Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRAKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur abstraktoj ose kur abstraktohet.
2. Largimi me anë të të menduarit nga vetitë, nga tiparet e nga lidhjet e ndryshme të sendeve e të dukurive konkrete dhe dallimi, veçimi e përgjithësimi i tipareve të tyre më thelbësore; përgjithësim; kund. konkretizim. Abstraktim shkencor. Abstraktim gramatikor. Abstraktim leksikor. Abstraktim kuptimor. Abstraktim matematikor (gjeometrik). Abstraktimi nga e veçanta. Bëj abstraktim.
3. psikol. Përpunim dhe kategorizim i informacionit për të arritur në koncepte më të përgjithshme që përfaqësojnë ide të shumta. Abstraktim psikologjik. Abstraktim i përngjashmimit. Abstraktim i përvojës.
4. filoz. Veçim i koncepteve dhe i ideve themelore për të ndërtuar një kuptim të përgjithshëm për botën; reduktim i përmbajtjeve të shumëfishta për të nxjerrë thelbin e saj. Procesi i abstraktimit. Abstraktim logjik. Abstraktim real. Abstraktim ideal. Abstraktim i thellë. Abstraktim i drejtpërdrejtë. Abstraktim i ideve (i koncepteve, i nocioneve etj.).
5. art. Ikje nga përshkrimi i saktë i formave dhe i ngjarjeve të njëmendta për të krijuar një përvojë më subjektive dhe të lirë të ngjyrave, të linjave dhe të formave. Abstraktim lirik. Abstraktim pamor. Abstraktim i shprehjes artistike përmes ngjyrave.
6. shkenc. Procesi i thjeshtimit të problemeve dhe i zgjidhjeve të tyre duke hequr detajet fizike, hapësinore ose kohore të panevojshme për të krijuar gjedhe ose algoritme më të përgjithshme, më të rëndësishme dhe më të zbatueshme në situata të ndryshme. Abstraktim kompjuterik. Abstraktimi i një programin softuerik.
AEROPLANLÓD/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT Lodër fëmijësh e ndërtuar si aeroplan në miniaturë. Aeroplanlodër me bateri (me telekomandë). Maket aeroplanlodër. Fabrikë për aeroplanlodra.
AEROPLANMBÁJTËS,~E mb., usht. Që është ndërtuar dhe është pajisur për mbajtjen, për ngritjen dhe për uljen e aeroplanëve në të (për anijet). Anije aeroplanmbajtëse.
AEROPÓRT,~I m. sh. ~E, ~ET av. Aerodrom i ndërtuar në vija të caktuara të udhëtimeve ajrore dhe i pajisur për nisjen e për pritjen e udhëtarëve e të mallrave dhe për drejtimin e fluturimeve të aeroplanëve, aerodrom. Aeroport civil (ushtarak). Aeroporti i Tiranës (i Prishtinës, i Shkupit, i Vlorës, i Korçës). Aeroport ndërkombëtar “Nënë Tereza” (“Adem Jashari”).
AKSIOMATIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR filoz., kal. 1. Vë bazën e një dijeje përmes strukturimit të një tërësie aksiomash; ndërtoj ose formuloj një teori, një sistem ose një përmbledhje konceptesh mbi bazën e aksiomave. Aksiomatizoj një sistem aksiomash për ekologjinë. Asokohe u aksiomatizuan ligjet e termodinamikës. Aksiomatizoi parimet etike për një teori morale.
2. logj., mat. Ndërtoj një sistem formal teorik e konceptor për të nxjerrë teorema dhe përfundime mbi bazën e aksiomave; procesi i vendosjes së parimeve themelore dhe i marrëdhënieve të tyre në bazë të aksiomave për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm teorik për një fushë studimi ose një sistemi logjik. Logjika moderne u aksiomatizua nga dy matematikanë.
✱Sin.: formalizoj, sistematizoj, themeloj, krijoj, strukturoj.
ALEGORÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. let. Shprehje e ideve dhe e mendimeve në një vepër artistike tërthorazi, nëpërmjet figurave të gjalla e konkrete; metaforë e gjatë; vepër artistike e ndërtuar me figura të tilla. Përdor alegorinë. Alegoria komike. Alegoria e personazheve. Gjeneza e alegorisë.
2. Fjalë ose shprehje, prapa të cilave fshihet një domethënie tjetër, shprehje e tërthortë. Me gjuhën e alegorisë. Flet me alegori. Alegoria e kujtesës. Alegoria politike. Të kuptuarit e alegorisë. Alegori filozofike. Alegori politike.
3. stil. Figurë stilistike që shfrytëzohet në letërsi, në artet pamore dhe në muzikë. Alegoria në arte. Alegoria e pikturës.
ALEGORÍK,~E mb., let. Që përmban një alegori, që është ndërtuar si alegori; që ka kuptim tjetër të fshehur ose simbolik. Figurë (vepër) alegorike. Shprehje (gjuhë) alegorike. Elemente alegorike. Ligjërim alegorik. Kuptim alegorik. Personazh alegorik. Tekst alegorik. Narracion alegorik. Metodë alegorike.
✱Sin.: i figurshëm, simbolik, i fshehët, i tërthortë, i nënkuptueshëm.
AMFITEÁT/ËR,~RI m. sh. ~RO, ~ROT 1. Ngrehinë e hapët për shfaqjet publike në kohën e lashtë, në formë rrethore ose vezake, e ndërtuar shkallë-shkallë si rreth me një shesh në mes. Amfiteatri i Durrësit. Amfiteatri i Butrintit. Shkallët e amfiteatrit. Rindërtimi i amfiteatrit.
2. Pjesë e një teatri të sotëm ose e një salle, që i ka vendet të renditura shkallë-shkallë në trajtë gjysmërrethi. Amfiteatër universitar. Amfiteatër i hapur buzë liqenit të qytetit. Historiku i amfiteatrit. Rindërtimi i amfiteatrit.
ANALOGJÍ,~A f. sh. ~, ~TË libr. 1. Ngjashmëria që kanë sendet ose dukuritë e ndryshme në tërësi ose në disa tipare a anë të tyre. Analogji e plotë (e pjesshme). Analogji e thjeshtë. Analogji e jashtme (e brendshme). Analogji fizike. Analogjia mekanike. Analogji gjuhësore (gramatikore, leksikore, kuptimore etj.). Analogjia e kuptimit. Gjen analogji. Për analogji. Ka një analogji. Analogji e pjesshme ligjore. Mbështetem në analogji për të ndërtuar argumentin tim.
2. logj. Mënyrë arsyetimi, që mbështetet në disa tipare a në anën e ngjashme të sendeve ose të dukurive të ndryshme për të nxjerrë përfundime edhe për ngjashmërinë e tyre në anë e në tipare të tjera. Analogjia si metodë. Parimet e analogjisë. Analogji përngjashmuese. Analogji formale. Bëri një analogji. Përdor analogjinë. Analogji krijuese.
✱Sin.: ngjashmëri, ngjasi, ngjasim, përngjasim, përngjashmim, krahasim.
ANTIMAGNETÍK,~E mb., fiz. 1. Që nuk është magnetik, që nuk magnetizohet; kund. magnetik. Fusha antimagnetike. Energjia antimagnetike. Instrumente antimagnetike. Membrana antimagnetike. Tepison antimagnetik. Krijimi i fushës antimagnetike. Mekanizëm antimagnetik.
2. Që është ndërtuar ose krijuar posaçërisht për të mos u ndikuar nga magnetizmi. Pajisje antimagnetike. Aparat antimagnetik. Orë antimagnetike.
ANTIPEDAGOGJÍ,~A m., ars. 1. Qëndrim, sjellje etj. që kundërshton ose që kritikon praktikat, metodat apo filozofinë e arsimit dhe të mësimdhënies; kundërpedagogji; kund. pedagogji. Koncepti i antipedagogjisë. Tezat e antipedagogjisë.
2. Drejtim bashkëkohor në pedagogji i ndërtuar mbi kritikën ndaj mënyrës tradicionale të mësimdhënies dhe të arsimimit në përgjithësi të fëmijëve dhe të mësimdhënies. Përfaqësuesit e antipedagogjisë. Platforma e antipedagogjisë.
ARBALÉT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT hist. 1. Mjet a mekanizëm luftarak i kohës antike greke e romake për hedhjen e gurëve ose të shigjetës; mekanizëm për të hedhur gjyle guri; armë harku, hark mekanik, mjet hedhës. Arbaletë romake. Arbaletë mesjetare.
2. Lloj pushke që gjuante gur e shigjeta; katapultë, balestër. Gjuaj me arbaletë.
3. Mjet gjuetie dhe peshkimi. Mori arbaletën me vete.
4. Lloj pushke shumëfunksionale a lloj shtize e ndërtuar me mekanizëm të ngjashëm si të arbaletës së moçme. Arbaletë sportive. Model modern i arbaletës.
5. Transportues modern me laser i avionëve të ndryshëm. Arbaletë luftarake.
6. Lodër fëmijësh e ndërtuar sipas arbaletës antike me forma e madhësi të ndryshme. Arbaletë shigjetë. Arbaletë avion.
✱Sin.: katapultë, balestër, shigjetë, hark.
ARMADÍL,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Dasypus) 1. Gjitar i vogël placentar, mishngrënës dhe bimëngrënës, banor i pyjeve dhe i shkretëtirave, që është i mbuluar nga një mburojë e fortë, e përbërë nga pllaka kockore të mbuluara me lëkurë të fortë dhe të përthyeshme, që shërben për t’u mbrojtur nga grabitqarët.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje armadilësh: Armadili i madh amerikan (lat. Priodontes maximus) armadil që jeton në rajone tropikale dhe subtropikale, që ka kthetra shumë të fuqishme dhe të gjata, veçanërisht në këmbët e përparme, të cilat i përdor për të gërmuar për ushqim dhe për të ndërtuar strofullin; armadili gjigant. Armadili i bukur (lat. Chlamyphorus truncatus) armadili me ngjyrë rozë në pjesën e sipërme të trupit dhe me pjesën e poshtme të tij të mbuluar me qime të bardha ose të verdha, me kthetra të mëdha dhe të fuqishme në këmbët e përparme. Armadili gjembak (lat. Cabassous hispidus) armadili me trup mesatar, të mbuluar me pllaka kockore të forta dhe të segmentuara dhe me bisht pjesërisht të zhveshur nga këto pllaka. Armadili gjigant armadili i madh amerikan. Armadili hundëgjatë (lat. Dasypus novemcinctus) armadili me madhësi mesatare, me mburojë të fortë të përbërë nga pllaka kockore të segmentuara që duken si nëntë breza; armadili nëntëshiritor. Armadili leshtak (lat. Eupkractus villosus) armadil që e ka trupin të mbuluar me qime dhe me aftësi për të lëshuar tinguj të lartë. Armadili me qime (lat. Chaetophractus) armadil me trupin me qime të dendura dhe me aftësinë për të gërmuar me thonjtë e fuqishëm. Armadili xhuxh (lat. Zaedyus pichiy) armadil trupvogël që jeton kryesisht në Amerikën e Jugut, me trup të mbuluar me pllaka të forta kockore, me kthetra të fuqishme për të gërmuar dhe për të krijuar strofullin.
ARMÍH vep., ~A, ~UR kal. 1. Hap tokën, dheun a një sipërfaqe tjetër për të nxjerrë, për të mbjellë ose për të ndërtuar diçka. Armih me kazmë dheun. Armih tokën. Armih themelet e shtëpisë.
2. fig. Gërmoj për të nxjerrë ose për të gjetur diçka; interesohem posaçërisht për diçka. Armih të kaluarën (e dikujt). Armih në arkiva. Armih në xhepa të huaj.
✱Sin.: gërmoj, gropoj, rrëmoj, mih, rrëmih, prashit, kërkoj, gjurmoj.
ARTIKULÚAR (i, e) mb. 1. gjuh. Që nyjëtohet, që prodhohet ose që shqiptohet qartë, kur tingujt janë të dallueshëm dhe të saktë; i nyjëtuar. Tingull i artikuluar. Shqiptim i artikuluar. Zanore të artikuluara.
2. logj. Që është i shprehur me qartësi, i ndërtuar mirë, i kuptueshëm në rrjedhën e mendimit; i shprehur. Mendim i artikuluar qartë. Gjuhë e artikuluar. Ligjërim i artikuluar. Ide të artikuluara politike.
3. anat. Që lidhet me një tjetër pjesë trupore përmes nyjës, i nyjëzuar; i lidhur përmes nyjave. I artikuluar në nyjën e kofshës. Në imazheri shihet kyçi i dorës i artikuluar me parakrahun.
✱Sin.: i nyjëtuar, i shqiptuar, i prodhuar, i formuar, i formësuar, i nyjëzuar, artikulues, artikular, nyjor, kyç.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë