Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MORTÓR,~E mb. 1. Që lidhet me vdekjen ose me të vdekurin; që bëhet për një të vdekur ose që zhvillohet në rast vdekjeje; i përmortshëm, i përzishëm; i përvajshëm. Shtrati mortor. Karroca mortore. Kurorë mortore. Drekë mortore. Fjalim mortor. Kambanë mortore. Këngë (melodi) mortore.
2. Vdekjeprurës; ogurzi. Luftë (betejë) mortore. Ngjarje mortore.
3. Që të mundon pa masë, që të sfilit për vdekje. Ankth mortor. Dhembje mortore.
✱Sin.: i përmortshëm, i përzishëm, i përvajshëm, vdekjeprurës, ogurzi, i mortshëm.
MÓRTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. I vdekshëm. Dëgjuesit e mortshëm të lajmeve të trishta.
2. Që sjell vdekjen, vdekjeprurës. Nuk i bënë gjë as tërmetet e mortshme.
3. Që bëhet për një të vdekur ose që lidhet me një rast vdekjeje, mortor. Karvan i mortshëm. Këngë e mortshme.
✱Sin.: i vdekshëm, vdekatar, vdekjeprurës, mortor.
PËRMÓRTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që lidhet me ceremoninë e cila bëhet me rastin e vdekjes së dikujt, që bëhet gjatë kësaj ceremonie ose me rastin e saj.
2. Që ka të bëjë me varrimin e dikujt. Miting i përmortshëm. Sallë e përmortshme. Kortezh i përmortshëm. Marsh i përmortshëm (muz.) pjesë muzikore që luhet kur përcjellin të vdekurin në varreza. Fjalim i përmortshëm (etnogr.) fjalim që mbahet në varrimin e dikujt.
3. Që është në zi. Familje e përmortshme.
4. Që është shumë i trishtuar dhe të kujton vdekjen. Tinguj të përmortshëm. Qetësi (heshtje) e përmortshme. Këngë e përmortshme.
✱Sin.: mortor, i zishëm, i përzishëm, i përzitur, varrimor, funeral, i përmortëm, i përvajshëm, i përvajtueshëm, i trishtuar.
PËRVÁJSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që shpreh hidhërim të thellë, i trishtuar; që ngjall trishtim, që të bën për të qarë. Zë i përvajshëm. Melodi (këngë) e përvajshme.
2. fig. I vajtueshëm. Gjendje e përvajshme.
✱Sin.: i vajtueshëm, i përvajtueshëm, përvajsor, i vajshëm, vajtues, vajtimtar, vajtimor, i trishtuar, i trishtueshëm, varrimor, elegjiak, qarës, qaraman, i hidhëruar, i përlotur, trishtues, vajcak, vajtues, i fajshëm, mortor.
PËRZÍSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është në zi, që mban zi; që mbahet në shenjë zije a për ditë zije, i përzitur. Familje e përzishme. Veshje e përzishme.
2. fig. Që të kujton vdekjen; shumë i zymtë, i trishtuar; i zi. Tinguj të përzishëm. Një natë e përzishme. Bënin një jetë të përzishme.
✱Sin.: i përzitur, i përzitshëm, i përmortshëm, i zymtë, i trishtuar, i zi, i kobshëm, kobndjellës, zindjellës, vdekjendjellës, mortor.
VDEKJEPRÚRËS,~E mb. 1. Që sjell vdekjen, shumë i rrezikshëm, shumë i dëmshëm për shëndetin. Sëmundje (plagë) vdekjeprurëse. Helm (gaz) vdekjeprurës. Gjarpër vdekjeprurës. Ethe vdekjeprurëse. Goditje vdekjeprurëse. Armë vdekjeprurëse.
2. fig. Që sjell shkatërrim, shkatërrimtar, asgjësues; shumë i ashpër a i rëndë. Grusht vdekjeprurës. Politikë vdekjeprurëse. Hap vdekjeprurës. Pasoja vdekjeprurëse. Luftë (betejë) vdekjeprurës.
✱Sin.: vdekjesjellës, rrënimtar, shfarosës, mortor.
VDEKJESÓR,~E mb., libr. Që ka të bëjë me vdekjen a me të vdekurin, mortor. Ceremoni vdekjesore. Kortezh vdekjesor.
✱Sin.: i përmortshëm, i përzishëm, mortar, i përvajshëm, i mortshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë