Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGROEKOLÓG/E,~IA f. sh. ~E, ~ET biol. Ajo që merret me ose që ka të bëjë me agroekologjinë, specialiste e agroekologjisë. Interesimi i agroekologeve të reja për ekosistemin mjedisor. Agroegologe e porsadiplomuar.
AGROMJEDISÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT bujq. Ai që merret me agromjedisin, specialist i agromjedisit; ai që merret profesionalisht me bujqësinë dhe faktorin mjedisor duke shfrytëzuar parimet shkencore dhe teknologjinë në përputhje me zhvillimet e sotme. Agromjedisor i trajnuar. Shoqata e agromjedisorëve. Veprimtaria e agromjedisorëve.
AJËRFTÓHËS,~I m. sh. ~, ~IT tek. Aparat, pajise a mjet që përdor ajrin për të ulur temperaturën e një hapësire, të një pajisjeje ose të një lëngu të caktuar; aparat i posaçëm për ftohjen e ajrit. Aktivizuam ajërftohësin e ri. Ajërftohësin e sollën sot. Ajërftohës industrial ajërftohës për të ftohur makineri dhe sisteme në fabrika ose në impiante industriale. Ajërftohës mjedisor (ambiental) ajërftohës që shërben për të ftohur një mjedis banimi (pune, udhëtimi). Ajërftohës automjetesh ajërftohës që shërben për të ulur temperaturën e motorit me djegie të brendshme; ajrues, kondicioner.
✱Sin.: ajrues, ventilator, kondicioner, flladitës, freskues, klimatizues, klimatizator.
AKTIVÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Anëtar, përfaqësues, i një aktivi; pjesëmarrës i gjallë në veprimtarinë e një institucioni, të një organizate shoqërore, të një shoqate a të një kolektivi; veprimtar, veprues. Aktivist shoqëror (politik, kulturor etj.). Aktivist i dalluar. Aktivist humanitar. Aktivist mjedisor. Aktivist botanist. Aktivistët e lagjes.
2. Ai që zotohet aktivisht për një ide, për një parim, për një të drejtë, për një lëvizje, për një parti etj. Aktivist politik. Aktivist për të drejtat e njeriut. Aktivistët e sindikatës.
3. fil. Ithtar i aktivizmit.
✱Sin.: veprues, veprimtar, zelltar, energjik.
AKTIVITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprim, aktivizim.
2. vet. nj. Veprimtari; pjesëmarrje e gjallë në një veprimtari. Aktivitet politik (shtetëror). Aktivitet letrar (shoqëror, patriotik). Aktivitet i gjallë. Jetë plot aktivitet. Aktiviteti i tyre s’ndalet. Aktivitetet pranverore. Aktivitet intelektual. Aktivitet publik. Aktivitet kulturor (sportiv). Hidhem në aktivitet. Organizoj një aktivitet. Marr pjesë në aktivitet.
3. Formë masive e veprimtarisë në një fushë. Aktivitet kulturor (artistik, sportiv). Aktivitete shkollore (jashtëshkollore). Aktivitet edukativ. Organizoj aktivitete rinore. Marr pjesë në aktivitete.
4. Degë që kryen një lloj të caktuar veprimtarie ekonomike. Aktivitet bankar. Aktivitet ekonomik. Aktivitete ndihmëse. Aktivitet humanitar.
5. spec. Veprim i një force të natyrës etj.; veprimtari, punë e një organi të trupit etj. Aktivitet i zemrës (i trurit, i veshkës etj.). Aktivitet mendor. Aktivitet kimik (radioaktiv). Aktiviteti i izotopeve. Aktiviteti i diellit. Aktiviteti i ujit mjedisor. Koeficient i aktivitetit.
✱Sin.: veprimtari, veprim, proces, punë, gjallëri, lëvizshmëri, zell.
AMBIENTÓR,~E mb. Që ka të bëjë me ambientin (me mjedisin), që i përket ambientit, i ambientit. Rrethana ambientore. Ndryshimet ambientore. Faktorë ambientorë. Klimë ambientore. Probleme ambientore. Veprimtari ambientore. Shoqata ambientore. Aktivist ambientor. Studim ambientor. Politika ambientore.
✱Sin.: mjedisor, ambiental, rrethinor, hapësinor.
ANARKÍZ/ËM,~MI m., filoz. 1. Rrymë politike e shoqërore, që është kundër pushtetit të organizuar shtetëror, që nuk përfill ligjet; filozofi politike dhe lëvizje që angazhohet për liri të plotë individuale duke shkatërruar çdo pushtet politik. Ideja e anarkizmit. Anarkizëm klasik (bashkëkohor). Anarkizëm social. Anarkizëm individualist. Anarkizëm kolektivist. Programi i anarkizmit. Anarkizmi ekologjik bashkim i anarkizmit me shqetësimin mjedisor.
2. Anarki, prirje për anarki; gjendje shoqërore, politike ku mungon pushteti qendror ose autoriteti i ligjshëm, rregulli, ligji dhe disiplina; çrregullim, kaos. Anarkizëm i përgjithshëm. Anarkizëm i papërballueshëm. Anarkizëm social. Anarkizëm moral.
ARKEOZOOLOGJÍ,~A f., arkeol., zool. Nënfushë e arkeologjisë që studion mbetjet (fosilet) e kafshëve në lokalitetet arkeologjike me qëllim përcaktimin e veçorive të tyre morfologjike si dhe identifikimin e llojshmërisë e të vjetërsisë së tyre në kontekstin kohor, mjedisor dhe social. Aspekte të arkeozoologjisë. Metodat dhe mjetet e arkeozoologjisë. Sektori i arkeozoologjisë. Doracak i arkeozoologjisë.
MES,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pika a vendi në qendër të diçkaje, pjesa e diçkaje që ndodhet në largësi të barabartë ose gati të njëjtë nga të gjitha anët a skajet e saj; qendër. Mesi i fushës (i sheshit). Mesi i tepsisë (i tryezës). Në mes të ballit (të faqes). Në mes të oborrit. E vuri në mes të dhomës. Shënoj mesin e rrethit.
2. Pjesa e diçkaje që ndodhet midis kreut e fundit të saj, midis fillimit e mbarimit, midis një ane e anës tjetër etj. Mesi i kërcellit. Mesi i kallirit. Mesi i rrugës. Mesi i litarit. Mesi i vijës. E pres (e këput, e thyej) në mes.
3. Pjesa qendrore brenda diçkaje a pjesa që ndodhet në thellësi të diçkaje; diçka që është e rrethuar nga gjëra të tjera përqark ose që ndodhet në qendër të një rreshti, të një grupi, të sendeve të ndryshme etj. Mesi i rruzullit. Mesi i lakrorit. Gishti i mesit. Në mes të djemve (të vajzave). Në mes të turmës. Në mes të të mirave. Mbeti në mes të pyllit. Në mes të luleve. E vunë (e futën) në mes.
4. Pjesa më e ngushtë e trupit të njeriut midis kraharorit dhe kërdhokullave, bel; pjesa e veshjeve që mbulon këtë pjesë të trupit të njeriut. Me mes të hollë (të ngushtë, të këputur). Rripi (gjerdani) i mesit. Fustan me mes. E kapi për mesi. Më dhëmb mesi. Rri me duar në mes. U zhveshën nga mesi e lart. U zhyt deri në mes. Përkulem deri në mes. M’u këput mesi u lodha shumë nga një punë e rëndë.
5. Koha midis fillimit e mbarimit të diçkaje; çasti që ndodhet afërsisht në largësi të barabartë nga fillimi e mbarimi i një kohe. Mesi i ditës mesdita. Mesi i natës mesnata. Mesi javës (i muajit, i vitit, i shekullit). Mesi i janarit (i dhjetorit). Mesi i verës (i dimrit).
6. fig. Pjesa midis fillimit e mbarimit të një pune, të një veprimi etj.; kulmi i zhvillimit të një veprimi a veprimtarie. Mesi i punës (i lojës). Në mes të shfaqjes. Në mes të dasmës. Në mes të duartrokitjeve (të zhurmës, të këngës, të së qeshurave). Në mes të gëzimit (të haresë).
7. vjet. Mjedis, ambient. Mesi shqiptar. Në të gjitha meset.
✱Sin.: qendër, kërthizë, midis, zemër, mjedis, mjedisor, përmjet, anames, bel, ndërmjet, brez, kulm, pishë, palcë, thelb.
♦ *Barkë në mes të detit. E bën shtëpinë në mes të udhës (në *udhë) (dikush). Ra e drejta në mes u bë diçka me drejtësi për të gjithë, pa fituar më shumë e pa humbur më shumë as njëri e as tjetri, u trajtuan të gjithë barabar, nuk u mbajt ana e askujt; secili mori njësoj me tjetrin; doli e vërteta siç është; ra e drejta në shesh; vajti haka tek i zoti. Bie (jam) në mes dy *zjarresh. Hyj (futem) në mes. 1. Ndërhyj për të lidhur a për të pajtuar dy palë ose për të mënjanuar mosmarrëveshjet që kanë. 2. (diçka). Doli papritur, ndërhyri, u shfaq, u shpif. Më këputi në mes (diçka) më dëmtoi rëndë; më fiku; më theu në mes1. E la në mes (diçka) nuk e çoi deri në fund, e ndërpreu; e la në mes të rrugës. E hodhi (e nxori) në *udhë (të madhe) (në mes të udhës, në mes të katër udhëve) (dikë). E këput xixëllonjën në mes (dikush) qëllon në shenjë, ka nishan; ka sy pushke; qëllon në xixëllonjë. E la në mes të rrugës (në mes të udhës). 1. (diçka). Nuk e çoi deri në fund, nuk e zgjidhi, e ndërpreu; e la në gjysmë të rrugës; e la në mes. 2. (dikë). E braktisi a e përzuri dhe nuk i dha asnjë ndihmë, e la pa gjë e pa kujdesje; e la (e nxori) në mes të katër rrugëve (të katër udhëve). Në mes të ditës haptazi e pa frikë; sheshit (kur dikush bën diçka të keqe); në pikë të ditës; në dritën e diellit. Mes për mes tej matanë, duke kaluar nëpërmes; mu në mes. Në mes të tjerave përveç atyre; ndërkaq. *Mëngë në mes të kurrizit. E nis lakrorin nga mesi (dikush) tall. nuk e nis mbarë një punë; i bën punët së prapthi; kthen çerepin, pastaj kërkon miellin (dikush) tall. Përkul (ul) mesin shtrohem në punë, ia hyj punës mbarë e me gjithë forcën; shtroj (ul) kurrizin; i vë shpatullat (diçkaje); përvesh krahët. Rri me *duar në mes (në ijë, në brez, në gji, në xhepa) (dikush). E theu në mes (dikë). 1. E dëmtoi rëndë, i prishi shumë punë; e këputi në mes. 2. E dëshpëroi shumë, i shkaktoi dikujt një gjendje aq të rëndë shpirtërore, sa nuk ngre dot kokë. 3. E rrahu keq dikë, e dërrmoi; ia ndreqi kryqet (dikujt); ia ndreqi samarin (dikujt).Vezë në mes të kulaçit (në *kulaç). Të vjedh *hundën në mes të (midis) syve (dikush). Bie (ndodhet, është) në mes dy *zjarresh. Mesi i artë (e mesmja e artë) keq. shih tek ARTË (i, e). Diç (diçka) luan në këtë mes (këtu) shih te LUAJ.
MJEDISÓR,~E mb. 1. Që lidhet me mjedisin, i mjedisit. Hapësira (kushtet) mjedisore. Dëmtim mjedisor. Zona të mbrojtura mjedisore. Probleme mjedisore të trashëguara. Organizata mjedisore. Ndërgjegjësim mjedisor. Bëj vlerësimin mjedisor.
2. Që bëhet për mjedisin, që i bëhet mjedisit. Edukim mjedisor. Krim mjedisor.
TERATOGJÉN,~E mb., mjek., biol. Që shkakton anomali ose keqformime te fetusi gjatë zhvillimit embrional. Në disa barna mund të ketë substanca teratogjene. Faktor biologjik (mjedisor) teratogjen.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë