Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MOHÚES,~E mb. 1. Që shpreh mohim, mospajtim, mospëlqim etj.; që mohon a që kundërshton diçka. Përgjigje mohuese. Qëndrim mohues. Bëri një shenjë (një lëvizje) mohuese.
2. gjuh. Që përdoret për të shprehur mohim, mospajtim, mospëlqim etj., që ka kuptimin e mohimit; mohor. Fjali mohuese. Fjalë mohuese. Pjesëza mohuese. Me kuptim mohues.
POHÓR,~E mb. 1. Që pohon diçka; pohues; kund. mohor. Fjali pohore (gjuh.). Trajtë (formë) pohore (gjuh.).
2. fiz. Pozitiv. Magnetizëm pohor.
3. gjuh. Që është trajtë e mbiemrave cilësorë dhe e disa ndajfoljeve që tregon shkallën e parë, në të cilën tipari cilësor shënohet pa e krahasuar me një tjetër. Shkalla pohore.
✱Sin.: pohues, pozitiv.
Ç’I përem. pyetës 1. Përdoret në fjali pyetëse për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një send, frymor, dukuri tipar a një veprim të panjohur që duam ta dimë (përdoret përpara foljeve); çfarë. Ç’po bën? Ç’po ndodh? Ç’është kjo? Ç’ka ngjarë? Ç’do nga unë? Ç’ka aty? Ç’të tha? Ç’e ke atë? Ç’ju solli këtu? Ç’është? bised. çfarë po ndodh?, si është puna?, çfarë kërkon? Ç’u bë? bised. a) ku vajti?, ku shkoi?, b) çfarë ndodhi?
2. Përdoret në fjali pyetëse për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për natyrën, llojin, tiparet a veçoritë, shenjën e karakteristikat e një frymori, sendi, dukurie ose veprimi (përdoret përpara emrave në rasën emërore ose kallëzore të pashquar); cili, çfarë. Ç’punë bën? Ç’njeri është? Ç’libër doni? Ç’kuptim ka? Në ç’klasë je? Me ç’mjete do të nisemi? Në ç’orë? Nga ç’anë të kaloj? Në ç’vend? Në ç’gjuhë? Prej ç’lënde është bërë? Me ç’detyrë është ngarkuar?
3. Përdoret për të pyetur për punën a detyrën e një njeriu në marrëdhënie me të tjerët ose për lidhjet e tij familjare etj.; çfarë. Ç’e ke atë djalë? Ç’e ka babai yt atë? Ç’je ti këtu? Ç’e keni atë në zyrë?
4. Përdoret në fjali thirrmore kur shprehim habi për shkallën e shfaqjes së tipareve të një frymori, sendi, dukurie a të një veprimi; çfarë. Ç’gëzim i madh! Ç’trim që ishte! Ç’punë e madhe! Ç’ditë e bukur! Ç’njeri i keq! Ç’budallallëk! U bë festë e ç’festë!
5. Përdoret në fjali thirrmore ose në pyetje retorike që nënkuptojnë përgjigjen mohuese “asgjë” (përdoret para një foljeje); çfarë. E ç’është ai? E ç’e gjeti? Ç’fituam? Ç’ka për t’u çuditur?! Ç’mund të jetë më e rëndësishme se kjo?!
6. Përdoret në fjali thirrmore që shprehin habi ose në fjali mohuese që nënkuptojnë përgjigje pohuese me kuptimin “gjithçka”, “çdo gjë”, “çmos”; çfarë. Ç’nuk bën! Ç’nuk kishte atje! Ç’nuk i tha! Ç’kam parë atje! Ç’ka hequr!
7. Përdoret së bashku me pjesëzën “ja” kur dikush fillon të tregojë a të numërojë diçka drejtpërdrejt ose kur e mbyll tregimin a numërimin; çfarë. Ja ç’tha ai. Ja ç’dëgjova. Ja ç’më ndodhi. Ja ç’kam marrë. Ja ç’më dhanë.
8. Përdoret së bashku me pjesëzën “ja” për të shprehur habi, kënaqësi, zemërim, përçmim etj.; çfarë Ja ç’na qenka! Ja ç’paska bërë! Ja ç’vete e bën! Ja ç’do të thotë të mos punosh!
9. Përdoret në disa togje foljore që shprehin veprimin a gjendjen në mënyrë të theksuar nëpërmjet përsëritjes së foljes; çfarë. U bë ç’u bë... Të gjeti ç’të gjeti...U tha ç’u tha... Të bëhet ç’të bëhet... Kjo qenka ç’qenka! Kësaj i thonë ç’i thonë! Mori ç’mori dhe iku. Bënte ç’bënte... Di ç’di...Pa ç’pa...
10. bised. Përdoret në fjali pyetëse, por në të vërtetë shpreh kuptim mohor në formë këshille të asaj thënieje; çfarë, për çfarë (zakonisht me intonacion ironik). Ç’ia vë re?! mos ia vë re. Ç’e pyet kot! mos e pyet kot. Ç’lodhesh me të! mos u lodh me të. Ç’e dëgjon atë? mos e dëgjo atë.
11. bised. Çfarë, për çfarë, për cilin qëllim, përse; çfarë, për çfarë shkaku, për cilën arsye, pse. Ç’të duhet? Ç’më rri aty? Ç’ta marr kot? Ç’e kërkon? E ç’të vete? Ç’të ta them kot? Ç’i ke ato para? Ç’më je nxirë ashtu? Ç’e do! është e kotë tashmë, nuk vlen, nuk duhet.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë