësuar; vijoj. Ndjek shkollën (kursin). Ndjek mësimet (studimet). Ndjek një trajnim online. Ndjek klasën e parë.
14. bised. Dëboj; përzë. E ndoqën nga puna. E ndoqi nga shtëpia. I ndoqëm pushtuesit e huaj. Ndiqi ato mendime nga koka!
15. jokal., vet. v. III Vjen në radhë pas dikujt a pas diçkaje, pason. Në kapitujt që ndjekin. Bibliografia që ndjek përfundimet, është shumë e pasur.
✱Sin.: ndehem, pilohem, qepem, gjurmoj, ith, shkreh, gjëmoj, nuhurit, hetoj, shoqëroj, dëgjoj, përsëris, veproj, sillem, vijoj, shkoj, pasoj, përkrah, vështroj, sodis, frekuentoj, përcjell, vëzhgoj, vij, shoh, shikoj, mbikëqyr, trajtoj, synoj, dëboj, përzë, shkul, përndjek.
♦ E ndjek në çdo çap (në çdo *hap) (dikë a diçka). Ndjek *gjurmët (e dikujt). E ndjek *gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme) (dikë a diçka). E ndjek *hap për (më) hap (dikë a diçka). E ndjek *hap pas hapi (dikë a diçka). Ndjek një *hulli. As të *prin e as të ndjek (dikush). Ndjek *rrugën (udhën) (e dikujt). Ndjek udhën (*rrugën) (e dikujt).
►NGRÍ/HEMI jovep., ~TA (u), ~TUR 1. vetv. Çohem në këmbë, merr qëndrimin drejt (për dikë që ishte ulur a kishte rënë përdhe); çohem; kund. ulem, rrëzohem. Ngrihem në këmbë. U ngrit nga vendi (nga karrigia). U ngrit nga toka (nga dyshemeja). U ngrit në mbledhje mori fjalën në një mbledhje, duke u çuar nga vendi. Ngrihem nga tryeza largohem nga tryeza, pranë së cilës isha ulur. Mezi ngrihet nga vendi.
2. vetv. Largohem nga shtrati ose nga vendi ku isha shtrirë për të fjetur, zgjohem; lë shtratin pas një sëmundjeje; çohem; kund. bie. Ngrihem herët (shpejt, vonë). Ngrihem që me natë (pa gdhirë). U ngrit i sëmuri nga shtrati (nga dysheku) nuk dergjet më i sëmurë, u shërua. Ngrihet me gjelat ngrihet shumë herët në mëngjes. Kush fle me qenin (me qentë) ngrihet me pleshta. (fj. u.).
3. vetv. Nis të eci, mëkëmbem (për foshnjat). U ngrit fëmija më këmbë. Është ngritur shumë vonë.
4. vetv., bised. Largohem nga një vend, ku banoja ose ku isha vendosur përkohësisht. U ngritën nga Tirana. U ngrit me gjithë familje.
5. vetv., vet. v. III Shton lartësinë; shkëputet nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër dhe ngjitet lart; kund. ulet, zbret. Ngrihen retë. Ngrihen zogjtë. Ngrihet aeroplani (helikopteri, raketa, anija kozmike). Ngrihet nga aerodromi (nga pista).
6. vetv., vet. v. III Shkëputet ngadalë nga një sipërfaqe dhe përhapet në ajër. Ngrihet pluhuri (avulli, mjegulla) nga toka. Ngrihet tymi shtëllunga-shtëllunga.
7. vetv., vet. v. III Shkon më lart nga rrafshi i sipërfaqes, bëhet më i lartë ose më i bymyer; çohet, fryhet. U ngrit toka (vendi). I ngrihej gjoksi. Brumi ngrihet me maja.
8. vetv., vet. v. III Zë një vend duke dalë më lart se sendet e tjera përreth, duket mbi sendet e tjera. Atje tej ngrihet një mal (një kodër, një shkëmb). Anës rrugës ngrihej një përmendore (një lapidar). Ngrihen pallatet shumëkatëshe.
9. vetv., vet. v. III Duket në horizont, si pasojë e rrotullimit të Tokës, çohet, lind, del. Dielli ishte ngritur tashmë në kupë të qiellit.
10. vetv. Drejtoj trupin, pasi kam qenë shtrirë a i përkulur; drejtohet lart diçka që rrinte varur ose ishte e përkulur, merr drejtimin pingul. U ngrit drejt. U ngritën degët pasi i volëm frutat. U ngrit përsëri gruri pas shiut. Më ngrihen flokët (qimet e kokës) përpjetë.
11. vetv. Ngre krye, bëj kryengritje, çohem në luftë; nuk pranoj t’i nënshtrohem më. U ngritëm kundër pushtuesit. U ngrit i gjithë populli. U ngritën i madh e i vogël. U ngritën në revoltë. Një bie, mijëra ngrihen.
12. vetv., vet. v. III I shtohet madhësia, vlera, masa a shkalla, bëhet më i madh, rritet. U ngritën çmimet e frutave. Ngrihet temperatura (shtypja, trysnia). Ngrihet niveli. Ngrihet mirëqenia. Ngrihet në mënyrë të ndjeshme.
13. vetv., vet. v. III I shtohet vrulli ose shkalla e shfaqjes a e zhvillimit, i zmadhohet forca, bëhet më i fuqishëm. Ngrihet ndjeshmëria qytetare. Ngrihet gjendja shpirtërore. Iu ngritën nervat u zemërua, u nevrikos.
14. vetv., vet. v. III I shtohet forca e ndriçimit ose e zërit. Ngrihet drita. Iu ngrit zëri.
15. vetv. Marr një punë a një vend më të lartë se më parë, ngjitem. U ngrit në detyrë (në përgjegjësi). U ngrit lart.
16. vetv., vet. v. III Më rritet vlera ose rëndësia përpara të tjerëve. I është ngritur autoriteti (prestigji).
17. vetv. Fitoj përsëri vendin a gjendjen e mëparshme; përmirësoj gjendjen ekonomike; kund. bie. U ngritën pasi iu rritën fëmijët.
18. vetv., vet. v. III Krijohet, themelohet. U ngrit një grup (një rreth, një organizatë). U ngrit një biznes i ri.
19. vetv., vet. v. III Fillon, nis me forcë. U ngrit një erë e madhe.
20. vetv. E ndërpres a i jap fund një pune, të cilën e kryeja ndenjur. U ngritën nga tryeza (nga buka, nga sofra). U ngrit nga kompjuteri .
21. vetv. Para një foljeje tjetër tregon fillimin e një veprimi a një përpjekje më të madhe për të kryer diçka. U ngrit e vajti (e shkoi). Ngrihet e punon. Ngrihen dhe i flasin shokët.
22. pës. e NGRE. U ngrit flamuri. U ngritën dolli.
✱Sin.: çohem, zgjohem, mëkëmbem, shpërngulem, largohem, ngjitet, bymehet, vjen, grafullon, fryhet, duket, lartësohet, lind, del, rritet, forcohet, fuqizohet, hov, shtohet, hidhem, ngallis, zmadhohet, përmirësohem, krijohet, themelohet, piqem, zhvillohem, hipi, drejtohem, ndehem, brof, mbartem, rritem, madhohet, nis, fillon, bëhet.
♦ U ngrit (doli) nga *balta (dikush). U ngrit nga *dysheku (dikush). Ngrihet (çohet) me një gisht (diçka) është shumë e lehtë, nuk peshon shumë. U ngrit (u çua) në (më) *këmbë (dikush). M’u ngrit *mendja. M’u ngritën (m’u acaruan) *nervat. Ngrihem (çohem) *peshë. I është ngritur *qimja (dikujt). Është ngritur (është ndërtuar, është mbështetur) mbi *rërë (diçka). Më ngrihet *zemra (lart). Më ngrihet (më çohet) zemra *peshë.
►SHTËLLÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Shpërndahet andej-këtej; ngrihet lart si shtëllungë që çmbështillet (për tymin).
2. vetv. Shtrihem sa gjatë e gjerë, ndehem. U shtëllit në bar (në dyshek).
3. fig., vetv., vet. v. III Shtjellohet; zhvillohet. Biseda u shtëllit për kohën e luftës.
4. pës. e SHTËLLÍT.
►TENDÓS/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., kryes. v. III Hapet, nuk rri e mbledhur; ndehet mirë, rri e shtrirë a e tërhequr mirë, nuk rri e lëshuar a e lirshme; kund. shtendosem, lirohem. Tendoset mirë. Tendosen muskujt.
2. fig., vetv. Vë të gjitha forcat, mbledh të gjitha fuqitë për të bërë diçka; shtriqem; kund. shtendosem, tkurrem. Me t’u zgjuar, u tendos i tëri. Tendosen telat (litarët).
3. pës., vet. v. III e TENDÓS.
✱Sin.: hapet, ndehem, shtrihem, shtriqem.
►VÍHEM jovep., VURA (u), VË́NË 1. vetv. E vë veten në një gjendje të caktuar; dal në një vend të caktuar; bie. U vu në një gjendje të vështirë. U vu në një radhë me të tjerët. U vu në krye (në ballë) doli në krye, doli në vijë të parë a në ballë, udhëheq. U vu në bisht mbeti në fund, mbeti prapa. U vu në binarë (në vijë) hyri në rrugë të mbarë.
2. vetv. I përvishem një pune a një veprimtarie me ngulm e me zell, merrem shumë e me gjithë shpirt me diçka, duke pasur një synim të caktuar; i kushtoj kujdes a vëmendje të madhe diçkaje; i përvishem. Iu vunë punës (shkollës, studimit, shkencës). Iu vunë bujqësisë (blegtorisë). Iu vu me mish e me shpirt (me të gjitha forcat).
3. vetv. E ndjek pas dikë pa iu ndarë, i qepem, nuk i ndahem. Iu vu pas. Iu vu këmba-këmbës. Iu vu në shpinë.
4. vetv. I lutem shumë dikujt që të bëjë diçka; i qepem, i vardisem. Iu vunë të vinte për darkë. Mos iu vër shumë! Kot që më viheni, s'vij dot. Iu vu derisa ai pranoi.
5. bised., vetv. Përdoret si folje gjysmëndihmëse përpara një foljeje tjetër në mënyrën lidhore, me kuptimin “nis një punë a një veprim, filloj të bëj diçka”. U vu të ecte. U vu të fliste (të largohej). 6. vetv., vet. v. III Sipas kuptimeve të foljes VË.
7. pës. e VË.
✱Sin.: vendosem, vendoset, qepem, përvishem, vardisem, futem, hyj, kacavarem, ndehem, renditem, radhohem, radhitem.
♦ U vu në *blojë (dikush) tall. Iu vu (iu qep) *prapa (pas) (dikujt). Vihem në një *radhë (në një rresht) (me dikë). Pa u vënë *re. Iu vu në *shpinë (dikujt). U vu në *tragë (dikush a diçka)
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë