Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MESPËRMÉSSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që përshkohet mespërmes, i përmesshëm.
MIDÍS parafj. Përdoret me një emër a përemër në rasën rrjedhore për të shënuar: 1. Një vend a një pikë që ka largësi të barabarta nga kreu e fundi, nga skajet a nga kufijtë e diçkaje; në qendër të..., në mes të... Midis tepsisë. Midis dhomës. Midis rrugës. Midis dimrit në mes të dimrit. Midis ballit ke një pikë (kr. pop.).
2. Një vend a hapësirë që ndodhet në mes të dy gjërave, të dy qenieve etj. Midis Shkodrës e Tiranës. Midis fushës e malit. Midis detit e tokës. Midis meje e teje.
3. Një pikë a pozicion të papërcaktuar të dikujt a diçkaje që rrethohet nga njerëz apo sende të tjera në një vend të caktuar; mes; mespërmes. Ecte midis turmës pa u vënë re. E pashë midis ushtarëve (studentëve). Ishte shtrirë ndërmjet të sëmurëve të tjerë. Karvani kaloi midis maleve. Zogjtë fluturuan midis pemëve.
4. Një anëtar të një grupi a bashkësie më të madhe qeniesh a sendesh të tjera, në një rreth të caktuar; në mesin e dikujt a të diçkaje, tek. Vjen midis miqsh (midis shokësh). Erdhi midis nesh (midis jush).
5. Personat, palët a pjesët në të cilat ndahet diçka ose që u besohet diçka; mes, ndërmjet. Ndajeni ushqimin midis jush. E ndau pasurinë midis fëmijëve. E themi këtë midis shokësh.
6. Grupin a bashkësinë nga e cila zgjidhet një person, send a dukuri (përdoret kur bëjmë një krahasim); mes, ndërmjet. Midis tyre ai ishte më i miri. Midis të tjerave mund të theksohet edhe kjo. Nuk janë të vogla ndryshimet (dallimet) midis dy a më shumë njerëzve (vendeve).
7. Kohën në mes dy caqesh, dy datash etj.; në mes të një periudhe. Midis së hënës dhe së premtes. Midis orës dy dhe dy e gjysmë. Midis verës dhe vjeshtës. Midis dy shekujve.
8. Gjendjen a dukurinë përmes të cilit lëviz dikush a diçka; nëpër diçka, përmes. Ecte midis shiut (erës, borës). Anija çante midis dallgëve.
9. Marrëdhëniet mes dy njerëzve, dy palëve a dy gjërave; me, mes, ndërmjet. Martesat midis vendasve dhe të ardhurve. Bashkëpunimi midis dy personave (shoqatave). Një pakt i vërtetë social midis grupeve të ndryshme. Pati përçarje midis tyre. Nisi një konflikt midis shoferësh. Marrëdhëniet (raportet) midis shtetit dhe qytetarit (individit).
♦ Jam (gjendem) midis dy *zjarresh. Lexoj midis *radhëve (midis rreshtave) libr. Midis të tjerash ndër të tjera, bashkë me të tjerat; përveç kësaj.
PËRMÉS ndajf. 1. Nga njëra anë e një hapësire tek ana përballë, duke kaluar në mes të saj (zakonisht në vijë të drejtë); nëpërmes të diçkaje, nëpër të; tejpërtej diçkaje. I ra fshatit (pyllit) përmes. I ranë lumit (liqenit, kënetës, detit) përmes. E çanë murin përmes.
2. Në gjysmë të diçkaje, pa e përfunduar diçka, në mes. Ia la (ia preu) fjalën përmes.
✱Sin.: nëpërmes, mespërmes, nëpërmjet, përmjet, tejpërtej, tejendanë, prerë, trup, drejt, përgjysmë.
SHKËLNJÉT,~I m. bot., (lat. Phillyrea media L.) Shkurre me gjethe heshtake gjithnjë të gjelbra, me lule si vile dhe me erë, që përdoret si dru zjarri ose për të bërë qymyr; krifshë, gjethim. Nga shkëlnjeti vinte cicërima e zogjve. Eci mespërmes shkëlnjetit. Dru shkëlnjeti.
✱Sin.: grifshë, gjethimë, krifshë, krishë, mbreçkë, mbretje, mreshtë.
TEJDÚK/ET jovep., ~ (u), ~UR vetv., vet. v. III 1. Duket mespërmes diçkaje, shihet edhe kur është prapa një sendi tjetër; duket tejpërtej diçkaje; nëpërduket. Tejdukej dielli (hëna) pas reve. Tejduket përmes tylit.
2. fig. Shfaqet, zbulohet, lexohet, merret vesh; kuptohet; nuk arrin të fshihet. Edhe pse buzëqeshte, tejdukej mërzia.
✱Sin.: nëpërduket, shfaqet, zbulohet, lexohet, kuptohet.
TEJPËRTÉJ ndajf. 1. Nga njëra anë në anën tjetër, tejendanë, mespërmes. Kaloi lumin (liqenin) tejpërtej. I doli tejpërtej. E shpoi plumbi (shigjeta, heshta, shpata) tejpërtej.
2. Krejt, plotësisht, tërësisht. Hapën një tunel tejpërtej brenda një kohe të shkurtër.
3. Kudo, gjithandej, nga fillimi në fund. E kërkoi tejpërtej pyllit, po nuk e gjeti.
✱Sin.: tejendanë, mespërmes, krejt, plotësisht, tërësisht, kudo, gjithandej, ngado.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë