Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANTISEMITÍZ/ËM,~MI m. 1. Të qenët kundër semitëve; lëvizje, ideologji, politikë antisemite; kundërsemitizëm; kund. semitizëm. Burimi i antisemitizmit. Antisemitizmi në rritje. Lëvizje e antisemitizmit. Antisemitizëm i hershëm (modern).
2. Mospranim, urrejtje e paragjykim ndaj semitëve si grup etnik ose si komunitet fetar. Politikë e antisemitizmit. Projekt i antisemitizmit. Strategji e antisemitizmit.
DEMONTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur demontoj diçka; zbërthimi në pjesë përbërëse i një makinerie a i një pajisjeje për ta ndrequr, për ta pastruar etj.; çmontim; kund. montim.
2. Heqja nga vendi e diçkaje, zhvendosje; shkatërrim.
3. edhe fig. Hedhja poshtë e diçkaje; mospranim. Demontimi i akuzave.
✱Sin.: çmontim, zbërthim, heqje, shkatërrim.
MOHÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi dhe gjendja kur mohoj dikë ose diçka ose kur mohohem. Mohimi i fjalëve (i së vërtetës). Mohimi i së drejtës për të folur.
2. Shprehja e mospranimit a e kundërshtimit të diçkaje, e mospajtimit me diçka etj.; kund. pohim. Tundi kokën në shenjë mohimi dhe ky mohim ishte i pakundërshtueshëm. Foli me frymë mohimi.
3. Mishërimi i së kundërtës së diçkaje, i mospranimit a i përjashtimit të saj; kund. pohim, pranim. Mohimi i vlerave të një artisti.
4. filoz. Hedhja poshtë e një të vërtete, e një doktrine etj. Mohimi i ekzistencës së jetës së përtejme.
5. psikol. Mekanizëm i pandërgjegjshëm i mbrojtjes që zhvillohet te njeriu gjatë jetës dhe që karakterizohet nga refuzimi për të pranuar realitete, mendime a ndjenja të dhimbshme. Jeton në mohim.
✱Sin.: moh, çnjohje, braktisje, mospranim, mosaprovim, mosmiratim, mospajtim, kundërshtim nihilizëm.
MOS- fjalëform. Parashtesë që shpreh: a) mungesë dëshire, vullneti a përpjekjesh për të bërë diçka; b) pamundësi ose paaftësi për të bërë a për të arritur diçka; c) mospranim, kundërshtim a mospranim për të bërë diçka; d) mospasje të diçkaje; e) mospajtim, mospërputhje, f) mosqenie, mosprani, mosekzistencë; g) mosbërje, moskryerje, mosrealizim etj.; përdoret për të formuar: a) emra e mbiemra me kuptim mohues ose të kundërt me atë që shprehet nga tema fjalëformuese e emrit a e mbiemrit foljor përgjegjës (p.sh. mosbesim, mosbindje, mosmarrëveshje etj.; mosmirënjohës, mospërfillës etj.), b) përemra e ndajfolje me kuptim mohues (p.sh., moskush, mosgjë, moskurrë etj.).
MOSADMINISTRÍM,~I m. 1. Pamundësi ose paaftësi administrimi; kund. administrim. Në gjendjen jo të mirë të ujësjellësit të fshatit, ndikon edhe mosadministrimi i mirë.
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim për të administruar diçka; kund. administrim.
MOSAFRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pamundësi a paaftësi për të afruar a për të tërhequr dikë a diçka; mosqasje; kund. afrim. Nuk krijoi dot miqësi për shkak të mosafrimit të vendasve. Cilat janë arsyet e mosafrimeve të lojtarëve të huaj?
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim për të afruar dikë a diçka; kund. afrim. U ankua për mosafrim të ndihmës mjekësore.
3. Mungesë dëshire, vullneti a përpjekjesh për të afruar dikë a diçka; kund. afrim.
MOSANTARËSÍM,~I m. 1. Pamundësi a paaftësi për t’u anëtarësuar në një organizatë, shoqatë etj.; kund. anëtarësim. Ka paqartësi për mosanëtarësimin e vendit në struktura ndërkombëtare.
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim për t’u anëtarësuar diku; kund. anëtarësim.
MOSARGJINÍM,~I m. 1. Pamundësi e argjinimit të diçkaje; veprimi dhe gjendja kur nuk argjinoj ose kur nuk argjinohet diçka; kund. argjinim. Mosargjinim i lumenjve.
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim për të argjinuar diçka; kund. argjinim.
MOSASIMILÍM,~I m. 1. Mosarritje e qëllimit për të asimiluar një popull a një komb; kund. asimilim.
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim i një populli për t’u asimiluar; kund. asimilim. Mosasimilimi i popullsisë.
3. gjuh. Mungesë asimilimi; kund. asimilim.
MOSBARAZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pamundësi a paaftësi për të barazuar dy gjëra; kund. barazim. Mosbarazimet e shpenzimeve me shërbimet spitalore.
2. Mospranim, kundërshtim a refuzim për të barazuar gjërat; kund. barazim. Mosbarazimi i romakut me europianin në mendjen e publikut.
3. mat. Shprehje algjebrike me anë të së cilës krahasohen dy madhësi të pabarabarta. Dy anët e mosbarazimit. Vetitë e mosbarazimeve.
MOSBASHKËPUNÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pamundësi ose paaftësi për të punuar bashkë me dikë tjetër; kund. bashkëpunim. Arsyet e mosbashkëpunimit.
2. Mospasje e bashkëpunimit, mungesë bashkëpunimi; kund. bashkëpunim. Pengesa që vijnë nga mosbashkëpunimi midis departamenteve të ndryshme.
3. Mospranim, kundërshtim ose refuzim për të bashkëpunuar; kund. bashkëpunim. Foli për mosbashkëpunimet mes artistëve.
MOSBESÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Mungesë e besimit te dikush a te diçka, dyshim për vërtetësinë a sigurinë e diçkaje, ngurrim a hezitim për të besuar te dikush a diçka; pabesim; kund. besim. Veprime që rritin mosbesimin. Mosbesim i dyanshëm (reciprok). Mosbesim te shoku (tek të panjohurit). Mosbesim në forcat e veta. Shprehje (shenja) mosbesimi. Tregon (shfaq, shpreh) mosbesim. Përhap (mbjell mosbesim). Flet (pyet) me mosbesim. E sheh (e trajton, e diskuton) me mosbesim.
2. Mungesë dëshire, vullneti a përpjekjesh për të besuar ose për të pranuar diçka si të vërtetë; diçka që nuk e beson si të vërtetë, pabesim. Ata duhet të lirohen nga mosbesime të tilla.
3. fet. Mospasje e një bindjeje të fortë, veçanërisht për çështje fetare; mungesë besimi fetar, pabesim; kund. besim. Mosbesimi në paragjykimet (në një fe, në mrekullitë, në ëndrrat, në besëtytnitë, në forcat e mbinatyrshme, në fatin).
4. Shprehje e mospëlqimit a e mospranimit që të zgjidhet një qeveri e caktuar, duke votuar kundër; kund. besim. Votë mosbesimi.
✱Sin.: skepticizëm, mospëlqim, dyshim, mospranim, pabesim.
MOSBÍNDJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Mungesë bindjeje a sigurie për vërtetësinë, për drejtësinë a për plotësimin e diçkaje, mosbesim për diçka; shprehje e këtij mosbesimi; të qenët jo i bindur për diçka; kund. bindje. Fliste (shprehej) me mosbindje.
2. Mospranimi a kundërshtimi i urdhrave, i kërkesave, i këshillave etj. të dikujt, shkelja e tyre; kundërshtim që i bëhet dikujt; të qenët i pabindur; kund. bindje. Mosbindja ndaj autoriteteve. Mosbindja ndaj urdhrit.
✱Sin.: mosnënshtrim, mosdëgjim, mospranim, kundërshtim, mosbesim.
MOSDËGJÍM,~I m. 1. Mungesa e dëgjimit të një tingulli a zhurme, kur nuk arrin ta dëgjosh diçka në një situatë të caktuar; kund. dëgjim. Mosdëgjimi i zërit për shkak të zhurmës (të tingujve) të lartë. Mosdëgjimi i trokitjes në derë e kishte një shpjegim. Mosdëgjimi mirë i radios i shkaktoi njëfarë rrudhje në fytyrë.
2. Mungesa e aftësisë për të dëgjuar tingujt, kur ke humbuar aftësinë e të dëgjuarit dhe je kthyer në shurdh; shurdhim; kund. dëgjim. Bëri operacion në vesh për shkak të mosdëgjimit.
3. Mungesë vëmendjeje a përqendrimi për të dëgjuar mirë atë që thuhet; kund. dëgjim. Mosdëgjimi i mësimit (i shpjegimit) ka pasoja.
4. Mospranimi a kundërshtimi i urdhrave, i kërkesave, i këshillave etj. të dikujt, mosbindje; mungesa e dëshirës për të dëgjuar e për të pranuar diçka; kund. dëgjim. Mosdëgjimi i këshillave (i urdhrave, i porosive, i fjalëve) të prindërve. Mosdëgjimi i mendimit të ekspertëve.
✱Sin.: shurdhim, kundërshtim, mospranim, mosbindje.
MOSGRUMBULLÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Pamundësi, paaftësi a mospranim për të grumbulluar ose për t’u grumbulluar; veprimi dhe gjendja kur nuk grumbulloj ose kur nuk grumbullohem; kund. grumbullim. Mosgrumbullimi i lojtarëve për ndeshje. Mosgrumbullimi i mbeturinave në vendin e duhur. Nuk mungonin edhe mosgrumbullimet. E nisi analizën me mosgrumbullimet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë