Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANTILÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Antilope) Gjitar i egër ripërtypës i vendeve të Azisë e të Afrikës, me pamje e madhësi të ndryshme, me brirë të gjatë, me lëkurë me qime të shkurtra, me këmbë të gjata, që vrapon shumë shpejt. Kope antilopash. Këmbëshpejtë si antilopa. Çantë antilope.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje antilopash: Antilopa bricjape (lat. Capricornis sumatraensi) antilopë e zakonshme, gazelë. Antilopa bricjape japoneze (lat. Capricornis crispus) antilopë e ngjashme me dhinë, me brirë të gjatë e me lëkurë në ngjyrë kafe të errët a të hapët. Antilopa bridre (lat. Antilope cervicarpa) antilopë e ngjashme me drerin, me brirë të zgavruar, të drejtë ose të lakuar, me këmbë të gjata e të holla dhe me një tufë flokësh në bishtin e shkurtër. Antilopa bridredhur (lat. Tragelaphus strepsiceros) antilopë me trup të madh, me bisht të gjatë, me lëkurë në ngjyrë kafe a gri e kaltër në të kuqërremtë, me vija të bardha në trup. Antilopa brihollë (lat. Pelea capreolus) gazelë e vogël afrikane shumë e shpejtë dhe e shkathët, me lëkurë në ngjyrë gri të zbehtë në të kuqërremtë e me veshë të gjatë e të ngritur lart. Antilopa brikthyer (lat. Hippotragus niger) antilopë që jeton në savanet e Afrikës Jugore dhe të asaj Lindore, me kreshtë në pjesën e epërme të qafës, me brirë në formë unaze që shtrihen prapa në formën e një shpate. Antilopa brisfurk (lat. Antilocapra americana) antilopë bribardhë, që jeton në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kanadasë dhe të Meksikës, me trup të trashë, me këmbë të gjata e të holla, me thundra të mprehta, që mund të kërcejë deri në tetë metër gjatësi, kur vrapon. Antilopa briunazë e malit (lat. Tragelaphus buxtoni) antilopë me gëzof të hirtë ngjyrë kafe, me dy deri në pesë shirita të bardhë në shpinë, në fytyrë, në fyt e në këmbë, me bisht të gjatë deri te thembrat, me veshë të mëdhenj shumë të ndjeshëm e me qime të bardha, që jeton në pyje të larta malore. Antilopa e butë (lat. Alcelaphus buselaphus) antilopë me lëkurë në ngjyrë kafe të errët te meshkujt e në ngjyrë kafe në të verdhë te femrat, me bisht të gjatë, që jeton në kope dhe ushqehet në mëngjes herët dhe në pasdite vonë. Antilopa e egër (lat. Connochaetes gnu) antilopë njëthundrake, me kokën si të demit e me trupin si kalit; gnuja, antilopa e zakonshme, antilopa afrikane. Antilopa e hirtë e vogël (lat. Raphicerus campestris) antilopë e vogël, me trup të hijshëm, me sy të vegjël, me lëkurë në ngjyrë gështenjë të zbehtë në pjesën shpinës e në ngjyrë të bardhë nga barku, me një njollë të bardhë në fyt dhe mbi sy. Antilopa jugafrikane (lat. Damaliscus lunatus lunatus) antilopë e madhe, me brirë të gjatë unazorë, me gëzof qimeshkurtër dhe të shndritshëm në ngjyrë kafe në të kuqërremtë, me bisht me tufë të zezë, me bark të bardhë, me këmbët e para dhe kofshët me njolla ngjyrë gri, vjollcë të errët ose të kaltër të mbyllët, me gjymtyrët e pasme ngjyrë kafe të verdhë, që jeton në tufa e ushqehet në kullota të hapura. Antilopa gjigante jugafrikane (lat. Taurotragus derbianus) antilopë shumë e madhe, me brirë të përdredhur. Antilopa e kaltër (lat. Boselaphus tragocamelus) antilopë trupmadhe e Azisë, me këmbë të holla, me shpinë të pjerrët, me qafë të thellë me një njollë të bardhë në fyt, me kreshtë të shkurtër e qime përgjatë qafës që përfundon në një tufë dhe me njolla të bardha në fytyrë, që vrapon duke galopuar. Antilopa e kallamishtes (lat. Redunca arundium) antilopë me gëzof të shndritshëm, me lëkurë në ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, më e çelët në qafë dhe në kraharor e me barkun në ngjyrë të bardhë, me brirë të shtrembër (mashkulli) e pa prirë (femra); antilopa e kallamishtes malore. Antilopa katërbrirëshe (lat. Tetracerus quadricornis) antilopë e vogël me këmbë të holla dhe me bisht të shkurtër, me katër brirë të gjatë, që rri në tufa të vogla e që ushqehet me barishte, shkurre, gjethe, lule, fruta etj. Antilopa e kepit (lat. Taurotragus oryx) antilopë trupmadhe e fushave dhe e savaneve, që ushqehet kryesisht me bar dhe gjethe e jeton në tufa të mëdha. Antilopa e kënetave (lat. Tragelaphus spekei) antilopë me trup mesatar, me bisht të gjatë, me veshët si disk, me lëkurë në ngjyrë të kuqe dhe gështenjë me njolla të bardha në fyt, afër kokës dhe në gjoks. Antilopa kërcyese (lat. Aepyceros melampus) antilopë me trup mesatar, që rritet në Afrikën lindore dhe jugore, që është shumë e shkathët e që vrapon duke kërcyer. Antilopa larane (lat. Damaliscus dorcas) antilopë trupmesatare briunazore, e ngjashme me rinoqerontin e bardhë, me gëzof ngjyrëgështenjë ose të kafenjtë, me barkun të bardhë, me njolla të bardha te hunda, te sytë dhe midis brirëve, me feçkë katërkëndëshe. Antilopa e lumit (lat. Kobus ellipsiprymnus, Limnotragus silatunga) antilopë trupmadhe, që jeton në vise nënsahariane, me lëkurë në ngjyrë kafeje dhe të hirtë, me brirë të gjatë si spirale (vetëm mashkulli), që ushqehet në tufë e në kullosa pranë burimeve të ujit; dhia e ujit. Antilopa e vogël e malit (lat. Oreotragus oreotragus) antilopë e vogël, e fortë, e shkathët, me veshë të shkurtër të shënuar me ngjyrë të zezë, me mjekër të bardhë dhe me brirë të shkurtër me majë që i ka vetëm mashkulli. Antilopa mbretërore (lat. Neotragus pygmaeus) antilopë trupvogël, në madhësinë e një lepuri, me këmbë të gjata dhe të holla, me këmbët e pasme më të gjata se këmbët e parme, me gëzof të butë me ngjyrë të kuqërremtë dhe kafe në shpinë, me barkun e pjesën e brendshme të këmbëve në ngjyrë të bardhë, me një brez të kafenjtë që përshkon gjoksin e barkun dhe me brirë shumë të vegjël me ngjyrë të zezë të lëmuar në trajtë koni. Antilopa e ujit (lat. Kobus leche) antilopë truplartë e thundërgjerë, me gëzof në ngjyrë si thjerrëza e kuqe, të errët ose të zezë, me barkun të bardhë, brirët e mashkullit janë në trajtë spiraleje, me gjymtyrët e pasme më të gjata se të përparmet. Antilopa xhuxhe (lat. Madoqua) antilopë trupshkurtër, që jeton në vise malore në lartësi deri dy mijë metër në zonat e Afrikës lindore dhe jugore; antilopa mbretërore.
ÁSHPËR (i, e) mb. 1. Që e ka sipërfaqen me të dala të vogla, që nuk është i lëmuar në të prekur, që të gërvisht lëkurën kur e prek; kund. i butë. Letër e ashpër. Lëkurë (pëlhurë) e ashpër. Duar të ashpra. Çarçaf i ashpër. Dërrasë e ashpër.
2. Që është i fortë, që nuk përkulet në të prekur, i kreshtë; kund. i butë. Lesh i ashpër. Mjekër (qime) e ashpër. Furçë e ashpër.
3. Me thërrmija a me kokrriza të mëdha, jo i imët, i trashë. Miell i ashpër. Sheqer i ashpër. Rërë e ashpër.
4. tekst. Që sapo ka dalë nga tezgjahu dhe nuk është përpunuar më tej. Pëlhurë (beze) e ashpër. Fill i ashpër. Prodhime të ashpra.
5. Që është me male të larta e me shkëmbinj të thepisur, i thyer, i vështirë për t’u kaluar (për një vend); kund. i butë. Vend i ashpër. Male të ashpra. Krahinë e ashpër. Natyrë e ashpër.
6. fig. Që shoqërohet me të ftohtë të madh, me ngrica e me stuhi dëbore (për motin); kund. i butë. Mot i ashpër. Dimër i ashpër. Klimë e ashpër.
7. fig. Që është shumë i rreptë e i përgjakshëm; që bëhet me vështirësi dhe me mundime të mëdha, që është plot ndeshje e përpjekje të vështira. Luftë (përleshje) e ashpër. Ndeshje e ashpër. Jetë e ashpër. Kushte të ashpra. Konkurrencë e ashpër.
8. fig. Që i mungon butësia; që nuk sillet me dashamirësi, i vrazhdë; që shpreh rreptësi, i rreptë; kund. i butë. Prind (mësues) i ashpër. Sjellje e ashpër. Fytyrë e ashpër. Zë (ton) i ashpër. Fjalë (përgjigje) e ashpër. Bëhet i ashpër.
9. fig. Që godet rëndë e pa lëshime. Kritikë e ashpër.
10. fig. Që kërkon zbatim të përpiktë e pa shmangie; i rreptë, i shtrënguar. Ligj (rregull) i ashpër. Disiplinë e ashpër. Dënim i ashpër. Masa të ashpra. E vërteta e ashpër.
11. Që është i fortë, por i cilësisë së dobët e me shije të keqe, jo i këndshëm në të ngrënë a në të pirë; i dobët, i varfër nga përmbajtja ushqyese. Raki (verë) e ashpër. Duhan i ashpër. Ushqime të ashpra ushqime të thata për kafshët, si kashta etj.
✱Sin.: i rreptë, i vrazhdë, i egër, gërvishtës, i vështirë, i tharë, i plasaritur, i grathët, i carangthtë.
BABAGJÝSH,~I m. sh. ~ËR, ~RIT [BABAGJÝSH,~I m. sh. ~A, ~AT] 1. Gjysh. - Erdhi babagjyshi! Në prehrin e babagjyshit. Babagjyshi ishte burrë shumë krenar. Kaq të mençur ishin babagjyshërit tanë. Të tillë më kanë lënë gjysh e babagjysh. Në kohën e babagjyshit tim.
2. Plaku i Vitit të Ri. Babagjyshi i Vitit të Ri. Veshje babagjyshi. Qytetarë të veshur si babagjysha. Me mjekër si Babagjyshi i Vitit të Ri.
3. Emër me të cilin i drejtohemi një të moshuari me nderim. - Ulu, babagjysh!
✱Sin.: gjysh, babaplak, babazot, babamadh, atëgjysh, atëlosh, tatëlosh, tatëzot, tatëmadh, babëlok, baballëk, babadajo.
BÚRM/Ë,~AIII f. sh. ~A, ~AT 1. Gropëz në mjekër a në faqe, qukë, gropëçele. Burmat e faqeve. Burma e mjekrës. Burmat e fëmijërisë. I bëhen burma kur qesh.
2. Gropëz a vrimë e vogël që mban diçka (si bubëza e pushkës, kupëza e lules etj.). Burma e pushkës.
3. Pulla që i qepen dyshekut, një sipër dhe një poshtë, për të mos u mbledhur leshi, pambuku etj., kilzë.
CJAP,~I m. sh. CJEP, CJÉPTË zool. 1. Mashkulli i dhisë. Cjap i bardhë. Cjap shyt. Cjap pa brirë. Mish cjapi. Lëkurë cjapi. Cjapi edhe pa mjekër cjap mbetet. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të disa lloj cjepësh. Cjap i balër cjap me balë në ballë. Cjap i çipër cjap me veshë të vegjël. Cjap i llapër cjap llapush. Cjap i mëllënjër cjap i kuqërremtë në të zezë. Cjap i rrepër cjap i kuqërremtë. Cjap i zebër cjap i zi.
♦ Bleu cjap e i doli ftujak (dikujt) iron. ndryshe mendon e ndryshe i del, përpiqet për të mirë e i del tjetër gjë, nuk merr frytin e punës së vet, nuk nxjerr fitimin e pritur nga një punë e mirë; mbjell bostan e dalin kastraveca. Cjapi mish e dhia tavë mospërf. shih dhia mish e cjapi tavë mospërf. *Dhjamë cjapi. I ka hipur cjapit (dikush) tall. shih u bë tapë (dikush). S’është cjap për atë zile (dikush) nuk e bën dot atë punë që i është dhënë, nuk është i zoti ta kryejë detyrën e ngarkuar, s’është në vendin e vet; s’është as për cjap e as për këmborë. Kërkon *qumësht nga cjapi (dikush). Kur të mbarsen cjeptë shih kur të pjellë mushka. Ta shet cjapin për *ka (dikush) keq. (Shkoi, vajti) si cjapi te kasapi (dikush) e gjeti të keqen vetë me këmbët e tij; shkoi vetë pa e ditur se ç’rrezik a ç’e keqe e priste; shkoi (vajti) si breshka te nallbani; e kërkoi si breshka gozhdën; e kërkoi si dhelpra në pazar.
DÉNDUR (i, e) mb. 1. Që përbëhet nga fije a grimca të shumta e të shpeshta; që i ka pjesët ose njësitë përbërëse shumë afër njëra me tjetrën; i shpeshtë; kund. i rrallë. Lesh i dendur. Mjekër e dendur. Bar i dendur. Grurë (misër) i dendur. Krehër i dendur. Sitë e dendur. Pëlhurë e dendur. Punim i dendur. Shkrim i dendur. Shi (breshër) i dendur. Dëborë e dendur. Pyll i dendur. Popullsi e dendur.
2. zakon. sh. Që ndodhen shumë afër njëri-tjetrit (për sende të njëllojta); i shpeshtë; kund. i rrallë. Fije (vrima, vija) të dendura. Flokë të dendur. Bimë të dendura. Rreshta të dendur. Shtëpi të dendura. Qytete (fshatra) të dendura. Rrugë të dendura.
3. Që ka dendësi të madhe e përshkohet me vështirësi nga drita, i ngjeshur. Re të dendura. Mjegull e dendur. Tym (pluhur) i dendur.
4. Që bëhet me ndërprerje shumë të shkurtra dhe shpesh, që ndodh shpesh, që përsëritet shumë herë, i shpeshtë; kund. i rrallë. Vizita (takime) të dendura. Sulme të dendura. Zjarr i dendur. Rrahje të dendura të zemrës. Pyetje të dendura. Letërkëmbim i dendur. Përdorim i dendur.
5. fig. Që bëhet me veprime të njëpasnjëshme, në mënyrë të përqendruar e pa ndërprerje, i gjallë. Breshëri e dendur plumbash. Veprimtari e dendur.
✱Sin.: i shpeshtë, i plotë, i ngjeshur, i trashë, i rrasët, i gjallë.
FERR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Rrethoj me ferra një kopsht, një arë etj.; gardhoj me ferra; zë me ferra një shteg etj. E ferroi arën anekënd.
2. jokal. Gërvisht; çjerr. Më ferron trikoja e leshit.
3. kal. Shpoj a gërvisht me diçka të fortë ose të ashpër. E ferroi fëmijën me mjekër.
✱Sin.: ferros, rrethoj, gardhoj, gërvisht, çjerr, shpoj.
FÓRTË (i, e) mb. 1. Që i qëndron peshës, shtypjes a veprimit të një force të jashtme, që nuk thyhet, nuk thërrmohet, nuk çahet, nuk këputet a nuk prishet lehtë; i ngjeshur, i ngurtë, i qëndrueshëm; kund. i dobët. Mur i fortë. Dru i fortë. Shkëmb i fortë. Arrë e fortë. Laps i fortë. Tokë e fortë. Bukë e fortë.
2. Që nuk ndryshon lehtë trajtën e vet kur ushtrohet mbi të një forcë, që nuk epet a që nuk shtypet lehtë; që përkulet a që përpunohet me vështirësi (për metalet); kund. i butë. Tel i fortë. Metale të forta. Sustë e fortë.
3. Që është i ashpër në sipërfaqe, që të shpon a të vret kur e prek; kund. i butë. Sipërfaqe e fortë. Mjekër e fortë. Qime të forta.
4. Që ka forcë të madhe trupore, që ka qëndresë, i fuqishëm; i shëndetshëm, jo i sëmurë; kund. i dobët. Burrë i fortë. Grua e fortë. Me trup të fortë. Ka mushkëri të forta (zemër të fortë). Është bërë i fortë.
5. Që del ose që shfaqet me forcë të madhe dhe të vret veshin a syrin, që vepron shumë mbi dikë a mbi diçka, jo i shtruar, jo i butë, jo i ëmbël; kund. i butë. Zë i fortë. Ngjyra të forta.
6. fig. Që ka karakter të qëndrueshëm e vullnet të çeliktë, që nuk trembet nga vështirësitë, që i duron pa u epur vuajtjet, që nuk përkulet; që nuk ndikohet lehtë e nuk preket shpejt, që e përmban veten në rrethana e kushte të rënda; kund. i butë. Njeri i fortë. Me zemër të fortë. Tregohem i fortë.
7. Që ka pjerrësi të madhe; që formon menjëherë një kënd të ngushtë dhe kalohet me vështirësi; kund. i butë. Tatëpjetë e fortë. Kthesa të forta.
8. Që bie me forcë e në sasi të madhe (për shiun etj.); që ka forcë e shpejtësi të madhe (për erën); i madh. Shi (breshër) i fortë. Erëra të forta.
9. Që shoqërohet me të ftohtë të madh, me ngrica, me acar e me stuhi (zakonisht për dimrin); i ashpër, i madh; kund. i butë. Dimër i fortë.
10. Që nuk mund të thyhet lehtë, që ka forca të mëdha, është i armatosur mirë etj. (për një ushtri); që ka themele të qëndrueshme e ekonomi të zhvilluar (për një shtet); që ka unitet të plotë e lidhje të ngushta (për një parti; organizatë etj.); i fuqishëm; kund. i dobët. Ushtri e fortë. Shtet i fortë.
11. Që bëhet me energji e me forcë të madhe, shumë i vrullshëm; i fuqishëm; kund. i dobët. Sulm i fortë. Ndeshje e fortë. Qëndresë e fortë.
12. fig. I rreptë, i prerë e pa lëshime. Disiplinë e fortë. Rregull i fortë. Kërkesa të forta. Masa të forta. Censurë e fortë.
13. Që vepron me forcë të madhe, që shfaqet në një shkallë të lartë; i qëndrueshëm. Ethe të forta. Vullnet i fortë. Mbështetje e fortë.
14. I rreptë, i ashpër; i vrazhdë; që ka forcë të madhe goditëse; kund. i butë. Përgjigje e fortë. Kritikë e fortë.
15. Që karakterizohet nga një luftë e madhe mendimesh e pikëpamjesh, që ka kritikë të ashpër; i zjarrtë, i flaktë. Diskutim i fortë. Debate të forta.
16. Që e zotëron mirë një profesion a që e kryen mirë punën e vet; që i përvetëson mirë e shpejt dijet; shumë i ditur; i zoti; kund. i dobët. Mjek i fortë. Nxënës i fortë. Lojtar i fortë.
17. Që të lë gjurmë të thella, që nuk shlyhet lehtë nga kujtesa, që të prek e të mallëngjen shumë, i thellë; i qëndrueshëm. Mbresa (përshtypje) të forta. Ndjenja të forta.
18. Që ka baza të shëndosha e të mbush mendjen, bindës. Argumente të forta. Logjikë e fortë.
19. Që ka alkool ose thartor në sasi të madhe; që të djeg fytin kur e pi a kur e thith (për pijet, duhanin); kund. i butë. Raki (verë) e fortë. Uthull e fortë. Duhan i fortë.
20. Që përmban shumë lëndë të tretur në të dhe që vepron menjëherë në organizëm. Kafe e fortë. Bar (ilaç) i fortë. Helm i fortë.
21. edhe fig. I fuqishëm. Ekonomi e fortë. Përkrahje e fortë. Teleskop i fortë.
✱Sin.: i ngjeshur, i ngurtë, i qëndrueshëm, i stralltë, thepak, i fuqishëm, i shëndetshëm, guracak, gurës, i gurtë, shtyllak, gungës, i thantë, i ashpër, i madh, i rreptë, i vrazhdë, i zjarrtë, i flaktë, i aftë, i zoti, i thellë, bindës, i theksuar, i durueshëm, i pathyeshëm, i rëndë, i thellë, tehmprehtë, i zjarrtë, i flaktë, i prushtë, i vendosur.
♦ *Arrë (kaçkë) e fortë. *Asht i fortë. *Dorë e fortë. *Kaçkë (arrë) e fortë. E ka kokën të fortë (dikush) është kokëfortë; e ka kokën gur. Ka *limë të fortë (dikush). Ka *themele të forta (dikush). Ka *zdrukth të fortë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) të fortë (dikush) duron e përballon dhembje të mëdha shpirtërore, nuk e lëshon veten, nuk ligështohet; e ka zemrën gur; e ka zemrën hekur; ka lindur prej gurit. *Kockë e fortë. *Kthesë e fortë. Me të fortë me zor, me pahir. Myka e di sa e fortë është gozhda (fj. u.) ai që e bën punën e di se ç'vështirësi ka ajo. *Uthull e fortë (e sertë) keq. Uthulla e fortë prish enën e vet (fj. u.) kush nxehet kot, pa shkak, dëmton veten. Me *zemër të fortë.
HOXHÉSH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Gruaja e hoxhës.
♦ *Amin o hoxhë! Ali hoxha e hoxhë Aliu është i njëjti njeri; është po ajo gjë, është e njëjta gjë, s’ka ndonjë dallim; dhia mish e cjapi tavë mospërf.; cjapi mish e dhia tavë mispërf.; mish me presh e presh me mish. E bën hoxhën (priftin, dhespotin) me *barrë (dikush) tall. Dje hoxhë e sot prift tall. shih me dyzet (me njëqind) flamurë (dikush) keq. Të foltë (të këndoftë) hoxha! mallk. vdeksh!; të foltë (të këndoftë) prifti! E hëngri *djathin e hoxhës (dikush) iron. S’e ha hoxha *revaninë (dikush) iron. Hoxhë akshami keq. njeri i vrenjtur, i sterrosur, dikush që s’i qesh buza. Nuk ka *mjekër për hoxhë katundi (dikush) mospërf. Ngrihu *prift të ulet hoxha! iron. Shkoi pa hoxhë (dikush a diçka) iron. shkoi kot, vajti dëm e s’e di ose s’e njeh askush; u prish pa i shërbyer njeriu; (shkoi, humbi) si sëpata pa bisht; (shkoi) si qeni në vresht (në rrush). Ta thëntë hoxha (prifti) rrëzë *veshit (në vesh)! mallk.
HÚT/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Aegypus monachus) Shpend grabitqar, me ngjyrë të murrme, me kokë të mbuluar me pupla dhe me gushë të rrjepur, me kthetra të mëdha, të forta e pak të kthyera; ushqehet me kërma, shkaba e zezë.
2. zool. Femra e hutit. Zogu i hutës. Ra huta në pula.
3. fig., keq. Grua a vajzë hutaqe dhe e trashë nga mendja; femër matufe, mendjelehtë. Kishte marrë një hutë.
4. Dele a dhi me veshë shumë të vegjël. I humbi huta.
5. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme hutash. Hutë deti (lat. Larus canus) shpend deti me krahë të gjatë e këmbë me cipë notuese, që ushqehet me peshq, njihet me emrin mjellbardhë. Huta bishtgërshërë (lat. Milvus milvus) shpend grabitqar elegant, që fluturon me krahë të gjatë dhe bisht të dyzuar, që përdridhet ndërsa ndryshon drejtim, me pendë të kuqërremtë të trupit, të bishtit të sipërm dhe mbulesës së krahëve, me pendë të bardha të krahëve dytësore, që dallohet gjatë fluturimit nga majat e zeza të krahëve. Huta bishtgërshërë kokëhirtë (lat. Leytodon cayanensis) zog grabitqar, me kokë ngjyrë gri, me ngjyrë të zezë pjesa e sipërme e trupit, ndërsa pjesa e poshtme e bardhë, me bisht të zi me dy ose tri vija të bardha, me sqep blu dhe këmbë ngjyrë gri, që fluturon me lëvizje të shpejta, gjendet në pyje të hapura dhe kënetore, njihet edhe me emrin qifti kokëgri. Huta bishtgërshërë e Misisipit (lat. Ictinia mississippiensis) shpend grabitqar me madhësi mesatare, shumë i hijshëm nga ngjyra gri perlë e errët në puplat e kokës dhe më e çelët në pjesën e barkut, me bisht të gjatë dhe të degëzuar, me sy të kuq të ndritshëm, jeton e gjuan në bashkësi dhe ngre folenë në pemë. Huta e bjeshkës (lat. Buteo hemilasius) shpendi më i madh i kësaj familje (Buteo) bazuar në tërësinë e gjatësisë edhe të hapjes së krahëve gjatë fluturimit, me trup bojë kafe shumë të errët deri në nuancë të zezë ose të çelët, me një vijë kafe në kokë, me sy të zi me një unazë të verdhë, me gjoks dhe fyt të bardhë me vija ose shenja bojë kafe të errët. Huta e detit pulëbardha. Huta dydhëmbëshe (lat. Harpagus bidentatus) shpend grabitqar që emërohet sipas një karakteristike trupore, prerjet si dhëmbë në buzë, me trup ngjyrë gri në pjesën e sipërme, me bisht të zi me tri vija gri dhe me majë ngjyrë gri, me sy të kuq, me fytyrë të verdhë në jeshile, me këmbë e shputa të verdha. Huta grerëzangrënëse huta e mjaltit. Huta gushëbardhë (lat. Buteo albigula) shpend grabitqar me fyt të bardhë, që konsiderohet një nënlloj i skifterit me bisht të shkurtër, me ngjyrë kafe të errët në pjesën e sipërme dhe gri në pjesën e poshtme, me disa vija të ngushta të errëta, në pjesën e sipërme të kokës ka pendë ngjyrë kafe në të zezë, me sy bojë kafe, me këmbë dhe shputa ngjyrë të verdhë, jeton në pyje malore të lagështa. Huta e gjarpërinjve (lat. Rostrhamus sociabilis) shpend grabitqar që përfshin në llojin e vet shqiponjat dhe skifterët më të vjetër të Botës, të cilët kanë krahë të gjatë, të gjerë dhe të rrumbullakosur, me bisht të gjatë, të bardhë, me sqep të errët të lakuar thellë, me trup blu në gri të errët dhe puplat e pjesës së krahëve gjatë fluturimit më të errëta, me këmbë të kuqe (mashkulli i këtij lloji), fluturon ngadalë me kokën poshtë në kërkim të ushqimit, kërminjve të mëdhenj. Huta gjokszezë (lat. Hamirostra melenosternon) shpend grabitqar i madh, i njohur për aftësinë e veçantë të tij të thyerjes së vezëve, me madhësi trupore midis shqiponjës së madhe me bisht pykë dhe shqiponjës së vogël, mbresëlënës në pamje për shkak të shenjave dalluese të pendëve, ngjyrë kryesisht e zezë e trupit dhe e krahëve, që shquhet nga vijëzimet e trasha të bardha pranë fundit të krahëve. Huta japoneze (lat. Buteo buteo japonicus) shpend grabitqar që varion nga shtati mesatar deri tek shtati më i madh, me trup të fuqishëm, me krahë të gjerë dhe bisht të shkurtër, pendët e së cilës paraqesin përzierje tonesh kafe me nuancë të çelët dhe të errët. Huta me kalca (lat. Buteo lagopus) shpend grabitqar me krahë të gjatë dhe të ngushtë, me pendë të dendur ngjyrë të çelët, me bark të errët dhe njolla të errëta në kyçe, që gjendet në zona të hapura si fusha dhe këneta, qëndron pezull e ulur në skajet dhe majat e degëve të pemëve; orrli. Huta e karkalecit (lat. Butastur rufipennis) shpend grabitqar me ngjyrë gri në kafe, me një kokë më të errët, me bisht gri me vija të zbehta bojë kafe, mjekër e fyt të bardhë; gjoks, bark, kofshë ngjyrë të kuqerremtë, me sqep bazë të verdhë e me majë të zezë. Huta krahëkuqërreme (lat. Butastus liventer) shpend grabitqar aziatik, gjendet në pyjet gjetherënëse, me kokë dhe pjesë të poshtme ngjyrë gri, me disa vija në majë, qafë dhe gjoks, pjesa tjetër e sipërme gri e kuqerremtë, me bisht të ndritshëm, ushqehet me hardhuca, gjitarë të vegjël dhe insekte të mëdha. Huta e Madagaskarit (lat. Buteo brachypteris) shpend grabitqar bojë kafe tipike e botës së vjetër që tregon mjaft ndryshueshmëri në pendë, ka kokë gri të errët, njollë të bardhë në gjoks, me bisht me vija të gjera kafe në të zezë, me sqep të zi, me sy të verdhë, me këmbë dhe shputa ngjyrë të verdhë të zbehtë. Huta e malit (lat. Buteo oreophilus) shpend grabitqar i vogël, me ngjyrë kafe në pjesën e sipërme të trupit dhe më të zbehtë në pjesën e poshtme, me njolla të dendura kafe në gjoks, bark, bisht dhe në mbulesën e poshtme të krahëve, në pjesën e poshtme ngjyrë gri të çelët me vijëzime të zbehta të ngushta. Huta e mjaltit (lat. Pernis apivorus) shpend grabitqar me pendë në formë luspash rreth syve dhe ballit, me qafë të gjatë dhe kokë të vogël, që fluturon me krahë të sheshtë, me bisht të gjatë me pak vija të ngushta të errëta në të, njihet edhe me emrin huta grerëzangrënëse, kabaceku greth. Huta e mjaltit bishtgjatë (lat. Henicopernis longicauda) shpend grabitqar që dallohet për bishtin e tij shumë të gjatë, që jeton në pyjet e ulëta e të larta me lagështi. Huta sybardhë (lat. Butastur teesa) skifter me madhësi mesatare, me bisht të kuqërremtë, me sy të bardhë dallues dhe fytyrë të bardhë me një vijë të errët, me kokë kafe. Huta pa veshë krahëthata Huta vërshëllyese (lat. Haliastur sphenurus) shpend grabitqar me madhësi mesatare, që ka marrë emrin për arsye të fishkëllimës së lartë të tij, me kokë të vogël e bisht të gjatë, me majat e krahëve që shkojnë poshtë majës së bishtit kur zogu qëndron ulur, megjithëse me këmbë të shkurtra zogu ecën lehtësisht në tokë. Huta e natës (lat. Tyto alba alba) bufi i hambarit, me pendë të kokës dhe shpinës nuancë gri ose kafe me njolla, në pjesën e poshtme variojnë nga e bardha në kafe, me fytyrë në formë zemre, me pendë të bardha, që ushqehen me gjitarë të vegjël. Huta qafëkuqe (lat. Buteo auguralis) shpend grabitqar me madhësi mesatare, me qafë dalluese të kuqerremtë, ngjyrë kjo që shtrihet edhe lart mbi kokë dhe poshtë në pjesën e sipërme të shpinës, me pendë të sipërm të bishtit ngjyrë të kuqerremtë. Huta sqephollë (lat. Rostrhamus hanmtus) shpend grabitqar që përfshin shqiponjat, skifterët, me sqep të hollë, të errët e të lakuar thellë, krahë të gjatë, të gjerë e të rrumbullakosur, me bisht të gjatë, fluturon ngadalë me kokën poshtë në kërkim të ushqimit.
KATÚND, ~I m. sh. ~E, ~ET 1. Fshat. Katund me 250 shtëpi. Banoj në katund.
2. përmb. Të gjithë banorët e katundit. U ngrit (erdhi) gjithë katundi.
3. hist. Bashkësi njerëzish që bënin jetë nomade dhe merreshin kryesisht me blegtori; vendbanimi i këtyre njerëzve.
♦ U bëfsh katund! ur. paç jetë të gjatë, me shumë fëmijë a trashëgimtarë. Ia fut katundit vulg. flet kot, si t’i vijë, pa i ditur gjërat dhe pa i gjykuar fare, ia mbyt, bën një veprim të pamatur ose krejt të gabuar; ia fut dushk bised. Nuk ka *mjekër për hoxhë katundi (dikush) mospërf. Sa poshtë ka rënë katundi mospërf. ka rënë në një gjendje shumë të keqe dikush a diçka, s’e përfill, s’e çmon a s’e nderon më askush; është bërë për të ardhur keq.
LEZ,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Nishan i kuq a i zi në fytyrë ose në trupin e njeriut, lyth. Me lez në faqe (në mjekër).
2. mjek. Mish i huaj që del në një pjesë të trupit a në një organ të tij dhe që është përsipër gjemba-gjemba, iriq. I doli një lez në gisht. Djeg (pres, shkul, heq) lezin.
✱Sin.: nishan, yll, lyth, iriq.
LÝTH,~I m. sh. ~A, ~AT 1. mjek. Mish i huaj që del në një pjesë të trupit a në një organ të tij dhe që është përsipër gjemba-gjemba, iriq. I doli një lyth. Djeg (pres, shkul, heq) lythin.
2. Kallo që del në këmbë kur të vret këpuca. I ka këmbët me lytha.
3. Nishan i kuq a i zi në fytyrë ose në trupin e njeriut. Me lyth në faqe (në mjekër, në hundë). Fytyrë me lytha.
4. bot. Xhungë e vogël që del në trungun ose në degët e disa drurëve. Degë me lytha.
5. fig. E metë, cen. E ka një lyth edhe ai.
✱Sin.: iriq, kallo, lez, bubunjëz, yll, nishan, xhungë, e metë, cen.
♦ I shkeli në lyth (dikujt) shih i shkeli në kallo (dikujt).
LËSH/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. E lë të bjerë nga lart poshtë; e lë të varet lirisht poshtë ose të mbështetet mbi diçka tjetër, e ul; kund. kap. Lëshoi një gur (një tullë) nga lart. E lëshoi në lumë (në det, në gropë). E lëshoi nga duart. E lëshoi nga dritarja (nga kati i dytë). Lëshoj perden. I lëshoi krahët poshtë. I lëshoi flokët mbi supe (krahëve).
2. kal. E vë dikë a diçka në një vend në një mënyrë të caktuar, lë. E lëshoi fëmijën në shtrat. E lëshoi në tokë. E lëshoi përmbys (në shpinë, në këmbë). E mori dhe e lëshoi pas derës.
3. kal. E lë të lirë diçka a dikë që e mbaj me duar, që e kam kapur, e kam lidhur, e kam mbyllur etj., e lë që të ikë, të lëvizë, të rrjedhë etj., ia heq pengesën. Lëshoj kazmën (lopatën, belin). E lëshoi timonin. E lëshoi degën e pemës. E lëshoi zogun. E lëshoi qenin nga zinxhiri. Lëshoi bagëtinë (lopët, dhentë, dhitë). E lëshoi kalin me vrap. I lëshoi ujin arës. Lëshoi rrymën elektrike. E lëshoi pikë-pikë.
4. kal. E vë në lëvizje diçka që të punojë; e vë në punë për herë të parë. Lëshoj motorin. Lëshuan edhe turbinën e dytë.
5. kal. E lë të lirë diçka që ka qenë e zënë, e liroj për të kaluar nëpër të ose për të ndenjur në të; ia lë a ia jap diçka dikujt që ta përdorë; e lë një vend që ta zërë një tjetër, e braktis që ta pushtojë një tjetër; heq dorë. I lëshoi udhë dikujt. I lëshoi karrigen (vend). Lëshoje rrugën. I lëshoi një dhomë me qira (shtëpinë). Nuk e lëshuan kështjellën (qytetin). Nuk lëshojmë asnjë pëllëmbë nga toka jonë. E lëshuan fenë. bised. hoqën dorë prej saj, e braktisën fenë. E lëshoi punën e la punën, e braktisi.
6. kal. E rrëzoj përtokë diçka, e hedh; lë. E lëshoi lisin (pemën) përtokë e preu. E lëshoi të vdekur (top, shakull). E lëshoi pa ndjenja (sa gjatë gjerë). E lëshoi në dëborë (në baltë). Kali i huaj të lëshon në ujë. (fj. u.).
7. bised., kal., vet. v. III (me një, trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Më lë, më ndahet, më largohet, s'më mban më (një sëmundje, një dhimbje etj.). E lëshoi ngërçi (kolla, gripi). E lëshuan ethet. E lëshoi koka (barku, dhëmballa) nuk i dhemb më koka etj., nuk ka më dhimbje. E lëshuan dhimbjet (të prerat, të dridhurat). E lëshoi gjumi u zgjua.
8. edhe fig., kal., kryes. v. III Nxjerr diçka nga vetja, e bën të dalë jashtë vetes, hedh; nxjerr nga vetja e përhap rrotull diçka; hap, çel; jep, krijon; lë. Lëshoi lëng. Gjarpri lëshon helm. I lëshojnë lot sytë. Lëshon tym. Lëshon erë të mirë. Lëshon tinguj të hollë. Lëshoi kujën (piskamën) nisi të qante me të madhe. Ka lëshuar mjekër. Lëshoi me (gjethe, lastarë, rrënjë, kokrra). Lëshoi kalli gruri. Lëshoi xhufkë misri. Zjarri lëshon xixa (shkëndija, afsh të nxehtë). Dielli lëshon rreze. E lëshon bojën kjo rrobë. Ka lëshuar bark (gushë) është shëndoshur shumë. Lëshon hije pema bën hije. Lëshoi vrer volli vrer. Ka lëshuar urdhrin (thirrjen). Lëshoi parullën. Lëshoi kushtrimin.
9. kal. E hedh diçka a e nis dikë me vrull në një vend të caktuar, e drejtoj në një pikë, e përqendroj diku; ia çoj, ia drejtoj, ia lë (edhe fig.). Lëshoi një raketë. E lëshoi topin drejt portës. sport. I lëshoi trupat në luftë. Lëshoi të gjithë kalorësinë. I lëshoi dritën diçkaje. I lëshoi sytë (shikimin, vështrimin). I lëshoi një fjalë. I lëshoi një thumb. I lëshoi një të sharë. Ia lëshoi atij fajin.
10. bised., kal. E lë, e ndaj (gruan a burrin). E lëshoi gruan (burrin).
11. edhe fig., kal., vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) Nuk më punon më një pjesë e trupit, s'kam më fuqi ose aftësi trupore a mendore, më dobësohet a më pakësohet shumë, më lë, më bie. E lëshuan fuqitë. E lëshuan këmbët nuk qëndron dot më në këmbë ose nuk ecën dot a ecën me vështirësi nga një sëmundje a nga pleqëria. E lëshoi kujtesa
12. bised., jokal. vet. v. III Roit (për bletën). Lëshoi bleta.
13. bised., kal. Ia shes një gjë dikujt (zakonisht me një çmim të përshtatshëm për të), ia jap dikujt, ia lë. S'e lëshonte më lirë.
14. bised., jokal., vet. v. III Del me shumicë, vërshon. Lëshuan ujërat. Ka lëshuar lumi.
15. jokal. Bëj lëshime për diçka. S’është nga ata që lëshojnë.
✱Sin.: lë, ul, derdh, var, përhap, bëj, vjen, ka, bie, vë, lë, zë, liroj, braktis, rrëzoj, hedh, gremis, rrezatoj, shes, nxjerr, shtrapnjen, shtie, hap, çel, jep, krijon, liroj, shtendos, shkreh, vjell, drejtoj, përqendroj, çoj, drejtoj, shigjetoj, ndaj, roit, rrëshen, shes, del, vërshon, xixëmon.
♦ *Korr e lësho (dikush). S’lëshon *ashkël (dikush). E lëshon *bajgën (ku të mundë) (dikush) bised. Lëshon *bark (diçka). Lëshon (hedh) *bojë. I lëshoi (i vari) *buzët (një pëllëmbë) (dikush). Ka lëshuar *degë (diçka). E lëshoj (e liroj) *dorën. E lëshoi *dore (dikë). E lëshoi në *dorë (të dikujt). S’e lëshoj (s’e lë) nga *dora (diçka). Ia ka lëshuar *fillin (dikujt). Lëshon *flluska (dikush) tall. Ia lëshoi (ia liroi) *frerin (dikujt) keq. S’e lëshon (s’e heq) nga *goja (dikë a diçka). E ka lëshuar *gojën (dikush). Ka lëshuar (ka vënë) *gushë (dikush). Ia lëshoi *frerin gjuhës (gojës) (dikush). Sikur e ka lëshuar *gjeraqina (dikë) iron. Më lëshuan (më kanë lënë) *gjunjët. E ka lëshuar *gjuhën (dikush). I lëshoi (i vari) *hundët (një pëllëmbë) (dikush). Ia lëshoi (ia liroi) kapistallin (*kapistrën) (dikujt) keq. Ia lëshoi (ia liroi) *kapistrën (kapistallin) (dikujt) keq. I lëshoi (i këputi) ca kërcunj (dikujt). Lëshon (këput) *kopaçe (dikush). Ia ka lëshuar *kryet (dikujt). Nuk lëshoi *lastarë (dikush). I lëshoi *litarin (dikujt). Lëshon *loze krahin. (dikush a diçka). E ka lëshuar *llapën (dikush) bised. E lëshuan (e lanë) *mendtë (dikë). Lëshon *pe (dikush). E lëshuan ata *të përroit (dikë). E kanë lëshuar *rrathët (dikë). Ka lëshuar (ka zënë, ka hedhur) *rrënjën (dikush). I lëshoj (i bëj, i hap) *rrugë (udhë) (dikujt). E kanë lëshuar (e kanë lënë) *sendet (dikë). Lëshoi (hodhi) *spirancën (dikush) libr. Nuk e lëshoj (nuk e heq) nga *sytë (dikë a diçka). Lëshon *shigjeta (kundër dikujt a kundër diçkaje). Ia lëshon (ia fut) *shpatit (dikush). Lëshon (hedh) *shtat. Lëshon *trup (dikush). E ka lëshuar *truri (dikë). I lëshoj (i bëj, i hap) *udhë (rrugë) (dikujt). Nuk i lëshon *udhë (askujt). S’ia lëshon (s’ia lë) *vendin (dikujt). E lëshoi *veten (dikush). Më lëshoi (më la) *zemra. Nuk e lëshon *zemrën (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë