Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
Ë́MBËL (i, e) mb. 1. Që ka shijen e sheqerit ose të mjaltit; që është bërë me sheqer; që ka ëmbëlsi (për ushqimet, gatesat); kund. i hidhur, i thartë. Mollë (dardhë) e ëmbël. Fik (rrush) i ëmbël. Verë e ëmbël. Pije të ëmbla. Kafe e ëmbël. I ëmbël si mjaltë.
2. Që të jep kënaqësi kur e shijon në gojë, që të kënaq me shijen që ka, që ta ka ënda ta shijosh me gjuhë, i shijshëm; që nuk përmban shumë kripëra ose lëndë të tjera të tepërta e të dëmshme. Ujë i ëmbël. Bokë e bardhë e ëmbël.
3. Që të kënaq veshin, syrin a hundët, që ta ka ënda ta dëgjosh, ta shikosh a t’i marrësh erë, i butë e ledhatues, tërheqës, i këndshëm (për një zë, një tingull, një pamje, një erë të mirë etj.). Zë i ëmbël. Melodi e ëmbël. Fytyrë e ëmbël. Sy të ëmbël. Ngjyrë e ëmbël. Kundërmim parfumi i ëmbël.
4. Që të bën të ndiesh kënaqësi trupore, që të pëlqen; i bukur, i këndshëm. Diell i ëmbël. Dritë e ëmbël. Ngrohtësi e ëmbël. Klimë e ëmbël. Dëborë e ëmbël. Të ftohtë i ëmbël. Gjumë i ëmbël.
5. Që ka një ndjesi të butë, jo i ashpër (për diçka që e prekim). Lëkurë e ëmbël. Sipërfaqe e ëmbël.
6. fig. Që të bën të ndiesh kënaqësi shpirtërore, që të pëlqen; i butë; që është plot kënaqësi, gëzim e lumturi. Fjalë e ëmbël. Shikim (vështrim) i ëmbël. Jetë e ëmbël. Ditë të ëmbla. Ëndrra të ëmbla. Kujtime të ëmbla. Fjala të ëmbël e guri në trastë. (fj. u.). Tokë e ëmbël. Vend i ëmbël. Ku të duket balta më e ëmbël se mjalta?
7. fig. Që sillet mirë e butë me të tjerët; i dashur, i shoqërueshëm. Njeri i ëmbël. Shoqëri e ëmbël. E ka gjakun të ëmbël e duan të tjerët, është i dashur e i shoqërueshëm. Ka gojë të ëmbël është gojëmbël.
8. fig. Që nuk është shumë i pjerrët, që nuk bie thikë (për një kodër a për një shpat), që përshkohet shtruar e pa tronditje. Shpat i ëmbël. E përpjetë e ëmbël. Kodër e ëmbël. Zbritje (pjerrësi) e ëmbël.
9. fig. Që shkon a që rrjedh ngadalë, qetë e pa zhurmë. Rrjedhje e ëmbël. Fluturim i ëmbël.
10. iron. Që përdoret sa për t’ia bërë qejfin dikujt (për fjalë, frazë etj.). Fjalë (llafe, fraza) të ëmbla. Fjalët të ëmbla, punët të tharta. (fj. u.).
11. mjek., euf. Pjesë e dytë e emërtimit të pathjeshtë për një sëmundje ngjitëse te fëmijët e cila mund të jetë dhe vdekjeprurëse. Kolla e ëmbël (e mirë, e bardhë).
✱Sin.: ëmbëlosh, ëmbëlor, ëmbëlak, ëmbëlsiq, i sheqertë, i mjaltshëm, mjaltor, i hojmë, i këndshëm, i ëndshëm, tërheqës, i butë, i lehtë, i qetë.
♦ Me *bukë të ëmbël! ur. Ka *gojë të ëmbël (dikush). E ka gojën të ëmbël (dikush) është gojëmbël; nxjerr mjaltë nga goja; i buron (i nxjerr, i rrjedh) goja mjaltë (dikujt); nxjerr sheqer nga goja. Ka *gjak të ëmbël (të ngrohtë) (dikush). E ka gjakun të ëmbël (dikush) është i dashur e i shoqërueshëm me të tjerët, e duan të gjithë dhe i afrohen.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë