Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BASHKËFINANCÚES,~E mb. 1. Që financon së bashku me dikë a me të tjerë. Kompanitë bashkëfinancuese.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Bashkëfinancuesit kryesorë. Objekte që ndërtohen me bashkëfinancues. Bashkëfinancues i arsimit profesional.
►NDËRT/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Përbëhet prej pjesësh të lidhura në një mënyrë të caktuar ndërmjet tyre, ka një ndërtim të caktuar.
2. vetv. Fejohem. Ndërtohen, martohen.
3. pës. e NDËRTÓJ. Ndërtesa u ndërtua në kohë rekord.
✱Sin.: përbëhet, ngrihet, zmadhohet, ngallit, rritet.
OBJÉKT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Çdo gjë materiale, që mund të kapet nga organet e shqisave si diçka me vete; send. Objekt i gjallë. Objektet e natyrës. Grup (grumbull) objektesh.
2. Send, mjet, përdorëse etj. që i hyn në punë njeriut për të plotësuar nevojat dhe për të përmbushur kërkesat e tij; send i tillë me vlerë arkeologjike, etnografike etj. Objektet shkollore. Objekte me vlerë. Objekte të nevojshme (të domosdoshme). Objekte arkeologjike (etnografike). Objekte zbukurimi. Objekte prej bakri (prej ari).
3. Ndërtesë ku prodhohet diçka ose kryhet një veprimtari industriale, bujqësore etj., që ndërtohet për qëllime të caktuara. Objekte ekonomike. Objekt industrial (bujqësor, ushtarak). Objekte social-kulturore. Punohet në pesë objekte njëkohësisht. Po ndërtohen shumë objekte të reja.
4. filoz. Bota materiale me sendet e dukuritë e saj, që ekziston jashtë nesh e pavarësisht nga ne, që nuk varet nga ndërgjegjja e që është parësore kundrejt saj dhe që i nënshtrohet veprimtarisë njohëse të njeriut. Objekti i njohjes. Objekti dhe ideja.
5. Qenie, send a dukuri, ku përqendrohet vëmendja jonë ose që i nënshtrohet një studimi, një vëzhgimi, a një veprimi; ajo me të cilën merret shkenca, arti etj.; përmbajtja themelore e diçkaje; qëllimi ku synon një veprimtari, objektiv. Objekt studimi (vëzhgimesh, kërkimesh). Objekti i diskutimit (i mbledhjes). Objekti i një vepre (i një shkence). Objekti i filozofisë (i gjuhësisë, i pedagogjisë). E arriti objektin. Ka objekt të sajin muzeumologjinë dhe trashëgiminë kulturore.
✱Sin.: send, mjet, përdorëse, ndërtesë, vepër, objektiv.
PROJEKTÚES,~E mb. 1. Që merret me projektimin e objekteve që do të ndërtohen, që bën projektin e diçkaje; që bëhet për projektimin e një ndërtese etj. Inxhinier projektues. Institut projektues. Punë projektuese.
2. Që shërben për të shfaqur në ekran një film, një diapozitiv etj. Aparat projektues.
RI- fjalëform. Parashtesë, me të cilën ndërtohen fjalë që tregojnë përsëritjen e një veprimi, kthimin përsëri të një gjendjeje a të një cilësie, pajisjen me diçka të re, organizimin në mënyrë të re etj. (p. sh.: riaftësoj, ribashkoj, ribëj, riblej, ribotoj, rihap, rimëkëmb, ripushtoj, rishkruaj, rivendos etj.).
SI lidh. 1. Përdoret për të lidhur një fjali të varur krahasore ose mënyrore me fjalinë drejtuese; lidh gjymtyrë fjalie që tregojnë mënyrën si bëhet diçka ose krahasim me diçka (shpesh e bashkëlidhur në fjalinë drejtuese edhe me fjalën “ashtu”). Erdhi në kohë si vinte çdo ditë. Punonte si punonin më të mirët. Veproi ashtu si e donte puna. Nxitonte diku si ta ndiqte njeri. Edhe në atë rast u soll si e kishte zakon. Ishte bërë si i çmendur nga gëzimi. U vërsulën si të tërbuar. E zgjidhi çështjen si njeri me mend.
2. Përdoret në njësitë frazeologjike që ndërtohen me anë të krahasimit. Si pulë e lagur. Si në shtëpi të vet. Si në (mbi) gjemba. Si në pëllëmbë të dorës. Si miu në çark. Si sorkadhe. Si nuse me tela. Si bilbil. Si peshku pa ujë (në zall). Si kofini pas të vjeli. I shpejtë si rrufeja (si vetëtima).
3. Përdoret para një fjale a togfjalëshi që tregon punën, detyrën a rolin që kryen dikush a diçka (me kuptimin “në cilësinë e...”). Punon si shkrirës çeliku (si mbikëqyrës, si përgjegjës ndërrese, si drejtor). Qëndronte si rojë. Morën pjesë si grup. Rinia, si pjesa më e gjallë e shoqërisë. Iu drejtova si shok. I foli si mik. E përdori si mashë. I shërbente si mbështetëse. Si më i moçëm, e mori fjalën i pari.
4. Përdoret e përsëritur ose në togje lidhëzore për të bashkuar gjymtyrë fjalish ose fjali të një fare (me kuptimin “edhe”). Si njëri, si tjetri. Si nga numri, si nga cilësia. Si për ju, si për ne. Erdhën si mësuesit, si nxënësit. Si ata që erdhën, si ata që shkuan. Si ne, ashtu edhe ata. Skuadër e fortë si nga numri, si nga përgatitja. Vuanin si nga pushtuesit, si nga tradhtarët.
5. Përdoret në krye të një fjalie të varur kohore, që tregon se veprimi i shprehur prej saj ka marrë fund më parë se ai që shprehet nga fjalia kryesore (me kuptimin “pasi, kur”). Si erdhën të gjithë, filloi mbledhja. Si pushoi shiu, dolën në rrugë. Si e shqyrtuan mirë çështjen, morën një vendim të drejtë.
6. Përdoret për të lidhur fjali të varura që shprehin marrëdhënie shkakore të shoqëruara me ngjyrim kohor (me kuptimin “meqë, duke qenë se, me qenë se, kur”). Si s’pa njeri, u largua menjëherë. Si nuk gjeti mbështetje, nuk nguli më këmbë.
7. Përdoret për të lidhur fjali a gjymtyrë fjalie, që sqarojnë a zbërthejnë kuptimin e një fjalie a gjymtyre tjetër ose në një numërim a renditje. S’ka si të jetë e mundur. Kafshët shtëpiake si qeni, macja, lopa etj. Pemë të ndryshme si mollë, fiq, kumbulla etj. Si më poshtë (më sipër).
8. Përdoret në krye të një fjalie të ndërmjetme. Si duket, nesër do të jetë kohë e mirë. Si të thuash, e njohim dhe s’e njohim mirë gjendjen. Si do ta shohim më poshtë, fryma e epokës së Skënderbeut mbeti e gjallë për shekuj. Si thamë më lart, populli ynë është trim, liridashës e punëtor.
9. Përdoret në disa ndërtime me përsëritje të foljes, që kanë kuptim lejor a që tregojnë se për folësin njësoj është; sido që. Të jetë si të jetë. Ishte si ishte... Thonë si thonë. Bënë si bënë. U tha si u tha, s’ka më rëndësi tani.
10. Përdoret në disa shprehje ndajfoljore që kryejnë funksionin e shkallës sipërore. Si jo më mirë. Si s’ka më mirë. Si mos më keq. Si asnjëherë tjetër. Si kurrë ndonjëherë tjetër.
11. Sikur. Si të mos i mjaftonin librat që kishte, kërkoi edhe disa të tjerë.
STËR- fjalëform. Parashtesë me të cilën ndërtohen fjalë të prejardhura: a) që tregojnë se diçka bëhet me tepri, ka madhësi a përmasa të jashtëzakonshme ose është jashtë asaj që duhet, p.sh.: i stërgjatë, stërholloj, i stërlashtë, stërlodhem, stërmadh, stërmundim, i stërplakur etj.; b) që shënojnë lidhje familjare me largësi përtej tre brezave, p.sh.: stërgjysh, stërnip.
SUPER- fjalëform., libr. Parashtesë me të cilën ndërtohen fjalë që shënojnë diçka që ndodhet mbi diçka tjetër, diçka të cilësisë më të lartë, diçka më të fundit, më të fuqishme ose diçka që i kalon caqet e zakonshme, të nevojshme a të lejueshme etj.; mbi; p.sh.: superfuqi, supermodern, superstrukturë etj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë