Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARSENÁL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. usht. Vend ose depo e madhe ku ruhen, prodhohen dhe mirëmbahen armë, municion dhe pajisje luftarake; tërësia e armatimeve të një ushtrie që mbahen në një vend. Arsenal atomik (bërthamor). Arsenal lufte. Arsenal armësh. Arsenal i armatimit modern. U zbulua arsenal i madh armatimi.
2. fig. Fond, rezervë prej nga nxirren mjete për një qëllim të caktuar; tërësia e mjeteve dhe e njohurive që i shërbejnë një veprimtarie. Arsenal teknik e teknologjik. Nxjerr nga arsenali. Përdor gjithë arsenalin. Pasuroj arsenalin. Arsenal dijesh. Dëshmoi arsenal argumentesh.
✱Sin.: pajisje, mjet, grumbull, grumbullim, tërësi, pasuri, aftësi, larmi, burim, resurs, regjistër, koleksion.
MANOVRÚES,~E mb. 1. Që shërben për të manovruar një mjet. Shkopinj manovrues për telefonat celularë.
2. Që përdoret për manovra ushtarake. Tunel manovrues. Municion manovrues. Plumba manovrues.
3. Që është i aftë të bëjë veprime të shkathëta, të tërthorta dhe dinake në situata të ndryshme, që është i zoti për manovra. Njeri manovrues. Duhet të tregohemi manovrues.
4. Që përdoret a vlerësohet si mënyrë e shkathët, e tërthortë dhe dinake për të arritur një qëllim. Veprim manovrues. Proces manovrues.
MUNICIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET usht. Tërësia e predhave të ndryshme ose materialet luftarake për armët e zjarrit (granata, bomba, mina etj.); xhephane. Municion i paktë (i shumtë). Municioni i togës (i kompanisë). Depo municioni. Arka me municion. Pa armë e pa municion. U pajisën me municion. Iu mbarua municioni.
PRÉDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. usht. Fishek i madh i mbushur me lëndë shpërthyese, që përdoret si municion për armët e artilerisë, gjyle; plumbi i fishekut. Predhë luftarake. Predhë reaktive. Predhë ndezëse (thërrmuese, shpuese, gjurmëlënëse). Shpejtësia (flurudha) e predhës.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje predhash: Predhë atomike (bërthamore) predhë me mbushje bërthamore. Predhë djegëse predhë që përdoret për të djegur objektet që ndizen shpejt. Predhë e drejtuar (e telekomanduar) predhë që drejtohet pa pilot e me mjete elektronike nga toka në ajër. Predhë mësimore predhë praktike. Predhë praktike predhë që përdoret për eksperiment në poligonet e artilerisë dhe për qitje mësimore. Predhë tymuese predhë e mbushur me një përzierje të posaçme, e cila gjatë plasjes krijon re tymi.
3. fig. Diçka që përdoret për të goditur e për të shkatërruar; plumb.
✱Sin.: gjyle, plumb.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë