Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABROGÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Veprimi kur abrogoj ose kur abrogohet një ligj etj.
2. Hedhje poshtë e një ligji (e një vendimi, e një marrëveshjeje, e një urdhri etj.). Diskutuan abrogimin e dy dispozitave ligjore. Abrogimi i ligjit zgjedhor. Abrogimi i vendimit të miratuar. Llojet e abrogimit.
✱Sin.: shfuqizim, prapësim, pezullim, anulim.
AKSEPTÚAR (i, e) mb. 1. I pranuar, i miratuar. Ndihem e akseptuar. Këshillë e akseptuar. Mendim i akseptuar. Teori e akseptuar. Vendim i akseptuar. Akseptim zyrtar (ligjor).
2. drejt., fin., treg. Që është pranuar ose miratuar. Vendim i akseptuar. Kambial i akseptuar. Borxh i akseptuar. Çek i akseptuar.
✱Sin.: i pranuar, i miratuar, i pohuar, i aprovuar, i konfirmuar.
►ANUL/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR drejt., vet. v. III 1. vetv. I hiqet vlefshmëria një vendimi, një ligj, një rregulloreje etj., zhbëhet diçka e vendosur ose miratuar. Anulohet vendimi (urdhri). Anulohet shfaqja (ndeshja, mbledhja).
2. pës. e ANULÓJ. U anulua vendimi.
✱Sin.: shfuqizohet, prapësohet, zhbëhet, abrogohet.
EV pj., bised. 1. Përdoret në fillim të një fjalie pyetëse për të theksuar më shumë pyetjen ose për të tërhequr vëmendjen e bashkëbiseduesit; hë. - E, do të vish? - E, si thua, nisemi? - E? - pyeti ai përsëri.
2. Përdoret për të pohuar a për të miratuar diçka; po. - Nesër do të shkosh? - E, nesër.
✱Sin.: hë, po.
EURODEPUTÉT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Deputet i Bashkimit Evropian. Vizita e eurodeputetit. Eurodeputetë të gjelbër. Rezoluta e miratuar nga eurodeputetët. Ajo shumicë eurodeputetësh votuan projektrezolutën.
FJALËKALÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Një fjalë ose shprehje sekrete e përdorur nga persona të caktuar për të lejuar kalimin në një vend, për të miratuar të drejtën për informacion etj. Tha fjalëkalimin para rojave.
2. Një fjalë ose një varg shkronjash a numrash, zakonisht të mbajtura sekret, që duhet të jepen nga një përdorues për t’u futur në një kompjuter, në një sistem kompjuterik, në një adresë interneti etj.; fjalëçelës. Kishte harruar fjalëkalimin e postës elektronike.
HARTÚAR (i, e) mb. 1. Që është hartuar sipas një plani të caktuar (për një vepër letrare, shkencore etj.). Gramatikë e hartuar nga gjuhëtarë. Pjesë teatrale e hartuar nga dramaturgë. Tekst shkollor i hartuar nga specialistë të fushës.
2. Që është përpiluar dhe shkruar për një dokument a shkresë. Dokument i hartuar në shqip. Shkresë e hartuar për mundësi bashkëpunimi.
3. Që është menduar a planifikuar, përgatitur me të dhënat e nevojshme për zbatim; mënyrë veprimi. Ligj i hartuar dhe i miratuar. Grafik pune i hartuar. Projekt (plan) i hartuar.
4. Që është shkruar, shprehur bukur, qartë e drejtë mendimet a veprimet për një detyrë me shkrim, për një temë të caktuar a një ese. Temë e hartuar bukur. Ese e hartuar në anglisht. Detyrë e hartuar në kohën e shkuar.
✱Sin.: i përpiluar, i shkruar, i përgatitur.
HOMOLOGÚAR (i, e) mb. 1. drejt. Që është i sanksionuar me vendim gjyqi; që është miratuar ose lejuar zyrtarisht.
2. tek. Që është i verifikuar a i provuar për përputhshmërinë a përshtatshmërinë e pjesëve të veçanta të automjetit në tërësinë e tij, bazuar në kriteret, që parashtrohen nga organet e ndryshme rregullatore të një vendi; i certifikuar.
✱Sin.: i sanksionuar, i ligjëruar, i miratuar, i verifikuar, i provuar.
LIGJ,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Normë, rregull që vendoset nga organi më i lartë i pushtetit shtetëror dhe që është e detyrueshme për të gjithë organet shtetërore dhe për të gjithë shtetasit. Ligjet e shtetit. Ligji mbi zgjedhjet. Njohja e ligjeve. Zbatimi i ligjit. Sipas ligjeve në fuqi. Është vendosur me ligj. Është në përputhje (në pajtim) me ligjin. Është jashtë ligjit nuk është në pajtim me ligjet; nuk mbrohet nga ligjet në fuqi; nuk e lejon ligji.
2. Rregull, normë që e pranojnë dhe e zbatojnë të gjithë si diçka të përgjithshme a të detyrueshme. Ligjet e mirësjelljes. Ligje të pashkruara. I tillë ishte ligji i luftës.
3. filoz. Lidhje e brendshme, e qenësishme dhe e domosdoshme ndërmjet sendeve e dukurive të natyrës e të shoqërisë, që përcakton zhvillimin e tyre dhe e bën procesin botëror një të tërë të vetme. Ligjet e përgjithshme (e veçanta). Ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë. Ligji i zhvillimit objektiv. Ligjet e lëvizjes.
4. spec. Përgjithësim që nxirret duke vëzhguar e studiuar dukuritë e natyrës e të shoqërisë dhe duke zbuluar në to atë që është e përbashkët, e rregullsishme dhe qenësore. Ligji periodik (kim.) ligji që shpreh vetitë e elementeve kimike dhe të përbërjeve të tyre sipas strukturës së atomeve. Ligji i ruajtjes së energjisë (fiz.). Ligj i vlerës (i mbivlerës)(ek.). Ligji i mohimit të mohimit (filoz.). Ligjet e fonetikës (gjuh.).
5. fet. Sistem rregullash që feja kërkon të zbatohen nga besimtarët. Ligjet hyjnore. Ligjet e fesë.
6. bised. E drejtë. I dha ligj atij. Ka ligj të mos e dojë. Kështu nuk ke ligj. Ligj i pashkruar (drejt.) ligj që nuk është i shkruar, që nuk është i miratuar në organin ligjbërës, por që ka forcë vepruese si një ligj i shkruar.
✱Sin.: normë, rregull, e drejtë, nom, kanun, lidhje, përgjithësim.
♦ Bën ligjin (dikush) keq. vendos çdo gjë vetë pa pyetur asnjeri dhe pa përfillur rregullat e caktuara, ç’thotë ai bëhet; lidh e zgjidh (vetë).
MIRATÚAR (i, e) mb. Që është pranuar zyrtarisht si i drejtë, i rregullt, i lejueshëm etj.; që është pranuar si i vendosur përfundimisht. Vendim i miratuar. Plani i punës i miratuar. Program i miratuar nga ministria. Ligji i miratuar. Platformë e miratuar me konsensus.
✱Sin.: i pranuar, i pëlqyer, i aprovuar, i lejuar, i përkrahur.
MOSDURÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Mungesë durimi ndaj dikujt a diçkaje, të qenët i padurueshëm, padurim; kund. durim. Tregoj mosdurim ndaj dikujt. Bëri një shenjë mosdurimi. Shfaqi mosdurim për ta miratuar propozimin e saj. Disa persona krijonin skena të mosdurimit në kolektivin e tyre.
2. edhe sh. Mungesë tolerance ndaj diçkaje; kund. durim; numri i situatave që dikush nuk e duron një gjë a nuk toleron dot diçka. Mosdurimi i padrejtësisë (i së keqes). Mosdurimi i dyfaqësisë. Mosdurimi i shtypjes. Shkalla e durimit a e mosdurimit të kritikës. Zhvilloj mosdurimin ndaj gënjeshtrës. Ka sëmundje që vijnë me mosdurimin e dritës. U shtuan mosdurimet dhe urrejtjet.
NJËZË́SH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që është miratuar a që është pranuar njëzëri; që shpreh mendimin e përbashkët të të gjithëve; unanim; që ka fituar votat e të gjithë pjesëmarrësve në votim; i përgjithshëm. Miratim (pranim, pëlqim) i njëzëshëm. Përgjigje e njëzëshme. Vota të njëzëshme. Vendim i njëzëshëm. Përkrahje e njëzëshme. Në mënyrë të njëzëshme.
NËNSHKR/ÚAJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë emrin e mbiemrin ose shkurtimin e tyre në fund të një letre, të një shkrimi, të një dokumenti etj. për të vërtetuar se jam vetë autori i tij ose për të miratuar përmbajtjen, firmoj. Nënshkruaj shkresën (urdhrin, vendimin, procesverbalin). Nënshkruaj dëftesën (fletëdaljen). Nënshkruaj çekun (urdhërxhirimin, kontratën). Nënshkruaj një deklaratë.
2. Marr përsipër të plotësoj kushtet dhe detyrimet e një marrëveshjeje, e një traktati etj., duke vënë nënshkrimin; pranoj kushtet. Nënshkruaj një marrëveshje (një traktat). Nënshkruan paqen. Nënshkruaj në të bardhë nënshkruaj pa shënuar shumën e parave (për çeqet etj.).
✱Sin.: pranoj, firmos, firmoj.
PAMERITÚESHËM ndajf. Në mënyrë të pameritueshme; pa e miratuar.
PAMIRATÚAR (i, e) mb. Që nuk është i miratuar; që nuk është miratuar; kund. i miratuar. Propozim (projekt) i pamiratuar.
PARASHTRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zyrt. Paraqitje e shkurtër e një kërkese, e një çështjeje etj. për ta shqyrtuar ose për ta miratuar; përkujtesë. Shqyrtimi i parashtresës. I bëri një parashtresë.
2. Kumtim i përmbledhur i çështjeve kryesore, i mendimeve e i përfundimeve për një temë. U dëgjua (u lexua) parashtresa.
✱Sin.: parashtrim, përkujtesë, kumtim, përmbledhje, paraqitje.
PARASHTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. zyrt. I paraqit dikujt shkurt e në tërësi një kërkesë a një çështje për ta shqyrtuar, për ta miratuar etj., i bëj dikujt një parashtresë. Parashtroi një kërkesë.
2. Kumtoj përpara të tjerëve përmbledhtas çështjet kryesore, mendimet e kërkesat për një temë a për një detyrë. Parashtroi mendimet (idetë, pikëpamjet). U parashtroi detyrat.
✱Sin.: shtroj, paraqit, hedh, ngre, nxjerr, drejtoj, shtjelloj, shpërfaq, shpalos, shfaq, zbuloj, shpreh, bëj, jap, sjell, kumtoj, shkoqis.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë