Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGJITÍM,~I m. sh. ~E, ~ET polit. 1. Veprim kur agjitoj.
2. Nxitje gojore ose shkrimore për veprime, lëvizje etj. për të arritur qëllime të caktuara politike, sociale, ekonomike; të agjituarit. Agjitim i fshehtë. Agjitim i profesional. Agjitim provokues. Agjitim për pjesëmarrje në veprimet të organizuara. Agjitim për mobilizim.
✱Sin.: agjitacion, propagandë, parullë.
LUFTËTHIRRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Thirrje për luftë, thirrje për mobilizim; nxitje për luftë. Luftëthirrjet e udhëheqësve u përhapën shpejt mes popullatës, duke ndezur frymën e konfliktit.
MOBILIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi dhe gjendja kur mobilizoj shtetasit a njerëzit; veprimi dhe gjendja kur mobilizohem; kund. çmobilizim. Mobilizim i përgjithshëm (i jashtëzakonshëm, vullnetar, i detyrueshëm). Mobilizimi i ushtarëve (i ushtrisë, i luftëtarëve). Mobilizimi i punonjësve (i rinisë). Mobilizimi i popullit (i masave, i gjithë kolektivit, i organizatave). Atmosferë mobilizimi. Gjendje mobilizimi. Ligji (dekreti) i mobilizimit. Me frymë mobilizimi. Shpallet mobilizimi (usht.). Kërkohet (duhet) mobilizim.
PËRGJÍTHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i përbashkët ose karakteristik për një tërësi njerëzish, sendesh a dukurish, që u përket të gjithëve ose një numri të madh njerëzish, sendesh etj.; kund. i veçantë; i posaçëm. Parime të përgjithshme. Tipare (karakteristika) të përgjithshme. Trajta më e përgjithshme e një fjale. Mënyra më e përgjithshme e shqiptimit. Rregull i përgjithshëm.
2. Që përfshin të gjithë anëtarët e një popullsie, të një grupi njerëzish etj.; që bëhet për të gjithë njerëzit ose nga të gjithë njerëzit; kund. i pjesshëm. Votim i përgjithshëm dhe i fshehtë. Arsim i përgjithshëm. Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë.
3. Që prek diçka në tërësi, që e përfshin të tërën që ndodh ose që bëhet në përpjesëtime të gjera a në një hapësirë të madhe, që e përfshin të gjithë. Mobilizim i përgjithshëm. Rrëmujë e përgjithshme. Dobësi e përgjithshme e organizmit.
4. Që përfshin të gjitha sendet a dukuritë e një kategorie pa përjashtim; që bëhet në mënyrë tërësore dhe rrënjësore, i plotë; kund. i pjesshëm. Pastrim i përgjithshëm. Kontroll i përgjithshëm.
5. Që merret në tërësi, që merret i gjithë, tërësor. Prodhimi i përgjithshëm industrial. Vëllimi i përgjithshëm i qarkullimit të mallrave. Numri i përgjithshëm i popullsisë.
6. Që lidhet drejtpërdrejt me pjesën më të madhe të popullit, që i përket gjithë popullit ose shumicës dërrmuese të tij, që është i të gjithëve, që ka të bëjë me gjithë shoqërinë; që është pranuar nga të gjithë; kund. vetjak. Lumturia (e mira) e përgjithshme. Mendimi i përgjithshëm. Interesi i përgjithshëm.
7. Që ka të bëjë me natyrën, me botën reale e me shoqërinë në tërësi; që e formon njeriun në përgjithësi; kund. i veçantë; profesional. Ligjet e përgjithshme të natyrës (të shoqërisë). Kulturë e përgjithshme. Arsim i përgjithshëm. Lëndët e kulturës së përgjithshme.
8. Që është a që bëhet në përgjithësi, që nuk hyn në hollësira. Në vija të përgjithshme. Diskutim i përgjithshëm. I shtroi çështjet në mënyrë të përgjithshme. U shpreh me fjalë të përgjithshme. Si rregull e përgjithshme...
9. Që është në krye të të gjitha degëve a të të gjitha hallkave organizative të një administrate, të një ushtrie etj.; që udhëheq gjithë veprimtarinë e një organi a të një organizate. Komandanti i përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm.
10. mjek. Që prek të gjithë trupin; që vepron mbi të gjithë trupin; kund. i pjesshëm. Sëmundje e përgjithshme. Mpirje e përgjithshme. Bar (helm) me veprim të përgjithshëm.
11. tek. Që është ndërtuar për të kryer punë nga më të ndryshmet, i gjithanshëm, universal; kund. special.
12. shkenc. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa shkencave që merren me studimin e parimeve themelore, teorike dhe përfshijnë konceptet themelore ose japin njohuritë kryesore në fusha të caktuara. Gjeografia e përgjithshme. Historia e përgjithshme. Biologjia e përgjithshme. Kimia e përgjithshme. Gjuhësia e përgjithshme.
13. gjuh. Që emërton një klasë të tërë qeniesh të gjalla, sendesh a dukurish, sipas tipareve të tyre të përbashkëta; kund. i përveçëm. Emër i përgjithshëm (p.sh. njeri, dele, ujk, libër, shkollë, liri, lumturi etj.).
14. Përdoret si pjesë e dytë në emërtimin e disa specialistëve, që punojnë në një fushë të gjerë të veprimtarisë, të prodhimit etj., që nuk janë të specializuar vetëm për një fushë të ngushtë: Agronom i përgjithshëm. Mjek i përgjithshëm. Gjeolog i përgjithshëm.
✱Sin.: i gjithmbarshëm, i gjithunjishëm, i gjithësishëm, i gjithanshëm, universal, frontal, botor, publik, plenar, tërësor, i tërësishëm, total, global, grumbullor, i plotë, kapital, panoramik, i përbashkët.
USHTARÁK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me ushtrinë a me ushtarakët, që i përket ushtrisë, i ushtrisë a që u përket ushtarakëve, i ushtarakëve; që është veti, cilësi a veçori e ushtrisë ose e ushtarakëve; që lidhet me shërbimin në ushtri. Shërbimi ushtarak. Rregullore ushtarake. Detyrimi ushtarak. Mobilizim ushtarak. Repart ushtarak. Shkollë (akademi) ushtarake. Spital ushtarak. Gjyq ushtarak. Postë ushtarake. Specialist (mjek) ushtarak. Përgatitje (stërvitje) ushtarake. Material ushtarak. Zonë ushtarake. Objekt ushtarak. Sekret ushtarak. Fshehtësia ushtarake. Shtypi ushtarak. Betim ushtarak. Detyrë ushtarake. Uniformë (çantë) ushtarake. Biletë ushtarake. Policia ushtarake. Disiplinë ushtarake. Edukatë ushtarake. Me hap ushtarak.
2. Që i shërben ushtrisë dhe luftës; luftarak. Bazë ushtarake. Industria ushtarake. Uzinë ushtarake. Punëtori ushtarake. Aeroport ushtarak. Poligon ushtarak. Anije ushtarake. Aeroplan ushtarak. Ndihmë ushtarake.
3. Që mbështetet në forcën e ushtrisë; që bëhet me anë të ushtrisë. Pushtet ushtarak. Sundim ushtarak. Grusht ushtarak. Klikë ushtarake. Ekspeditë ushtarake. Aventurë ushtarake. Kërcënim (provokacion) ushtarak.
ÇMOBILIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET usht. 1. Veprimi kur çmobilizoj dikë nga shërbimi ushtarak ose çmobilizohem; kund. mobilizim. Çmobilizim i përgjithshëm (i pjesshëm). Çmobilizimi i ushtarëve (i ushtrisë). Urdhri i çmobilizimit. Çarmatosja e çmobilizimi i të gjithë trupave ushtarake.
2. fig. Rënie e hovit për një punë, dobësimi i vrullit dhe i vullnetit të dikujt; kund. mobilizim. Çmobilizim i plotë. Zdërhallja e ushtarëve e shtonte frymën e çmobilizimit. Çmobilizimi i opozitës në luftën politike ditore.
✱ Sin.: lirim, lëshim, dobësim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë