Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NDËRFÚTUR (i, e) mb., libr. 1. Që ka hyrë ndërmjet dy gjërave të tjera ose ndërmjet pjesëve të diçkaje; i ndërkallur. Një shërbim i ndërfutur në ekzekutivin e qytetit. Fjali e ndërfutur (gjuh.) fjali e vendosur ndërmjet gjymtyrëve të një fjalie tjetër.
2. Që vendoset ose që shtohet si pjesë e një kompleti, grupi ose kategorie.
3. Që lidhet me një specie bimore në një zonë të caktuar, që nuk është pjesë e florës origjinale, por e sjellë prej njeriut nga një rajon gjeografik tjetër. Shafrani është bimë e ndërfutur.
✱Sin.: i ndërkallur, i pykëzuar.
NDËRKÁLLUR (i, e) mb. I ndërfutur. Fjali e ndërkallur (gjuh.).
NDËRMJÉT/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ndodhet në mes të dy gjërave a të dy njerëzve, midisës, i midistë. Dhoma e ndërmjetme. Kat i ndërmjetëm. Çmim i ndërmjetëm. Rol i ndërmjetëm.
2. Që zë një vend kalimtar midis dy gjërave a midis dy dukurive, që shërben si pikë lidhjeje në mes të dy gjërave a dy dukurive; që është në mes të dy anëve të kundërta. Hallkë e ndërmjetme. Qëndrim i ndërmjetëm. Elemente të ndërmjetme. Zë një vend të ndërmjetëm. Shtet i ndërmjetëm. Prodhim i ndërmjetëm lëndë druri, e hequr nga pylli nëpërmjet prerjeve të kujdesimit, nga momenti i krijimit të gjendjes së masivit e deri në shfrytëzueshmëri.
3. gjuh. Që futet ndërmjet gjymtyrëve të fjalisë ose brenda një fjalie tjetër e veçohet nëpërmjet intonacionit, pa u lidhur formalisht nga ana gramatikore me asnjërën nga gjymtyrët dhe që shpreh qëndrimin e folësit ndaj asaj që thotë. Fjalë e ndërmjetme. Fjali e ndërmjetme.
4. Që nuk është as i mirë, as i keq; mesatar. Raport i ndërmjetëm. Opinion i ndërmjetëm. Propozim i ndërmjetëm. Produkt i ndërmjetëm. Projektvendimi i ndërmjetëm për marrje provash në seancë dëgjimore.
5. dogan. Mallra me regjim të ndërmjetëm quhen ato mallra që kalojnë tranzit nëpër një vend dhe si të tilla nuk paguajnë në këtë vend tarifë doganore.
✱Sin.: ndërmjetës, i ndërmjetshëm, i ndërmjemë, kalimtar, i mesëm, midisës, i midistë, i ndërkallur, i ndërfutur, mesatar.
PALÍDHUR (i, e) mb. 1. Që nuk është lidhur me pe, me tel etj. si një tufë a bllok më vete; kund. i lidhur. Grurë i palidhur. Libër i palidhur. Me këpucë të palidhura.
2. gjuh. Që qëndron më vete në fjali ose në togfjalësh dhe mund të hiqet pa prishur kuptimet e fjalisë ose të togfjalëshit; kund. i lidhur. Fjalë gramatikisht e palidhur (gjuh.) fjalë që qëndron më vete në fjali ose në togfjalësh dhe mund të hiqet pa e prishur kuptimin e tyre.
3. fig. Që i mungon lidhja e brendshme logjike; që renditet pa ndonjë rregull e lidhje të qartë, i copëzuar, i shkëputur; kund. i lidhur. Fjalë të palidhura. Mendime të palidhura. Pjesë të palidhura.
4. Që nuk ka muskuj të fortë, që është ende i dobët e i paformuar; kund. i lidhur. Me trup të palidhur.
5. Që nuk është mpiksur dhe nuk është trashur, që nuk e ka zënë fara mirë (për kosin). Kos i palidhur.
✱Sin.: i pakapur, zgjidhur, i ndërkallur, copëzuar, i shkëputur, i paformuar, i pangjizur, i pampiksur.
PËRBRENDËSÚAR (i, e) mb. Që është përbrendësuar. Fjalë (trajta të shkurtra) të përbrendësuara (gjuh.).
✱Sin.: i ndërfutur, i ndërkallur, i brendësuar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë