Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NJERÍ,~U m. sh. NJÉRËZ, NJÉRËZIT 1. Qenia e gjallë më e lartë, që është e aftë të mendojë e të flasë, të bëjë vegla e t’i përdorë ato në procesin e punës shoqërore; pjesëtar i shoqërisë njerëzore. Njeriu i parë. Njerëzit e lashtë. Njeriu i shpellave. Njeri i zhvilluar (i qytetëruar). Organizmi i njeriut. Të drejtat e njeriut. Një grup njerëzish. Shfaqja e njeriut në Tokë. Njeriu për njeriun është. (fj. u.). Njeriu, sa rron, mëson. (fj. u.). Mali me mal s’piqen, njeriu me njeriun piqen. (fj. u.).
2. Pjesëtar i shoqërisë njerëzore, i parë si mishërues e bartës i disa tipareve dalluese të karakterit, i cilësive morale e i aftësive mendore dhe i lidhur me mjedisin a me rrethin ku jeton e punon. Njeri i mirë (i ndershëm, i drejtë). Njeri i butë (i urtë, i dashur, i thjeshtë, i qeshur). Njeri i pjekur (i vendosur). Njeri i mrekullueshëm. Njeri i madh (i njohur, i dëgjuar). Njeri i keq (i lig, i poshtër, gënjeshtar, i ulët, i dobët). Njeri i marrë. Njeri i ftohtë. Njeri i punës. Njeri i artit (i kulturës, i shkencës, i pendës, i pushkës). Njeri i besës (i fjalës, i gojës). Njeri i rrugëve (i qejfit, i lekut). Njeri me mend. Njeri me shkollë. Njeri me vullnet të mirë. Ç’njeri është?
3. Pjesëtar i shoqërisë njerëzore, i cili mishëron e përfaqëson vetitë më të mira të qenies së gjallë të zhvilluar në shkallën më të lartë (në kundërvënie me kafshën). Para së gjithash duhet të jesh njeri. Ai s’është njeri. Puna të bën njeri. - Sillu si njeri! - Atij i them njeri unë! Të trajton si njeri. Flet (përgjigjet) si njeri.
4. kryes. sh. Farefisi, të afërmit më të ngushtë. Njerëzit e mi. Njerëzit e shtëpisë. Njerëzit e nuses (e dhëndrit). Te njerëzit e vet. Njeri pa njeri njeri që ka mbetur i vetëm, pa të afërm.
5. I besuar i dikujt, mbrojtës a përkrahës i dikujt; ai që është në shërbim të dikujt. Ishte njeriu i ministrit. Është njeriu ynë (i tyre). Është njeri i miqve tanë.
✱Sin.: vdekatar, i vdekshëm, rob, njerëzim, person, vetë, shpirt, frymë, gojë.
♦ Ç’ha *goja e njeriut. Është bërë *gjysmë njeriu (dikush). E bëri *gjysmë njeriu (dikë). Një *grusht njeri. Njeri pa njeri dikush që është fare i vetëm, jetim a i braktisur; ai që s’ka kush ta mbrojë, ta mbështetë a ta përkrahë. Pesë (dy) *para njeri (burrë). S’ia pret njeri *qimen (dikujt). Nuk sheh dy *sy njeriu (dikush). *Shpirt njeriu. S’e zë (s’e kap) njeri për bishti (dikë a diçka) shpërf.
PROTOTÍP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Tipi i parë, fillestar i diçkaje; gjedhja e parë e një makine, e një mekanizmi etj. që prodhohet para fabrikimit në seri. Prototip anijesh (aeroplanësh). Prototipi i mikroskopit.
2. Njeri a diçka që merret si shembull, tipi më i përkryer në llojin e vet; ai që formon tip të veçantë sipas cilësive a tipareve që ka. Prototip i njeriut serioz (punëtor, llafazan).
3. let. Mishërues i tipareve kryesore të një grupi shoqëror, sipas të cilit shkrimtari krijon një personazh. Prototipi i punëtorit (i luftëtarit, i malësorit).
✱Sin.: gjedhe, shembull, personazh.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë