Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AFRISHMËRÍ,~A f. 1. Të qenët i afrishëm. Afrishmëri zemre. Afrishmëri miqësore. Afrishmëri fqinjësore. Afrishmëri interesi.
2. Të qenët i shkueshëm, i dashur, i afrueshëm. Afrishmëri e dukshme.
✱Sin.: afri, afërsi, afrueshmëri, shkueshmëri.
ALEÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. Lidhje miqësore që bëjnë ndërmjet tyre dy a më shumë shtete për qëllime e veprime të përbashkëta politike dhe ushtarake; besëlidhje. Aleancë politike (ushtarake). Aleancë mbrojtëse. Aleancë dypalëshe (trepalëshe). Bën (lidh) aleancë. Hyn në aleancë. Shkëput aleancën.
2. Lidhje e ngushtë politike ndërmjet palësh a grupesh shoqërore mbi bazën e interesave dhe të qëllimeve të përbashkëta. Aleancë luftarake. Aleanca ushtarake ndërmjet disa vendeve. Aleanca e NATO-së. Aleancë bashkëpunimi. U krijua Aleanca bërthamore.
3. Marrëveshje, bashkim ose bashkëpunim mes individëve, grupeve, partive, shteteve apo organizatave për të arritur qëllime të përbashkëta. Dy partitë formuan një aleancë para zgjedhjeve. Aleanca për zhvillim e risimtari. U krijua një aleancë ndërmjet universiteteve shqiptare.
✱Sin.: lidhje, besëlidhje, koalicion.
ARMIQËSÍM,~I m. 1. Gjendje e krijimit të armiqësisë, të konfliktit midis individëve, grupeve ose vendeve; krijim i mosmarrëveshjes, i tendosjes; prishje e marrëdhënieve miqësore ose asnjanëse, të armiqësuarit; kund. miqësim. Armiqësim i dy vendeve (shteteve, grupeve, partive, individëve etj.). Ndodhi armiqësimi i dy shokëve.
2. Veprimi kur armiqësoj dikë me një tjetër ose kur armiqësohem.
✱Sin.: armiqësi, dashakeqësi, dashaligësi, urrejtje, prishje, zemërim, xhelozi,
ATMOSFÉR/Ë,~A f. 1. Masë ajri ose shtresë e gazrave që mbështjell Tokën dhe trupa të tjerë qiellorë, ajri rrethues. Atmosferë e lartë (e ulët). Atmosfera e Tokës. Atmosfera e diellit. Atmosfera e Marsit. Ndryshimet atmosferike. Shtresat e atmosferës. Lagështia e atmosferës. Ftohja (ngrohja) e atmosferës. Veçoritë fizike të atmosferës.
2. Ajri i një vendi, ajri që thithim në një hapësirë. Atmosferë e rëndë. Prish atmosferën. Atmosferë e pakëndshme.
3. fig. Ambienti, ndjesia ose gjendja shpirtërore që mbizotëron në një vend ose në një situatë; ajo që na rrethon, kushtet në të cilat jetojmë ose zhvillohet një veprimtari, rrethanat që ndikojnë mbi diçka; mjedis. Atmosferë e ngrohtë (miqësore). Atmosferë e shëndoshë (e gjallë). Atmosferë familjare. Atmosfera politike. Atmosferë pune (lufte). Atmosferë gëzimi (feste). Ngroh (përmirëson) atmosferën. Helmon atmosferën.
✱Sin.: ajër, mjedis, ambient, gjendje, klimë, ndjesi.
BISEDÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur bisedoj me dikë a për diçka.
2. Shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet dy ose më shumë njerëzve për çështje të jetës së përditshme ose të punës, bisedë. Bisedim telefonik. Bisedim i përzemërt (i gjallë, i këndshëm). Hyri (mori pjesë) në një bisedim.
3. vet. sh. Shkëmbim mendimesh ndërmjet dy a më shumë palëve për të arritur një marrëveshje ose për të shqyrtuar një çështje që duhet zgjidhur. Bisedime zyrtare (miqësore). Bisedime diplomatike. Bisedime dypalëshe. Bisedime të fshehta. Bisedime me dyer të mbyllura. Tryeza e bisedimeve. Ftoi për bisedime. Zhvilluan (bënë) bisedime. Ndërprenë bisedimet.
BISEDÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që merr pjesë në një bisedë, bashkëbisedues, bashkëfolës.
2. Ai që merr pjesë në bisedime, pjesëmarrës në bisedime. Biseduesit diskutuan me tone miqësore.
3. Ai që bën një bisedë për një temë a çështje të caktuar. Bisedues mbushamendës. Bisedues me përvojë.
BISÉD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet dy a më shumë njerëzve për çështje të jetës së përditshme ose të punës; të folur i lirë ndërmjet dy a më shumë vetëve; kuvendim. Bisedë e përzemërt (shoqërore, miqësore, familjare). Bisedë e ngrohtë (e lirë, e shkurtër, e këndshme, e mërzitshme, e shtruar). Zë (hap, çel, filloj, nis) bisedën. Ndërpres bisedën. Ndërroi bisedë. I dha fund bisedës. U këput filli i bisedës. E solli bisedën te...
2. Fjalë a ligjëratë që mbahet përpara dëgjuesve për një temë ose për një çështje; trajtimi i një problemi me pyetje e përgjigje a me shkëmbim mendimesh ndërmjet pjesëmarrësve; ligjërim. Bisedë politike (shkencore, letrare). Bisedë në radio. Bisedë me një shkrimtar. Bëri (organizoi) një bisedë. Dëgjonte bisedën e babait.
3. ars. Metodë e punës mësimore në shkollë, sipas së cilës mësuesi, gjatë shpjegimit të njohurive të reja, me qëllim që ato të përvetësohen edhe më mirë, tërheq edhe nxënësit që të flasin. Bisedë paraprake (hyrëse, përforcuese). Bisedë e lirë. Bisedë kontrolli. Metoda e bisedës.
✱Sin.: bisedim, kuvendim, kuvend, fjalë, ligjëratë, ligjërim, muhabet, llaf.
FAMILJARIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur familjarizojmë ose kur familjarizohemi me dikë; krijimi i lidhjeve të ngushta e miqësore me dikë. Familjarizim i shpejtë.
2. Njohje së afërmi me diçka. Familjarizimi me shkollën e re.
✱Sin.: miqësim, ambientim, përshtatje.
FTOH vep., ~A, ~UR kal. 1. Ia ul temperaturën diçkaje; e bëj më të ftohtë, i pakësoj të nxehtët; i heq të ngrohtët dhe e bëj të ftohtë; kund. ngroh. Ftoh ujin (gjellën). Ftoh dhomën.
2. E bëj dikë që të mërdhijë shumë; plevitos. E ftohu fëmijën duke e mbajtur jashtë.
3. bised. Shuaj, fik. Ftoh zjarrin.
4. Kalit një vegël prej metali duke e nxehur shumë e duke e futur pastaj menjëherë në ujë të ftohtë. Ftoh sëpatën.
5. fig. E bëj dikë t’i dobësojë e t’i prishë lidhjet e marrëdhëniet miqësore me një tjetër ose të mos ketë për të dashurinë e mëparshme, e largoj dikë nga një njeri i afërt; ia pakësoj dikujt dëshirën, vullnetin a vrullin për një punë. Ua ftohu miqësinë (marrëdhëniet). Ia ftohu ndjenjat.
6. Lëvroj tokën për herën e tretë. E ftohu tokën.
✱Sin.: plevitos, tartaros, freskoj, shuaj, fik, zvjerdh, zbarit, përandit, tëhuaj.
♦ I ftohu (i uli) *gjakrat (dikush). Ia ftohu *kokën (kryet) (dikujt). Ia ftohu kryet (*kokën) (dikujt). As të *ngroh e as të ftoh.
FTÓHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Ulje e temperaturës (së mjedisit etj.). Ftohja e ujit. Ftohja e motit. Sistem ftohjeje me çiller (me kondicioner).
2. bised. E ftohur, të ftohtë. Ka marrë ftohje në mushkëri.
3. Prishje e marrëdhënieve miqësore me një tjetër; pakësim i dëshirës, vullnetit a vrullit të dikujt për një punë. Ftohja e marrëdhënieve.
✱Sin.: flladitje, e ftohur, të ftohtë, plevitosje, plevit, qetësim, shuarje.
FTÓHTË (i, e) mb. 1. Që ka temperaturë të ulët, që ka ftohtësi; kund. i ngrohtë; i nxehtë. Ujë i ftohtë. Ajër i ftohtë. Është i ftohtë.
2. Që e mban temperaturën të ulët, i tillë ku njeriu mërdhin. Dhomë (sallë) e ftohtë. Vend i ftohtë.
3. Që ka dalë prej kohe nga furra, që ka kohë që është zier ose është pjekur dhe nuk është më i ngrohtë (për bukën, gjellën etj.) Bukë (gjellë) e ftohtë. Byrek i ftohtë.
4. Që është me ngrica e me acar (për motin); që ka klimë me temperaturë shumë të ulët gjatë gjithë vitit (për vendet); që bën ftohtë. Mot i ftohtë. Klimë e ftohtë.
5. Që e ka temperaturën e zakonshme më të ulët sesa trupi i njeriut (për gjakun e disa kafshëve). Kafshë me gjak të ftohtë.
6. fig. Që nuk tregohet i dashur a i përzemërt me njerëzit e tjerë, që nuk është i afrueshëm me të tjerët; që është shumë i përmbajtur në shfaqjen e ndjenjave; që sillet a vepron me mospërfillje ndaj dikujt a diçkaje, mospërfillës. Njeri i ftohtë.
7. fig. Që nuk ka a nuk shpreh ndjenja të ngrohta e miqësore; që bëhet pa dashuri e pa përzemërsi ose me mospërfillje. Pritje e ftohtë. Përgjigje e ftohtë. Takim i ftohtë.
8. fig. Që nuk të tërheq e nuk të ngjall ndonjë ndjenjë, që nuk të prek shqisat a ndjenjat. Ngjyra të ftohta. Përshkrim i ftohtë.
✱Sin.: i acartë, i akullt, i huaj, i zbarët, i zbaritur, i pandjenjë, i pandjeshëm, mospërfillës, i mermertë, i cingortë, i pandjenjë, i thatë.
♦ Armë e ftohtë armë si thika, shpata etj. U bë për *ujë të ftohtë (dikush). E bëri për *ujë të ftohtë (dikë). Më ranë (më shkuan, më dolën, më mbuluan) *djersë të ftohta. Me *gjak të ftohtë. *Hallvë e ftohtë. E kam barkun (zemrën) të ftohtë. 1. Kam shpresa të pakta për diçka, nuk besoj shumë se do të bëhet diçka; e kam zemrën akull. 2. E ndiej veten si të mpirë, nuk jam i gëzuar, ndihem bosh; vuaj ngase kam pasur shumë fatkeqësi; kund. e kam barkun (zemrën) të ngrohtë. Ka *gjak të ftohtë (dikush). Me *gjak të ftohtë. Luftë e ftohtë luftë politike, ideologjike, ekonomike etj. pa armë. Ka *mendje të ftohtë (dikush). Me *mendje të ftohtë. (E pret) si *ujët e ftohtë (e pakët) (dikë a diçka).*Pilaf i ftohtë përçm. I ka qiqrat të ftohta (me dikë) ka marrëdhënie të këqija me dikë, nuk i pëlqen të ketë punë me të, është i ftohtë e nuk shkon mirë me të. E rreh *hekurin të ftohtë (dikush).
HARMONÍ,~A f. 1. Lidhje e natyrshme dhe e përshtatshme ndërmjet pjesëve a elementeve të diçkaje, bashkim i qëlluar dhe i përpjesëtuar mirë i elementeve përbërëse të diçkaje dhe bashkërendimi i tyre në sinkroni; përputhje e rregullt, e plotë dhe e drejtë e dy sendeve ose e pjesëve përbërëse të një të tëre ose pajtim i plotë ndërmjet dy gjërave, përputhje. Harmoni e brendshme (e jashtme). Harmonia e ngjyrave. Harmonia e trupit. Harmonia e gjymtyrëve. Ka harmoni. I mungon harmonia.
2. fig. Pajtim në mendime e në qëndrime me dikë, të shkuar mirë e pa fërkime; marrëdhënie të mira miqësore e të ngrohta ndërmjet njerëzve ose palëve; mirëkuptim. Harmoni e plotë (e përgjithshme). Harmonia e interesave. Kanë harmoni. Veprojnë (punojnë) në harmoni.
3. muz. Grup tingujsh a zërash të njëkohshëm, që shkojnë njëri me tjetrin dhe na pëlqejnë kur i dëgjojmë; bashkëtingëllim i këndshëm zërash a tingujsh. Harmonia e tingujve (e zërave). Harmoni veglash muzikore.
4. muz. Pjesë e teorisë së muzikës, që studion akordet e zërave dhe të tingujve të veglave muzikore; tërësia e parimeve të këtyre akordeve. Ligjet e harmonisë. Studion për harmoni.
✱Sin.: përputhje, përshtatje, përpjesëtim, pajtim, mirëkuptim, bashkëtingëllim.
HEKAKÉQ,~E mb. 1. Që ka vuajtur shumë, që ka hequr gjithnjë keq, heqkeqës. Njeri hekakeq.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Shkrimtari shqiptar ështën një hekakeq në kërkim të një klime miqësore për veprën e vet.
✱Sin.: i vuajtur, heqkeqës, i munduar, i përvuajtur, i sfilitur, i stërmunduar.
HÝRJE-DÁLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Hyrja diku dhe dalja prej andej, të hyrët dhe të dalët. Hyrje-dalje të panevojshme (të vazhdueshme). Hyrje-daljet e njerëzve. Hyrje-dalja e ajrit.
2. Vizita ose ardhje miqsh në një shtëpi, hyrje e dalje te njëri-tjetri në shtëpi, marrëdhënie miqësore midis familjesh; vajtje-ardhje. Ka shumë hyrje-dalje. Ka hyrje-dalje me të.
3. fin. Kryerja e veprimeve të nevojshme për të futur një mall në magazinë dhe për ta nxjerrë prej andej. Libri i hyrje-daljeve. Dokumentet e hyrje-daljeve.
4. si mb. Që është ecejak; që shkon lart e poshtë. Vizitë hyrje-dalje.
INTIMITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. kryes. sh. Ndjenjat, mendimet, dëshirat etj. më vetjake e më të thella të një njeriu; të fshehta që i takojnë vetëm një njeriu ose një rrethi të ngushtë njerëzish; çështje intime; të qenët intim. Hyn në intimitetet e tjetrit.
2. Lidhje e ngushtë miqësore, miqësi shumë e ngushtë, marrëdhënie shumë të afërta e të ngrohta, përzemërsi; të qenët intim me një tjetër. Intimitet i madh. Ka intimitet me dikë. Bisedoj (flas) me intimitet me dikë.
✱Sin.: fshehtësi, e fshehtë.
JARANÍ,~A f. sh. ~, ~TË vjet. 1. Dashuri, zakonisht e fshehtë (edhe keq.). I dehur nga jarania. Nuk ka rini pa jarani.
2. Miqësi, lidhje miqësore a dashurore midis dy vetave; shoqëri. Kemi jarani me atë shtëpi. Jarani e fortë. Kishin jarani.
3. Shaka midis shokësh e miqsh të ngushtë, hoka. Bënte jarani! S’i linte jaranitë!
✱Sin.: dashuri, dashamirësi, miqësi, shoqëri, simpati, shaka, hoka.
KAM vep., PÁTA, PÁSUR 1. kal. Zotëroj një pronë, një pasuri etj.; jam pronar i diçkaje; është imja, më përket mua. Kam shumë para (prona). Kam dy shtëpi (një apartament, një makinë). Kam shumë botime (libra). Kam sa për vete (sa për të jetuar). Më mirë të dish sesa të kesh (fj. u.).
2. kal. Jam në lidhje të caktuara gjaku a farefisnie me dikë; jam në lidhje familjare me dikë. E kam baba (nënë, grua, burrë, krushk, kushëri, kunat). Kam dy fëmijë (dy vëllezër, dy kunata).
3. kal. Jam me dikë në lidhje a në marrëdhënie të afërta a miqësore, shoqërore, profesionale etj. E kam shok (mik, armik). E kam pasur drejtor (shef, koleg, partner, mësues, trajner, student). Kam shoqëri (miqësi, muhabet) me dikë. E kam kujdestar (nën kujdestari). Kemi marrëdhënie (lidhje) të mira (të ngushta). Kanë mosmarrëveshje (kontradikta) ndërmjet tyre.
4. edhe fig., kal. Zotëroj një veti a cilësi të caktuar, gëzoj një të drejtë etj. që s’e kanë të tjerët; ndiej diçka, provoj një ndjenjë në veten time; ndodhem a bie për disa kohë në një gjendje të caktuar emocionale, shpirtërore etj. Ka shpirt (zemër, shëndet) të mirë. Ka talent (aftësi, zotësi, prirje, vullnet, iniciativë). Ka fuqi (forcë). Ka kulturë (përvojë). Kemi prova (dëshmi) të reja. Kemi të drejta (por edhe detyra). Ka zakonet (huqet) e veta. Ka merita (të meta, gabime, përgjegjësi, autoritet, pushtet). Ka durim duron. Ka fat është me fat. Ka lejë (ftesë, fletëhyrje). Ka faj është fajtor. Ka kujdes është i kujdesshëm. Ka dashuri (simpati) për dikë. Ka pasur disa sëmundje ka kaluar disa sëmundje. Ka uri (etje). Ka grip (ethe, kollë, dhembje, temperaturë). Ka shpresë (dyshime, merak) shpreson (dyshon, merakoset). Kam vapë (gjumë). Ka frikë (shqetësime). Nuk e di se ç’kam! Kam dy javë (dy ditë) pushim.
5. kal. Është pjesa ime përbërëse (natyrore ose rastësore); ekziston tek unë, në trupin tim, në gojën time etj. qysh kur jam lindur. Kam dy duar e dy këmbë. Kam lëkurën delikate. Kam një plaçkë në sy (një dhëmb të prishur në gojë). Kam një gjemb në këmbë. Ç’e ke atë në kokë? E kam në shtëpi (në xhep).
6. kal. I përmbahem (një mendimi a një pikëpamjeje). E kam të qartë se... Kam mendimin (pikëpamjen) se…
7. kal., vet. v. III Ndodhet dikush a diçka në një vend të caktuar; është i pranishëm (një njeri, një kafshë a shpend etj.). Kishte shumë njerëz në shesh. Në kafaz ka një zog.
8. bised., edhe jokal., vet. v. III Është realisht, ekziston (një dukuri a një send etj.). Kishte ujë (bileta, vapë, çdo gjë tjetër). Ka leverdi (diçka) është punë me leverdi; s’ka pse të shqetësohemi. Ka lagështirë (dallgë, mjegull). Ka (do të ketë) shi (borë) do të bjerë shi (borë).
9. edhe jokal., vet. v. III Është normale, me përmasat e duhura (nga madhësia, numri, përbërja substanciale etj.); përmban, përbëhet. Dora ka pesë gishta. Makina ka katër vende. Karroca ka dy ndenjëse. Shtëpia ka tri kate dhe një papafingo. Dhoma ka dy dritare (dy krevate). Qyteti ka mijëra banorë. Klasa ka 20 nxënës.
10. edhe jokal., kryes. v. III Në bashkëvajtje me pjesëza mohuese dhe e ndjekur me folje ose me emra veprimi formon togfjalësha me kuptimin «nuk është e mundshme të kalosh, të bëhet (diçka), të zhvillohet etj.». S’ka ku të kalosh nuk mund të kalosh dot atje. S’ke ku ta gjesh s’mund ta gjesh dot. Nuk ka shpëtim nuk mund të shpëtohet. S’ka rrugëdalje. S’ka të sharë. S’ka të ngopur nuk po ngopet.
11. kal. Në bashkëvajtje me disa emra formon togfjalësha me kuptim foljor që tregojnë një gjendje a një ndjenjë të caktuar etj. Kam punë jam i zënë (me punë); po punoj. Kam një hall. Kam durim duroj. Kam përkrahjen (mbështetjen) e dikujt. Kam një kërkesë (një ankesë, një sqarim). Ç’ kemi andej nga kryeqyteti?
12. kal. Në bashkëvajtje me folje në të kryerën e thjeshtë tregon një veprim a gjendje të përfunduar ose të mbaruar. Kaq e pati edhe ai mbaroi, vdiq dhe ai. E pati ajo punë u krye, mori fund ajo punë.
13. kal. E quaj, e konsideroj për diçka a si diçka. E kam për nder. E kam si detyrë.
14. kal. Më sjell ose më ka sjellë një pasojë (të mirë a të keqe). Kam suksese (fitime). Kam lodhje. 15. kal. Bëj diçka (një veprim a një punë në mënyrë të caktuar). E kam pa (me) hile (me djallëzi, me gjithë zemër). E ke kot.
16. bised., kal. E shes a e mbaj diçka me një çmim të caktuar. E ke shumë shtrenjtë (lirë). Sa i ke vezët (ullinjtë)?
17. jokal. Them, flas; përgjigjem shpejt (në të kryerën e thjeshtë me trajtën e shkurtër të përbërë ia të përemrit vetor). Po, ia pati ai menjëherë.
19. gjuh. Përdoret si folje ndihmëse për formimin e kohëve të përbëra foljore. Kishte qenë edhe ai. Ka merituar duartrokitje. Do të ketë ikur a vdekur.
✱Sin.: zotëroj, paraqet, ekziston, çmoj, konsideroj, vlerësoj, mbaj, shes, ndiej, përfshin, ndodhet, gjendet, mbaroi, përfundoi, (i) përgjigjem.
♦ *Aq e ka. *Aq e pati zakon. iron. (dikush a diçka). *Aty ta kam (fjalën)! Një e dy e si ma ke *balashin iron. S’ka *bar (ilaç) (për dikë a diçka). S’kam *bark. Një *bark kam! *Ç’bretkun ke? keq. E *di ç’ke ti? Ç’djallin (*dreqin) ke? keq. Ç’ dreqin (*djallin) ke keq. E kam me *bereqet (diçka). S’pata *besë. Nuk ka *besë (dikush a diçka). Kam të bëj (me dikë). 1. Jam farefis me dikë, kam lidhje gjaku me dikë. 2. Kam njëfarë lidhjeje me dikë dhe duhet ta njoh mirë, më lidh puna a një çështje tjetër e dua ta di se kush është e si është. 3. vet. v. III (me diçka). Lidhet, i përket diçkaje, ka lidhje me të. E ka në *bërryl (dikë). S’ia kam *borxh (dikujt). S’ka *brirë (diçka). E ka te *buza (dikush). Nuk ka *cak (dikush). Kam *cipë. S’ka *çapok (dikush). S’ka *çare vjet. E ka në *çark (dikush). S’ka *çelës që i bie (dikujt). S’e ka (s’e vë, s’e fut) në *defter (dikë a diçka) mospërf. S’ka *derman (dikush a diçka). S’ka *dert (dikush) vjet. Të ketë *ditë (dikush) ur. etnograf. Ka *dorë (dikush) keq. E ka në *dorë (dikë a diçka). E kam në *dorë (në duar) (diçka). Pastë *dritë ur. S’ka ç’të *duhet! Ka *dukë (diçka). Si e ka *dukën? E kam më *dysh. S’ka (s’e ka) një *të dytë (dikush). E ka *dhjamë (me dikë). E kam *eshkë (gojën). E ka për *fis (dikush). S’ka *fre (dikush). S’kam *frymë. Ka *fytyrë (dikush). S’ka *gajle. Nuk e ka për *gajle. *Gaz paç! ur. Ka *gisht (në diçka). Ka *gojë (dikush). S’ka *gojëI (dikush). S’ka *gojëII (dikush) keq. E kam në *gojë (dikë a diçka). E ka grurë (me dikë). E ka (e mban) në *grusht (dikë). E ka në *gjak (diçka). E kam *të gjallë (dikë a diçka). Nuk ka *gjasë (për diçka). Nuk e ka *të gjatë (dikush). E kam *gjethe (dikë). S’ka *gjë. Nuk e ka për *gjë (diçka). S’e ke për *gjë (dikë). E kam në *gji (dikë). S’ka *gjoks (dikush). Ka *gjuhë (dikush) keq. S’ka *gjuhë (dikush). S’ka *haber (për diçka). Ka *hak (dikush). E ka *hak (dikush). Ku e ke *hallin? E kam *hallall (diçka). Kaq e ka *hapin (çapin) (dikush). *Haram e paç! mallk. S’e kam (s’e vë) në *hesap (në llogari) (dikë a diçka). E ka për *hiçmosgjë (dikush). I ka *hije (diçka). S’i ka *hije (dikujt). Ta paça *hua ur. E ka në *hundë (dikë) përbuz. Nuk ka *hundë (dikush) mospërf. S’ka ilaç (*bar). Ia kam *inatin (dikujt). E ka si e ka (dikë) e vlerëson, e do shumë, e çmon për karakterin që ka. *Kaq e pati (dikush a diçka) zakon., iron. S’ka *këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). E kam nëpër *këmbë (dikë a diçka). S’ka *këmbë (diçka). Ma ka (ma mban) *këngë (dikush). E ka (e do) me *kërbaç (dikush). E kam me *kimet (dikë a diçka). S’ka *kockë (për diçka). S’di ku kam *kokën (kryet). S’ka *kokë (dikush). Me sa ka në *kokë (në krye). E kam prapa *krahëve (dikë) iron. S’ia kam *kryqet (dikujt a diçkaje). Nuk ka (nuk njeh, nuk di) *kufi (dikush a diçka). S’e ka *kush (dikë). E ka në *lak (diçka). S’kam *të larë (me dikë). Ka *lezet (diçka). S’ka *lezet. I ka *lezet (diçka dikujt). E kam *lëmë. Të paçim sa *malet! ur. E kam për *mall (dikë a diçka). Do t’ia kesh *mallin (dikujt a diçkaje). Kam *mend. Kam ndër *mend. E kam ndër *mend (dikë a diçka). E ka *mendjen (dikush). Kam *mendjen. Kam një *mendje (me dikë). *Mezi e kam (dikë a diçka). Si s’ka (si jo) më *mirë. Ka *miza (dikush). E kam *mortje (të dytë) (dikë a diçka). Kam *muhabet (me dikë). Kam *nderin... lart. S’ia kam *ngenë (dikujt a diçkaje). S’ia kam *oreksin (dikujt) mospërf. E kam (e mbaj) *parasysh (diçka). E ka me *pekule (dikë). Nuk ka *perde (dikush). E kam *Perëndi (dikë a diçka). Nuk e ka për *pesë (dikë a diçka). S’ka *përse. E kam *pisk. E ka në *pjatë (dikë a diçka). Kam *pranë (dikë a diçka). Të paça më *qafë! S’ia kam *qederin (diçkaje). Kam *qejf (diçka). Ia ka *qejfi (dikë a diçka). E kam për *qejf (diçka). S’ka *qibër (dikush). E ka në *qime (dikush). E kam *rëndë (dikë a diçka). Ka *rreze (është me rreze) (dikush a diçka). E ka mbi *supe (dikush). E ka *syrin (i ka sytë) (te dikush a te diçka). Nuk ka *syI (diçka). Nuk ka syII (dikush). Nuk e ka *syrin (dikush). S’e ka për (në) *sy (dikë a diçka). Ku i ke *sytë? S’ka *të sharë (dikush a diçka). Ka *shenja. E ka (e ka vënë) në *shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka). E ka (e ka vënë) në shënjestër (në *shenjë) (dikë a diçka). Nuk e ka *shokun (shoqen) (dikush a diçka). E ka mbi *shpatulla (dikush). S’ka *shpatulla (dikush). E ka *të shpejtë (dikush a diçka). E kam *shpirt (dikë). Nuk ka shpirt (*zemër) (dikush). Kam *shpresë. S’ia kam *takatin (diçkaje) vjet. S’e ka (nuk e ka marrë) me *tapi (diçka). E ka në *tavë (dikë a diçka) bised. E ka në *tenxhere (dikë) bised. E ka në *terezi (dikush). Që ç’ke me *të! S’e ka *toka (dikë). Nuk ka *tragë (dikush). Nuk ka *turi (dikush) mospërf. Nuk ka më *thela. S’ke ç’i *thua. E ka në *thes (dikë). E ka në (për) *thua (dikush). Ka *thonj (dikush) keq. S’ka *thonj (dikush). E ka *vaj (me dikë). E kam *vdekje (dikë a diçka). Sa s’ka ku të *vejë (ku të shkojë) më (sa s’ka më). Ka *vend. S’ka *vend (dikush a diçka). E ka në *vijë (dikush). I ka në vijë (punët etj.) (dikush). Ka (mban) *vlagë (dikush). Aq e ka *vrapin (dikush). E ka *xanxën (dikush). E kam *xhan (dikë) fëm. E ka në *xhep (dikë a diçka). Ka *yndyrë (dikush). E ka *zanat (dikush) keq. Sa ka *zanati! Nuk ka *zemër (shpirt) (dikush). E kam në (për) *zemër (dikë a diçka). E kam *zët (dikë a diçka).
KARIKATÚR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. art. Lloj i artit figurativ që shpalos dhe kritikon të metat ose anët negative të shoqërisë nëpërmjet një vizatimi i cili pasqyron diçka në mënyrë qesharake; figura a vizatimi i pikturuar në këtë mënyrë. Karikaturë miqësore. Ekspozita e karikaturës. Arti i karikaturës. Bëri (paraqiti) karikaturën e dikujt (e diçkaje).
2. edhe fig., keq. Figura e dikujt a e diçkaje e vizatuar në mënyrë qesharake; pikturë me cilësi të dobët artistike. Kishte bërë (doli) një karikaturë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë