Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MASKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Vënia e një maske në fytyrë. Maskimi i fytyrës.
2. Ndërrim i veshjes dhe vënie e mjekrës a i mustaqeve të rreme që dikush të ndryshojë pamjen e jashtme. Vuri syzet e diellit për maskim. Maskimi i trupit. Kostume maskimi. Veshje (bojë) maskimi.
3. Fshehje e një personi a sendi nën degë a diçka tjetër, që të mos duket a të mos dallohet prej të tjerëve; tërësia e mjeteve dhe e mënyrave që përdoren për të maskuar trupat, armët, objektet ushtarake etj. që të mos i dallojë kundërshtari. Maskimi i vendit (i objekteve, i automjeteve, i trupave) me degë pemësh. Përdor maskimin. Prish (heq) maskimin.
4. Fshehje e një veprimi, qëllimi, ndjenje etj. që të mos e kuptojnë ose që të mos e zbulojnë të tjerët. Maskimi i krimit.
5. mjek. Moskuptim i një sëmundjeje a infeksioni për shkak se e mbulojnë simptoma të tjera ose sepse nuk paraqet simptoma të jashtme. Maskimi i infeksionit në trup.
6. fin. Mbulim a fshehje e fitimit. Maskimi i fitimit.
✱Sin.: mbulim, fshehje.
MOSKUPTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pamundësi ose paaftësi për të kuptuar diçka; veprimi dhe gjendja kur nuk e kuptoj diçka; kund. kuptim. Moskuptim i duhur i çështjes. Moskuptimi i detyrave (i shkaqeve). Moskuptimi i mësimit (i shpjegimit, i tekstit).
2. Keqkuptim. Një moskuptim i vogël. Kishte një moskuptim. E sqaroi moskuptimin. Piktura e tij provokoi moskuptim. Po lindin shumë moskuptime. U bë shkak moskuptimesh.
MOSKUPTUESHMËRÍ,~A f. Pamundësi ose paaftësi për të kuptuar dikë a diçka; mungesë kuptueshmërie; pakuptueshmëri; kund. kuptueshmëri. Kjo shkakton moskuptueshmëri të frazave në ligjërim. Jeton në moskuptueshmëri kulturore.
✱Sin.: pakuptueshmëri, moskuptim.
MOSMARRËVÉSHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Pikë, çështje a situatë për të cilën nuk bie dakord dhe nuk e jap miratimin tim; mungesë konsensusi ose miratimi; mospajtim a mospërputhje mendimesh, pikëpamjesh, qëllimesh, veprimesh etj. Mbeti ende një mosmarrëveshje në lidhje me çmimin përfundimtar të shtëpisë.
2. Konflikt ndërmjet dy a më shumë njerëzve, palëve etj.; përçarje, grindje. Mosmarrëveshje të mëdha (të papajtueshme). Mosmarrëveshje familjare (ekonomike, politike, parimore, ideologjike). Lindën mosmarrëveshje. I zgjidhën mosmarrëveshjet. S’ka mosmarrëveshje.
3. Paqartësi ose të kuptuar jo i plotë, jo ashtu si duhet ose i gabuar i diçkaje që thotë a që parashtron dikush tjetër, keqkuptim, moskuptim. Ka ndodhur (ka pasur) një mosmarrëveshje e vogël (e madhe). Këtu ka ndonjë mosmarrëveshje.
✱Sin.: konflikt, mospajtim, mospërputhje, përçarje, grindje, moskuptim, keqkuptim.
MOSZBËRTHÍM,~I m. Mungesë e zbërthimit të diçkaje; pamundësi a paaftësi për të zbërthyer diçka; veprimi kur nuk arrij të zbërthej ose kur nuk zbërthehet diçka; kund. zbërthim, shpërbërje, ndarje, analizë. Moszbërthimi i plotë i proteinës së grurit. Moszbërthimi i kuptimit të fjalës. Moszbërthim i strategjive afatmesme.
✱Sin.: mosshpërbërje, moskuptim, mosndarje.
PAKUPTUESHMËRÍ,~A f. Të qenit i pakuptueshëm; mungesë kuptueshmërie; moskuptim; kund. kuptueshmëri. E rrethonte pakuptueshmëria nga njerëzit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë