Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AEROPÁUZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Shtresa e sipërme atmosferike e Tokës mbi njëzet e pesë kilometra ku ajri është i rralluar dhe nuk mundëson fluturimin e aeroplanit dhe të mjeteve të tjera ajrore; kufi natyror për fluturimin e objekteve nga dhe drejt hapësirës; kufiri midis atmosferës dhe hapësirës kozmike. Aeropauza e tokës ndodhet rreth 80-120 km mbi nivelin e detit.
AMBIÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Tërësia e kushteve natyrore, në të cilat jeton e zhvillohet njeriu ose një qenie tjetër; gjithçka që rrethon një send a një organizëm dhe që ndikon mbi të; mjedis. Ambienti gjeografik (natyror). Ambienti i jashtëm (rrethues). Ambient i kulturuar (i pastër). Ambient pushues. Ambiente publike. Në ambient të hapur jashtë. I përshtatet ambientit. Ambient tokësor (nëntokësor). Ambient ujor (nënujor). Ambient detar (kënetor, lumor, oqeanor). Ambient malor (shkëmbor). Ambient ajror.
2. Kushtet shoqërore, në të cilat rron e vepron njeriu; mjedis. Ambienti shoqëror. Ambienti familjar. Ambient punues. Ambient jetues. Ishte ambient fshati.
3. Grup njerëzish me një profesion a me kushte jetësore të përbashkëta, në gji të të cilit rron e punon njeriu; mjedis. Ambienti rrethues. Nën ndikimin e ambientit.
4. Dhomë a pjesë e një ndërtese ose hapësira rreth saj, që shërben për një punë a veprimtari. Ambientet ndihmëse (mësimore, shkollore). Ambiente sportive. Ambiente rrethuese. Ambient i pastër. Ambient i tymosur.
5. fig. Kushtet, rrethanat që ndikojnë për një gjendje shpirtërore të njeriut. Ambient i ngrohtë (i ftohtë). Ambient i gëzuar (i zymtë, i rëndë). Ambient ngacmues.
6. spec. Lëndë që mbush një hapësirë dhe që me vetitë e saj ndikon mbi një trup; mjedis. Ambient tokësor (ajror). Ambient ushqyes. Zhyt në një ambient.
✱Sin.: mjedis, hapësirë, rrethinë, rreth.
AMBIENTALÍZ/ËM,~MI m., libr. 1. Teori shkencore sipas së cilës mjedisi ka më tepër rëndësi sesa trashëgimia si faktor i zhvillimit intelektual. Historia e ambientalizmit. Parimet e ambientalizmit. Ithtarët e ambientalizmit. Ambientalizmi kontekstual.
2. Lëvizje që ka në qendër mbrojtjen e ambientit natyror, luftën kundër ndotjes dhe ruajtjen e ekosistemeve. Valë e re e ambientalizmit. Çështja e diskutuar dje ishte ambientalizmi. Ambientalizmi ndikon në politikëbërjen.
3. Mendësi dhe veprimtari që synon mbrojtjen e natyrës dhe nxit përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, si dhe ndërgjegjësimin publik mbi çështjet mjedisore. Mbrojtja e ambientit qëllim i ambientalizmit. Masa të nxitura në shkolla nga ambientalizmi. Java e ndërgjegjësimit për ambientalizmin.
4. Tërësi veprimtarish që kanë qëllim kryesor mbrojtjen e mjedisit nga faktorët dëmtues dhe rrezikues. Shkolla organizoi javën e ambientalizmit. Ambientalizmi si mënyrë e jetës.
ANAFRODIZIÁK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT farm. Lëndë, barna ose mjet që frenon dëshirën për marrëdhënie seksuale; kund. afrodiziak. Anafrodiziak natyror. Anafrodiziakë bimorë. Anafrodiziak ushqimor. Anafrodiziakë me efekte anësore.
ANTIFERMÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET Kundërtharm; antifermetues. Antiferment natyror (artificial). Përdorimi i antifermenteve.
ANTINATYRÓR,~E mb. Që është kundër natyrës, që lufton natyrën; kundërnatyror; kund. natyror. Veprim (akt) antinatyror. Proces antinatyror. Zhvillim antinatyror. Edukim antinatyror. Pasion antinatyror. Gjest antinatyror.
ANTROPOGJÉNIZÍM,~I m., antrop. Procesi i shndërrimit të mjedisit natyror nga njeriu ose nga veprimtaritë e tij ekonomike, sociale dhe kulturore. Antropogjenizimi i mjedisit. Efektet e antropogjenizimit. Antropogjenizimi i tokës bujqësore. Procesi i antropogjenizimit të zonave bregdetare.
ANTROPOSFER/Ë,~A f. Pjesë e sistemit të Tokës e krijuar, e modifikuar dhe e banuar nga njerëzit, që përfshin të gjithë teknologjinë, infrastrukturën (qytetet, rrugët, fermat) dhe aktivitetet (bujqësia, industria etj.) që transformojnë mjedisin natyror; bota e krijuar nga njeriu që bashkëvepron me sferat natyrore të Tokës si atmosfera dhe biosfera.
ARAGONÍT,~I m., min. Mineral nga grupi i karbonateve, kristal natyror, njëri nga dy format polimore natyrore të karbonatit të kalciumit (CaCO3); gur i çmueshëm me ngjyrë të bardhë, të kuqe, të verdhë, blu, i cili në gjendjen e tij të pastër përdoret për qëllime dekoruese dhe për prodhimin e bizhuterive.
ARKÉ,~U m. Shkëmb i moçëm i fillimit të paleozoikut, që njihet edhe me emrin arkeshkëmb; formacion natyror gjeologjik, i krijuar nga proceset gërryese (uji, shiu, lumenjtë, era, temperatura etj.), që konsiderohen sot atraksione turistike në të gjitha kontinentet.
AROMATIZÚES,~I m. sh. ~, ~IT Lëndë thelbësore në shumë prodhime të përditshme, që përdoret për t’i dhënë aromë diçkaje ose për të përmirësuar shijen dhe aromën e produkteve në kuzhinë, në kozmetikë dhe në industrinë ushqimore; aromëzues. Frutat, erëzat dhe vajrat esenciale që pëlqehen si aromatizues. Aromatizuesi i pijeve. Aromatizues me vanilje. Aromatizues bimor. Aromatizues natyror (artificial). Aromatizues shtëpiak. Aromatizues të dëmshëm. Aromatizues parfumi. Përdor aromatizues rrobash. Blej aromatizues.
ARTIFICIÁL,~E mb. 1. Që është bërë ose është prodhuar me mjete të ndryshme nga njeriu, jo nga natyra; i prodhuar me lëndë sintetike; që është bërë sipas ngjashmërisë me një send natyror; jonatyror, sintetik; kund. natyror. Lesh (mëndafsh) artificial. Lëkurë artificiale. Lule artificiale. Dhëmbë artificialë dhëmbë të vënë. Frymëmarrje artificiale. mjek. Shi artificial. Liqen artificial. Satelit artificial. Rritje artificiale. Kushte artificiale. Gjuhë artificiale. Inteligjenca artificiale sistemet kompjuterike që imitojnë funksionet njohëse të njeriut, si të mësuarit, zgjidhjen e problemeve etj.; aftësia e një pajisjeje të imitojë aktivitet njerëzore: të arsyetuarit, të mësuarit, të planifikuarit, të krijuarit dhe ofrimin e rekomandimeve të personalizuara.
2. Që sillet në mënyrë jo të natyrshme; jo të çiltër. Sjellje artificiale. Buzëqeshje artificiale. Lot artificialë lot të rremë, lot krokodili.
✱Sin.: i shtirë, i rremë, i sajuar, i gënjeshtërt, i trilluar, i shpifur, dinak.
ASFÁLT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. min. Lloj rrëshire e zezë, që ndodhet në natyrë në gjendje të ngurtë e që zbutet kur ngrohet; serë. Asfalt natyror. Llojet e asfaltit. Çmimi i asfaltit.
2. Përzierje bitumi me çakëll të imët, me të cilën shtrohen rrugët etj.; rrugë, sipërfaqe që është shtruar me këtë përzierje; lëndë ndërtimi që përdoret gjerësisht në ndërtimin e rrugëve, trotuareve dhe sipërfaqeve të tjera. Shtresë asfalti. Rrugë me asfalt. Shtroj me asfalt. Rrëshqet mbi asfalt. Vendosje teknike e asfaltit sipas klimës.
ASPARAGJÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT kim. Aminoacid natyror në gjendje kristalore, i rëndësishëm për ruajtjen e baraspeshës në sistemin nervor të njeriut; luan rol edhe në sintezën e amoniakut. Thartira e asparagjinës. Asparagjina pluhur.
ASTEROÍD,~I m. sh. ~Ë, ~ËT astr. Trup i vogël qiellor, planetoid, i ngurtë, guror ose metalik, me madhësi prej disa metrash deri në qindra kilometra në diametër, me formë të parregullt, që gjendet në brezin midis Marsit dhe Jupiterit dhe që rrotullohet rreth yllit amtar ose si satelit natyror i planetëve më të mëdhenj. Asteroid metalik (karbonik, silikati). U zbulua një asteroid i ri. Përbërja e asteroidëve.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë