Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
APLIKÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbatoj.
2. Paraqes kërkesë diku a për diçka (për punësim, për pozicion pune, për të ndjekur një program studimi, për t’u pranuar si anëtar në një organizatë, për mjete financiare, për të fituar shtetësinë, për një leje, për vizë turistike a pune, për çështje administrative etj.). Aplikoj në Ministri për punësim. Si mund të aplikoj për studime pasdiplomike? Si mund të aplikoj për pjesëmarrje në garë? Aplikoi për pasaportë shqiptare. Aplikoni për rimbursim për çmimin e biletës! Aplikoi përmes internetit.
3. Vë në përdorim një metodë, një mjet etj.; vë në funksion një aparat, një makinë, etj.; e bëj të plotfuqishëm (një ligj, një rregullore, një vendim etj.); zbatoj. Aplikoj metodën me laser. Aplikuan rregulloren e re.
4. Përdor diçka (një bar në lëkurë, etj.) Aplikoi kremin në fytyrë. Aplikuan trajtim masazhi. Aplikuan zbardhues për pllakat e korridorit.
DEPARTAMÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. zyrt. Strukturë organizative e veçantë që mbulon një funksion të rëndësishëm vetëm të politikëbërjes në institucion. Departamenti i financave. Departamenti i marketingut. Departamenti i burimeve njerëzore. Departamenti i administratës publike.
2. Ministria në SHBA, në Zvicër etj. Departamenti i Mbrojtjes (i Tregtisë...). Departamenti i Shtetit ministria e punëve të jashtme në SHBA.
3. Njësi administrative tokësore në Francë, në krye të së cilës është një prefekt, prefekturë. Departamenti i Senës (i Korsikës). Kryeqendra e departamentit.
4. ars. Njësi bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore të fakultetit në një institucion të arsimit të lartë, i cili përfshin fusha kërkimi të përafërta dhe grupon disiplinat mësimore përkatëse. Departamenti i matematikës. Departamenti i gjuhësisë.
✱Sin.: strukturë, degë, drejtori, nënndarje, ministri, prefekturë.
DÉRI pj. 1. Përdoret për të përforcuar a për të theksuar edhe më shumë kuptimin e fjalës, me të cilën lidhet; edhe, bile. Erdhën deri pleqtë. Kishin marrë deri fëmijët e kopshtit. Tregon kujdes deri për vogëlsira të panevojshme.
2. Përdoret bashkë me parafjalët në, me, mbi, nën, te(k), ndaj etj. dhe tregon cakun më të tejmë të një vendi a të një kohe ose shkallën më të tejme në të cilën arrin një veprim a një gjendje. Shkoi deri në Tiranë. U përkul deri në tokë. E preu deri në rrëzë. Duron deri në gjashtë muaj. Bari ishte deri në gju. Deri në mëngjes. I vendosur deri në fund. Besnik deri në vdekje. I kërkoi llogari deri në një (në pikën e fundit). I shfrytëzonin deri në palcë. I armatosur deri në dhëmbë. Deri më sot. Deri mbi çati. Arriti deri nën dritare. Deri te porta. Deri ndaj të gdhirë. Shkoi deri te ministri.
3. Përdoret përpara parafjalëve në (me) e në bashkëvajtje me parafjalën nga dhe tregon kufijtë e një periudhe të caktuar kohe ose caqet e një vendi, të një hapësire a largese. Nga mëngjesi deri në darkë. Nga shtata deri me dymbëdhjetë. Nga Tirana deri në Elbasan.
4. Përdoret bashkë me lidhëzat ku a kur dhe shërben për të lidhur fjali të varura, të cilat shprehin marrëdhënie vendore a kohore. E përcolli deri ku fillonte rruga. E prita deri kur mbaroi.
DIKASTÉR,~I m. sh. ~E, ~ET zyrt. Institucion qendror i administratës shtetërore; ministri. Dikaster qendror. Dikaster ekonomik. Punonjës në dikaster.
DREJT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj të drejtë diçka që ka qenë e shtrembër, e lakuar a e përkulur, e kërrusur, e pjerrët a me dredha; e bëj të sheshtë; kund. shtrembëroj, përkul. Drejton telin (gozhdën). Drejton shkopin (shufrën, thuprën). Drejton gardhin. Drejtoi krahun (këmbët). Drejtoi qafën. Drejton dërrasën. Drejton kapakun (llamarinën, kapakun e tenxheres, fundin e tiganit). Drejtoi hunjtë (shtyllat, furkat). Drejtoi fidanët. I drejtoi faqet.
2. Rregulloj diçka duke e kthyer në gjendjen e vet të zakonshme. Drejtoi supet. Ia drejtoi sytë (për dikë që i ka pasur të shtrembër). I drejtoi sytë vështroi drejt përpara (për dikë që vështronte shtrembër).
3. I jap drejtimin në një pikë të caktuar, e kthej dikë a diçka nga ajo anë drejt së cilës do të lëvizë; e vë drejt asaj ane a hapësire ku gjendet dikush a diçka; e kthej në një drejtim të caktuar. E drejtoi nga lindja (nga veriu, nga ana e detit, me fytyrë nga dielli). E drejtoi nga vetja. E drejtoi grykën lart (poshtë, anash). I drejtoi topin. E drejtoi andej (në anën e kundërt).
4. E vë diçka në një qëndrim të caktuar, ashtu si duhet ose sipas drejtimit të diçkaje tjetër. E drejton pingul (horizontalisht). E drejtoi sipas murit (sipas tavanit, sipas truallit).
5. E çoj te dikush, e këshilloj dikë të shkojë diku në një zyrë etj. për punën që ka; e çoj a e nis në një drejtim të caktuar, e dërgoj diku. E drejtoi në ministri. E drejton te të tjerët. - Për ku po më drejton? - Mos i drejto tek unë! I drejtoi për në fshat (për në Durrës).
6. I dërgoj dikujt një letër, njëftesë, një shkresë, një lutje etj.; i dërgoj nga larg një letër përshëndetjeje, të fala etj.; i bëj të njohur diçka me gojë ose me shkrim; i kërkoj diçka ose i bëj thirrje për diçka. I drejtoi një letër (një telegram). I drejton të fala (përshëndetje). I drejtoi një thirrje (një notë). I drejtoi një lutje (një kërkesë, një ankesë). I drejtoi një pyetje.
7. fig. Hedh në një drejtim; përqendroj. Drejton sytë (vështrimin) te (nga) dikush a te (nga) diçka. Drejton vëmendjen.
8. libr. Ngas një automjet ose një aeroplan. Drejton makinën (buldozerin, aeroplanin).
9. Dirigjoj orkestrën ose korin. Drejton korin (orkestrën).
10. Organizoj e udhëheq punën a veprimtarinë e një institucioni, të një grupi njerëzish, në një fushë të veprimtarisë shoqërore etj., jam përgjegjës e kujdesem që ajo të shkojë mbarë e të përparojë; organizoj një mbledhje a një konferencë, kujdesem për të, jap udhëzime të veçanta gjatë zhvillimit të punimeve, mbaj radhën e rregullin gjatë diskutimeve etj. Drejton institutin (kompaninë, shoqatën, shkollën). Drejton punën (praktikën mësimore, seminaret, ekspeditën). Drejton grupin (nxënësit, studentët). Drejton mbledhjen (konferencën).
11. fig. I tregoj dikujt rrugën për t'ia arritur një qëllimi, i caktoj atij pikësynimet e afërta e të largëta dhe rrugën që duhet të ndjekë për t'i arritur ato. Drejton kryengritjen (demonstratën).
✱Sin.: shtrij, zgjat, ndreq, rrafshoj, kthej, sjell, çoj, hedh, dërgoj, paraqit, parashtroj, bëj, ngas, prij, kryesoj, dirigjoj, udhëheq, qeveris, komandoj, mbuloj.
♦ E drejtoi (e ndreqi, e rregulloi) *gojën (dikush). Drejtoj *sytë. I ka drejtuar *shigjetën (dikujt a diçkaje). E drejtoi *shpinën (kurrizin) (dikush).
DREJTORÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Organ drejtues i një sipërmarrjeje, i një institucioni, i një shkolle etj., që përbëhet zakonisht nga drejtori dhe nga zëvendësit e tij; zyrat e këtij organi dhe të aparatit të tij; zyra e drejtorit. Drejtoria e sipërmarrjes (e institutit, e shkollës, e spitalit, e muzeut, e bibliotekës). Anëtarët e drejtorisë. Mbledhja e drejtorisë. E shqyrtuan në drejtori. Zyrat e drejtorisë. E thirrën në drejtori.
2. Institucion administrativ qendror ose ndarje kryesore në një ministri etj., që organizon e drejton punën në një fushë të caktuar të ekonomisë, të kulturës, të mbrojtjes dhe të administrimit shtetëror për gjithë vendin; ndërtesa a zyrat e këtij institucioni. Drejtoria e përgjithshme e arkivave të shtetit. Drejtoria e doganave (e arsimit të mesëm, e të ardhurave, e buxhetit,). Drejtoria rajonale e arsimit parauniversitar.
EMËRÚAR (i, e) mb. 1. Që është caktuar zyrtarisht në një detyrë, që është emëruar. Ministri i emëruar në detyrë në fillim të pranverës. Funksionarë të emëruar në mënyrë politike. Mësuese të emëruara me konkurs. Të emëruar me meritë.
2. I emërtuar. Lista e termave të emëruar sipas matematikanit të njohur. Dallimi i entiteteve të emëruara në shqip.
INTERPELÁNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT pol. 1. Procedurë zyrtare parlamentare përmes së cilës anëtarët e parlamentit kërkojnë që qeveria të shpjegojë, të sqarojë ose të justifikojë politikat, veprimet ose vendimet e saj.
2. Kërkesë e posaçme që i bëhet qeverisë ose një ministri të saj nga ana e deputetëve të parlamentit për të dhënë shpjegime për një çështje. I bënë qeverisë një interpelancë. Iu përgjigj interpelancës.
✱Sin.: ndërpyetje, kërkesë.
KRYEDIPLOMÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT dipl. 1. I pari i diplomatëve; ambasadori që përfaqëson shtetin në një vend të huaj.
2. Ai që është në krye të diplomacisë së një shteti; ministri i Punëve të Jashtme.
MINISTRÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Ndarje administrative kryesore e qeverisë, që drejton veprimtarinë në një fushë të caktuar të ekonomisë, të kulturës, të mbrojtjes etj. dhe që ka në krye një anëtar të Këshillit të Ministrave; dikaster. Ministria e Industrisë dhe e Minierave (e Financave, e Tregtisë, e Turizmit, e Ndërtimit, e Shëndetësisë, e Arsimit dhe e Kulturës, e Bujqësisë, e Punëve të Jashtme, e Punëve të Brendshme etj.). Detyrat që duhet të bëjë ministria. Punonjësit e ministrisë. Drejtoritë e ministrisë.
2. Ndërtesa e këtij organi. Kishte një takim në ministri. Makina ndaloi pranë ministrisë.
✱Sin: dikaster, departament.
MINÍST/ËR,~RI m. sh. ~RA, ~RAT 1. Anëtar i qeverisë që drejton një ministri. U emërua ministër. Ministri bëri emërimet e reja. Vjen Ministri i Mbrojtjes. Dëgjoj Ministrin e Financave. Ministër fuqiplotë (dipl.) i dërguar i jashtëzakonshëm pranë qeverisë së një vendi tjetër, i një shkalle më të ulët se ambasadori. Ministër pa portofol (dipl.) anëtar i qeverisë, që kryen një detyrë të rëndësishme në Këshillin e Ministrave, por nuk drejton ndonjë ministri. Ministër shteti (dipl.) ministër pa portofol.
2. fet. Person i ngarkuar për të kryer shërbesën e krishterë, veçanërisht në një kishë protestante; prifti në detyrë që kryen ceremoninë e krishterë: meshë, pagëzim, krezmim etj.
✱Sin: zyrtar, ambasador, diplomat, politikan, klerik, prift, pastor.
NDËRMINISTRÓR,~E mb., zyrt. Që ka të bëjë me më shumë se një ministri, që i përket dy a më shumë ministrive. Këshill ndërministror. Komiteti ndërministror i emergjencave. Komision ndërministror.
NGARKÚAR,~I (i) m. sh. ~, ~IT (të) Ai të cilit i është besuar të kryejë një punë a një detyrë në emër të dikujt. I ngarkuari me detyrën e ambasadorit. I ngarkuari i posaçëm. I ngarkuari për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. I ngarkuari me punë (dipl.) diplomat i një shkalle më të ulët se ambasadori, që përfaqëson përkohësisht qeverinë e vet pranë një shteti tjetër, kur mungon ambasadori a ministri fuqiplotë.
PORTOFÓL,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Çantë e vogël xhepi prej lëkure etj., me dy a më shumë të ndara, që shërben për të mbajtur në të para, dokumente vetjake etj. Nxori portofolin. Humbi portofolin. E futi në portofol.
2. libr. Posti i një ministri. Portofol ministror. Ministër pa portofol. Mbante portofolin e ministrit të financave.
✱Sin.: kuletë, qese, post.
PËR parafj. Përdoret me një emër në rasën kallëzore për të treguar së bashku me të: 1. Qëllimin a synimin e një veprimi; qëllimin a sendin përse shërben a duhet diçka. Lufta për çlirim. Ardhshi për gaz!. Ju ardhshim për të mirë! Erdhën për urim. Ëndërron (punon) për të ardhmen.
2. Frymorin ose sendin, në dobi a në dëm të të cilit bëhet diçka; objektin mbi të cilin shtrihet një veprim a një gjendje. Orendi për shkollë. Drekë për miqtë. Mësoi për bujqësi. Dashuria për prindërit. Prirja (dëshira, talenti) për muzikë. Mendon për fëmijët. Kujdesej për të sëmurin. Nuk pyesnin për vështirësitë. Përgjigjet për nxënësit. Përfundoi (ndeshja) një me zero për skuadrën vendase. Masë ndëshkuese për pakujdesi në punë. Etja për dritë i shkurton shpesh flatrat e fluturave. (fj. u.).
3. Temën e një shkrimi a të një ligjërate, çështjen për të cilën bëhet fjalë në një ligjëratë, në një artikull ose studim; rreth, mbi. Foli për jetën dhe veprën e Migjenit (për gjendjen ndërkombëtare). Ka shkruar disa vepra për Rilindjen Kombëtare. Janë botuar disa artikuj për pastërtinë e gjuhës shqipe (për ngulitjen e normës letrare).
4. Njeriun që është në marrëdhënie të caktuara me dikë; cilësinë në të cilën vepron dikush, pozitën a shkallën e dikujt (me kuptimin si). E mori për grua (për burrë). E emëruan për kryetar. Nuk e donin për drejtor.
5. Shkakun e diçkaje, atë që sjell a shkakton diçka (edhe në shprehje lidhëzore). Zemërohet për hiçgjë. U gëzua për ardhjen e shokut. U lirua për mungesë provash. Nuk ishte për fajin tonë. E shkarkuan (e pushuan) për pakujdesi në detyrë. Nuk erdhi për arsye se ishte i zënë.
6. Kufizimin e një tipari a të një veprimi (me kuptimin nga, përsa i takon). I dalluar për përgatitje fizike. I dyti për madhësi (për lartësi). I zoti për shpatë dhe për fjalë. Për shkathtësi s’ia kalon njeri. Ishte shumë i aftë për punë. Për mendimin tim... Sa për mua, bëni si të doni. Për të punuar punon. Për mua, shko. Për veten time nuk përzihem në atë punë.
7. Mënyrën si bëhet a si paraqitet diçka; shkallën a cilësinë e përfundimit të një veprimi. Punë për merak. Goditje për vdekje. E quanin ashtu për shaka. E njihte për mrekulli. Ndikonte për të mirë (për të keq). Mbaroi për dreq. E quaj (e kam) për nder. E kanë për gjë të madhe. S’e kanë për gjë (për turp).
8. (edhe me një emër në r. rrjedhore). Sendin me të cilin ndesh ose tek i cili kapet e mbahet dikush a diçka gjatë një veprimi ose lëvizjeje, me kuptimin pas, te; sendin që shërben si mbështetje. U përplas për mur. U ndesh për tryezë. Mbështetej për mur (për muri). Burri kapet për fjale, kau për brirësh. (fj. u.).
9. Njeriun a sendin, me të cilin afrohet a puqet dikush gjatë një veprimi a gjendjeje. E kapi (e zuri) për flokësh (për dore, për krahu, për mënge, për veshi). E mbërtheu për gryke (për fyti). Shkonin (shëtitnin) krah për krah. U kapën dorë për dore..
10. Diçka, për të cilën ndihet nevojë a tregohet dëshirë. I etshëm për dituri (për punë). Ishte i këputur për gjumë.
11. Dikë a diçka që nuk përputhet me atë që duhej të ishte a me atë që pritej të ishte. Shtëpi tepër e ngushtë për gjashtë veta. Tepër i gjatë (i zhvilluar) për moshën që ka. Bën shumë ftohtë për këtë stinë.
12. Njeriun, organin shtetëror etj., në vend të të cilit a në emër të të cilit vepron dikush, atë që zëvendësohet a përfaqësohet në një punë ose në një veprim nga një tjetër (me kuptimin në vend të...). Nënshkroi për drejtorin. Punon për shokun. Punon sa për tre.
13. Frymorin a sendin, që merret gabimisht në vend të një tjetri, me kuptimin si, në vend të. E mori bajukën për rosë (bakrin për flori). Nuk e ha sapunin për djathë.
14. Secilin nga pjesëtarët e një grupi, që merr diçka a të cilit i takon diçka në sasi të barabartë. Të ardhurat për frymë.
15. Sendin, me të cilin këmbehet a zëvendësohet diçka. Të jap dy për një.
16. Vlerën a çmimin e diçkaje. E shiti (e bleu) për dy mijë lekë.
17. Njeriun a sendin, për të cilin betohet dikush. Për besë! Për nder! Për atë bukë! Për këtë zjarr! Për këtë flamur! Për kokën e djalit (e babait)!
18. Kohën sa zgjat diçka, kur përsëritet, kohën që duhet për të bërë një punë etj. (e shoqëruar zakonisht edhe me një numëror a me një fjalë tjetër që tregon sasi). Erdhi për disa ditë. E kryen për një javë (për një muaj, për një vit). U nis për një kohë të gjatë. Qëndruan (luftuan) për vite (për shekuj) me radhë. U paraqit për herën e dytë. E ka për të tretën herë. Ndenji për pak kohë. Shkoi në fshat për tre vjet.
19. Kohën, pas së cilës do të bëhet diçka (me kuptimin pas). Për dy ditë do të kthehet. Për dy orë më ke aty.
20. (edhe me një ndajfolje). Kohën, për të cilën ruhet diçka, kohën e caktuar për diçka; një kohë të dhënë. E kemi për mot (për vitin e ardhshëm). E lëmë për nesër! E shtynë për më vonë. Kaq sa për sot.
21. Vendin, drejt të cilit shkon ose lëviz dikush a diçka (nganjëherë e shoqëruar edhe me parafjalën në) U nisën për Durrës (për Vlorë, për Shkodër). U drejtuan për në ministri.
22. Vendin, nëpër të cilin lëviz dikush a diçka; vendin a drejtimin. I mundën për tokë e për det.
23. (me rasën rrjedhore) Vendin nga del dikush a diçka. Doli për dere (për dritareje). Nxirrte flakë për goje.
24. Përdoret për të treguar kohë, vend, mënyrë etj. në togje që formohen nga përsëritja e një fjale ose nga dy fjalë të afërta. Ditë për ditë çdo ditë. Natë për natë për natë. Javë për javë çdo javë. Muaj për muaj çdo muaj. Vit për vit çdo vit. Sot për sot. Derë për derë në çdo derë. Shtëpi për shtëpi në çdo shtëpi. Rrënjë për rrënjë për çdo rrënjë. Dorë për dorë tani për tani, hëpërhë. Tani për tani. Dhëmb për dhëmb. Flakë për flakë. Ditën për diell. E përktheu fjalë për fjalë. E shëtitën pëllëmbë për pëllëmbë. Ndenjën gju për gju (sy për sy). E zgjodhën kokërr për kokërr (copë për copë).
25. Përdoret me një numëror themelor për të treguar veprime aritmetike, mënyrë renditjeje etj. E shumëzoi për katër. E pjesëtoi për tre. U radhitën (u vunë në radhë) për dy (për katër).
✱Sin.: nga, rreth, mbi, pas, te (tek), si, me.
PËRC/JÉLL vep., ~ÓLLA, ~JÉLLË kal. 1. Gëlltit, kapërdij. Përcjell kafshatën (pështymën). Përcjell ushqimin. E përcolli barin (ilaçin) me ujë.
2. Shkoj së bashku me dikë në një vend, eci një copë rrugë me të për ta shoqëruar, e çoj deri në vendin ku do të vejë për ta nderuar, për t’i treguar rrugën, për ta mbrojtur, për ta ndihmuar kur ka nevojë etj.; shoqëroj. E përcolli shokun (mikun) deri te porta. E përcjell fëmijën çdo ditë në kopsht. E përcolli të sëmurin në spital (në ambulancë). E përcolli deri në aeroport (në terminalin e trageteve). S’të përcjell dot se jam i zënë.
3. Dal te vendi ku niset dikush për ta përshëndetur e për t’i uruar rrugë të mbarë, rri me të deri sa të niset. Përcollën aksionistët. E përcolli në aeroport. I përcollën me këngë. Kishte dalë për ta përcjellë.
4. E nis dikë për në një vend, e dërgoj diku me dëshirë e me dashuri. E përcolli djalin student. Nënat i përcollën fëmijët e vegjël te furgoni i shkollës.
5. E ndjek me diçka, e shoqëroj, bëj në të njëjtën kohë diçka tjetër. E përcillte me sy. Tingujt e muzikës përcillnin lëvizjet e gjimnastëve. Krisma e pushkëve përcillte thirrjet për sulm.
6. muz. Shoqëroj me një vegël një këngë a një pjesë tjetër muzikore. Përcjell me lahutë (me sharki). Përcjell me kitarë (me piano).
7. E kaloj diçka te një tjetër, ia jap atij, e çoj te një tjetër; përçoj (edhe fig.). Ia përcolli topin lojtarit tjetër (sport.). E përcolli topin me kokë (sport.). Kërkesën (shkresën) e përcollën në ministri. Përcolli porositë (udhëzimet) e dikujt.
8. fiz., elektr., vet. v. III Është përçues i mirë i rrymës elektrike, i nxehtësisë etj., përçon. Bakri (alumini) përcjell elektricitetin dhe nxehtësinë.
9. bised. E largoj dikë me fjalë a me premtime pa i mbaruar punë, nuk ia plotësoj kërkesën, e shtyj. E përcolli me llafe (me fjalë të bukura, me premtime). E përcolli pa i bërë gjë (pa i mbaruar punë).
10. E largoj me marifet dikë që nuk e dua.
✱Sin.: gëlltit, shoqëroj, çoj, përçoj, nis, ndjek, kapërdij, shtyj, shkoj, kapërcej, dërgoj, kaloj, jap, shpie, tejçoj, sorollat.
♦ *Pret e përcjell (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë