Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LLUM,~I m. sh. ~RA, ~RAT 1. Baltë e përzier me ndyrësira a me papastërti të ndryshme; lym. Llumi i ujërave (i lumenjve, i përrenjve). Llumrat e kënetave (e kanaleve). Llumi lahet, turpi s’lahet. (fj. u.).
2. Fundërria e lëngut në një enë, llurbë: llumi i vajit (i verës, i kafesë). Llumi i vajit të ullirit kishte rënë tashmë në fund të enës.
3. Zhuli i trupit a i rrobave; zhuli i llullës së duhanit. Pastroi llumin e cigarishtes.
4. fig., keq. Fundërria e njerëzve; diçka e pavlerë ose e dëmshme. U ngrit llumi. Ai njeri është llumi i llumrave.
✱Sin.: lym, llokajë, lloç, llosh, baltë, zhul, ksestër, lerë, fundërri, llurbë, llubatë, lëtyrë, fundaq, baltovinë, batak, llome, dra, draskë, këllirë, mundërr, gërdhomë, gërdhajë, shushull, amti, murgë, vurg, fundërrinë, llucë.
♦ U bë llum. 1. (dikush). U fëlliq shumë, u ndot keq; s’e lan (dot) as lumi (dikë). 2. (diçka). U ngatërrua keq; u bë rrëmujë; u bë lëmsh; nuk ia kap fillin (diçkaje). M’u bë mendja (koka) llum shih m’u bë mendja (koka) dhallë. E bëri llum. 1. (diçka). E ngatërroi fare; e bëri lëmsh; e bëri lesh e li; e bëri çorbë; e bëri dhallë; e bëri bërllok. 2. (dikë). E turbulloi keq, e ngatërroi fare, sa s’është në gjendje të kuptojë a të mendojë; ia prishi mendjen (dikujt); ia bëri kokën (mendjen) dhallë (dikujt). Ra në llum (dikush) ra në gjendje të keqe e të vështirë; është përzier me njerëz të këqij; ra në baltë; ra në batak. Mbeti (ngeci) në llum (dikush) shih mbeti (ngeci) në baltë (dikush).
MÚRG/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. fet. Murgeshë. U bë murgë. Murgë bregu (fig.) grua e zgjuar, e gjallë dhe e zonja.
2. bised. Vajzë a grua që ka mbetur e shkretë, e vetme, pa njeri; vajzë a grua e mjerë, që bën një jetë të rëndë. Murga e shkretë (e mjerë). Ç’e gjeti, murgën! Hoqi të zitë e ullirit, murga! Rrinte si murga në linjë rrinte pa folur asnjë fjalë, rrinte e heshtur dhe e shushatur.
VLÉZG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Llum që kullon në fund të një ene kur ziejmë diçka, fundërri, fundaq. Vlezgë e vajit. Vlezga e verës (rakisë). Kulloi vlezgën. Vlezga ra në fund.
2. fig. Llumi i njerëzve, diçka që është i pavlerë. Ai është vlezgë e shoqërisë. Ai është bërë vlezgë. Vlezgë ka qenë dhe vlezgë do të mbetet dikush.
✱Sin.: llum, fundërri, fundaq, murgë, xhumare.
VUR/G,~GUII m. sh. ~GJE, ~GJET 1. Lëng i trashë e i zi që mbetet në fund të shishes a të enës pasi shtypen ullinjtë dhe nxirret vaji, llum, fundërri; murgë. Vurgu i ullinjve. Vurgu i ullinjve bie në fund.
2. Fundërri që mbeten në fund të enës pasi shkrihet gjalpi, fundërria e gjalpit, dra. Vurgu i gjalpit.
3. Llumi i verës që bie në fund të enës a të shishes, llurbë. Vurgu i verës.
✱Sin.: murgë, kuqël, alimurg, xhumare, dra, llurbë, fundërri, bram, gërdhomë, zgaq, bullëndër, mundërr.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë