Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►DAFNJ/ÉHEM jovep., ~ÉVA (u), ~ÝER bised. 1. vetv. Lodhem tepër, këputem, rraskapitem.
2. pës. e DAFNJÉJ.
✱Sin.: lodhem, dërrmohem, sqaqem, leqendisem, mundohem, molisem, shkrihem, sfilitem, shkallmohem, capërlohem, gajasem, topitem, ronitem, katitem, telikosem, pocaqisem, drobitem, shparitem, stërmundohem, rropatem.
►DROBÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR bised. 1. vetv. Lodhem shumë, këputem, dërrmohem; më priten fuqitë, dobësohem shumë (nga sëmundjet, nga lodhja, nga pleqëria). Drobiteshin në punë. U drobitën duke prashitur gjithë ditën.
2. pës. e DROBÍT.
✱Sin.: rraskapitem, dërrmohem, stërmundohem, sfilitem, kapitem, topitem, molisem.
►LÍG/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Tretem nga trupi, dobësohem nga të pangrënët, nga një sëmundje etj., hiqem; kund. majmem, shëndoshem. Është ligur nga meraku. Nuk u ligën qetë (bagëtitë) gjatë dimrit. U lig shumë.
2. vetv. Bie nga shëndeti; sëmurem.
3. vetv., vet. v. III Bëhet jopjellore, varfërohet. Është ligur toka.
4. vetv., vet. v. III Dobësohet, pakësohet, bie. Iu ligën fuqitë. Iu lig drita e syrit.
5. vetv. Pikëllohem shumë, këputem; më bie të fikët; më vjen ligështi. U lig kur e mori vesh.
6. pës. e LIG.
✱Sin.: dobësohem, tretem, ligësohem, ligështohem, prehalohem, bëshnjakem, grymosem, keqësohem, stërkeqem, sqaqem, zhabem, shkalafitem, shkalitem,flashkem, molisem, sëmurem, ligështohem, varfërohet, pikëllohem, këputem, alivanosem, zalisem.
♦ M’u lig (m’u ligështua) *ora. M’u lig (m’u ligështua) *zemra (shpirti).
►LIGËSHT/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Dobësohem nga trupi, hiqem, tretem; më priten fuqitë; kund. shëndoshem.
2. vetv. Bie nga shëndeti, sëmurem.
3. fig., vetv. Më lëshon zemra e mposhtem nga vështirësitë a nga fatkeqësitë, vritem shpirtërisht; humbas guximin, trembem; prekem thellë nga diçka e dhimbshme dhe nuk e mbaj dot veten. Nuk ligështohet asnjëherë. Nuk i duron dot të qarat, ligështohet shpejt. Burrat (trimat) nuk ligështohen. - Ti na shpëtove të gjithëve nga gjermani që kur jeshe ferishte e të mbante mëma në duar e jo të më ligështohesh tani që je burrë!
4. vetv. Më bie të fikët; me vjen ligështi.
5. vetv., vet. v. III Humbet pjellorinë, varfërohet. Toka do pleh, përndryshe ligështohet.
6. pës. e LIGËSHTÓJ.
✱Sin.: dobësohem, tretem, ligem, mposhtem, vritem, shkurajohem, demoralizohem, zhabem, rraskapitem, ligësohem, molisem, flashkem, shkalitem, zbruhem, zhabem, rrëzohem, trembem, zhargavitem, zvogëlohem, prekem, alivanosem, zalisem, zhakëmbehet, varfërohet.
♦ M’u ligështua (m’u lig) *ora. M’u ligështua (m’u lig) *zemra (shpirti).
►LÓDH/EM jovep., ~A (u), ~ÚR 1. vetv. Më pakësohet a më pritet fuqia, e ndiej veten të këputur a të dobësuar (nga një punë e rëndë, nga një udhëtim i gjatë, nga një sëmundje a gjendje e rëndë shpirtërore etj.); kund. çlodhem. U lodh shumë. U lodh e u bë përshesh u lodh shumë, u rraskapit, u këput fare. Nuk lodhet lehtë. M'u lodhën duart (këmbët, sytë) U lodh më këmbë. Sa jam lodhur sot! Rri, se u lodhe! Po nuk u lodhe sot, do të mundohesh mot. (fj. u.).
2. Përpiqem e mundohem shumë për të bërë diçka a për dikë, harxhoj fuqitë për t’ia arritur diçkaje. U lodh e u mundua, po s’nxorri gjë. Sa është lodhur nëna për ty! U lodh duke ia shpjeguar (duke ia përsëritur). Mos u lodhni kot, s’i mbushet mendja atij!
3. Mërzitem shumë nga pritja e gjatë, nga kërkesa të vazhdueshme, nga vështirësitë e shumta etj., humbas durimin e qëndresën; thyhem shpirtërisht, e lëshoj veten. U lodha, s’pres më. Mos u lodh kaq shpejt! M’u lodhën veshët. S’lodhet kurrë ai me fëmijët. U lodh nga jeta.
4. pës. e LODH.
✱Sin.: rraskapitem, këputem, dërrmohem, drobitem, sqaqem, leqendisem, mundohem, dobësohem, molisem, postatem, mërzitem.
♦ *Gjuhët e gjata janë lodhur tall. S’i lodhet *gjuha (dikujt).
►SHEMBËRK/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ ÚAR 1. vetv. Lodhem shumë duke bërë një punë, më priten fuqitë, rraskapitem. Shembërkohem në punë. Shembërkohem nga rruga. Ishte shembërkuar, po nuk ankohej.
2. pës. e SHEMBËRKÓJ. U shembërkua nga puna e lodhshme.
✱Sin.: kapitem, rraskapitem, dërrmohem, mundohem, stërmundohem, molisem, robtohem, rraskapitet, rropatem, stërmundohem, torturohem, shkalafitem.
►SHKALAFÉND/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv., bised. 1. Lodhem, ligështohem; plogështohem. Shkalafendem edhe në fundjavë.
2. Ngathem; bëhem i qullët. U shkalafend prej udhëtimit.
✱Sin.: rraskapitem, ligështohem, dobësohem, dërrmohem, molisem, vritem, kalaveshem, plogështohem, shkolizem.
►SHKALLAVÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Eci me hapa të lëshuar, lodhem, rraskapitem; shembërkohem. Shkallavitem kur bëj rrugë të gjata.
2. vetv. E lëshoj veten në ecje, punë; shkalafendem. Në vend që të çlodhej, shkallavitej.
3. pës. e SHKALLAVÍT.
✱Sin.: kapitem, rraskapitem, dërrmohem, mundohem, stërmundohem, molisem, robtohem, rraskapitet, rropatem, stërlodhem, torturohem, shkalafitem.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë