Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►ABSOLUTIZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR libr., vet. v. III 1. vetv. Kthehet në diçka absolute, interpretohet si absolute; përgjithësohet. Kjo gjë nuk mund të absolutizohet.
2. pës. e ABSOLUTIZÓJ. Absolutizohet një rregull (një mendim a një ide).
ABSTRÁKT,~E mb. 1. Që nuk përjetohet ose që nuk ndihet me anë të shqisave, por që del me anë të përgjithësimit mendor; që nuk lidhet me objekte ose pamje të njohura dhe reale, por që është më shumë një shprehje e lirshme ose e përgjithshme e ideve, e ndjenjave ose e përvojave; që del me anë të abstraksionit dhe që mbështetet tek ai; kund. konkret. Mendim abstrakt. Nocion abstrakt. Roman abstrakt. Muzika abstrakte. Puna abstrakte (tek.).
2. Që është i shkëputur nga realiteti, që është shumë teorik dhe i papërcaktuar; që është i vështirë për t’u kapur e për t’u kuptuar. Teori abstrakte. Diskutim abstrakt. Flet në mënyrë abstrakte.
3. filoz. Që nuk lidhet drejtpërdrejt me realitetin konkret, që ekziston vetëm si ide, si koncept ose si formë përgjithshme e jo si diçka e prekshme. Koncept abstrakt. Ide abstrakte.
4. gjuh. Që emërton një cilësi, një tipar ose një veprim të shkëputur nga sendi ose objekti që ka cilësi a tipare ose nga vepruesi; kund. konkret. Emër abstrakt. Kuptim abstrakt. Fjali abstrakte. Ligjërim abstrakt.
5. art. Që ka të bëjë me një stil a shprehje artistike, që nuk përfaqëson drejtpërdrejt realitetin, por që përqendrohet në përdorimin e formave, të ngjyrave dhe të linjave për të shprehur ide ose ndjenja. Arti abstrakt. Pikturë abstrakte. Figura abstrakte. Vija abstrakte.
6. mat. Që nuk shoqërohet me emrin e njësisë së matjes ose të sendeve të numëruara; që ka të bëjë me gjedhe ose struktura që nuk ekzistojnë fizikisht, por që ndihmojnë në kuptimin e fenomeneve reale. Numër abstrakt. Madhësi (shifër) abstrakte. Algjebra si fushë abstrakte e matematikës.
ABSÚRD,~E mb., libr. 1. Që nuk ka kuptim, që është i palogjikshëm, që është në kundërshtim me arsyen dhe me realitetin, që është i çuditshëm ose i pamundur për t’u kuptuar ose për t’u besuar. Mendim (gjykim) absurd. Ide absurde. Situatë absurde. Vendim (qëndrim) absurd. Veproj në mënyrë absurde. Bisedë absurde. Sjellje absurde. Është ide absurde për t’u menduar ose për t’u besuar.
2. filoz. Që e konsideron jetën si të pakuptimtë ose me kuptim jo të qartë, që lidhet me idenë se mund të ofrojë shpjegimin e duhur ose të pranueshëm të jetës ose të botës. Diskutimet absurde rreth jetës. Kundërshtimet e teorisë absurde.
3. art. Që ka të bëjë absurdin si lëvizje artistike e shekullit XX, që i përket absurdit dhe absurdizmit. Letërsi absurde. Vepër absurde. Dramë absurde. Pikturë absurde. Piktor absurd. Shkrimtarët absurdë. Teatër modern absurd.
✱Sin.: i pakuptimshëm, i pakuptueshëm, i paarsyeshëm, i palogjikshëm, i çuditshëm.
ACARÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që mund të acarohet a të pezmatohet lehtë e shpejt. Mendim i acarueshëm. Pamje e acarueshme. Është i acarueshëm.
✱Sin.: i ashpërsueshëm, i pezmatueshëm, i egërsueshëm, i tendosshëm.
ADER/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., jokal. 1. Anëtarësohem ose përfshihem në një lëvizje, në një parti, në një organizatë, në një shoqatë etj., bëhem anëtar i një partie, i një organizate, i një shoqate etj. Aderoj në Partinë e Socialdemokrate. Aderoj në Shoqatën e Ekologëve. Aderoi në një lëvizje për të drejtat e njeriut.
2. Bashkohem ose pajtohem me një mendim, me një qëndrim, me një pikëpamje, me një ide, me një rrymë mendimi ose me një lëvizje politike, shkencore etj. Aderoj me qëndrimin tim në një marrëveshje qytetare. Aderoj në Shoqatën e Gjuhësisë.
✱Sin.: anëtarësohem, parapëlqej, përkrah, mbështet, angazhohem.
AFORISTÍK,~E mb., libr. 1. Që ka të bëjë me aforizmin, i aforizmit, që shprehet me aforizma.
2. Që ka veçoritë e një thënie a një fjalie të shkurtër e me fuqi shprehëse, që shpreh një mendim të mençur në mënyrë të ngjeshur e me fuqi shprehëse. Mendim aforistik. Shprehje aforistike. Stil aforistik. Forma aforistike. Krijim aforistik. Poezi aforistike.
AFORÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT libr. 1. Thënie, shprehje a fjali e shkurtër, që shquhet me fuqi shprehëse, që përmbledh një mendim të mençur e të përgjithësuar, një mësim a një përvojë nga jeta dhe që përdoret në ligjërime e dije të ndryshme (filozofi, letërsi, politikë, histori, mjekësi etj.). Flet me aforizma. Aforizma të njohur. Autor aforizmash. Aforizëm filozofik. Aforizëm moral. Aforizma intelektualë. Aforizmat politikë.
2. let. Mikrostrukturë gjuhësore-letrare, që shpreh në mënyrë të ngjeshur dhe artistike, shpesh humoristike, një pohim a një mendim të mençur që përmban brenda vetes paradoksin, duke pasur karakter politik, shoqëror, filozofik, etik etj., e duke përdalluar një ton kritik përmes ironisë, sarkazmit, kontrastit, hiperbolës dhe alegorisë. Aforizëm letrar. Përmbledhje aforizmash. Aforizma humoristikë.
AH pasth. 1. Përdoret kur shprehim dhembje, pikëllim, dëshpërim etj. Ah, ç’dhembje e fortë! Ah, ç’e gjeti të shkretin! Ah, ç’i plasi shpirti!
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e gëzimit, të lumturisë, të kënaqësisë, të admirimit etj. Ah, sa mirë! Ah, sa bukur! Ah, sa i lumtur jam! Ah sa kënaqësi! Ah ç’mrekulli ishte!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, kërcënim, shqetësim etj. ose frikë, çudi, habi; a. Ah, më frikësove shumë! Ah, erdhe ti! Ah, në të zënça! Ah, sa të vij atje! Ah, ç’më bëre! Ah, ç’kopuk u bë!
4. Përdoret për të theksuar shprehjen e kundërshtimit, të mospranimit. Ah, jo! Ah, gjer këtu! Ah, kështu qenka puna? Ah, ashtu ndodhi?
5. Përdoret kur shprehim një mendim që na vjen papritur ose diçka që na kujtohet aty për aty në bisedë e sipër. Ah, më ra ndërmend!! Ah, sa mirë që m’u kujtua! Ah, si më shkoi mendja në atë çast!
AHISTORÍK,~E mb. 1. Johistorik. Trajtim ahistorik. Interpretim letrar ahistorik.
2. Që nuk dëshmohet se ka qenë me të vërtetë; që s’ka qenë i gjallë, që nuk i përgjigjet realitetit, që është i trilluar a i shpifur; Mendim johistorik. Figurë ahistorike. Karakter ahistorik. Moral ahistorik. Roman ahistorik (subjekt).
AJÓ (ASÁJ tr. e shkurt. I; ATË pas parafj. TË, tr. e shkurt. E; ASÁJ, pas parafj. SAJ) përem. 1. vetor. Tregon një frymor a një send (të shënuar nga një emër i gjinisë femërore), për të cilin bëhet fjalë, por që nuk është i pranishëm; zëvendëson një emër të gjinisë femërore (në numrin njëjës), që është përmendur pak më parë ose që do të përmendet më pas. Ai dhe ajo. Ajo vetë pikërisht ajo. Ajo flet. I thashë asaj. E pashë atë. Rri me të. Jo ti, por ajo atje.
2. përd. em., libr. Përdoret në vend të emrit të përveçëm të një protagonisteje ose të një personazhi në një vepër letrare.
3. dëft. Tregon një frymor a një send (të shënuar nga një emër i gjinisë femërore), që ndodhet më larg folësit se një frymor a një send tjetër i njëjtë; zëvendëson një emër të gjinisë femërore (në numrin njëjës), që është përmendur më parë se një tjetër; kund. kjo. Ajo atje. Ja ajo. Po ajo, e njëjta. Ajo vajzë (rrugë). Në atë mënyrë.
4. dëft. Tregon njërin prej dy frymorëve ose sendeve (të shënuar nga emra të gjinisë femërore), që krahasohen, përqasen a kundërvihen; kund. kjo. Në këtë ose në atë fushë. Nga kjo ose nga ajo anë. Në këtë ose në atë mënyrë.
5. dëft. Përdoret me një emër për të përcaktuar më mirë kohën, që shënohet nga emri ose që është përmendur më parë; kund. kjo. Atë ditë (natë). Atë dimër (pranverë). Atë mëngjes (mbrëmje). Atë kohë. Atë botë. Atë mbrëmje. Atë stinë.
6. dëft. Përdoret para një fjalie të varur, e cila përcakton frymorin a sendin që tregon përemri (të shënuar nga një emër i gjinisë femërore) ose para një fjalie kryefjalore, e cila përcakton frymorin a sendin, që zëvendëson përemri. Ajo vinte e para. Ishte nëna ajo që sillte paqe në shtëpinë tonë.
7. dëft., bised. Përdoret para një emri të gjinisë femërore në numrin njëjës për të përforcuar një tipar a një vlerësim ose për të shprehur mospërfillje a përçmim. Ajo farë grua. Gjithë ajo dashuri. Deri në atë shkallë.
8. dëft. Përdoret për të treguar në mënyrë të përgjithësuar një mendim, një gjendje a rrethanat që përmenden më parë ose që plotësohen më pas. Ajo që ndodhi. Atë që s'ta pret mendja. Atë që është thënë. Sa për atë lidhur me diçka, për sa i përket diçkaje. Përveç asaj përveç kësaj, gjithashtu.
9. dëft., libr. Përdoret në vend të një emri të gjinisë femërore në numrin njëjës për të mos u përsëritur emri.
10. dëft., euf. Përdoret për të zëvendësuar një emër (sëmundjeje etj.), që nuk dëshirojmë e që nuk e quajmë të udhës ta zëmë në gojë për shkak paragjykimesh a për arsye të tjera. Ajo punë sëmundja e tokës. Ajo e fëmijëve (e tokës) sëmundja e tokës. Ato të grave zakonet, rregullat e grave. Ajo e gjellës kripë gjelle. Ajo qoftëlargia djallusha, dreqja.
♦ Ajo *e botës euf. Ajo botë (jetë) bota tjetër sipas besimeve fetare. Në atë *brinjë fli! iron. Del (të nxjerr) po në atë (në një) *qafë (diçka). Ç’është ajo *fjalë! S’këndon më ajo *qyqe iron. Nuk e mban dot atë *këmborë (dikush). I ra në të (në fije, në fill) shih te FIJ/E,~A. E zuri ajo *punë (dikë).
AKCEPT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Pranoj ose miratoj diçka në kuptim formal ose zyrtar; mirëpres një propozim (mendim, sugjerim, këshillë etj. të dikujt). Akceptoj mendimin (vendimin, kontratën etj.). Akcepton opinionin e tjetrit. Akceptova ofertën pasi shqyrtova kushtet. Duhet ta akceptoj gjendjen ashtu si është.
2. drejt. Marr përsipër një detyrim të lidhur me një kontratë të dyanshme; deklaroj se do të paguaj borxhin sipas afatit të përcaktuar në kontratën e nënshkruar. Akceptoi kushtet e kontratës. Akceptoj fletëpagesën (kambialin).
✱Sin.: pranoj, pajtohem, miratoj, pëlqej, tumir, respektoj, përvetësoj, mirëpres.
AKCEPTÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që pranon ose që pajtohet me një propozim, me një mendim, me një sugjerim, me një këshillë të dikujt. Akceptues i sugjerimit.
2. drejt. Ai që pranon ose që merr përsipër një detyrim të lidhur me një kontratë të dyanshme. Akceptues i vendimit të gjykatës. Akceptuesi i kontratës (i borxhit, i kambialit, i faturës etj.).
✱Sin.: pranues, pajtues, miratues, përvetësues.
AKCEPTÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që pranon a pajtohet me një propozim, me një mendim, me një sugjerim, me një këshillë të dikujt.
2. drejt. Ajo që pranon ose që merr përsipër një detyrim të lidhur me një kontratë të dyanshme. Akceptuesja e marrëveshjes ndërroi mendjen. Akceptuesja e ofertës. Akceptuesja si palë e kontratës.
✱Sin.: pranuese, pajtuese, miratuese, përvetësuese.
AKSEPTÚAR (i, e) mb. 1. I pranuar, i miratuar. Ndihem e akseptuar. Këshillë e akseptuar. Mendim i akseptuar. Teori e akseptuar. Vendim i akseptuar. Akseptim zyrtar (ligjor).
2. drejt., fin., treg. Që është pranuar ose miratuar. Vendim i akseptuar. Kambial i akseptuar. Borxh i akseptuar. Çek i akseptuar.
✱Sin.: i pranuar, i miratuar, i pohuar, i aprovuar, i konfirmuar.
ALEGORIZÚES,~E mb. Që ka karakter alegorik; që shpreh një ide, një mendim etj. në mënyrë të tërthortë e të figurshëm, i metaforizuar. Tekst alegorizues. Vepër alegorizuese. Me ton alegorizues.
✱Sin.: i alegorizuar, i figurshëm, i figurativizuar, i jodrejtpërdrejtë, i tërthortë.
ALOGJÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT 1. libr. Mendim që i kundërvihet logjikës, që mohon rëndësinë e logjikës; mungesë e logjikës a e të arsyetuarit në një veprim apo në një situatë. Reagimi yt ishte një alogjizëm.
2. filoz. Parim filozofik që mohon rëndësinë e logjikës në dije dhe i jep përparësi besimit dhe intuitës mbi arsyetimin racional. Debatuesi përdori disa alogjizma.
3. let. Figurë stilistike me të cilën arrihet efekt komik dhe ironik duke shmangur arsyet dhe konvencionet logjike; shmangie e qëllimshme e lidhjeve logjike në të folur për qëllime stilistike. Drama e absurdit është e mbushur me alogjizma.
4. mat. Palogjikësi; mungesë logjike.
✱Sin.: alogjikë, palogjikësi, jologjikësi, paarsyeshmëri, palogjikshmëri, pakuptimësi.
ALTERNATÍV,~E mb., libr. Që ka të bëjë me zgjedhjen e njërës prej dy a më shumë zgjidhjeve të mundshme; që është e dyta nga dy gjëra që kanë mbetur për t’i zgjedhur, që ka të bëjë me alternativën. Mendim alternativ. Trajtim alternativ. Zgjidhje alternative. Nuk ka zgjidhje alternative. Rryma alternative. Mjekësia alternative. Kultura alternative. Tekst alternativ. Lëndë alternative. Muzikë alternative. Afat alternativ.
AMÓRF,~E mb., libr. I paformë; që nuk ka formë ose një formë të përcaktuar qartë. Lëndë amorfe. Masë amorfe. Trup (mineral) amorf. Xham amorf. Plastikë amorfe. Organizatë amorfe. Shoqëri amorfe. Mendim amorf. Ide amorfe.
✱Sin.: i paformë, i patrajtë, i paqëndrueshëm, i papërcaktuar, i pastrukturuar, i paqartë, i paorganizuar.
ANAKOLÚT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. gjuh. Ndryshim i befasishëm në rregullsinë e strukturës së fjalisë, për shkak të një ndërprerjeje të papritur etj.; lëvizje e papritur në mendim.
2. let., stil. Një lloj elipse që shënjon papajtueshmëri në ndërtimin e fjalive të përbëra. Anakolutë që përçon dëshpërim. Në vargjet e tij poeti ka përdorur anakolutën.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë