Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ENËZGJERÚES,~E mb., mjek. 1. Që shkakton zgjerim të enëve të gjakut; kund. enëngushtues. Kanë efekt enëzgjerues tek enët e gjakut. Një ndikim modest enëzgjerues. I eksperimentuar si ilaç enëzgjerues.
2. si em. Diçka që shkakton zgjerim të enëve të gjakut. Enëzgjerues i fuqishëm arterial. Kaliumi është enëzgjerues i njohur.
KOKÚLUR mb. 1. Që e mban kokën të ulur; që rri me kokën ulur. Pashë një plak kokulur.
2. fig. I mërzitur, i turpëruar dhe i penduar (për një gabim a faj që ka bërë); kokëvarur. Pse rrini kokulur?
3. fig. I thjeshtë, modest dhe i shtruar në punë; që shikon punën e vet dhe nuk merret me llafe a me thashetheme; modest. Punëtor kokulur.
4. fig. I bindur, i dëgjuar, që nuk shpreh asnjë kundërshtim kur e urdhërojnë; i përvuajtur. Nxënës (student) kokulur.
5. si ndajf., edhe fig. Me kokë të ulur; pa bërë asnjë fjalë; duke parë vetëm punën e vet; me turp. Rrinte (punonte) kokulur.
✱Sin.: kokulët, kokëvarur, i përvuajtur, i bindur, i dëgjuar, i pafjalë.
KRYEKËRRÚSUR mb. 1. Që e ka kokën të kërrusur përpara; kokulur. Plak kryekërrusur.
2. fig. Që s’është mendjemadh; që punon pa fjalë; kokulur; modest.
3. fig. I përvuajtur; i brengosur.
✱Sin.: kokulur, modest, i përvuajtur, i brengosur.
MODÉST,~E mb., libr. 1. Që sillet me thjeshtësi a që jeton thjesht; që nuk mburret për aftësitë e zotësinë që ka ose për punën e rëndësishme që bën ose që nuk e mbivlerëson vetveten; që nuk parashtron kërkesa të tepruara; që është tipar i një njeriu të tillë; i thjeshtë; i përulur. Njeri (dijetar, udhëheqës, drejtues) modest. Është (tregohet) modest. Grua modeste.
2. Që është i thjeshtë e pa luks, jo i shtrenjtë; që nuk ka teprime ose ekstravagancë, që nuk të tërheq vëmendjen për pamje të ngarkuar me gjëra të panevojshme. Shtëpi (banesë) modeste. Veshje modeste. Jetë modeste.
3. Që ka vlerë, rëndësi ose arritje jo të mëdha. Punë (vepër) modeste. Kontribut modest.
4. Që është i pakët a i kufizuar në sasi, nivel, përmasa etj.; i vogël, i ulët. Të ardhura (shuma) modeste. Me çmime modeste.
✱Sin.: i thjeshtë, i përulur, i pakët, i vogël, i kufizuar, i ulët.
MODESTÍ,~A f., libr. 1. Vetia e atij që largohet nga të kërkuarit vëmendje a vlerësim për meritat e veta, të qenët modest, vetia e atij që është modest, thjeshtësi. Kishte modesti në veshje. Modesti e tepruar. Shenjë (prove) modestie. E bën për modesti. E ka nga modestia. Ai njeri karakterizohet nga modestia. Modestia e zbukuron njeriun. Dallohej për modestinë e tij. Ka modesti në rrëfimin e autores.
2. Vetia e atij që ka ndjenjën e masës për të mos i kaluar kufijtë dhe për të mos tërhequr vëmendje me ekstravagancë a mburravecëri në të folur, në sjellje ose në veshje; thjeshtësi, përulësi. E pranoi të vërtetën me modesti. Sillet me modesti. Foli me modesti për arritjet e tij. I shprehu pikëpamjet e veta me modesti. Në blogun e saj nuk dallohet asnjë fije modestie.
✱Sin.: thjeshtësi, përulësi, kryeultësi.
PÁKTË (i, e) mb. 1. edhe si em. Që është në sasi të vogël; që përbëhet nga një numër i vogël qeniesh, sendesh, dukurish etj. të një fare; kund. i shumtë. Letra të pakta. Raste të pakta. Ujë i paktë. Janë të paktë në numër. I ka të pakta fjalët nuk flet shumë. Është një ndër të paktët.
2. Që nuk i plotëson kërkesat, që nuk është aq sa duhet; i pamjaftueshëm, i dobët; kund. i duhur. Ndihmë e paktë. Përvojë e paktë. Ka njohuri të pakta.
3. I imët nga trupi, i shkurtër dhe i dobët; jo i bëshëm; kund. i bëshëm. Fëmijë (djalë, plak) i paktë. Grua (vajzë) e paktë. Ishte i paktë nga trupi.
✱Sin.: i pakë, i vogël, modest, i pamjaftueshëm, i imët, i dobët, i zbehtë, i kufizuar, i rrallë, i hollë, i pazhvilluar, imëtak, vogëlan, i shkurtër, i pabëshëm, i hequr, shëndetlig, shpirraq, i rrëgjuar, shtatpaktë.
♦ Nuk është i paktë. 1. (dikush). Është dhe ai ndër ata që dallohen, duhet të matesh mirë me të; ka edhe ai aftësi e merita të veçanta ose vlerë a peshë jo të vogël në shoqëri. 2. (diçka). Është me pasoja të rënda ose është e madhe e me rëndësi, është serioze. I ka të pakta *bukët (dikush). (E mbaj) si *ujët e paktë (dikë a diçka). (E pret) si *ujët e pakët (e ftohtë) (dikë a diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë