Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRAKTÚES,~E mb. Që abstrakton. Të menduar abstraktues. Ushtrime abstraktuese.
ABSÚRD,~E mb., libr. 1. Që nuk ka kuptim, që është i palogjikshëm, që është në kundërshtim me arsyen dhe me realitetin, që është i çuditshëm ose i pamundur për t’u kuptuar ose për t’u besuar. Mendim (gjykim) absurd. Ide absurde. Situatë absurde. Vendim (qëndrim) absurd. Veproj në mënyrë absurde. Bisedë absurde. Sjellje absurde. Është ide absurde për t’u menduar ose për t’u besuar.
2. filoz. Që e konsideron jetën si të pakuptimtë ose me kuptim jo të qartë, që lidhet me idenë se mund të ofrojë shpjegimin e duhur ose të pranueshëm të jetës ose të botës. Diskutimet absurde rreth jetës. Kundërshtimet e teorisë absurde.
3. art. Që ka të bëjë absurdin si lëvizje artistike e shekullit XX, që i përket absurdit dhe absurdizmit. Letërsi absurde. Vepër absurde. Dramë absurde. Pikturë absurde. Piktor absurd. Shkrimtarët absurdë. Teatër modern absurd.
✱Sin.: i pakuptimshëm, i pakuptueshëm, i paarsyeshëm, i palogjikshëm, i çuditshëm.
ÁMËT (i, e) mb. 1. I ndenjur, i palëvizshëm (ujë), i amështuar. Ujë i amët.
2. Që ka lagështirë, i lagësht. Rroba të amëta.
3. I amullt. M’u duk i amët. Ishte krejt i amët.
4. Mbytës, i mërzitshëm, i bezdisshëm (për motin).
5. Që flet, që gjykon e që vepron pa u menduar mirë, që është i pamend në kokë. Njeri i amët. Sjellje e amët.
6. Që është bërë pa e menduar mirë; që është bërë nga dikush që nuk e lodh mendjen, që nuk gjykon arsyeshëm. Punë e amët.
✱Sin.: i amështuar, i amullt, i amëtuar, i ndenjur, i lagësht, i mërzitshëm, i bezdisshëm.
ÁRR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. (lat. Juglans regia) bot. Pemë frutore me trup të lartë e të trashë, me dru të fortë e shumë të mirë për orendi etj., me lëvore të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe të mëdha e me lule si vile, që bën kokrra me lëvozhgë të fortë, me shark të gjelbër e me thelb të ushqyeshëm, të ndarë në katër pjesë; kokrra e kësaj peme; çaçaniku, kaçka. Arrë gungë. Arrë gajgë (rukë). Dru arre. Kllapesh arre lëvorja e njomë që vesh arrën. Si arrë i terur, i thatë (dru arrë). Qëroj arra. Arrë bukje arrë me thelb të madh, të plotë e që del lehtë. Arrë mishje arrë së cilës nuk i del thelbi lehtë. Arrë pjeshke arrë që i ndahet lehtë thelbi. Arrë vajëse. Arrë fyçkë (fyrbë). Arrë bukje. Arë dheu. Dru arre. Gjethe arre. Vaj arre. Thelbi i arrës. Ngjyrë arre ngjyrë kafe e murrme. Bojë arre lëng i nxjerrë nga gjethet e arrës për të ngjyrosur flokët. Thyej (çaj) arra. I ushqyer me thelpinj arre i ushqyer mirë, me gjëra të mira.
2. si mb. Me koren të pjekur mirë dhe brenda e butë (për bukën).
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje arrash: Arra akazhuje (lat. Anacardium occidentale) pemë tropikale me fruta dhe fara të ngrënshme të ëmbla e të lëngshme, që rriten jashtë frytit në një si shpretkë të veçantë, lëvorja e së cilës përmban një lëndë të helmuese Arra amerikane (lat. Juglans cinerea, Caryocar nuciferumi) lloj arre me lëvozhgë të trashë e të mbuluar me një lëng ngjitës, me fryta të ëmbla yndyrore, që përdoren në ushqime të ndryshme; arra e hirtë. Arra e Australisë (lat. Macadamia integrifolia, M. ternifolia) lloj arre me dru të fortë, që rritet në rajonet subtropikale, me bërthamë të bardhë e të butë e të ngrënshme. Arra e bardhë (lat. Juglans alba) pemë arrore me drurin të fortë, ngjyrë kafe që përdoret në prodhimin e mobilieve të cilësisë së lartë e që lidh arra të shijshme me vlerave të mëdha ushqyese e mjekësore; arra mbretërore. Arra e Brazilit (lat. Bertholletia excelsa) pemë e madhe tropikale e njohur për frytet e saj të mëdha, të rrumbullakëta, me një lëvozhgë të trashë dhe të fortë, të pasur me lëndë ushqyese; arra braziliane. Arra e butë arra gjethefrashër. Arra e derrave (lat. Juglans glabra, Carya glabra C. porcina) arrë e kultivuar gjerësisht në shumë rajone të botës, me lëvozhgë të fortë dhe të drunjtë që mbron bërthamën e ngrënshme. Arra dushkvogël (lat. Carya laciniosa) lloj peme e madhe, e fortë dhe e qëndrueshme, që rritet mirë në klimë të ngrohtë dhe të butë, me fara të ngrënshme që përdoren gjerësisht në gatime (ëmbëlsira, biskota, akullore etj.). Arra e dheut kikiriku. Arra gjethefrashër (lat. Juglans fraxinifolia) arrë e përhapur në shumë vende të botës, me fryt të ngrënshëm, që përdoret gjerësisht në kuzhinë dhe për prodhimin e vajit të arrës; arra e butë. Arra fyçkë (lat. Juglans regia) pemë e lartë arrore me gjethe të mëdha me ngjyrë të gjelbër të errët, me fryt që përbëhet nga një mbështjellës i fortë brenda të cilit gjendet fara e ngrënshme e ndarë në dy ose katër thela, që përdoret gjerësisht në gatimet dhe në prodhimet kozmetike. Arra gungë (lat. Juglans cinerea) pemë arrore lartësia e së cilës arrin deri njëzet metër, me kurorë të gjerë me degë të përhapura, me gjethe të gjata, të vogla të vendosura përballë njëra-tjetrës që lidh fryte që nuk çahen lehtë; arra e hirrës. Arra e hidhur (lat. Carya cordiformis) pemë arrore e lartë, me cilësi të mira, që përdoret për prodhimin e mobilieve, të instrumenteve muzikore, të veglave të ndryshme, që arrin lartësinë deri 30 m; arra e hidhur. Arra e Hindit (lat. Ailantus allissima) dru i egër, i ngjashëm me arrën e zakonshme, me lëvore të murrme, me gjethe që kanë një erë të rëndë, me lule të vogla të bardha e me frytin si bishtajë ngjyrëkafe. Arra e hirrës arra gungë. Arra japoneze (lat. Juglans ailanthifolia) arrë me lartësi deri në njëzet metër me gjethe të mëdha me fletëza, q[ lidh arra të mëdha me mbështjellës të fortë e të qëndrueshëm. Arra kaliforniane e myshkut (lat. Torreya californica, T. myristica) arrë me gjelbërim të përhershëm, që mund të arrijë lartësi prej deri në njëzet e pesë metër, me trung të drejtë e të mbuluar gjethe të errëta e të ngushta, të gjata e të verdha në të gjelbër, që që lidh me fryte kokërrvogla e të verdha. Arra e Kalifornisë (lat. Carya californica, Juglans californica) arrë që arrin lartësinë deri në njëzet metër, me gjethe me fletëza të gjata e të ngushta, të mbuluara me fije të holla e të veshura me një mbulesë të verdhë, që lidh kokrra me mbështjellës të hollë, që shpërbëhet kur arrin pjekurinë, duke zbuluar frytin e ngrënshëm. Arra kineze (lat. Juglans sinense) arrë që rritet deri njëzet metër, me gjethe të mëdha e me fletëza të gjata e të ngushta, me fryt të veshur me kllapesh a gëzhojë të trashë e të fortë. Arra kineze e myshkut (lat. Torreya grandis) pemë e lartë që përdoret në mjekësi, në ndërtimtari dhe për zbukurim, që ka trung të drejtë e të fortë, me lëvore të trashë e të zakonshme, me gjethe të ngushta, të gjata e të dendura me ngjyrë të errët të gjelbër dhe të renditura në mënyrë të rregullt, që lidh fryte si kokrra të ngushta. Arra kokërrmadhe (lat. Juglans major) arrë me gjethe të mëdha të përbëra nga fletëza të gjata e të ngushta, të veshura me një mbulesë të butë, që lidh kokrra të mëdha të veshura me kllapesh të trashë e të fortë, i cili shpërbëhet kur kokrra arrin pjekurinë. Arra kokërrzemër (lat. Juglans ailanthifolia cordiformis) Arrë që arrin lartësinë deri në njëzet e pesë metër, me gjethe të përbëra nga fletëza të mëdha e të ngushta me një mbulesë të butë dhe të verdhë. që lidh kokrra në trajtën e zemrës e të veshura me një kllapesh të trashë që shpërbëhet kur arrin pjekurinë. Arra e kokosit (lat. Cocos nucifera) palma e kokosit. Arra kola (lat. Cola acuminata, C. vera) pemë me lartësi deri njëzet metër, me kurorë të gjerë e gjethe të mëdha me ngjyrë të gjelbër të errët, që lidh fryte si kapsulë që përmban farat e kolës me përmbajtje kafeine, të cilat përdoren për përgatitjen e një pijeje. Arra mbretërore arra e bardhë. Arra e myshkut (lat. Myristica fragrans) pemë e lartë tropikale që mund të arrijë deri në njëzet metër lartësi, me gjethe të mëdha e të ndritshme, që lidh një kokërr që çliron erëzën e moskatit dhe të miskut; arra e moskatit. Arra pekan hikorja. Arra spanjolle (lat. Gynandriris sinyrinechium, Iris sisyrinchium) irisi; lilaku gjethehollë. Arra e Teksasit (lat. Juglans microcarpa, J. rupestrig) arrë me kurorë të gjerë, me degë të përhapura e me gjethe të gjata, të gjelbra, të përbëra nga disa gjethëza të vogla, që lidh fruta të vogla me lëvore të trashë, të ngrënshme e që mund të përdoret dhe si dru zbukurues në një park. Arra e ujit (lat. Juglans aquatica, Trapa natans) arrë me trung të drejtë dhe me kurorë të rrumbullakët ose të zgjatur, me lëvore të trashë e të plasaritur me një ngjyrë gri në kafe ose të zezë, me gjethe të gjata të gjelbra, të përbëra nga disa gjethëza të vogla formash të ndryshme, që lidh fryte me një bërthamë të vogël e të hidhur; gështenja ujëse. Arra e vajit (lat. Pyrularia pubera) lloj bime gjysmëparazitare, si një shkurre ose pemë e vogël, me gjethe të gjelbra, të gjera e me shkëlqim të lehtë, që lidh një fryt bërthamëmadh që përmban një lëng të hidhur helmues. Arra e zezë (lat. Juglans nigra) arrë me trungun në ngjyrë të errët e me cilësi të lartë, që përdoret gjerësisht në mobilieri, që lidh fryte të ngrënshme. Arra e bajames (lat. Prunus dulcis) arrë që rritet mirë në vende të ngrohta dhe me diell, që lidh fryte të shijshme vajore, që përdoren gjerësisht në gatime e si një përbërës i rëndësishëm në industrinë ushqimore e në kozmetikë. Arra lazate (lat. Pinus pinea) pishë mesdhetare, me fara të shijshme, që përdoren për të përgatitur ëmbëlsira, sallata, salca etj.; arra e pishës.
✱Sin.: qiqërviqër, kikirik, aringë, arxheviz, arrëmizë, moskoarrë, kacimare, kaciram.
♦ Arrë pa bukë mospërf. njeri pa vlerë, që nuk të bën punë; njeri që nuk është i zoti e i zgjuar; pemë pa kokrra. Arrë (kaçkë) e fortë njeri të cilin s’e thyen a s’e mund dot; njeri që nuk mposhtet e nuk nënshtrohet; arrë (kaçkë) gungë. Arrë fyçkë keq. njeri mendjelehtë; njeri kokëbosh. Arrë në gojë diçka që nuk kapërcehet, nuk gëlltitet lehtë; dikush a diçka që nuk mposhtet lehtë, kockë në fyt. Arrë (kaçkë) gungë njeri kokëfortë; njeri që s’thyhet lehtë; kockë e fortë; arrë (kaçkë) e fortë. Arra pa thelb fjalë boshe, muhabet pa brumë a punë pa vlerë; gjëra të kota, gjëra pa bukë. I bëhet arra *gogël (dikujt). I bëjnë degët arra (dikujt) shih i bën dushku arra (dikujt). I bën dushku arra (dikujt) i shkojnë punët shumë mirë, i vete çdo gjë vetëm mbarë; i pjell edhe gjeli (këndesi, kaposhi, kokoshi); i pjell edhe mushka; i pjell edhe viçi. Kur të bëjë qarri arra iron. kurrë, asnjëherë; kur të hipë derri në fik; kur të bëhen dy ditë bashkë; kur të bëjë larushku rrush; kur të pjellë gjeli (këndesi, kaposhi, kokoshi); kur të pjellë mushka. Kur të bëjë verri arra shih kur të bëjë qarri arra iron. I derdhen arrat (dikujt) nuk di (nuk mundet) të mbajë gjë të fshehtë, i nxjerr të gjitha të fshehtat jashtë; nuk i mban barku; nuk mban gjë në bark (dikush); kund. e hedh fjalën në pus (dikush). *Dru arre. T’i ha arrat (dikush) është shumë i fortë; ta mbledh, ta bën gjëmën; të qëron të bardhën e syrit. Nuk ia ha dot arrat (dikujt) është shumë i zgjuar, nuk ia hedh dot, s’gënjehet lehtë, nuk ia kalon kush; të thyen arrën në dorë; të merr gjak në vetull; të lan në shpatull. Të ha arrat e të bën varrat (dikush) keq. shih të ha shalqirin e të rreh me lëkura (dikush). (Janë) si arra e verri nuk shkojnë mirë me njëri-tjetrin, janë në grindje të vazhdueshme; (janë) si gjilpërat majë më majë; janë gur e uror (si guri me urorin)1; kund. (shkojnë) si fiku me arrën. Ka (në dorë) edhe *gurin edhe arrën (dikush). Ta merr arrën nga dhëmbët (dikush) keq. ta hedh lehtë, s’e ka për gjë të të mashtrojë, ta hedh kur të duash; ta merr kafshatën nga goja. S’i mban goja arra (dikujt) keq. nuk mban dot asnjë të fshehtë, i tregon të gjitha; i derdhen arrat; e ka gjuhën lopatë (dikush) tall.; e ka sqepin të gjatë (dikush); s’i vë fre gojës (gjuhës) (dikush). I peshon arrat pa i shkundur (dikush) flet pa u menduar, ia fut kot; vendos para kohe për diçka, është i rrëmbyer; e shkund arrrën që në korrik; e shkund manin në prill. T’i shet goglat për arra (dikush) shih ta shet sapunin për djathë (dikush). (Shkojnë) si arra me palën shih (shkojnë) si fiku me arrën. (Shkojnë) si *fiku me arrën. E shkund arrën që në korrik (dikush) thotë fjalë të papjekura a bën punë të pamenduara mirë; e bën diçka para kohe, jo në kohën e vet; e shkund manin në prill; i peshon arrat pa i shkundur. *Shtagë arrash. I than arrat mbi çati (dikush) nuk ka besim tek askush, ka frikë se e vjedhin a ia hedhin, ruhet a e ruan çdo gjë me merak. Të thyen arrën në dorë (dikush). 1. Është shumë i zoti; ia del çdo gjëje; s’ia ha qeni shkopin (dikujt); të merr gjak në vetull. 2. keq. Ta hedh lehtë, s’e ka për gjë të të mashtrojë, ta hedh kur të duash; ta merr kafshatën nga goja; ta merr arrën nga dhëmbët. 3. keq. shih të ha (të qëron) të bardhën e syrit (dikush). I theu arra në kokë (dikujt) e qortoi ashpër, e goditi rëndë (me fjalë).
ARSÝE,~JA f. sh. ~, ~T 1. vet. nj., filoz. Shkalla më e lartë e veprimtarisë njohëse të njeriut, aftësia mendore për të gjetur shkaqet dhe për të zbuluar thelbin e dukurive, për të shpjeguar ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë; mendja në kundërvënie me ndjenjën; tërësia e funksioneve logjike-njohëse që realizohen në bazë të njëmendësisë që perceptohet nga shqisat; funksioni më i lartë i mendjes njerëzore. Arsyeja e ftohtë. Qenie me arsye. Zëri i arsyes. Jashtë arsyes. Dëgjoj arsyen. I foli arsyeja.
2. Aftësia për të menduar e për të gjykuar në mënyrë të drejtë, në mënyrë logjike, në mënyrë kritike, për të kuptuar dhe për të arsyetuar; logjikë, mendim (kritik). Arsye e shëndoshë. Njeri me arsye. Flet (punon) me arsye. I bëj thirrje arsyes së dikujt. Humbet arsyen.
3. Shkak ose fakt që shpjegon a përligj një veprim; argument që sillet për të provuar diçka. Arsye objektive (subjektive). Arsye bindëse (e fortë). Për arsye shëndetësore. Për arsye pune. Për një arsye a për një tjetër. Për disa arsye. Mungon me (pa) arsye. S’ka arsye. Gjej arsye. Përdor arsyen. Arsye për të besuar.
♦ Nuk ha arsye (dikush) nuk kupton; nuk bindet me të mirë, nuk do të kuptojë; nuk i mbushet mendja; s’ha (s’merr) pykë; s’lëshon ashkël; s’lidhet as për bishti e as për krye. I jap arsye (dikujt) e shfajësoj, e përligj dikë për një veprim, i jap të drejtë. E ka arsyen në *majë të shpatës (dikush) keq. I thërras arsyes kërkoj që diçka të bëhet si duhet, të gjykohet drejt, jo me forcë; i thërras mendjes.
✱Sin.: mendje, logjikë, gjykim, arsyetim, tru, shkak, motiv, synim, shkas, shtysë, nxitje, shpjegim, arsyeshmëri, arsyetueshmëri, justifikim, pretekst.
ARSÝESH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që ka arsye, që i punon mendja, i logjikshëm. Qenie e arsyeshme.
2. Që arsyeton drejt, që mendon, gjykon e vepron në mënyrë të mençur e logjike, të arsyetueshme e të argumentueshme; i logjikshëm, i gjykueshëm. Njeri i arsyeshëm. Fëmijë i arsyeshëm. Nxënës të arsyeshëm.
3. Që bazohet në arsye; i matur e i peshuar mirë, i përmbajtur. Mendim (veprim) i arsyeshëm. Sjellje e arsyeshme. Zgjidhje e arsyeshme. Fjalë të arsyeshme. Kërkesë e arsyeshme. Vendime (veprime) të arsyeshme. Kërkesë e arsyeshme.
4. Që përligjet nga një shkak ose nga rrethanat e krijuara, që shpjegohet me një arsye; i përligjur. Mungesë e arsyeshme. E shoh (e quaj, e gjej) të arsyeshme.
5. Që pranohet nga arsyeja, që është i menduar e i gjykuar me kujdes; jo i tepruar, jo i lartë (për çmimet etj.). Çmime të arsyeshme. Pagesë e arsyeshme. Me kushte të arsyeshme. Në mënyrë të arsyeshme.
✱Sin.: i drejtë, i matur, i përmbajtur, i kuptueshëm, i logjikshëm, i arsyetueshëm, i gjykueshëm, i përligjur, i gjykueshëm, i arsyetueshëm, i pranueshëm, i mbështetshëm, racional.
ARSYETÚAR (i, e) mb. Që shoqërohet me shënime sqaruese, argumentuese, që përmban shpjegime. Aritmetikë e arsyetuar. Bibliografi e arsyetuar. Statistikë e arsyetuar. Vendim i arsyetuar. Veprime të arsyetuara.
✱Sin.: i menduar, i logjikshëm, i gjykuar, i shpjeguar, i sqaruar, i mbështetur, i argumentuar, i mbrojtur, i justifikueshëm, racional.
AUTOMÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. tek. Makinë ose aparat që punon vetë me anë të një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut; robot. Automat i programuar. Automatë elektrikë. Automati i tharjes. Automat me gaz. Automat kafeje. Automat për bileta. Automat uji. Automat monedhash. Pajis me automat. Blej automat. Punon me automat.
2. fig. Ai që vepron a që kryen diçka pa vetëdije ose pa u menduar; ai që vepron në mënyrë mekanike sipas dëshirave ose udhëzimeve të një tjetri.
AUTOMATÍK,~E mb. 1. tek. Që punon vetë me ndihmën e një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut; që bëhet me anë të një automati. Aparat automatik. Makinë automatike. Central (telefon) automatik. Armatim automatik. Transmetim automatik. Mekanizëm automatik. Frena automatike. Stacion automatik. Komandim automatik. Punon në mënyrë automatike. Teknologji automatike. Sisteme automatike të sigurisë.
2. fig. Që bëhet sipas një rregullsie të caktuar, pa pjesëmarrjen e vetëdijes ose pa u menduar; i vetvetishëm. Lëvizje automatike. Veprim automatik. Në mënyrë automatike.
3. usht. Që i nxjerr predhat pa ndërprerje njëra pas tjetrës, që shtie me breshëri. Armë (pushkë) automatike. Top automatik. Çelës automatik.
AUTOMATIKÍSHT ndajf. 1. Me ndihmën e një mekanizmi të posaçëm, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të njeriut, në mënyrë automatike. Punon automatikisht. Kryhet automatikisht.
2. fig. Në mënyrë mekanike, sipas një rregullsie të caktuar, por pa u menduar, pa vetëdije; si automat. Flet (vepron) automatikisht. Përsërit automatikisht. Automatikisht m’u përgjigj.
3. Vetvetiu, pa qenë nevoja për ndonjë veprim plotësues ose për ndonjë kusht a rrethanë tjetër. E fiton automatikisht. Kalon automatikisht në kategori tjetër. Automatikisht e rregulloi.
AUTOMATÍZ/ËM,~MI m., libr. 1. Kryerja e një veprimi, e një lëvizjeje, e një pune etj., në mënyrë të vetvetishme, të pavullnetshme; kryerja e veprimeve ose e lëvizjeve shpejt, mekanikisht dhe me përpikërinë e një automati. Automatizmi i zemrës.
2. mjek. Formë e çrregullimeve cilësore të vetëdijes kur një person kryen veprime automatike komplekse, pa qenë në gjendje t’i shpjegojë vetes pse e bëri atë, zakonisht gjatë një ataku epileptik, pas një dëmtimi traumatik të kokës etj. Automatizëm neurologjik.
3. fig., keq. Kryerja e një veprimi a e një pune në mënyrë mekanike, si pa vetëdije, pa u menduar ose sipas dëshirave a udhëzimeve të një tjetri. Erdhi si me automatizëm.
✱Sin.: mekanizëm, kompjuterizëm, robotizim, programim, thjeshtim, përshtatje.
AVDÁLL,~E mb., bised. 1. Që ka trup të madh, por jo të lidhur e të hijshëm, që mezi ecën e mezi vërtitet për shkak të trupit të rëndë, i ngathët. Trup avdall. Burrë avdall. Kalë avdall. Duket plakë avdalle.
2. I trashë nga mendja, që sillet e flet si budalla ose që i lëshon fjalët pa u menduar, që s’ia pret mendja, që është i pagdhendur, i çrregullt. Njeri avdall. Grua avdalle.
✱Sin.: i pagdhendur, i trashë, budalla, i ngathët, i çrregullt.
BÁJG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e padobishme e ushqimit që nxjerrin jashtë lopët, kuajt, mushkat e gomarët; jashtëqitjet e kafshëve, pleh bagëtish. Bajga të thata. Bajgë lope. Erë bajge. Tym bajgash. Kasolle e lyer me bajga. E leu me bajga. Ndezën zjarrin me bajga. As rigoni s’bëhet lis, as bajga nuk bëhet fis. (fj. u.).
2. keq. Njeri i pistë, ai që nuk e mban veten të pastër.
3. bised., shar. Njeri i ndyrë e i poshtër, njeri pa vlerë, pa karakter dhe i pacipë; bajgë ahuri. Bajga bajgën s’e heq, burri e heq bajgën. (fj. u.). Bajga bajgën do. (fj. u.).
♦ Bajgë ahuri përb. vulg. njeri pa vlerë e i keq, të cilit nuk ke dëshirë t’i rrish afër; njeri që nuk bën asgjë të dobishme, që nuk i hyn në punë askujt dhe asgjëje; vezë e prishur përb. Bajgë mbi bajgë përçm. vulg. njeri shumë i shëmtuar, dikush që nuk shikohet me sy, të vjen pështirë ta shikosh; ujk me brirë bised.; ibret i dynjasë (i dheut) përçm.; e ka turirin dy tulla e një plithar (dikush) përçm. Iu bë bajgë (dikujt) bised. iu nënshtrua plotësisht, iu qep e i lëpihet për t’i bërë qejfin; iu bë baltë; iu bë opingë; iu bë lepitkë; i lëpin bythën përb. vulg. M’u bë bajgë pas opinge (dikujt) bised. m’u ngjit nga pas e nuk më ndahet; më mërziti shumë; m’u bë baltë pas këpuce; m’u bë ferrë; m’u bë rrodhe. Ia bëri bajgën (dikujt a diçkaje) bised. e braktisi pa e çarë kokën fare për të. S’më digjen bajgat (për dikë) mospërf. vulg. nuk bëhem merak fare për dikë, nuk dua t’ia di se ç’thotë a ç’bën ai, aq më bën; nuk më ftohen fasulet; nuk më bëhet vonë; nuk më prishet gjiza. E holloi bajgën (dikush) keq. është shumë i sëmurë, është në prag të vdekjes; po heq shpirt; i ka të pakta bukët; i ka ditët të numëruara; ta lë shpirtin në dorë; kund. e trashi bajgën tall. vulg. Ia la bajgat (dikujt) tall. vulg. iku papritur e fshehurazi nga dikush dhe as që u bë merak për të; i iku nga duart papritur; mori ç’mundi, përfitoi sa mundi prej dikujt e u zhduk; ia la pendët në dorë iron. ia la puplat (në dorë); ia la lëpendrat në dorë; i la patkonjtë; i la shëndenë. T’i lë bajgat nën thonj (dikush) keq. është shumë i lig e i pabesë, ta bën fshehurazi të keqen, ta lë të keqen në derë; veç bishti (i qenit) i mungon (dikujt) keq.; u lëshon baltë varreve përçm. E lëshon bajgën (ku të mundë) (dikush) bised. 1. Nuk ka kujdes fare, nuk di as vetë se ç’bën; e bën një punë shkel e shko. 2. Flet pa u menduar, nuk i peshon fare fjalët; i lëshon fjalët pa doganë. (E lëshon) si *lopa bajgën (dikush) bised. I marrin bajgat *zjarr (dikujt) tall. vulg. E trashi bajgën (dikush) tall. vulg. u përmirësua nga shëndeti; filloi të dalë nga gjendja e keqe, nuk është si më parë; erdhi në fije; e mori veten; kund. e holloi bajgën keq.
BELÁ,~JA f. sh. ~, ~TË dhe ~RA, ~RAT bised. 1. Punë që sjell të këqija e ngatërresa, vështirësi që sjell shqetësime, diçka e padëshirueshme dhe e mërzitshme; kokëçarje, telash, hall. Bela e madhe (e keqe). Punë me bela. Isha në bela. E ka bela. I ra një bela. E zuri belaja. Ra në bela. E futi në bela. I hapi belara. Shpëtoi nga një bela. S'u hyn belarave. Mezi u bind me njëqind belara. E kërkoi vetë belanë. Këndonte këngën e bejkë belasë. Të thashë dy fjalë, ti mbushe dynjanë, / Rraha për të mirë, po gjeta belanë! (folk.). Me paranë gjen belanë. (fj. u.). Nga badihavaja, të gjen belaja. (fj. u.). Gurë, gurë bëhet një kala, fjalë, fjalë bëhet një bela. (fj. u.). Goja bën kala, goja bën bela. (fj. u.). Po të ishte belaja e mirë, gjithkush e mbillte në bahçe. (fj. u.). Kush i ndez qiri shejtanit, gjen belanë. (fj. u.). Fajin e ka gjuha, belanë e pëson koka. (fj. u.).
2. anat., krahin. Shtrati i pjellës te kafshët. E nxori belanë.
✱Sin.: kokëçarje, telash, hall, sëkëlldi, taksirat, zavall, brengë, hidhërim, kusur, e keqe, shtrëngesë, ngushticë, paçariz, dert, qeder.
♦ M’u bë (më ra) bela (dikush) shih m’u bë barrë (dikush). Ia bëri bela (dikujt) shih ia hodhi (ia shkarkoi) barrën1 (dikujt). I ra barku në bela (dikujt) iron. hëngri e piu mirë e mirë, ka rënë në gjithë të mirat. E blen belanë me *para (dikush). Gjeç belanë! mallk. e pësofsh. Gjeta belanë 1. (me dikë). U ngatërrova keq me dikë, e kam të vështirë me të, më ndezi me të, nuk di si t’ia bëj; më polli (më ndezi) belaja; më polli sherri; më polli djalli bised. 2. Më ra një hall i madh, e pësova keq; më zë një e keqe; më mbeti (m’u var) samari në bark; shkela mbi gjarpërinj. Kërcen *prifti nga belaja tall. Kërkon bela me para (dikush) ua hyn vetë rreziqeve e vështirësive pa u menduar gjatë, nuk i llogarit pasojat, vete drejt një rreziku kot, edhe kur nuk duhet ose kur i kushton. Më polli (më ndezi, më gjeti) belaja (me dikë) kam ndeshur në vështirësi të mëdha me dikë, u ngatërrova keq e gjendem ngushtë në marrëdhënie me të, më ka ndezur me të; gjeta belanë; më polli groshi. Ia qau belanë (dikujt) e rrahu, e dërrmoi; i punoi qindin. E ujit belanë (dikush) nxit dikë për të bërë diçka të keqe; fut dikë në sherr me të tjerët; e acaron gjendjen; fut spica; i fut (i shtie) mizat (dikujt); ia ngre mendjen (dikujt); i futi (i shtiu) xixat (dikujt); kund. i ftohu (i uli, i shoi, i shtroi, i zbuti) gjakrat.
BLLOKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. usht. Veprimi kur bllokoj dikë a diçka ose kur bllokohem; rrethim dhe izolim i një kështjelle, i një qyteti a i një shteti për ta detyruar të dorëzohet.
2. Veprim i qëllimshëm për t’i hequr dikujt a diçkaje mundësinë për të bërë diçka a për të funksionuar. Bllokimi i mallrave. Bllokimi i pagave (i fondeve).
3. Ndalim i qarkullimit të automjeteve; mbyllje e rrugëve etj.; kund. zhbllokim. Bllokimi i qytetit (i rrugëve). Bllokimi i hyrjes.
4. sport. Krijim i bllokut në rrjetë në volejboll, bllok.
5. mjek. Humbje e përkohshme e aftësisë për të menduar; ndalim i funksioneve të një organi të trupit. Bllokimi i trurit. Bllokim i enëve të gjakut. Bllokimi i stomakut (i zorrëve).
6. Ngecje e një mekanizmi etj. Bllokimi i motorit. Bllokimi i mekanizmit.
7. Mbyllje (e një vrime, e një të çare); mbushje, shtupim, vulosje. Bllokimi i të çarave të vozës.
►BLLOK/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Humbas mundësinë për të lëvizur ose për të vepruar; ngec, s’jam në gjendje të lëviz a të punoj; kund. zhbllokohem. Bllokohet makina (motori). U bllokua gypi. Iu bllokua krahu. Iu bllokuan zorrët.
2. vetv., bised. Humbas aftësinë për të menduar, s’më kujtohet asgjë, nuk më punon truri. Është bllokuar e s'i kujtohet asgjë. U bllokova në provim.
3. pës. e BLLOKÓJ.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë