Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BLÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Apis mellifica) Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin dhe polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bashi i bletës ama e bletës, matka. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bar blete (bot.). Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Lule blete (bot.). Zog blete (zool.). Rritja e bletëve. Zukasin bletët. Bletë e egër bletë e pazbutur ose bletë e ikur nga zgjoi që vendoset në ndonjë zgavër druri ose shkëmbi. Bletë mjaltëse bletë e zbutur që prodhon mjaltë dhe dyllë. Bletë punëtore bletë shterpë që mbledh ushqim dhe mirëmban zgjoin. Bletë bij, bletë, bij, / Hajde hyrë në zgjua të ri. (folk.). Ai që ka mizën në kësulë, ka vjedhur bletën. (fj. u). Miza nuk bëhet bletë. (fj. u). Edhe bleta është mizë, po bën mjaltë. (fj. u). Bleta, para se të bëjë mjaltin, bën dyllin. (fj. u.).
2. përmb. Tërësia e këtyre mizave që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
✱Sin.: mjalcë, mjaltëz, zgjua.
♦ Kur të bëhet grerëza bletë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë. Ia bëri bletë (dikujt) e trullosi, duke ia ngatërruar keq diçka; ia mori mendtë; ia bëri lëmsh. Bletë e plotë. 1. Plot, me të gjithë ata që duhen; së bashku dhe të pasur e të lumtur (për një familje etj.). 2. Me shumicë; me bollëk të mirash. Bletë shkëmbi njeri i padobishëm, që nuk jep fryte në punë; kalli pa bukë. Bletë e vjetër njeri me përvojë të madhe në jetë, njeri që vepron me maturi e pjekuri; (burrë) katërqind dërhemë. Bletë e vulosur njeri në gjendje shumë të mirë ekonomike, me shumë kamje, i pasur e i sigurt. Sa çon bleta me flatër shumë pak; sa mban miza me dy krahë; ç’mban gallofi me dy krahë. *Koshere (zgjua) bletësh. S’e marr arëzën për bletë s’e ngatërroj të ligun me të mirin; s’e marr të keqen për të mirë; nuk ma hedh dot dikush, nuk mashtrohem nga diçka; s’e ha (s’e marr) sapunin për djathë. Mbledh me *bar blete. *Zgjua (koshere) bletësh.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë